Ndalimi 8 vjeçar ndaj notarit më të suksesshëm të Kinës i cili ka fituar tre medalje të arta olimpike dhe 11 tituj të Kampionatit Botëror, Sun Yangu, u rrëzua të mërkurën nga Gjykata Federale Zvicerane (SFT).
Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) konfirmoi përmes një deklarate se ishte informuar për vendimin për "anulimin e vendimit të 28 shkurtit 2020 të Panelit të Gjykatës së Arbitrazhit për Sportin (CAS)" dhe theksoi se "SFT nuk bën asnjë koment për përmbajtjen e kësaj çështjeje".
WADA gjithashtu bëri me dije se nuk ka marrë një vendim të plotë të arsyetuar nga SFT-ja dhe për këtë arsye nuk mund të komentojë më tej. Por agjencia deklaroi se ajo "do të ndërmarrë hapa për të paraqitur çështjen e saj përsëri fuqishëm kur çështja të kthehet në Panelin e CAS, i cili do të drejtohet nga një drejtor tjetër".
Sun mori një ndalim 8 vjeçar në shkurt pasi CAS-i mbështeti një apelim nga WADA, duke vendosur që 29-vjeçari kishte refuzuar të bashkëpunonte me mbledhësit e mostrave të substancave gjatë një prove të diskutueshme në shtëpinë e tij në shtatorin e 2018-s, edhe pse Federata Ndërkombëtare e Notit (FINA) vendosi që Sun nuk kishte marrë doping.
"Kjo është e padrejtë. Unë besoj fort në pafajësinë time dhe e vërteta gjithmonë do të triumfojë ndaj gënjeshtrave. Unë patjetër do të apeloj në mënyrë që më shumë njerëz të dinë të vërtetën," deklaroi Sun në shkurt.
Tani që SFT-ja ka mbështetur apelin e Sun kundër ndalimit për doping, ka shpresa që Sun të pastrojë emrin e tij dhe të vazhdojë garën në Olimpiadën e Tokyo-s 2020. Çështja është gati të rigjykohet nga CAS në një datë të papërcaktuar. (Albana)