Foto: RTSH
Të dielën në Shqipëri mbërriti trofeu origjinal i Kupës së Botës.
Kupa e Botës u vendos për disa orë në ambientet e Kryeministrisë, në Tiranë, ku u vizitua nga dashamirësit e sportit.
“Kupa e Botës nuk është e artë vetëm nga floriri, por sepse ka brenda talent dhe pasion, përpjekje, shpirt gare dhe fantazi, lot dhe gëzim. Kjo kupë ka shëtitur në të gjithë rruzullin tokësor dhe është ngritur lart nga futbollistë të mrekullueshëm, të talentuar që kanë frymëzuar miliona njerëz me lojën dhe golat e bukur”, -deklaroi ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se aktiviteti Trofeu Origjinal i Kupës së Botës, është një prej 1000 aktiviteteve që Tirana mikpret, si Kryeqyteti Evropian i Rinisë.
Kupa shoqërohej nga Gilberto Silva, ish-futbollist i Brazilit, tashmë Ambasador i Turneut të Trofeut të “FIFA World Cup”, fitues i tij në vitin 2002.
Trofeu i turneut “FIFA World Cup” do të ndalet në 51 vende e territore.
Për herë të parë, ai do të vizitojë të 32 vendet që u kualifikuan për “Kupën e Botës FIFA”, duke frymëzuar tifozët në mbarë botën.