Mehdi Hafizi ne interviste per CMG

Mehdi Hafizi ne interviste per CMG

Mehdi Hafizi ka mbi 16 vjet në krye të Muzeve të Krujës dhe 25 vjet si punonjës i këtij muzeu, që e kanë bërë atë një simbol më shumë për qytetin historik të Krujës. Në këtë intervistë për CMG, ai flet me modesti dhe mirënjohje për kolegët, bashkë me të cilët ia ka dalë t’i kthejnë vizitorët në miq të Muzeut.

CMG: Keni 16 vite në postin e drejtorit të muzeve të Krujës. Si kanë qenë këto vite të punës tuaj si drejtues i këtyre dy muzeve të rëndësishëm?

Mehdi Hafizi: Unë normalisht kam shumë më tepër vite sesa aq. Tani në fillim të marsit bëra 31 vite punë në të dy muzetë e Krujës dhe nga vitit 1999 jam drejtori i të dy muzeve, Muzeu Skënderbeu dhe Muzeu Etnografik. Të dy janë shumë specifikë, si ai që i kushtohet Skënderbeut ku muzeu ka formë shqiponje dhe gjithë ndërtesa është një shqiponjë në gur, ku vizitorët jo vetëm që njihen me veprat e artit, por dhe me historinë e Skënderbeut që është shumë interesante për shqiptarët, por dhe më gjerë në Europë. Po kështu është Muzeu Etnografik, edhe ai specifik, një ndërtesë e vitit 1764 ku objektet janë që të gjitha origjinale, nga 50 deri gati 500 vjeçare, shumë i pëlqyer dhe është etnografiku më i mirë në Ballkan.


Muzeu Etnografik i Krujes (Facebook)

Muzeu Etnografik i Krujes (Facebook)

CMG: Duke parë që ju jeni prej kaq shumë vitesh drejtues i këtyre muzeve, falë përkushtimit dhe punës tuaj keni pasur sukses, duke krijuar një marrëdhënie të mirë me vizitorët.

Mehdi Hafizi: Me të vërtetë unë e kam ndjerë veten me fat ku fillimisht e kam filluar punë si lektor në muzetë e Krujës, dhe pastaj nga viti 1999 siç e përmenda në pozicionin e drejtorit, ku përgjegjësia është shumë e madhe, një përgjegjësi që të ndjek dhe një kujdes i vazhdueshëm. Unë e them me bindje që është krijuar grupi i dashamirësve të muzeve të Krujës, të cilët pavarësisht nga ne flasin mirë për ne dhe na mbetet që mos ti zhgënjejmë ata. Unë përdor një shprehje, që ne jemi karikuar për mos t’i zhgënjyer ata, dhe ajo që ne kemi bërë mirë është tërheqja e vëmendjes që kemi ditur t’ju bëjmë vizitorëve. Nuk i kemi parë kurrë vizitorët si të rastësishëm, por i kemi parë si rezultat i punës së mirë që kemi bërë në të kaluarën, i gatishmërisë që tregojmë në këtë periudhë për t’i pritur ata me kulturë dhe profesionalizëm.


Muzeu i Krujes (Facebook)

Muzeu i Krujes (Facebook)

CMG: Si është marrëdhënia juaj me ekipin e punës të dy muzeve të Krujës?

Mehdi Hafizi: Ekipin unë e kam të mirë dhe këtu mund të përdor një shprehje që ua them dhe vizitorëve, që muzetë e Krujës në përqindje të lartë nuk kanë nevojë për drejtor sepse secili punonjës i bën punët, sepse normalisht ka patur raste që kemi pritur dhe 1000 vizitorë në ditë. Në të dy muzetë punojnë 11 veta dhe është një organizim që funksionon në mënyrë të përsosur, ku secili e di sesa punë do të bëjë dhe sesi do t’i bëjë ato punë për të paraqitur më të mirën tek vizitorët që ne me të vërtetë i kemi të shumtë.

CMG: Cili është raporti midis vizitorëve të huaj dhe atyre vendas?

Mehdi Hafizi: Normalisht në këto dy vitet e fundit vizitorët kanë qenë vendas, por përpara vitit 2019, 40 për qind ishin vizitorë të huaj dhe 60 për qind shqiptarë. Kuptohet që Muzeu i Skënderbeut tërheq dhe shumë vizitorë shqiptarë sepse është figura e Skënderbeut ajo që është shumë e dashur për të gjithë shqiptarët, si ato që jetojnë brenda territorit, por dhe ato që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.

CMG: Si është raporti i vizitorëve nga Kina në muzetë e Krujës?

Mehdi Hafizi: Faleminderit shumë dhe më vjen mirë që ma drejtuat këtë pyetje, sepse në Muzeun e Skënderbeut kanë bërë vizitë delegacione të larta nga Kina ku ka qenë dhe Zv/Kryeministri kinez, kanë bërë vizitë ministra dhe delegacione të larta, por së fundi kanë filluar të vijnë dhe turista kinezë. Unë vazhdimisht qëndroj te dera dhe i përshëndes në gjuhën kineze dhe vizitorëve që vijnë nga Kina ju kemi ofruar në gjuhën kineze një informacion të shkurtër, të përkthyer nga ambasada sepse kemi marrëdhënie shumë të mira me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë. Edhe diçka tjetër që dua të them, në Muzeun Etnografik ne kemi informacion në gjuhën kineze, i përkthyer nga Ambasada e Kinës në Tiranë.


