Iljaz Spahiu
Ditët e fundit, revista “ExLibris” botoi artikullin e sinologut të njohur shqiptar me titullin “Dallimet kulturore, një sfidë e vërtetë në procesin e përkthimit ”.
Në këtë artikull, z. Spahiu jep disa opinione rreth përkthimit dhe përvojës së tij në këtë ndërmarrje të vështirë.
Artikulli i plotë është më poshtë:
Dallimet kulturore, një sfidë e vërtetë në procesin e përkthimit
Angazhimi im në fushën e përkthimit të letërsisë kineze zë fill në vitin 2012, vit kur fitues i çmimit “Nobel” për letërsinë u shpall shkrimtari kinez Mo Yan. Mes dyshimit dhe pasigurisë së fillimit, por edhe inkurajimit të kolegëve shqiptarë e kinezë, sprova e parë, përkthimi i romanit “Bretkosa” u kalua me sukses dhe u bë shtysë për përfshirjen time të mëtejshme në fushën e përkthimit. Nënshkrimi në vitin 2015 i marrëveshjes “Për përkthimin dhe botimin reciprok të 50 titujve nga kinezishtja ne shqip dhe nga shqipja në kinezisht”, shënon një moment të rëndësishëm e bashkëpunimit në fushën e botimeve. Pasi duhet thënë se, pavarësisht marrëdhënieve speciale mes dy vendeve, shkëmbimeve intensive në fushën e kulturës, arteve, kinematografisë, e fusha të tjera, libri, sidomos veprat letrare të pas viteve 80-të, iu kanë munguar lexuesve të dy vendeve. Qysh pas nënshkrimit të këtij programi, duhet thënë se tregu i librit kinez është gjallëruar dukshëm, janë përkthyer dhe botuar mbi 40 tituj librash, te cilët për fat të mirë cekin pothuajse te gjitha temat, duke zgjuar interesin e lexuesit vendas për letërsisë kineze, për kulturën, filozofinë, ekonominë, modelin e zhvillimit ekonomik dhe qeverisjes.
Do të desha të ndaj disa opinione rreth përkthimit, ose më mirë për eksperiencën time në këtë udhëtim të vështirë. Po përmend shkurtimisht disa nga sfidat, vështirësitë kryesore me të cilat u përballa gjatë procesit të përkthimit, të tilla si, dallimet kulturore, në mentalitet, mënyrën e jetesës, traditat sociale, sfondin historik, njohja e gjuhës amtare, etj. Thuhet shpesh se përkthimi nuk është thjesht transformim gjuhësor, por është më tepër transformim ndërkulturor. Ku konsistojnë këto dallime, të cilat hasen më shumë dhe fare qartë gjatë përkthimit të veprave letrare.
Së pari, në mënyrën e jetesës, të cilat shprehen në mënyrën e jetesës,pasi ambienti i ndryshëm natyror sigurisht çon edhe në dallime në mënyrën e jetesës, e cila është edhe një nga shprehjet e kulturës. Kështu, dallimet në kulturën e të ushqyerit mes
dy popujve tanë shqiptarë e kineze, sjellin edhe dallimet në mënyrën e të shprehurit gjuhësor. Për shembull, kinezet historikisht kane pasur orizin si ushqim baze, kurse shqiptaret bukën.Prandaj edhe kinezët thonë “chifan” (ha oriz), kurse shqiptaret “ha buke”(chimianbao). Ose për të treguar një punë jetike për njeriun, në shqip thuhet “buka e gojës”, kurse në kinezisht “tasi orizit”( fanwar). Janë të shumta shprehjet idiomatike ose metaforat të cilat kanë në qendër këto dy lloj ushqimesh, si “I heq bukën e gojës” në shqip dhe “I heq tasin e orizit” në kinezisht.
Po kështu mund të përmendim emërtimet e një sere gatimeve krejt të ndryshme dhe të panjohura në vendet respektive, të tilla si jiaozi (një lloj ravioli), gongbaojiding, huoguo(Hot pot), doufu(djath soje) etj, të cilët nuk kanë ekuivalentin e tyre në gjuhën shqipe, por që janë mjaft të famshme në kulinarinë kineze.
Dallimet kulturore shfaqen edhe në zakonet dhe traditat sociale, të tilla si festat tradicionale, festat fetare, qëndrimi ndaj kafshëve etj. Përmendim këtu Vitin e ri kinez, ose Festen e Pranverës, që përkon me kalendarin hënor (guonian, chunjie),Festa e Mesvjeshtës (zhongqiujie), ose një sërë ritesh për këto festa, si vendosja e shiritave zbukurues në anët e derës (duilian), zbukurime me letra (jianzhi). Po kështu edhe orientimi i shtëpive sipas fengshui , pra orientimit sipas pozitës gjeografike, drejtimit të maleve e lumenjve. Të gjitha këto është e nevojshme të shoqërohen me një shpjegim, për ndryshe e bën konfuz lexuesin dhe ia vështirëson leximin e mëtejshëm.
