Çmimi “Topi i artë” për futbollistët më të mirë në botë nuk do të jepet sivjet, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Çdo vit, duke filluar që nga viti 1956, revista “France Football” ka shpallur një futbollist fitues të “Topit të artë”.
Kryeredaktori i “France Football”, Pascal Ferre, thotë se anulimi është i kuptueshëm, pasi pandemia ndërpreu sezonin e futbollit:
"Ky (vendim) është marrë për shkak se na u duk sikur do të krahasonim mollët dhe dardhat, në kuptimin që do të paraqisnim lojtarë që kishin luajtur 35 deri në 40 ndeshje, ndërsa të tjerët kishin luajtur vetëm 20 ose 25. Gjithashtu, nuk duhet të harroni që, përgjithësisht, në vitet jo të pikut - nuk do të zhvillohet Kampionati Europian sivjet - ajo që vendos është Liga e Kampioneve. Por ajo do të rifillojë me rregulla të reja, kështu që ishte e pamundur të merrej parasysh".
Lionel Messi e fitoi çmimin “Topit të artë” për një rekord prej gjashtë herësh vitin e kaluar, një më shumë se rivali i tij Cristiano Ronaldo.
Ka 30 lojtarë kandidatë çdo vit. Fituesi shpallet pas votimit prej gazetarëve nga e gjithë bota, me një përfaqësues për çdo vend.