Kur Komiteti Olimpik Ndërkombëtar njoftoi më 7 dhjetor që breakdancing ishte miratuar për t'u përfshirë në Lojërat Olimpike të Parisit në vitin 2024, një vajzë kineze me emrin Zeng Yingying u entuziazmua shumë.
"Jam shumë e lumtur," i tha Zeng agjencisë së lajmeve "Xinhua" nëpërmjet telefonit. "Më duket sikur tani kam një objektiv më të lartë. Dua të përfshihem në ekipin kombëtar (kinez) dhe të bëj një paraqitje të shkëlqyer në Lojërat Olimpike."
Zeng ishte e vetmja kërcimtare kineze e breakdancing-ut në Lojërat e para Botërore Urbane që u zhvilluan në Budapest vjet. Breakdancing ishte aq popullor në këtë veprimtari, sa të gjitha garat ndiqeshin nga një turmë e madhe shikuesish. Zeng arriti deri në raundin e 16 më të mirëve, por nuk shkoi dot më tej.
Zeng është marrë me not, atletikë dhe basketboll që kur ishte e vogël. Ajo shkoi në një shkollë sportive heptatloni kur ishte 14 vjeçe. Një vit më vonë, Zeng u kthye në shkollën e rregullt, por u përqendrua në vrapimin me pengesa dhe në kërcimin trehapësh. Ajo u pranua në Universitetin e Ningbos si studente me talent të veçantë në sporte në vitin 2012.
Por në verën para se të niste universitetin, Zeng filloi të merrej me kërcimin në rrugë. Ajo ra në dashuri me të pothuajse menjëherë.
"Në fillim e bënim thjesht për argëtim në shesh, por ishte shumë bukur që mjaft njerëz na shikonin", tha Zeng. Më pas, kur studionte në universitet, ajo u bashkua me një klub kërcimi në rrugë. Ajo mësoi shpejt me ndihmën e anëtarëve të vjetër dhe fitoi titullin e vet të parë në breakdancing në vitin 2015.
Zeng ndoqi më shumë gara në vitet në vijim dhe u bë e njohur në rrethet e kërcimit në rrugë në Kinë për paraqitjen e saj në Kampionatin Botëror të Breakdancing-ut në Nankin të Kinës Lindore vitin e kaluar. Zeng ishte e vetmja kërcimtare kineze që arriti të dalë ndër katër më të mirët në këtë veprimtari. Kjo tërhoqi vëmendjen e Federatës Kineze të Kërcimit Sportiv, e cila e ftoi Zeng-un të merrte pjesë në Lojërat Botërore Urbane në Budapest.
Zeng ka marrë pjesë në veprimtari të ndryshme gjatë gjashtë muajve të fundit dhe ka pasur rezultate të mira.
"Fitova tituj në të gjitha garat, përveç njërës," tha ajo. Qëllimi tjetër i vajzës është të marrë pjesë në Lojërat Kombëtare të Kinës vitin e ardhshëm si përfaqësuese e provincës Zhejiang.
"Breakdancing-u nuk është i mërzitshëm si atletika. Dëgjon muzikë dhe vazhdon të mendosh çfarë lëvizjesh të bësh, si të vazhdosh ta sfidosh veten. Ka shumë lëvizje dhe ti jo vetëm i mëson ato, por edhe duhet të mendosh kur dhe si duhet t'i ndryshosh dhe t'i ndërthurësh lëvizjet e tua. Është emocionuese, është interesante dhe plot ngjyra," shprehet e rejaa.
Ajo beson se breakdancing-u ka një të ardhme të ndritur.