Foto: VCG
“Di të them ‘motor dëbore’ dhe ‘sajë’ në anglishte dhe gjithashtu di të prezantoj manuale për parandalimin e epidemisë për sportistët e huaj...’ Gjatë Lojërave Olimpike Dimërore, do të ketë rreth 400 studentë vullnetarë nga Universiteti i Punëve të Jashtme i Dytë i Pekinit dhe më shumë se 80% e tyre do të fokusohen në ofrimin e shërbimeve në anglishte, frëngjishte, rusishte, gjermanishte e gjuhë të tjera. Të gjithë vullnetarët do të ofrojnë gjithsej 10 shërbime gjuhësore.
Gjatë Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore, zona e konkurrimit në Yanqing do të mirëpresë afro 2000 vullnetarë nga 19 kolegje dhe universitete. Sipas karakteristikave të ndryshme të shkollave dhe skenarëve të shërbimit vullnetar, shërbimet vullnetare të ofruara nga çdo shkollë kanë gjithashtu karakteristikat e tyre. Për shembull, Universiteti i Studimeve Ndërkombëtare i Pekinit do të fokusohet në ofrimin e shërbimeve gjuhësore.
Mësohet se Universiteti i Studimeve Ndërkombëtare i Pekinit rekrutoi gjithsej afro 400 vullnetarë rezervë, duke përfshirë më shumë se 300 vullnetarë profesionistë dhe mbi 50 vullnetarë të përgjithshëm. Vullnetarët profesionistë ndahen në dy fusha profesionale: ndërlidhja e jashtme dhe funksionimi i medias. Vendet e shërbimit janë të përqendruara në zonën e konkurrimit Yanqing dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Kryeqytetit. Vullnetarët e përgjithshëm janë në fushën e strehimit në hotel, kryesisht përgjegjës për shërbimet hoteliere gjatë olimpiadave. Midis tyre, më shumë se 80 % e vullnetarëve do të ofrojnë shërbime gjuhësore.
Niveli i vullnetarëve është shumë i mirë. 80% e tyre zotërojnë lirisht anglisht, kurse 40 % njohin frëngjisht, rusisht, spanjisht dhe gjuhë të tjera të huaja, gjithsej 10 gjuhë. Të tërë vullnetarët kanë përvojë në shërbimin vullnetar.
Foto: VCG
Mbi këtë bazë, universiteti ka zhvilluar posaçërisht një program trajnimi të quajtur "Folës për akullin dhe borën" për vullnetarët dhe vendet e shërbimit. Universiteti kombinon burimet mësimore për të përmirësuar aftësitë profesionale të shërbimit në anglishte dhe marrëdhënieve të jashtme të Lojërave Olimpike Dimërore, nëpërmjet "mësimdhënies në klasa të vogla", "simulimit të skenarëve" etj.
"Gjatë Olimpiadës Dimërore, shumica e vullnetarëve do të kenë kontakte të drejtpërdrejta me delegacionet dhe sportistët. Ata duhet të zotërojnë fjalorin profesional që lidhet me Lojërat Olimpike Dimërore dhe garat. Prandaj, programi ynë i trajnimit përfshin këto njohuri profesionale; kurse simulimi synon të ofrojë sa më shumë përgatitje me një ndjenjë të fortë praktike, duke zbatuar disa skenarë të mundshëm shërbimi gjatë Lojërave Olimpike Dimërore, me studentë që luajnë role të ndryshme dhe provojnë shërbimin vullnetar," tha Zhao Lei, një përgjegjës i Universitetit të Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit
Qian Shenxiao, student i vitit të dytë në fakutetin e gjuhës angleze të Universitetit të Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit, ka përfunduar trajnimin për vullnetar, duke marrë pjesë në pesë trajnime në shkallë të gjerë në internet dhe në më shumë se 50 studime të shkurtra me video të përmbajtjeve lidhur me Lojërat Olimpike Dimërore. Sipas tij, çdo të hënë deri të premte trajnuesi përgatit enkas edhe trajnimin e përkthimit në anglisht për Lojërat Olimpike Dimërore.
Foto: VCG
“Trajnuesi na jep një paragraf në gjuhën kineze një ditë më parë. Ne praktikojmë përkthimin dhe të nesërmen ai na jep përkthimin anglisht, për t’u përmirësuar," tha Qian Shenxiao.
Qian Shenxiao është gati të marrë pjesë në shërbimin vullnetar të Lojërave Olimpike Dimërore. Përpara se të regjistrohej si vullnetar i Lojërave Olimpike Dimërore, ai grumbulloi 105 orë shërbim vullnetar, kryesisht duke "hyrë në shkolla dhe lagje", për t’u dhënë studentëve dhe banorëve njohuri mbi Lojërat Olimpike Dimërore, çka gjithashtu hodhi një bazë të mirë që ai t'u bashkohej Lojërave Olimpike Dimërore.
Në trajnimin e vullnetarëve, përveç fokusimit në njohuritë për Olimpiadën Dimërore dhe aspekte të tjera, vëmendje i kushtohet edhe trajnimit të posaçëm për epideminë. Për shembull, vullnetarët që shërbejnë në aeroporte janë trajnuar në mënyrën e duhur për të veshur rroba izoluese dhe janë përgatitur mostra të mjaftueshme që vullnetarët të kryejnë stërvitje për të garantuar sigurinë e tyre gjatë shërbimit.
Besojmë se vullnetarët e rinj kinezë do të ofrojnë shërbime të mira gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit. (Çang Çuo)