Peshëngritësi shqiptar, Briken Çalja, u rendit i 4-ti në dygarësh në peshëngritje në lojërat olimpike “Tokyo 2020”.
Çalja, i cili garoi në kategorinë 73 kg, e humbi mundësinë për medalje bronzi për vetëm 1 kg.
Në stilin e shkëputjes, peshëngritësi kuqezi e mbylli garimin me peshën 151 kg, duke u renditur në vendin e 7-të.
Ndërsa në stilin e shtytjes, Çalja kaloi me sukses provën e parë me 184 kg, ndërsa në të dytën nuk arriti të ngrejë peshën 188 kg. Në provën e tretë, Çalja arriti të ngrejë lart peshën 190 kg duke siguruar në këtë mënyrë vendin e katërt në Lojërat Olimpike.
Sportisti shqiptar mbylli dygarëshin me 341 kg, duke mbetur në vendin e 4-t në renditjen e përgjithshme. (Elona)