Zhang Lu, komentatori kinez i futbollit dhe ish-zëvendëspresidenti i Beijing Guoan në Superligën Kineze (CSL), deklaroi në një intervistë me Grupin Mediatik të Kinës se mungesa e zhvillimit cilësor të të rinjve nuk është problemi më i madh me të cilin përballet futbolli kinez. “Të bësh prioritet zhvillimin e të rinjve nuk do ta zgjidhë problemin e futbollit kinez. Sepse zhvillimi i të rinjve nuk është rrënja”, -tha Zhang për “Football Night”.
Klubet profesioniste kineze të futbollit investuan shumë në pasjen e ekskluzivitetit deri në vitin 2020. CSL dikur kishte pagën mesatare të gjashtë më të lartë në botë. Megjithatë, Zhang mendon se ajo që klubet morën nuk ia vlente paratë e shpenzuara, por nuk kishin mundësi tjetër, sepse nuk kishte mjaftueshëm talente të futbollit në vend. "Është sikur të gjendeshin disa fidanë mediokër, nxituam t'i mbillnim dhe prisnim që të rriteshin në pemë të larta. Kjo nuk është e mundur", -tha ai.
Zhang është i angazhuar prej dekadash në zhvillimin e futbollit në Kinë. Sipas tij, shumë njerëz filluan të punojnë për zhvillimin e të rinjve që në vitet 198, megjithatë, nuk është arritur shumë përparim. "Ka një tjetër aspekt përtej zhvillimit të të rinjve. Po popullarizohet futbolli", -tha Zhang.
Ai beson se qëllimi i zhvillimit të të rinjve është të gjejë lojtarët më të mirë të rinj dhe t'i ndihmojë ata të rriten drejt nivelit të lartë me stërvitje dhe praktikë. Gjithsesi, popullarizimi i futbollit do të përfshijë sa më shumë fëmijë të jetë e mundur në aktivitetet e futbollit.
"Këto janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, por ne i kemi përzier", -tha Zhang. Ai zbuloi se midis viteve 2000 dhe 2014 kishte vetëm rreth 5000 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në vit që luanin rregullisht futboll. Fatkeqësisht, ky është brezi nga vijnë lojtarët e sotëm të kombëtareve kineze në nivele të ndryshme.
Vende me emër për futbollin, si Gjermania, Brazili dhe Franca, kanë të gjitha më shumë se një milion futbollistë të rinj në të njëjtën grupmoshë. "Nuk ka asnjë mënyrë që lojtarët e përzgjedhur nga 5000 kandidatë të barazohen me homologët e tyre që janë përzgjedhur nga 50.000 ose 500.000 persona", -tha Zhang.
Zhang ka 42 vjet që angazhohet për ecurinë e të rinjve në futboll. Megjithë pasionin e tij për ta çuar futbollin te të rinjtë, ai nuk synon të nxjerrë sa më shumë talente, por shpreson që të ndihmojë sa më shumë fëmijë që të jetë e mundur të argëtohen duke luajtur futboll, për ta bërë jetën e tyre më të lumtur.
Numri i futbollistëve kinezë nisi të rritej sërish në vitin 2015. Sipas Zhang, duhen rreth 20 vjet që grupi i talenteve të rinj të bëhen anëtarë kontribues në ekipet kombëtare. Prandaj, nëse viti 2015 është një pikë kthese, futbolli kinez nga viti 2034 do të fillojë të tregojë disa shenja pozitive.
“Nëse vazhdojmë të popullarizojmë futbollin në mbarë vendin, me siguri do të gjejmë më shumë talente cilësore dhe ekipet kombëtare do të vazhdojnë të përmirësohen”, -tha Zhang.