Intervistë me gazetarin sportiv të RTSH, Dëfrim Methasani
Një nga ngjarjet më të rëndësishme botërore janë Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”, që startuan në kryeqytetin kinez më 4 shkurt. Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit i tregoi botës Kinën dhe kulturën kineze dhe ka vënë në jetë angazhimin për një olimpiadë “të thjeshtë, të sigurt dhe të mrekullueshme’ të Kinës, duke treguar konceptin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit. Mediat ndërkombëtare po ndjekin me interes risitë e këtyre Lojërave, krahas tyre dhe ato shqiptare. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës gazetari i njohur sportiv Dëfrim Methasani vlerëson këtë event të rëndësishëm dhe pjesmarrjen e ekipit shqiptar të skive.
Dëfrim Methasani prezantues i galasë për Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022 (Facebook)
CMG: Si një gazetar me përvojë në fushën e sportit dhe veprimtarive olimpike, cili është vlerësimi juaj për organizimin nga Kina të dy Olimpiadave, ato verore në 2008 dhe dimërore, që po zhvillohen?
Dëfrim Methasani: Natyrisht që Kina dhe konkretisht Pekini në këtë rast ka treguar se nuk di vetëm të organizojë një event, por di ta bëjë bukur dhe në mënyrën më madhështore atë. Duke parë ceremoninë e hapjes, por dhe mbarëvajtjen e garave të para të Lojërave Olimpike Dimërore “Pekin 2022”, e kupton qartë që kinezët janë të lindur për të realizuar evente të tilla spektakolare.
Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022” me pjesmarrjen e 91 shteteve dhe 2871 sportistëve deri tani kanë treguar që janë në një nivel shumë të lartë dhe po ashtu edhe rezultatet po shkojnë mjaft mirë edhe pse në kushte të vështira atmosferike, ku temperaturat janë -23 gradë aktualisht dhe për shkak të erës së fortë dhe lagështisë shkojnë deri në -28 gradë Celsius. Deri tani emocioni që përcjell Pekini me Lojërat Olimpike Dimërore është një emocion i fortë, i bukur, që ka pushtuar sytë dhe mendjet e të gjithë botës.
Skiatorja kosovare Kiana Kryeziu në Pekin 2022 (Facebook)
CMG: Shqipëria përfaqësohet në këto Lojëra vetëm me një garues, 18 vjeçarin Denni Xhepa në ski alpine. Në vlerësimin tuaj përse mungojnë sportet e bardha në nivel profesionist në Shqipëri?
Dëfrim Methasani: Natyrisht që nivelin e sportit në çdo vend e sjell infrastruktura. Duke munguar pistat dhe të gjitha ambjentet ku zhvillohen garat e skive, natyrisht që do të mungojnë dhe talentet dhe sportistët elitarë. Jo rastësisht dhe konkurrenti ynë Denni Xhepa, por dhe më parë Erion Tola janë përgatitur jashtë Shqipërisë sepse tek ne kanë munguar pistat e duhura me nivel. Natyrisht ka pista amatore si në Dardhë të Korçës, apo në Pukë, e ndërtuar një vit më parë nga një djalë pasionant si Përparim Laçi, por këto nuk mjaftojnë që Shqipëria të ketë një ekip këtu, që të stërvitet këtu dhe të ketë talente që do të përfaqësojnë Shqipërinë denjësisht. Gjithmonë ne kemi importuar shqiptarë që jetojnë jashtë për stërvitje në pista gjigante, siç është dhe rasti i Denni Xhepës, i cili së bashku me vëllanë Sindi, që është trajneri i tij janë përfaqësues të Shqipërisë, por që stërviten jashtë saj. Ata stërviten në Itali sepse jetojnë në Milano dhe në një nga pistat që Italia i ka me shumicë ata stërviten dhe ia dolën mbanë të jenë protagonistë për ngjyrat kuqezi.
