Analizë nga doktori i shkencave ekonomike Enriko Ceko
Nënshkrimi i marrëveshjes ekonomike-tregtare midis Kinës dhe ShBA-së në fazën e parë konsiderohet si një ngjarje pozitive për bashkëpunimin midis dy ekonomive më të mëdha botërore. Lufta ekonomiko-tregtare prej mëse 22 muajsh midis këtyre dy vendeve dhe ndikimi i saj në ekonominë globale si dhe reagimi i FMN-së analizohen nga Doktori i shkencave ekonomike Enriko Ceko.
CMG: Para pak ditësh Kina dhe ShBA-ja nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen ekonomiko-tregtare të fazës së parë. Sipas palës kineze kjo marrëveshje do t'i shërbejë dy vendeve dhe botës, do të sjellë rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike, paqen dhe zhvillimin botëror. Edhe presidenti amerikan Trump e cilësoi nënshkrimin e marrëveshjes si hedhjen e një hapi të rëndësishëm, i pa hedhur më parë me Kinën, drejt një të ardhmeje me tregti të ndershme e të ndërsjellë. Në vizionin tuaj si e shihni nënshkrimin e fazës së parë të marrëveshjes?
Dr.Enriko Ceko: Nënshkrimi i fazës së parë të kësaj marrëveshjeje vjen pas një periudhe përballjesh midis përfaqësuesve të Kinës dhe ShBA-së. Kjo marrëveshje është një lehtësim për të gjithë partnerët tregtarë të këtyre dy vendeve. Nëse do të shohim trendin ekonomik të 10 viteve të fundit ka patur një përplasje midis rrymave ekonomike asaj neoliberale dhe konservatore. Për shkak të frymës konservatore vendet përpiqen të kenë një politikë proteksioniste për ekonomitë e tyre, por kjo nuk do të thotë që nuk ka mundësi për bashkëpunim dhe për rritje ekonomike në nivel global si dhe në nivelin e vendeve përkatëse. Nëqoftëse do të bëjmë një krahasim midis ekonomisë kineze dhe asaj amerikane, Kina është një shtet i madh dhe me një popullsi shumë herë më të madhe se pjesa tjetër e botës dhe ka një GDP totale pothuajse 28 mijë trilion dollarë, që për banor i bie rreth 19 mijë dollar për frymë. Nga ana tjetër ShBA ka një sipërfaqe prej 3 milion e gjysmë km katrorë dhe një popullsi prej 330 milion banorë dhe GDP-ja e saj është 22 mijë trilion dollar, pra rreth 6 milion dollar më e ulët se e Kinës, por të ardhurat e qyteyarëve amerikanë për frymë janë më të larta.
Nëse do t'i referohemi modelit ekonomik të këtyre dy vendeve, modeli ekonomik amerikan është vertikal, ndërsa ai kinez është horizontal. Këtu duhen parë mundësitë e bashkëpunimit dhe mundësitë për të patur rritje ekonomike, jo vetëm të Kinës dhe ShBA-së. por dhe në nivel global.
Një pyetje e ekonomistëve të të gjitha kohërave është se vende me sisteme dhe modele të ndryshme ekonomike a mund të bëjnë biznes midis tyre ? Përgjigja ime është, po. Vende me modele të ndryshme ekonomike, me sisteme të ndryshme ekonomike dhe qasje e rolit të shtetit në ekonomi mund të bëjnë biznes së bashku.
Te ekonomia kineze me model ekonomik horizontal mendoj se kjo ekonomi ka bërë një punë shumë të mirë për zgjerimin e degëve të ekonomisë dhe diversifikimin e sektorëve dhe kjo ka bërë që rritja ekonomike e Kinës të jetë e madhe. Nga ana tjetër duhet të kemi parasysh që rritja ekonomike e Kinës ka ardhur paralelisht me përmirësimin e nivelit arsimor të qytetarëve dhe shtimin e numrit të popullsisë.
Nëse dy sisteme dhe modele ekonomike të ndryshme përballen me njeri-tjetrin nuk është e thënë të përplasen, por mund të gjejnë një aks bashkëpunimi.
CMG: Prej më se 22 muajsh dy ekonomitë më të mëdha botërore, Kina dhe ShBA u përfshinë më një luftë tregtare, që startoi pas miratimit nga pala amerikane të një politike proteksioniste tregtare. FMN paralajmëroi se këto mosmarrëveshje përbëjnë kërcënim për ekonominë globale. Mendoni se ka ndikuar kjo luftë në përparimin e ekonomisë globale?