Vizitore ne Muzeun e Krujes (facebook)

Vizitore ne Muzeun e Krujes (facebook)

CMG: Sa ka ndikuar pandemia në këto dy vite te vizitorët për të vizituar muzetë e Krujës, por dhe qytetin?

Mehdi Hafizi: Normalisht nga viti në vit dhe nga eksperienca e gjatë, ne kemi një rritje që shkon 8 deri në 10 mije vizitorë më shumë sesa viti paraardhës, dhe viti 2019 ishte goxha vit i mirë. Këto dy vitet e fundit numri i vizitorëve të huaj të organizuar në grupe pati rënie, por përsëri ne kemi pasur vizitorë. Ajo që qe e rëndësishme ta quajmë periudhë të vështirë ose fatkeqësia që ndodhi ishte tërheqja e vëmendjes së vizitorëve shqiptarë, të cilët në pamundësi për të lëvizur jashtë iu drejtuan qendrave historike të Shqipërisë. Ne kemi pasur vizitorë të shtuar shqiptarë gjatë kësaj periudhe të pandemisë.

CMG: Kruja është shumë afër Tiranës dhe nga ana logjistike turistët kalojnë një tur 1 ditor në qytetin e Krujës. Ka pasur raste që vizitorët kanë qëndruar më shumë ditë në Krujë?

Mehdi Hafizi: Ne na intereson që të rritet koha e qëndrimit në Krujë, që mos të jetë vetëm 1 ditore, sepse afërsia me kryeqytetin, portin dhe aeroportin ka anën pozitive sepse vizitorët vijnë më shpejt, por mund të ketë edhe anën negative, që mund të largohen shumë shpejt. Ne shohim që së fundi vizitorët po qëndrojnë më gjatë në Krujë, falë dhe një kulinarie të përmirësuar si dhe lëvizjes të vizitorëve drejt malit të Krujës ku është dhe Sarisalltiku, një pikë peligrinazhi shumë e rëndësishme, si për pelegrinët bektashjanë ashtu edhe për ato të fesë së krishterë. Gjithashtu Qafshtama është shumë e rëndësishme dhe ndodhet 26 km nga Kruja, ne shpresojmë që vizitorët të qëndrojnë më gjatë dhe të njihen me krojet e qytetit të Krujës nga ku merr emrin Kruja, sepse janë disa kroje të shpërndara dhe secili krua ka historinë e vet dhe pozicionet janë shumë interesante çfarë do të bënte të mundur që vizitorët të qëndrojnë dhe më gjatë në qytetin e Krujës.

Vizitore ne Muzeun e Skenderbeut ne Kruje (facebook)

Vizitore ne Muzeun e Skenderbeut ne Kruje (facebook)

CMG: Kuptohet që çdo punë ka vështirësitë dhe kënaqësitë e veta. Ju çfarë kënaqësie keni marrë gjithë këto vite ku dhe keni pritur dhe takuar shumë personalitete nga vende të ndryshme të botës?

Mehdi Hafizi: Me të vërtetë është një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua. Kryesore është që njerëzit vijnë me paramendim për të marrë kënaqësi, dhe gjithmonë atë kënaqësi e marrin nëpërmjet punës sonë. Është një kënaqësi e vazhdueshme ku shqiptarët në librin e përshtypjeve në shumë raste shkruajnë se kur vizitojmë muzetë e Krujës ndjehemi krenarë që jemi shqiptarë. Për t’i bërë shqiptarët që të ndjehen mirë në situata të vështira që kanë kaluar është një kënaqësi dhe përgjegjësi shumë e madhe. Por përveç vizitorëve shqiptarë, ajo çka na ka bërë që të ndjejemi mirë, dhe e themi me krenari që në muze kanë ardhur personalitete të larta nga Kina, në muze kanë bërë vizitë dhe dy presidentët amerikanë, kanë bërë vizitë presidentë gjermanë, kroatë, sllovenë, italianë, grekë dhe hungarezë. Në muze kanë bërë vizitë artistë me famë botërore si Michael Dauglas, Michele Plaçido, Lucio Dalla, Ana Oxa. Pra kush hyn në Shqipëri vijnë për vizitë dhe në muze, dhe këtë kënaqësi të madhe na e ka dhënë ajo punë, të cilën unë bashkë me kolektivin që drejtoj prej shumë vitesh e bëjmë me shumë dashuri.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe së fundi një mesazh urimi për dëgjuesit e Radio Ejani.

Mehdi Hafizi: Faleminderit ju që më dhatë këtë mundësi, dëgjuesve unë ju them që kurdo që të gjejnë mundësinë të kthehen në Krujë sepse kanë gjëra të reja për të parë dhe mësuar.

Intervistoi: Gazmend Agaj