CMG: Para nisjes së ekipit shqiptar në Pekin presidenti i Federatës së Skive Elvis Toçi tha se po punohet intensivisht për masivizimin e sporteve dimërore. Madje ai pretendoi se në Lojërat e ardhëshme Olimpike Dimërore që do të zhvillohen në Itali, në 2026 Shqipëria mund të marrë dhe medalje. Sa të realizueshme ju duken këto premtime?
Dëfrim Methasani: Nuk dua të zbeh një dëshirë, pasion apo ambicje të presidentit Toçi, që duhet falenderuar në fakt, për këtë nismë sepse i pari aktivitet kombëtar është bërë jashtë shtetit, pikërisht në Alpet e Italisë. Kurrë nuk dua ta zbeh dëshirën që ka presidenti apo stafi i tij, por unë e shoh Shqipërinë pak larg sepse për të qenë medalistë duhet jo vetëm infrastruktura, por duhet filluar puna shpejt, që në moshat e reja. Për shembull kështu ka vepruar Kosova në sportin e xhudos, që e nisi 10-15 vjet më parë dhe sot kemi kampion olimpik pikërisht nga Peja, një qytet që tashmë është bërë i njohur në botë për sportin e xhudos me kampione olimpike dhe botërore. Pra u investua dhe investimi nuk vjen në një çast por pas disa vitesh.Natyrisht që fëmijët talente duhet të rriten e të përgatiten nëpër pista dhe në kushte cilësore për të qenë konkurrentë dinjitozë për nivelet e larta botërore. Duhen shumë elemente dhe nuk mjafton vetëm dëshira apo pasioni dhe duhet të ketë sasi për të patur cilësi.
CMG: Ju moderuat ceremoninë gala të organizuar nga KOKSH për nisjen e delegacionit olimpik shqiptar drejt Pekinit. Edhe si gazetar i njohur sportiv në RTSH, keni patur kontakte me ekipin shqiptar gjatë këtyre ditëve? Cilat janë përshtypjet e tyre nga kjo pjesmarrje?
Deni Xhepa skiatori shqiptar (Federata e Skive)
Dëfrim Methasani: Lajmet janë pozitive dhe negative. Lajmi negativ ishte fakti që trajneri Sindi Xhepa ka qenë i izoluar për shkak të Covid 19 dhe së fundmi i është bashkuar vëllait të tij, Denni për ta trajnuar atë për të shkuar deri në ditën e garës, që është më 13 shkurt, gara e parë. Probleme ka patur dhe për teknikun zyrtar, i cili ka qenë i izoluar për arsye të Covid 19. Ndërkohë dje i është bashkuar ekipit sekretari i përgjithshëm Gerti Shima, i cili ndodhet në Pekin por nuk ka qenë në fshatin olimpik, ku shef misioni është Kliton Muça. Ndërkohë sportisti Denni Xhepa deri tani ka bërë stërvitje dhe ka qenë në formë të mirë ky talent vetëm 18 vjeçar dhe e rëndësishme është që nuk ka patur asnjë dëmtim. Natyrisht që Denni nuk është për medalje atje por për të bërë një konkurrim dinjitoz dhe për të zënë një vend relativisht të mirë në armatën e madhe të skiatorëve. Gjithësesi siç është filozofia olimpike, e rëndësishme është të marrësh pjesë dhe për Shqipërinë mendoj se është sukses vazhdimësia e pjesmarrjeve.Kjo është pjesmarrja e pestë dhe uroj që Denni të arrijë një vend të mirë ashtu si Erion Tola ka bërë prezantime të mira për Shqipërinë.
Janë dhe dy lajme interesante nga Olimpiada lidhur me ekipin e Kosovës, ku skiatori Albin Tahiri ka garuar dhe ka dalë i 35-i nga 50 konkurues, ndërsa skiatorja Kiana Kryeziu zuri vendin e 49-të nga 82 garues në ski alpine. Ndërkohë një lajm tjetër që na gëzon ne si shqiptarë është se bashkëshortja e Valon Bajramit, futbollistit të njohur të Zvicrës, Lara Gud fitoi medalje bronxi në ski alpine dhe sllallom gjigant, duke përfaqësuar ekipin e Zvicrës në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”.
Intervistoi Eda Merepeza