Foto: VCG
"Ka një 'buf të vogël' në magazinë tonë. Ai s’mund të fluturojë, por as të hajë dhe të pijë." Në mëngjesin e 10 majit, Gao Yuxi, kreu i Stacionit të Shpëtimit të Kafshëve të Egra në Shijiazhuang, kryeqendra e provincës Hebei, sapo pastroi kafazët e kafshëve kur mori një telefon për ndihmë. Ai u nis menjëherë me anëtarët e ekipit, madje pa ngrënë mëngjes.
"Bufi i vogël", i përmendur nga ndihmësi, duhet të jetë ai me brirë të kuq. Ky zog lëviz vetëm natën dhe ka frikë nga drita, ai zakonisht fshihet ditën. Ka mundësi që, në netët me shumë drita në qytet kur nuk mund ta shohë mirë mjedisin përreth, të jetë lënduar," - mendoi Gao Yuxi, ndërsa nxitoi për ta sjellë bufin në Stacion.
Stacioni i Shpëtimit të Kafshëve të Egra në Shijiazhuang u krijua në vitin 2020 dhe merret kryesisht me mbrojtjen dhe shpëtimin e kafshëve të egra, kërkimin e specieve të shpendëve, edukimin shkencor dhe monitorimin e sëmundjeve epidemike në qytetin Shijiazhuang.
Me përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit ekologjik në Shijiazhuang dhe zonat përreth tij, po rritet numri i kafshëve të egra që ndalojnë ose qëndrojnë për t’u shumuar gjatë migrimit. Vetëm në dy vitet e fundit, Stacioni i Shpëtimit të Kafshëve të Egra në Shijiazhuang, ka shpëtuar më shumë se 3 mijë kafshë të egra të lënduara ose të sëmura, duke përfshirë më shumë se 1 mijë prej atyre që mbrohen me nivelin e parë dhe të dytë në Kinë.
Foto: VCG
Stacioni është si një qëndër e ndihmës së shpejtë për kafshët e egra. Gao Yuxi, kreu i këtij stacioni, thotë se në pranverë ata janë të zënë me lëshimin e kafshëve, në verë me shpëtimin e amfibëve dhe zvarranikëve, në vjeshtë duke ndihmuar zogjtë dhe, në dimër me kafshët e mëdha. Stacioni i Shpëtimit pothuajse nuk ka kohë të lirë gjatë gjithë vitit.
Stacioni i Shpëtimit aktualisht ka 2 veterinerë profesionistë dhe 4 personel të ambulancës, të cilët tashmë po operojnë me kapacitet të plotë. Gao Yuxi tregon se me rritjen e vazhdueshme të ndërgjegjësimit publik për mbrojtjen ekologjike, gjithnjë e më shumë kafshë të egra do të sillen në Stacionin e tyre.
Tani Stacioni i Shpëtimit të Kafshtëve të Egra luan edhe rolin e propaganduesit për mbrojtjen e mjedisit dhe shpesh organizon aktivitete, veçanërisht me fëmijët dhe të rinjtë. Këtu ata mund të mësojnë për mbrojtjen e ligatinave të lumenjve, çfarë janë vetë ligatinat, apo zogjtë e egër të ligatinave të Shijiazhuang-ut, etj.
Foto: VCG
Përgjegjësja e propagandimit në Stacionin e Shpëtimit, Zhang Yaru, merr pjesë shpesh në organizimin e këtyre aktiviteteve. Ajo përpiqet t’i popullarizojë sa më shumë njohuritë mbi mbrojtjen e ligatinave, duke u fokusuar te rëndësia e mbrojtjes së tyre. Zhang Yaru nuk lodhet së shpjeguari për publikun llojet e ligatinave, funksionet e tyre, marrëdhëniet mes ligatinave dhe njeriut, kafshët e egra etj. Ajo mendon se edhe puna e saj është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e biodiversitetit.
Edhe Lu Yu, sekretare e përgjithshme e Qëndrës së Projektit Taihang pranë Shoqatës Ekologjike SEE, nuk ka si të mungojë në këto aktivitete. Sipas saj, mbrojtja e kafshëve të egra dhe ndihmesa për t’i kthyer ato në natyrë, është qëllimi kryesor. Lu Yu fton të gjithë njerëzit të kujdesen dhe t'i kushtojnë vëmendje kafshëve të egra, duke mbrojtur mjedisin së bashku.
Nëpërmjet aktiviteteve të Stacionit të Shpëtimit, është rritur ndërgjegjësimi i komunitetit për mbrojtjen e ligatinave, kujdesin ndaj kafshëve të egra dhe mbrojtjen e mjedisit. Motoja kryesore është: “Kujdesemi për mjedisin, bashkëjetesën harmonike mes njeriut dhe natyrës ”
"Gjithnjë e më shumë qytetarë po dalin vullnetarë për ofruar shërbime të mirëqenies publike." - përfundon Gao Yuxi, kreu i Stacionit të Shpëtimit. Duke parë mjedisin ekologjik që po përmirësohet dita-ditës, falë edhe kontributit të tyre, nuk ka se si të mos ndjehet shumë i kënaqur. (Çang Çuo)