Dr.Enriko Ceko: Ne flasim për burime natyrore dhe kur flasim për to i referohemi faktorëve të prodhimit. Debati i madh ekonomik sot është se kush do i kontrollojë faktorët e prodhimit, të cilët janë: tokë, punë, kapital, aftësi sipërmarrëse dhe inovacion teknologjik. Faktorët e prodhimit që ne njohim sot janë përcaktuar nga njeri prej filozofëve më të mëdhenj në botë, Maltus, para qinra vitesh. Ndërsa filozofi Kejnis nuk bëri gjë tjetër vecse faktorët e prodhimit të përcaktuar nga Maltusi i solli me një pamje moderne në shekullin e 20-të. Sot kur flitet për tokë nuk është problem toka as në ShBA, por dhe në mbarë botën ka toka djerrë,të papunuara dhe të pashfrytëzuara ende, që ekzistojnë si mundësi dhe faktorë prodhimi. Kur flasim për punë, kemi me miliona njerëz të papunë në të gjithë botën, mjaftojmë të shikojmë lëvizjen e qytetarëve në botë, emigracionin që është fuqia e lirë punëtore, që ekziston si kapital prodhimi. Kur flasim për kapital, ka miliarda apo triliona dollar, paund, juanë dhe euro në botë që janë të lira sepse bankat, kryesisht bankat kineze kanë likuiditet shumë të lartë. Kjo është dicka shumë e mirë për kapitalin kinez, që po ta krahasojmë me bankat amerikane, ku është më i ulët, balanca anon nga bankat kineze. Duke patur likuiditet të lartë krijohet mundësia që të shfrytëzohet toka dhe puna. Por ekziston një problem i madh me dy faktorë të tjerë të prodhimit që janë aftësia sipërmarëse dhe inovacioni teknologjik.
Aftësia sipërmarëse është aftësia që kanë njerëzit për të bërë biznes. Nëse i referohemi Evropës, ShBA-së dhe Japonisë prirja për të bërë biznes nuk është shumë e fuqishme sepse mosha mesatare e popullsisë është rritur. Ndërsa krahasuar me Evropën Juglindore, Amerikën Latine, Kinën dhe Afrikën prirja për të bërë biznes është e lartë sepse mosha e popullsisë është e re dhe ata duan hapsira për të bërë biznes. Por kjo nuk mjafton, sepse duhet dhe inovacioni teknologjik. Në këtë aspekt duket që balanca po anon nga vendet që kanë më shumë të rinj në moshë.
Problemi më i madh për ekonominë kineze dhe amerikane nuk janë faktorët e prodhimit, sepse kanë tokë, forca pune , kapital, kurse balanca te aftësia sipërmarëse anon nga Kina. Problemi qëndron te energjia dhe nëse do ta quajmë "luftë" , atë do ta fitojnë ata që kanë në dorë energjinë, burimet energjitike. Diversifikimi i burimeve energjitike do të ishte për Kinën një levë shumë e fuqishme eknomike që do t'u krijonte mundësi bizneseve kineze të kenë energji me kosto të ulët. Të paktën në 10-15 vitet e fundit ka një dëshirë të madhe të kompanive kineze për të qenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të cilësisë. Vërehet që një numër gjithnjë e më i madh i kompanive kineze duan të jenë të certifikuara me këto standarde.
CMG: Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar që rritja e PBB-së së Kinës do të ngadalësohet në 5.8 për qind deri në vitin 2020. Shumë ekspertë kinezë janë shprehur se mosmarrëveshjet tregtare kanë ndikim të kufizuar ndaj ekonomisë kineze dhe Kina duhet të ketë besim për përballimin e konfliktit tregtar. Si e shihni rritjen ekonomike të Kinës vitet e fundit?
Dr. Enriko Ceko: Kjo është një pyetje shumë interesante, ndaj duhet ta shikojmë rritjen ekonomike në nivel afatgjatë. Po të shohim rritjen ekonomike të Kinës para 30 viteve ka qenë një rritje e ngadaltë dhe e ulët për shkak të investimeve shumë të mëdha publike që bëri qeveria kineze për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Para 10 vjetësh investimet e bëra nga qeveria kineze për përmirësimin e jetës së qytetarëve u përkthyen në mundësi për të bërë biznes. Në atë kohë pati një rritje ekonomike të Kinës edhe 10%, por dhe dyshifrore dhe kjo periudhë zgjati gati 7-8 vjet.
Një vend që e fillon rritjen ekonomike mbi baza të ulta patjetër që në vitet e para do të ketë një rritje ekonomike të lartë. GDP-ja është një vlerë relative, ndaj rritja ekonomike prej 5.8% që parashikohet për Kinën në vitin 2020 mund të jetë 3 herë më e lartë se rritja ekonomike e para 15 viteve. Kështu që nuk duhet të trembemi nga vlerat relative, por duhet të shohim vlerat absolute dhe unë jam shumë i bindur që ekonomia kineze, nëse flasim për vlerat absolute dhe atë që qytetarët kinezë do të fusin në xhep do të jetë më shumë se sa 10% i rritjes ekonomike të 15 viteve më parë.
Me të drejtë FMN ka përcaktuar që do të ketë një rënie të rritjes ekonomike në rend global dhe është parashikuar që për vitin 2020 dhe 3-4 vitet që vijnë, pra deri në vitin 2024 do të jetë tek 2.3-3.5%, por nëse do të bëjmë krahasim me Kinën, ky vend qëndron dy herë më lart se sa trendi global. Nëse ekonomia kineze fokusohet në një rritje ekonomike të qëndrueshme për arritjen e avantazhit konkurrues atëhere rritja ekonomike e Kinës nuk do të ketë vështirësi.
Doktori i Shkencave Ekonomike Enriko Ceko është senator i Forumit Botëror të Investimeve të Engjëjve të Biznesit.
Eda Merepeza