Realitieti social dhe ekonomik kinez lëviz me shpejtësi dhe gjithnjë vjen e bëhet një referencë e model zhvillimi. Duke qënë një konstrukt historik dhe shoqëror që ngërthen brenda vetes ngjarje e momente të veçanta e të patjetërsueshme, por edhe një korsi nga ku mund të ecet më shpejt, përvoja e sotme kineze është një domosdoshmëri globale. Nëpërmjet një praktike unike, Kina ofron në mënyrë të vazhdueshme librin e bardhë, duke ofruar përvojën e vet të çmuar në arritjen e standardeve në fusha të ndryshme, të cilat japin impulse të fuqishme në rang global.
[Foto nga VCG]
Ditët e fundit u promovua libri i bardhë, në të cilën flitet për atë që përbën mrekullinë kineze : Zhdukjen e varfërisë absolute në të gjithë vendin. Ky dokument unik në llojin e tij dëshmon përvojë, por edhe tregon rrugën nga mund të ecet. Libri i bardhë që është publik prej disa ditësh nuk flet vetëm për masat dhe strategjinë komplekse për zhdukjen e varfërisë absolute, por është edhe një udhërryfyes konkret se si kjo përvojë e çmuar mund dhe duhet ndarë edhe me shtete të tjera. Sigurisht që Kina tani ndjehet e çliruar në frymëmarrjen e vet sociale nga një barrë e rëndë që ka qënë varfëria, por ajo ka kontribuuar edhe në uljen e varfërisë absolute në botë, jo vetëm duke zgjidhur një problem të mprehtë brenda saj, por edhe duke i dhënë të tjerëve mundësi se si mund dhe duhet ecur në këtë korsi të vështirë. Janë jo pak, por 98.99 milionë njerez dhe 128.000 fshatra, të cilët fundi i vitit 2020 i gjeti me një standard të ri social. Flitet këtu për periudhën e shtrirë brenda një dekade.
Sigurisht, siç theksohet edhe në libër, ky nuk është fundi i një përpjekjeje titanike, të konsoliduar e programuar qartë, por është fillimi i një rruge të re në të cilën futet Kina me përgjegjësi sociale në rritje. Presidenti kinez Xi Jinping ka theksuar në mënyrë koherente që duhen forcuar rezultatet e arritura dhe të nxitet efektiviteti në rigjallërimi rural.
Arritja e kësaj që me të drejtë është konsideruar: Mrekullia kineze - është një punë e nisur 40 e ca vjet më parë, ritmi i së cilës vit pas viti ka ardhur në rritje. Megjithëse rezultatet e kësaj pune janë bërë të njohura, libri i bardhë ofron një eksperiencë të jashtëzakonëshme dhe zbërthen konkretisht se fitorja mbi varfërinë absolute është një sukses që i dedikohet largpamësisë dhe vizionit të Partisë Komuniste Kineze që ka vënë njeriun në plan të parë dhe e zhdukjen e varfërisë në fokusin e qeverisjes.
Në librin e bardhë gjen lajtmotivin që duhet të udhëheqë çdo qeveri se zhdukja e varfërisë përbën thelbin e suksesit të një qeverisjeje. Lufta dhe mposhtja e varfërisë, përballimi me sukses i pandemisë dhe zhvillimi i hovshëm ekonomik dhe teknologjik, janë argumenti i mjaftueshëm dhe i pakundërshtueshëm i një vendi që me prosperitet ecën drejt zhvillimit të balancuar ku qeverisja nuk është propagandë, por investim i përditshëm në dobi të jetës së njerëzve. Sdifa e luftës kundër varfërisë e udhëhequr në mënyrë të posaçme nga Presdienti kinez, u kthye në një lëvizje të fuqishme, duke çliruar në vijimësi energji që duheshin për t’i dhënë ritmin e duhur asaj. Nuk ishte e lehtë, pasi vendi u ballafaqua në periudha të ndryshme me vështirësi të shumta, posaçërisht në vitin 2020 me përballjen ndaj pandemisë. Pavarësisht kësaj u bë e mundur që gati 10 milion njerëz në këtë vit të vështirë të çliroheshin nga varfëria.
