Në universitetet shqiptare mësimi online ka nisur më 19 mars. Studentët dhe pedagogët e tyre kryejnë leksionet online përmes platformave falas si Google Classroom, Zoom e Easyclass. Sipas Ministrisë së Arsimit platformat online janë të aksesueshme nga kompjuteri, por dhe nga pajisjet smartphone Android dhe Apple. Një pasqyrë të zgjeruar të kësaj përvoje sjell profesore e asociuar Elizabeta Susaj, pedagoge pranë Universitetit jopublik Polis.
CMG: Prof. Elizabeta, ju jeni pjesë e stafit akademik të Universitetit jopublik Polis. Në këtë situatë të vetizolimit për shkak të epidemisë së koronavirusit, leksionet po i zhvilloni online. Si po e mundësoni dhënien e leksioneve për studentët tuaj në këto kushte? Mendoni se kjo mënyrë e mësimdhënies është e mjaftueshme për formimin e duhur akademik të studentëve?
Prof. Assoc. Dr. Elizabeta Susaj: Ju falenderoj për intervistën. Situata e vetizolimit për shkak të pandemisë globale të koronavirusit është një situatë e pazakontë me të cilën po përballet edhe Universiteti Polis, ashtu si e gjithë bota. Të gjendur përballë ndërprerjes së menjëherëshme të mësimit, pas Urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë së datës 9 Mars 2020, për mbylljen e institucioneve arsimore, drejtuesit e Universitetit Polis organizuan një takim të zgjeruar me të gjithë anëtarët e stafit akademik dhe administrativ për një alternativë të dytë të vijimit të procesit mësimor, e cila është të mësuarit online. Universiteti Polis është një universitet jopublik me një eksperiencë disavjeçare në këtë fushë, pasi prej më shumë se gjashtë vitesh organizon një program PhD të dyfishtë në fushën e Arkitekturës dhe Planifikimit Urban, në bashkëpunim me Universitetin prestigjioz të Ferrarës në Itali, ku të gjitha procedurat që nga aplikimi, përzgjedhja e aplikantëve, prezantimet periodike dhe mbrojtja e gradës shkencore PhD bëhen online, dhe vlerësohen paralelisht nga një Komision i përbashkët Profesorësh në të dyja universitetet, online.
Në këtë kuadër, stafi akademik i universitetit, pjesë e të cilit jam edhe unë, nisën dhënien e leksioneve online nëpërmjet platformave të njohura si Google classroom, Easyclass, Zoom, Skype, Hangouts, Whatsapp, etj, ku jo vetëm dërgohen leksionet, jepen detyrat dhe bëhen testime online, por organizohen edhe konsulta e diskutime për problemet dhe paqartësitë që mund të hasen, qoftë në grupe të vogla apo individualisht. Që javën e dytë të vetizolimit, u arrit që më shumë se 80% e studentëve dhe e pedagogëve të lidheshin dhe të përdornin platformat e mësimit online. Javët e para, jo vetëm studentët, por edhe një pjesë e pedagogëve u gjendën të papërgatitur për këtë metodë të re mësimdhënie. Për mendimin tim, kjo mënyrë e mësimdhënies nuk është e mjaftueshme për formimin e duhur akademik të studentëve, veçanërisht për lëndët aplikative, praktikat e të cilave duhet të zhvillohen patjetër në terren, por është mënyra më e mundshme në kushtet aktuale të shtetrrethimit. Që të jem realiste, asnjëri nga ne nuk ishte i përgatitur për të zhvilluar mësim online, gjërat nuk janë perfekte, por përpiqemi të bëjmë maksimumin tonë.
Ndonjëherë ndiej se nuk jam gati të flas me kamerën time, pa një ndërveprim të drejtpërdrejtë me klasën. Dua t'i shikoj dhe t'i ndjek me sy studentët e mi, dua t'i pyes dhe të më pyesin drejtpërdrejt. Unë jam mësuar t'i kuptoj studentët e mi, të diskutoj, e pse jo, edhe të ndaj ndonjë shqetësim me ta. Unë e ndjej shqetësimin e tyre, e di dhe e ndiej se jo të gjithë janë në kushte komode në shtëpi, në kushte ideale për të marrë leksione online. Të mos harrojmë se jetojmë në një vend ku energjia elektrike ikën pa paralajmërim, ku sinjali i internetit shkëputet kohë e pa kohë, ku jo të gjithë nxënësit, studentët, por edhe pedagogët, e kanë luksin e të paturit të pajisjeve elektronike hightech (laptop personal apo iPhone të tipit të fundit). E di se ka mes tyre që të vetmin burim interneti kanë telefonin e tyre celular dhe janë të papërgatitur për koronavirusin dhe klasën online. Ka nga ata që më kanë shkruar në inbox se nuk kanë ku të punojnë dhe nuk kanë mundësi të dërgojnë në kohë detyrat se nuk kanë një kompjuter personal, pasi duhet ta ndajnë me motrat e vëllezërit më të vegjël, e ndoshta ju duhet ta shtyjnë edhe diplomimin sepse e ndiejnë përgjegjësinë për një përgatitje e paraqitje sa më të mirë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për studentët e Universitetit Polis, por për shumicën e nxënësve dhe studentëve në Shqipëri, veçanërisht në zonat rurale, përfshirë edhe nipërit e mbesat e mija. Në pëfundim mund të them se, mësimi online mund të jetë një metodë shumë e rëndësishme komplementare e mësimeve-leksioneve, por asnjëherë zëvendësuese e leksioneve në auditor dhe praktikave mësimore në terren.
