Renminribao
Ditët e fundit, gazeta kineze “Renminribao” botoi artikullin e sinologut të njohur shqiptar Iljaz Spahiu.
Në këtë artikull z. Spahiu shpreh ndjenjat dhe përshtypjet e tij pas përkthimit të librave mbi filozofinë kineze.
Artikulli i plotë është më poshtë
“Filozofia kineze më ka dhënë një impresion të paprovuar më parë”.
Para pak kohësh u botua në Shqipëri vepra e Laozi, një prej filozofëve më të njohur të Kinës antike, “Tao Te Ching”, e cila është pritur mjaft mirë nga lexuesit, studiuesit dhe media vendase. Para se të përktheja “Tao Te Ching”, unë në fakt kisha menduar të përktheja vepra të filozofisë antike kineze, por gjithmonë ngurroja ta ndërmerrja këtë hap. Kjo, nga njëra anë, sepse kinezishtja antike është më e komplikuar dhe më abstrakte, pra edhe më e vështirë; dhe nga ana tjetër se më dukej që njohuritë e mia për filozofinë antike kineze ishin të pamjaftueshme, më mundonte meraku se nuk do të arrija të përcillja te lexuesi mendimin e saj të pasur e të thellë.
Vitet e fundit unë kam përkthyer një numër librash kinezë nga fusha të ndryshme, përfshirë edhe vepra të njohura letrare, por edhe nga ekonomia, historia, politika etj., por kënaqësinë më të madhe ma ka dhënë përkthimi i librit “Konceptet bazë të mendimit dhe kulturës kineze”. Nëpërmjet përkthimit dhe interpretimit të këtyre termave filozofikë, unë zbulova se si kombi kinez përgjatë historisë së tij të ndritur mijëravjeçare, kishte zhvilluar kërkime të shumta mbi ligjet e natyrës dhe zhvillimit të shoqërisë, kishte krijuar tradita kulturore që rrjedhin nga lashtësia deri në ditët tona, dhe një botë shpirtërore të gjerë e të thellë. Kështu, për shembull, mendimi i filozofisë antike kineze thekson “Renyi” (Mirësia), “Hexie” (Harmonia), “Houde-Zaiwu” (Angazhim i plotë social-Njeriu duhet të jetë zemërgjerë dhe të kujdeset për çdo gjë), “Daofa-Ziran” (Tao ka në bazë ligjet e natyrës, vepron në mënyrë të natyrshme), ngulmon në idenë se “Gjithë njerëzit nën qiell janë një familje” dhe “Harmonisë universale”. Këto koncepte dhe vlera përputhen me tendencën e zhvillimit që bota duhet të ketë sot, si dhe japin ide të reja për zgjidhjen e problemeve të vështira me të cilat përballet bota. Aktualisht, kur bota përballet me pandeminë, krizën ekonomike, ngrohjen globale e sfida të tjera, popujt mund të gjejnë inspirim në mendimin e filozofisë antike kineze, për të forcuar bashkëpunimin dhe për të kapërcyer bashkërisht sfidat e për të ndërtuar një botë më të drejtë e të begatë.
Me përkthimin e “Koncepteve bazë të mendimit dhe kulturës kineze”, mund të them se edhe njohuritë e mia mbi filozofinë antike kineze dhe kinezishten e vjetër, u bënë më të plota, kështu që fillova përkthimin e “Tao Te Ching”. Ndryshe nga përkthimi i veprave të tjera, filozofia kineze më dha një inspirim që se kisha provuar kurrë më parë. Kisha përshtypjen se nëpërmjet hieroglifeve arrija të depërtoja në mendimin filozofik dhe kuptoja më mirë vlerat thelbësore të filozofisë kineze, dhe në këtë mënyrë të kuptoja më qartë edhe mentalitetin dhe konceptin e vlerave të vetë kinezve. Këto vepra klasike shprehin esencën e civilizimit kinez, prandaj nëpëmjet tyre njerëzit jo vetëm do të kuptojnë më mirë Kinën dhe kombin kinez, por gjithashtu do të kuptojnë më qartë edhe politikën shtetërore dhe rrugën e zhvillimit të Kinës. Më ka bërë shumë përshtypje, për shembull, se presidenti i Kinës Xi Jinping në shumë fjalime të tij i referohet thënieve të njohura të Konfucit, Laozi, Zhuangzi, e filozofëve të tjerë të lashtësisë, te të cilat gjen përgjigje për shumë probleme aktuale dhe shpreh vullnetin e popullit kinez për t’u zhvilluar e ecur përpara bashkë me popujt e tjerë të botës.
Botimi në shqip i “Tao Te Ching” mund të them se tërhoqi menjëherë vemendjen edhe të personaliteteve të fushës së filozofisë. Profesori i Filozofisë në Universitetin e Tiranës Gjergj Sinani ka shkruar një parathënie të posaçme për këtë libër dhe dëshira jonë është që ai të bëhet tekst mësimor në fakultetet e filozofisë në universitete, në mënyrë që studentët shqiptarë të kenë mundësi që, krahas filozofisë perëndimore, të njihen edhe me filozofinë kineze. Shoh me kënaqësi se gjithnjë e më shumë studiues e filozofë shqiptarë janë të interesuar të njihen me mendimin e filozofisë antike kineze, gjë do të rriste edhe njohjen për Kinën dhe kombin kinez.
Vitet e fundit në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”, janë shtuar së tepërmi shkëmbimet kulturore mes Kinës dhe vendeve të tjera. Shkëmbimet kulturore e njerëzore janë urë lidhëse mes popujve, që ndihmojnë për forcimin e njohjes dhe pranimit të ndërsjelltë. Sot kur bota përballet me sfida të reja, këto shkëmbime marrin një rëndësi të dukshme. Vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm shkëmbimet kulturore, artistike, rinore, veprimtaritë e ndërsjellta në fusha të ndryshme mes Kinës dhe Shqipërisë, dhe unë kam pasur fatin të jem pjesë e shumë prej tyre. Në vitin 2016 unë ndihmova ambasadën kineze në Tiranë në përkthimin e albumit “Një brez, një rrugë”, duke mundësuar për herë të parë publikimin e një botimi me këtë temë në Shqipëri. Dua të theksoj se nisma “Një brez, një rrugë” ka luajtur një rol parësor për mbarëvajtjen e programit të përkthimit dhe botimit të ndërsjelltë të librave nga dy vendet. Në vitin 2015, pas nënshkrimit të marrëveshjes përkatëse, brenda një periudhe prej vetëm 6 vitesh janë përkthyer e botuar dhjetëra libra kinezë me tema nga më të ndryshmet, që nga ekonomia, politika, kultura, e deri te letërsia, filozofia etj., duke treguar historinë kineze në mënyrë më të plotë dhe shumëdimensionale.