Organizatorët e Olimpiadës së Tokios kanë publikuar një raport të përkohshëm mbi udhëzimet e parandalimit të COVID-19 gjatë Lojërave Olimpike Verore.
Kryeekzekutivi i "Tokio 2020" Toshiro Muto sugjeron që sportistët të kthehen menjëherë në vendet e tyre pasi të mbarojnë konkurrimin:
"Parimi themelor është që periudha e qëndrimit në Fshatin e Sportistëve propozohet të minimizohet sa më shumë që të jetë e mundur. Ne duam që Fshati i Sportistëve të mos bëhet shumë i populluar. Pas konkurrimit ne do të dëshironim që ata të ktheheshin në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur."
Muto gjithashtu theksoi se sportistëve do t'u bëhen teste të rregullta për COVID-19 gjatë Lojërave, si dhe pas mbërritjes në Japoni.
Organizatorët gjithashtu lanë të kuptohet se shikuesit, testet e të cilëve për COVID-19 janë negative, mund të marrin pjesë në Olimpiadën e Tokios pa një vaksinim të detyrueshëm ose karantinë.
Disa propozime të raportit mund të hidhen poshtë me ndryshimin e kushteve dhe pothuajse gjithçka mund të rishikohet.