Devid Da Silva është goditja e madhe në merkaton dimërore të Tiranës. Vetë klubi i Tiranës ka njoftuar në faqen zyrtare afrimin e sulmuesit brazilian.Për të ky është një rikthim në Shqipëri.Devid ishte një nga zbulimet e sezonit të shkuar, duke e ndihmuar Kastriotin në realizimin e objektivit mbijetesë.25-vjeçari shënoi 10 gola, duke u rënditur mes shënuesve më të mire të edicionit. Dëmtimi i Majkëll Ngoo i nxiti drejtuesit bardheblu që të futen në merkato për një sulmues.

Covid 19 penalizon përsëri tifozët e Serie A

COVID-19 është kthyer në një çështje madhore për të gjitha shtetet më të rëndësishme europiane me virusin famëkeq që vazhdon të ndikojë negativisht në financat e klubeve të futbollit. Së fundmi Asambleja e ligës italiane të futbollit për shkak të rasteve të shumta me COVID-19, ka vendosur të reduktojë në vetëm 5 mijë persona maksimumi,praninë e tifozëve në stadium duke nisur nga data 16 Janar deri në 23 janar.Deri më tani është lejuar 50% e kapacitetit të stadiumeve. Me përjashtim të Superkupës së Italisë Juventus-Inter që do të luhen me 50 % të kapacitetit, dy javët e ardhshme të Serie A do të zhvillohen me shumë pak tifozë në shkallët e stadiumeve dhe ky është një lajm shumë i keq për fansat e futbollit italian.

Reali marshon në krye të kampionatit, Sevilla ruan hapin

Reali i Madridit mposhti thellë 4-1 Valencian në Santiago Bernabeu. Ekipi i Ancelottit zhvilloi një ndeshje pothuajse perfekte duke mos e vënë në dyshim asnjë moment trepikëshin në këtë takim.Benzema dhe Vinicius Junior ishin protagonistë kryesorë të takimit duke realizuar nga një dopietë secili.Sevilla nuk i ndahet Realit kryesues në LaLiga. Ekipi i Lopetegui ka fituar në shtëpi me rezultatin minimal 1-0 kundër Getafes.Barcelona vazhdon hapat fals pasi ka barazuar në transfertë kundër Granadës me rezultatin 1-1. Ekipi i Xavit nuk ia doli dot të ruante avantazhin e fituar prej golit të De Jong, por u barazua në minutat e fundit, kur u detyrua të luante edhe me 10 lojtarë, për shkak të kartonit të kuq të Gavit.

Bayerni e nis vitin 2022 me humbje

Bayern Munich e ka nisur me humbje vitin, ndaj një ekipi si Borussia M’Gladbach që nuk provonte shijen e triumfit prej pesë javësh.Takimi ka përfunduar me rezultatin 1-2, edhe pse kampionët e Gjermanisë që kryesojnë kampionatin kaluan të parët në avantazh.Robert Lewandowski ishte ai që e zhbllokoi ndeshjen në minutën e 18-të, por festa nuk zgjati shumë me Neuhaus dhe Lainer që përmbysën rezultatin.Ndërkohë Dortmundi e nisi në mënyrën më të mire të mundshme vitin me një përmbysje të çmendur 3-2 kundër Frankfurtit. Borussia e gjeti veten në disavantazh të dy golave në pjesën e parë, por ia dolën të përmbysnin gjithçka në pjesën e dytë.

Kameruni nis me fitore Kupën e Afrikës

Kupa e Afrikës ka nisur zyrtarisht rrugëtimin e saj.Në ndeshjen hapëse Kameruni mundi 2-1 Burkina Fason. Ekipi i Conceicao përmbysi gjithçka pavarësisht se e pa veten në disavantazh në minutën e 24.Ishte Sangare ai që surprizoi ekipin e Kamerunit duke realizuar një gol që e çoi rezultatin në 1-0 për Burkina Fason. Megjithatë,Kameruni diti të reagojë me sulmuesin Aboubakar që realizoi një dopietë. Në ndeshjen tjetër, Kepi i Gjelbër mposhti Etiopinë me rezultatin minimal 1-0. Julio Tavares shënoi golin e vetëm të takimit në fundin e pjesës së parë. Kështu në grupin A, Kameruni dhe Kepi i Gjelbër kanë nga tre pikë, ndërkohë që Burkina Faso dhe Etiopia kanë zero pikë.

Golden State rikthehet te fitorja, forma e mirë për LeBron James nuk mjafton për Lakers

Golden State Warriors është rikthyer te fitorja pas dy humbjesh radhazi. Steph Curry mori ekipin e tij prej dore për të fituar takimin me rezultatin 96-82 kundër Cleveland Cavaliers. Ishte pikërisht ylli i ekipit Steph Curry që shënoi edhe më shumë pikë në këtë takim,plot 28 të tilla. LeBron James ka qenë fantastik në sfidën midis Los Angeles Lakers dhe Memphis Grizzlies, por forma e tij nuk ka mjaftuar. James shënoi i vetëm 35 pikë në këtë takim, por ekipi i tij u mposht me rezultatin 119-127. Është ndalur edhe Chicago Bulls nga Dallas Mavericks. Demat u mposhtën me rezultatin 113-99 në një ndeshje që shkëlqeu slloveni Luka Doncic. Ai shënoi 22 pikë në këtë takim.Minnesota Timberwolves i ka shkaktuar një humbje të thellë Houston Rockets me rezultatin 141-123. Towns ishte i pandalshëm duke shënuar 40 pikë dhe 9 rebound.Fitore të ngushta për Washington Wizards 102-100 kundër Oralndo Magic dhe Toronto Raptors 105-101 kundër New Orleans Pelicans. Denver Nuggets fituan 99-95 kundër Oklahoma City Thunder, ndërsa Portland Trail Blazers mposhti Sacramento Kings me rezultatin 103-88.