CMG: Si po e përjetoni ju dhe familja juaj këtë përvojë të vetizolimit? Komenti juaj për masat e mara në Shqipëri dhe zbatimin e tyre nga qytetarët.
Prof.asc Elizabeta Susaj : Periudha e vetizolimit na gjeti të shpërndarë, sa në Shqipëri, ku jetoj unë me bashkëshortin dhe një pjesë të familjarëve tanë, sa në Angli, ku jeton djali me familjen e tij, si dhe të tjerë familjarë tanët. Kishim menduar të vinim të vizitonim djalin ose të vinte ai me familjen në Shqipëri për të festuar së bashku Pashkët, por gjithçka u shemb sa hap e mbyll sytë, u mbyllën rrugët dhe lëvizjet. Ёshtë një përjetim "i keq", më i keq se tërmeti që na goditi dy herë brenda dy muajve. Ndihemi (ose unë të paktën) vërtet të lodhur, të pazotë për të bërë diçka, për të ndryshuar situatën në të cilën gjendemi. Dy javët e para sikur kaluan më shpejt dhe ishim entuziastë se gjithçka do të kalonte shpejt, si një ëndërr e keqe, por jo. Në këto kushte, e vetmja gjë që na mban të ingranuar është komunikimi me të afërmit dhe puna online me studentët, që realisht, po më merr më shumë se 12 orë në ditë. Lidhur me masat e marra nga Qeveria Shqiptare, veçanërisht për ndalimin e qarkullimit, mendoj që ishin në kohën e duhur për ndërprerjen e zinxhirit të përhapjes së këtij vrasësi mikroskopik, por shumë të rrezikshëm, duke patur parasysh edhe kapacitetet shëndetësore të vendit tonë. Ajo që më shqetëson është fakti se, jo të gjithë janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për atë që mund të ndodhë nga përhapja e këtij virusi. Kam vënë re se ka një ndjenjë papërgjegjshmërie ose nënvlerësimi edhe në rrethe të ngushta shoqërore dhe nga persona me një nivel relativisht të lartë edukimi. Ka qytetarë që nuk kanë burime të mjaftueshme financiare për të përballuar nevojat më imediate të familjeve të tyre. Pra, jemi para vështirësive të shumta dhe askush nuk mund të thotë se sa mund të zgjasë kjo situatë, sa mund të jemi në gjendje të durojmë.
Në gjithë këtë tension të krijuar, ne po përpiqemi të qëndrojmë të shëndetshëm, të kujdesemi për të afërmit tanë dhe të respektojmë rregullat e kufizimet. Të jesh njerëzor, i duruar, mbështetës dhe i mirëkuptueshëm, është sa një virtyt, aq edhe detyrim, për vete, familjen dhe shoqërinë.
CMG: Veprimtaria juaj akademike lidhet ngushtë dhe me mjedisin. Sipas disa teorive botërore një ndër shkaqet e epidemive në përgjithësi është dhe dëmtimi i mjedisit natyror. Komenti juaj për këtë?
Prof. Asc. Elizabeta Susaj: Mjedisi është një ndër drejtimet kryesore në Universitetin Polis. Janë shumë teori që mbështesin lidhjen e drejtpërdrejtë të shpërthimit të epidemive dhe pandemive globale me shfrytëzimin pa kriter të burimeve të përbashkëta natyrore (ajrit, tokës, ujit dhe pyjeve) dhe modifikimit të mjediseve natyrore. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike si rezultat i zhvillimit të industrive të ndryshme, transportit dhe pakësimit të hapësirave të gjelbra urbane, për pakësimin e sipërfaqes së tokës së punueshme për shkak të shkretëtirizimit dhe përmbytjeve, për pakësimin e sipërfaqes së pyjeve "mushkërive të gjelbra" të Planetit për shkak të zjarreve dhe prerjeve pa kriter, për humbjen e biodiversitetit, etj. Shkencëtarët mendojnë që ndryshimet e shpejta të mjedisit kanë çuar në zhdukjen e më shumë se pesë miliardë specieve ose 99.9% e të gjitha specieve që kanë jetuar në Planetin Tokë. Njeriu nuk është gjë tjetër veçse krijesë dhe krijues i mjedisit. Që nga viti 1972, në Deklaratën e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Mjedisin Human, të mbajtur në Stockholm të Suedisë, theksohej: "....Njeriu, me veprimtarinë e tij, i bën shkretërirat të lulëzojnë dhe liqenet të vdesin"... Pra, nga një veprimtari e papërgjegjshme ose e pandërgjegjshme ndikohen njëkohësisht shumë faktorë, hallka të një zinxhiri, që shoqërohen me keqësimin e gjendjes së mjedisit dhe me efekte të drejtpërdrejta mbi shëndetin e njeriut. Ndërkohë, i vetmi burim natyror i oksigjenit në Planet janë bimët e gjelbra, të cilat nëpërmjet procesit të fotosintezës thithin CO2 (dioksidin e karbonit), duke pastruar ajrin dhe prodhuar lëndën organike, dhe, nga ana tjetër, çlirojnë O2 (oksigjenin) që është sa jetik, aq dhe i domosdoshëm për jetën e njerëzve dhe të faunës. Ruajtja e burimeve pyjore dhe përmirësimi i hapësirave të gjelbra urbane dhe i mjedisit në përgjithësi, duhet të jetë promotori i punës së institucioneve qendrore dhe vendore.