[Foto nga VCG]
Rrugët për të arritur deri këtu janë të shumta dhe libri i bardhë i ofron , si një eksperiencë konkrete dhe e zbërthyer në të gjithë termat e nëvojëshme, me qëllim që të bëhet një pasuri globale.
Dimensioni i kësaj arritjeje i kalon kufijtë e një standardi ekonomik. Është në të nëjtën kohë standard edhe në mbrotjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, pasi shoqëria investohet dhe u ofron qytetarëve të saj kushte normale jetese, punësimi, arsimimi e kujdesi shëndetësor. Kina u jep kësisoj përgjigje edhe akuzave që bëhen për shkeljen e të drejtave të njeriut, pasi zhvillimi ekonomik e shoqëror i një vendi në të gjithë rajonet e tij, është praktika më e mirë në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Nepërmjet librit të bardhë mëson shifra suprizuese dhe optimiste për zhvillimin e një vendi. Për pesë vite në rajonet autonome të pakicave kombëtare dhe në tre provincat me kombësi të shumta : Guizhou, Yunnan dhe Qinghai, 15.6 milionë vetë kanë dalë nga varfëria. Duke zbërthyer këtë shifër tregon se vëmendja e barabartë për të gjitha rajonet, është pjesë e strategjisë qeverisëse, duke vlerësuar pa asnjë dallim të gjitha kombësitë. Në se e vështron nga afër realitetin në zhvillim në këto rajone, kupton menjëherë inflacionin e akuzave që i bëhen Kinës në këtë aspekt. Libri i bardhë është një ftesë për ta lexuar nga afër edhe nepërmjet shifrave, realitetin në lëvizje të Kinës.
Librat e bardhë që promovohen në mënyrë periodike, dëshmojnë se Kina është një vend i hapur, por edhe një eksportuese e përvojës dhe sukseseve të saj. Në një tjetër libër të bardhë, në atë “Mbi bashkëpunimin ndërkombëtar të zhvillimit në epokën e re” konstaton pikërisht atë që theksova pak më sipër : Parimet dhe përvojën kineze në ndihmë të zhvillimit të vendeve të tjera duke ofruar përvojën dhe trasenë e rrugës nga ku duhet ecur.
[Foto nga VCG]
Në librin që po i referohem, gjen të argumentuar modelin e zhvillimit kinez, i cili mund të ndiqet si i provuar i suksesshëm nga vende në zhvillim. Ndjekja në mënyrë krijuese në përputhje me kushtet konkrete të sejcilit vend, është një mundësi për të dalë nga krizat që i kanë shoqëruar për dekada me radhë. Duke bashkëpunuar në mënyrë krijuese me vende dhe organizata ndërkombëtare, Kina e cila udhëheq Nismën “Një brez, një rrugë”, ka arritur të ndikojë në hope infrastrukturore, tregtie e zhvillimi ekonomik me një numër të madh vendesh. Teza e “kurthit të borxheve”, ku vende perëndimore përpiqen ta afishojnë me zhurmë, rezulton e pasuksesëshme në praktikë dhe spekulative. Përfshirja përherë e më tepër e vendeve dhe organizatave në këtë Nismë, është tregues i asaj që Kina ofron jo vetëm përvojë, por edhe potenciale financiare e mbështetje teknologjike, që ritmet e zhvillimit të jenë efektive në vende të ndryshme, afër apo larg saj.
Ky dokument që flet për bashkëpunimin ndërkombëtar, është tregues se Kina ka hyrë në komunitetin botëror si një vend me këndvështrimin dhe përvojën e vet të veçantë, mbështetur mbi kulturën konfuciane. Duke afirmuar vullnet dhe bashkëpunim në vazhdimësi, Kina është promotor i idesë së ndarjes së fateve të përbashkëta. Ajo është në pararojë të implemnetimit të kësaj doctrine, e cila udheheq politikën e sotme kineze, larg proteksionizmit dhe unilateralizmit. Duke parë se rrjedhojat pozitive të Nismës “ Një brez, një rrugë” po ndjehen gjithnjë e më shumë, doktrina e botës me fate të përbashkëta tingëllon konkrete dhe e prekëshme.
Librat e bardhë që sjellin përvojën e çmuar kineze në shumë fusha, të inspirojnë jo vetëm për t’u njohur me këto përvoja, por edhe për t’i ndjekur.
Gëzim Podgorica