Shqiptarët e duan futbollin dhe i mbushin stadiumet plot, sidomos kur luhen ndeshjet kombëtare. Në Shqipëri funksionojnë 20 stadiume të kapaciteteve të ndryshme, ku tre prej tyre janë më të rëndësishmit, pasi kanë kapacitet të madh, kanë standarde të pranuara nga UEFA dhe si pasojë luhen ndeshjet kombëtare. Për të arritur këtu, ata i janë nënshtruar një procesi të gjatë të rindërtimit. Ja historia e tyre nga ndërtim i parë deri më sot. E nisim nga më i vogli prej tyre, Arena në Elbasan, tek Loro Boriçi në Shkodër, deri tek më i madhi, Air Albania në Tiranë.
Stadiumi Arena – Elbasan
Stadiumi Elbasan Arena, i njohur më parë si Ruzhdi Bizhuta, është stadium i tretë për nga përmasat në Shqipëri.
Stadiumi përfundoi së ndërtuari në vitin 1967 dhe që atëherë ka qenë terren i Klubi i Futbollit Elbasan. Stadiumi në fillim mbante emrin Ruzhdi Bizhuta, një nga lojtarët më të famshëm të klubit të futbollit në Elbasan dhe u ndërtua në tokën ku ndodhej ish fusha e klubit të futbollit, e cila ishte vjetëruar dhe ishte kthyer në një strukturë të padobishme.
Për pjesën më të madhe të historisë së Ruzhdi Bizhutës, stadiumi është përdorur ekskluzivisht nga Klubi i Futbollit të Elbasanit, por në janar 2014 u njoftua se terreni do të priste ndeshjet kualifikuese të Shqipërisë në Euro 2016. Ky vendim u mor nga Federata Shqiptare e Futbollit për të lejuar stadiumin kombëtar Qemal Stafa, ku luheshin të gjitha ndeshjet e kombëtares, që t'i nënshtrohej rinovimit.
Stadiumi u rikonstruktua dhe u përurua zyrtarisht më 8 tetor 2014, në kohën kur ekipi ynë kombëtar do të luante ndeshjen kundër Danimarkës, e vlefshme për kualifikueset e UEFA Euro 2016.
Kapaciteti në total i stadiumit pas restaurimit, shkoi në 12 800, duke e bërë atë stadiumin e tretë më të madh në Shqipëri, pas Stadiumit Air Albania në Tiranë dhe Loro Boriçi në Shkodër.
Stadiumi Loro Boriçi - Shkodër
Stadiumi Loro Boriçi ndodhet në Shkodër dhe është shtëpia e tifozëve më të zjartë në Shqipëri. Tifozët shkodran njihen për mbështjetjen e zjarrtë që i kanë bërë dhe i bëjnë ekipit të tyre Vllaznia. Në stadiumin "Loro Boriçi" është krijuar tifo grupi i parë shqiptar Vllaznit Ultras.
Stadiumi "Loro Boriçi" i ka nisur punimet për ndërtimin e tij më 27 maj të vitit 1952 dhe është inaguruar më 1 maj të viti 1953. Në vitet '80 u mor vendimi për të ndryshuar krejtësisht formatin duke projektuar një stadium gjigand nga inxhinieri Reshat Koçkiqi.
Emri i parë me të cilin është njohur stadiumi i Shkodrës ka qenë ai i heroit të luftës, Vojo Kushit. E ka mbajtur këtë emër deri pas viteve '80. Pas vitit 1990, në kuadrin e ndryshimit të të gjithë emrave, u vendos për të ndryshuar edhe emrin e stadiumit, duke e pagëzuar me emrin e një prej emrave më të mëdhenj të futbollit shqiptar, për të mos thënë më të madhit, futbollistit të talentuar shkodran, Loro Boriçi.
Stadiumi është edhe stadiumi i dytë më i madh në Shqipëri pas Stadiumit Air Albania në Tiranë. Më 29 mars 2003, u emërua zyrtarisht si stadium kombëtar.
Në maj të 2015 ka filluar rikonstruktimi i stadiumit Loro Boriçi, punimet e të cilit kanë përfunduar në verë të vitit 2016. Kapaciteti i ri i stadiumit është rreth 16000 vende.
“Loro Boriçi”, është një aset jo vetëm sportiv, por edhe kulturor që ndjek traditën e pasur të këtij qyteti. Stadiumi pas rikonstruksionit të plotë, plotëson të gjitha kushtet e vendosura për të luajtur ndeshje ndërkombëtare jo vetëm të Vllaznisë por edhe të kombëtares shqiptare.
Stadiumi Air Albania – Tiranë
Arena Kombëtare, e njohur me emrin Stadiumi Air Albania është stadium më i rëndësishëm në Shqipëri. I vendosur në kryeqytetin e Tiranës, stadiumi është ndërtuar në tokën e ish Stadiumit Qemal Stafa.
Stadiumi kombëtar Qemal Stafa ishte stadiumi kombëtar i Shqipërisë. Ndërtimi i stadiumit Qemal Stafa filloi në vitin 1939 dhe përfundoi në vitin 1946 duke marrë emrin e një dëshmori të Luftës. Stadiumi u inagurua në vitin 1946 me ndeshjet e Kupës së Ballkanit e cila u fitua nga Kombëtarja shqiptare e futbollit. Kapaciteti i Qemal Stafës ishte 19 700 vende, një kapacitet i vogël, duke marrë parasysh se ishte një stadium kombëtar dhe kryesori në vend.
Pikërisht për këtë arsye u vendos që të prishej stadium Qemal Stafa dhe në vend të tij, të ndërtohej një stadium i ri. Stadiumi i vjetër u shëmb në vitin 2016 për të ndërtuar stadiumin e ri Arena Kombëtare që u hap në nëntor të vitit 2019.
Air Albania ka një kapacitet prej 22.500 vendesh që e bën stadiumin më të madh në Shqipëri.
Stadiumi zotërohet nga organi drejtues i futbollit shqiptar, Shoqata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe Shteti Shqiptar, përmes Shoqërisë Sportive Kuq e Zi Sh.A, një degë e krijuar me qëllim ndërtimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e strukturës.
Ashtu si "Qemal Stafa" historik, stadiumi i ri kombëtar u krijua nga një ekip arkitektonik nga qyteti italian i Firencës, këtë herë i udhëhequr nga Marco Casamonti. Në kujtesë të stadiumit të parë, hyrja kryesore e vjetër, është ruajtur dhe është përfshirë në projektin e ri, e fshehur prapa një muri të qelqtë.
Stadiumi përfshin një muze të historisë, dhoma ndërrimi dhe lehtësira të tjera si kafeteritë, tualete, përfshirë hyrje për personat me aftësi të kufizuara, një zonë shtypi, një qendër kongresesh, një dhomë për trofe, etj. Në një cep të strukturës së stadiumit ndodhet një kullë e gjatë 112 metra (24 kate), e cila aktualisht është kulla më e lartë në Shqipëri.
Neritana Kraja