CMG: Dëshirojmë të dimë për veprimtarinë e Universitetit Polis, kontributin e tij në mjedisin akademik shqiptar.
Prof. Asc.Elizabeta Susaj: Universiteti Polis është ndër universitetet lider në fushën e arsimit jopublik në Shqipëri, i vlerësuar maksimalisht nga Agjencia Britanike e Akreditimit në vitin 2018 dhe nga institucionet shqiptare të vlerësimit gjatë vlerësimeve periodike. Diplomat që lëshohen nga Universiteti Polis janë ndërkombëtarisht të njohura dhe 100% të ekuivalentuara me diplomat e universiteteve simotra në ShBA, Kanada, Hollandë, Gjermani, Francë, etj. Universiteti POLIS është një institucioni karakterizuar nga një dimensioni i spikatur ndërkombëtar, gjë që reflektohet në programet e studimit, përbërjen e stafit akademik, edhe në shkëmbimet intensive dhe të larmishme me partnerë të ndryshëm ndërkombëtarë, si në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta kërkimore e didaktike, ashtu dhe në shkëmbime të vazhdueshme dhe mobilitet të lartë mes stafit akademik dhe studentëve.
Universiteti Polis është i akredituar me tre akreditime ndërkombëtare, si akreditimi i përvitshëm nga autoritetet përgjegjëse italiane për programin e përbashkët PhD midis Universitetit Polis dhe Universitetit të Ferrarës (2013-2014 e në vazhdim), akreditimi për përmbushjen e standarteve të cilësisë së Bashkimit Evropian dhe kërkesave të vendeve të origjinës për tre programe studimi Master Profesional (me nga tre profile secili) të cilat ofrohen në bashkëpunim me IPAG Business School, Paris, Francë, dhe IHS/ERASMUS University, Rotterdam, Netherlands, dhe akreditimi nga AESOP për programin e studimeve të integruara (5-vjeçare) Planifikim dhe Menaxhim Urban. Gjithashtu Universiteti Polis ka hedhur hapat e parë të bashkëpunimit me Universitete në Pekin dhe Shangai, ku drejtuesit kryesorë të universiteteve përkatëse kanë diskutuar rreth hartimit të projekteve të përbashkëta në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë".
Origjina e Universitetit Polis është Co-Plan (Instituti për Zhvillimin e Habitatit, krijuar në vitin 1995) si një institut profesional dhe lëvizje civile për pjesëmarrje në planifikim urban dhe qeverisjen e mirë. Edhe në këto ditë të vështira, kërkuesit dhe specialistët e Co-Plan, njëkohësisht staf akademik i Univeristetit Polis, vazhdojnë monitorimet për ndotjen e ajrit në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës, duke shfrytëzuar kohën me lëvizje të lejuar, në kuadër të projektit "Mushkëri të Gjelbra për qytetet tona", për të vlerësuar ndikimin e transportit të automjeteve në cilësinë e ajrit. Një punë shumë e madhe është bërë nga Co-Plan dhe stafi akademik për hartimin e politikave të qeverisjes vendore, hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore të disa bashkive të Shqipërisë, hartimin e VSM-ve për planet vendore e kombëtare, hartimin e VNM-ve për projekte të rëndësishme kombëtare, etj.
CMG: E gjithë bota po pret të tejkalojë këtë situatë të pazakontë dhe të kthehet në normalitet. Çfarë do të bëni ju pas daljes nga vetizolimi?
Prof. Asc Elizabeta Susaj: Edhe ne si gjithë të tjerët, mezi presim të kalojë kjo situatë e vështirë dhe ne t'i kthehemi jetës normale dhe punës në kushte normale. Përveç takimit dhe çmalljes me familjarët dhe të afërmit, do t'i rikthehesha punës me studentët për të plotësuar boshllëqet e krijuara, veçanërisht nëpërmjet praktikave dhe vizitave në terren për lëndë të veçanta, workshopeve në rang universiteti në kuadër të Tirana Architecture Week (TAW), orëve plotësuese ekstra për plotësimin e njohurive, etj. Pas daljes nga (vet)izolimi do të mundohemi të përshtatemi me një kuptim, mentalitet, metodologji dhe sjellje të re ndaj familjes, punës dhe shoqërisë, për t'i dhënë secilit vendin që meriton, pa harruar se jeta është dhurata më e çmuar që Zoti na ka falur, ndaj ta vlerësojmë më shumë atë.
Eda Merepeza