Një drejtim tjetër i dallimeve kulturore shfaqet edhe për shkak të sfondit historik Për shembull, një ndër shkaqet që unë zgjodha romanin“Bretkosa” për të përkthyer të parin, është se pasi u njoha me përmbajtjen e tij, isha i bindur se për shkak të ngjashmërisë së sistemit, terminologjiae përdorur aty dhe përmbajtja e tij do të ishin shumë më të pranueshme dhe kuptueshme për lexuesit shqiptare. Kështu terma të tillë si kooperativë, Fletë-rrufe (dazibao), lufta e klasave, etj janë po aq familjare edhe për lexuesit tanë.
Këto dallime pra, kërkojnë nga përkthyesi që për të përcjellë në mënyrë sa më të plotë dhe më të saktë informacionin e brendshëm të veprës origjinale, duhet të kuptojë thellë edhe veçoritë dhe dallimet kulturore të dy gjuhëve, si dhe të harmonizojë sa më mirë përmbajtjen kulturore.
Si mund të trajtohet dhe zgjidhet problemi i dallimeve historike e kulturore? Nëpërmjet përkthimit transliteral, pra duke lënë fjalën siç shqiptohet në gjuhën kineze por dukei shtuar sqarimin përkatës. Duke qenë se siç thashë edhe më sipër për shkak të dallime kulturore ka shumë fjalë që nuk mund të përkthehen, për të ndihmuar lexuesin që të kuptojnë përmbajtjen, domethënien kulturore,gjatë përkthimit përdoret kjo mënyrë përkthimi. Kështu qoftë në veprat letrare, por sidomos në librin “Konceptet bazë të mendimit dhe kulturës kineze”,
hasen dendur fjalë të tilla, si “gongfu, yinyang, bagua, dao,” e shumë nocione të tjerë kulturorë e filozofikë, të cilët janë lënë siç shqiptohen, por duke shpjeguar përmbajtjen e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për shumë fjalë tipike nga shqipja si besa, kanuni, etj.
Po kështu është përdorur edhe mënyra e përshtatjes, sidomos përshprehje idiomatike ose proverba, pra duke përshtatur kuptimin e tyre dhe shprehje të përafërta nga gjuha shqipe. Por në fakt, unë në shumë raste kam synuar, sigurisht kur ka qenë e mundur edhe përkthimin e lirë, pasi shprehja e përkthyer ka tingëlluar mjaft e bukur dhe madje ka ndihmuar edhe në pasurimin e gjuhës shqipe.
Nga sa më sipër mund të thuhet pra se për përkthyesin “Njohja e dy kulturave është madje më e rëndësishme se përvetësimi i dy gjuhëve”. Kjo vlen sidomos për përkthimin e veprave letrare, dhe për më tepër nga Kina, një vend me një kulturë dhe civilizim të lashtë dhe krejt të ndryshëm nga ne.
Diçka tjetër që dua të theksoj është rëndësia e përkthimit sidomos veprave letrare drejtpërdrejt nga origjinali. Në krahasimin që kam bërë me versionin anglisht të “Klani i Sorgumit të Kuq”, për shembull, vura re pasaktësi që çojnë edhe në keqkuptime e deformime të thella. Kështu në anglisht raki meli (gaoliangjiu) është përkthyer wine verë sorgumi, kur së pari aty tregohet se bëhet fjalë për një pije që prodhohet nëpërmjet distilimit, dhe së dyti, kinezët në traditën e tyre më parë nuk kanë prodhuar madje as e kanë përdorur verën, por pije, raki të prodhuar kryesisht nga drithërat. Ky është vetëm një shembull, por është e sigurt se nëpërmjet përkthimit nga origjinali përkthyesi përcjell edhe ndjenjat personale ndaj vendit, gjuhës e kulturës së tij, përjeton ngarkesa emocionale e ndryshme. Dhe po kështu vetëm duke njohur gjuhën përkatëse, ai arrin të depërtojë në botën e ndjenjave të autorit, në karakterin e tij stilistik dhe të transmetojë sa më mire që të jetë e mundur, këtë botë me ndjenja të huaja, këtë mënyrë dhe këtë stil me mjetet e gjuhës amtare, duke ruajtur gjithmonë personalitetin e autorit.
Pra si përfundim mund të them se gjatë përkthimit konstatova disa kërkesa që për përkthyesin janë të domosdoshme, si njohja e gjuhës së huaj nga e cila përkthen, njohja shumë e mirë e gjuhës tënde, gjuhës amtare, stilistikën e metaforat, të ketë njohuri sa më të plota nga fusha të ndryshme, dhe më kryesorja ajo që thashë më sipër njohja nga afër e kulturës, traditave, filozofisë, mentalitetit te popullit përkatës. Pra përkthimi mund të thuhet se ia ka arritur qëllimit kur në të nuk ndjehet e huaja.
Përkthimi dhe botimi i librave është pjesë e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme e shkëmbimeve kulturore e njerëzore. Ndryshe nga arti, sporti, apo çdo product tjetër, vlera e librit qëndron në faktin se ai kalon nga brezi në brez, zbukuron dhe pasuron botën shpirtërore të njeriut. Prandaj përkthyesit janë ura lidhëse mes civilizimeve të ndryshme, që ndihmojnë në zbutjen e dallimeve kulturore, nxisin njohjen e mirëkuptim reciprok. Pushkini thotë se “Përkthyesit janë kuaj karroce të qytetërimit”