Ditët e fundit, zv.ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë Redi Shtino kryesoi një delegacion të arsimit në Kinë. Gjatë vizitës, z.Shtino vizitoi Ministrinë e Arsimit të Kinës, Selinë e Institutit të Konfucit etj.
Në fundi të vizitës së delegacionit, Radio Ejani bëri një intervistë ekskluzive në Pekin me z. Shtino. Ai vlerësoi lart rezultatet e arritura midis Kinës e Shqipërisë në fushën arsimore e rinore gjatë 70 viteve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ai shprehu shpresën që dy palët do të shtojnë shkëmbimet e bashkëpunimin në drejtime të ndryshme. Ai i bëri ditur se Nënshkrimi i Marrëveshjes së përbashkët për njohjen e diplomave ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë ndodhet në fazën përfundimtare. Lidhur me shtimin e pasionit të shqiptarëve për të mësuar gjuhën kineze, z.Shtino tha se gjuhët shërbëjnë për të hapur shume dyer për të rinjtë dhe për t'u mundësuar atyre mundësi më të mira edukimi dhe punësimi. Ai shtoi gjithashtu se do të hapet Qendra e Zhvillimit Rinor në Shqipëri, e cila synon krijimin e rrjetit rinor të EQL-së dhe Kinës.
Radio Ejani: Sivjet është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë, si dhe viti i shkëmbimeve arsimore e rinore midis Kinës e vendeve të EQL-së. Si i vlerësoni rezultatet e arritura midis Kinës e Shqipërisë në fushën arsimore dhe të punës për të rinjtë?
Z.Shtino: Ështe një vit jubliar që merr rëndësi të veçantë sidomos po t'i referohemi intensifikimit të marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Kjo miqësi e vjetër ka dhënë prova se di t'i rezistojë jo vetem kohës, por edhe ndryshimeve politike dhe ekonomike të sistemeve. Nën këto rrethana dhe evidenca e ardhmja e marrëdhënieve tona dypaleshe nuk mund të mos jetë edhe më mirë seç ka qënë deri tani. Në këtë drejtim ndihet angazhimi i theksuar i të dy qeverive tona që kanë rritur bashkëpunimin në të gjitha fusha e ku spikasin shkëmbimet në fushën arsimore dhe atë rinore.
Bashkëpunimi me Kinën në fushën e arsimit dhe shkencës bazohet dy marrëveshje:
Marrëveshja midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit të Republikës Popullore të Kinës për bashkëpunimin në fushën e Arsimit dhe Shkencës, nënshkruar në Pekin më 13 shtator 2004. Dhe marrëveshja për Bashkëpunimin Ekonomik-Teknik midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës", nënshkruar në Tiranë më 22 dhjetor 2005. Në zbatim të kësaj marrëveshjeje, Kina dhuroi kompjuterë dhe pajisje IT për shkollat e mesme shqiptare.
Bashkëpunimi në nivel parauniversitar:Në disa shkolla 9-vjeçare dhe të mesme mësohet gjuha kineze si lëndë me zgjedhje. Në kuadër të një projekti pilot, në vitin shkollor 2013-2014 nisi mësimi i gjuhës kineze në shkollën 9-vjeçare "7 Marsi" dhe në shkollën e mesme të përgjithshme "Sinan Tafaj" në Tiranë. Mësimdhënia e gjuhës kineze pranë këtyre dy shkollave u realizua si veprimtari ekstrakurrikulare. Me propozim të palës kineze, Ministria e Arsimit miratoi edhe dy shkolla të tjera në Tiranë për mësimdhënien e gjuhës kineze që ishin shkolla 9-vjecare "Musine Kokalari" dhe shkolla e mesme të përgjithshme "Myslym Keta".
Ndërsa, Bashkëpunimin në nivel universitar: Në zbatim të Marrëveshjes me Kinën të vitit 2004 për bashkëpunimin në fushën e Arsimit dhe Shkencës, gjashtë studentë kinezë po ndjekin kursin njëvjeçar të gjuhës dhe kulturës shqipe me bursë pranë Fakultetit Histori Filologji të Universitetit të Tiranës, për vitin akademik 2018-2019, të cilin e përfundojnë në korrik 2019. Per vitin akademik 2019-2020, numri i studentëve do të jetë 5. Po për këtë vit, UT në marrëveshje me BISU-në, ka miratuar 6 bursa studimi për studentët kinez, të cilët do të studiojnë ne Tiranë. Gjithashtu, në kuadër të marrëveshjesh së vitit 2004 dhe në zbatim të Programit 17 1 për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, Qeveria e Republikës Popullore të Kinës akordoi 3 bursa të plota studimi, dy prej të cilave u dhanë për shkenca mjekësore nga programi CEEC dhe një në kuadër të marrëveshjes dypalëshe 2004. Në vitin 2009 midis UT-së dhe Ambasadës së RP të Kinës në Tiranë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi për hapjen e gjuhës kineze si lëndë me zgjedhje pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja (FGJH). Gjatë kësaj periudhe nga Kina kanë ardhur 3 pedagogë të cilët kanë zhvilluar lëndën e gjuhës kineze pranë këtij fakulteti. Aktualisht, gjuha kineze studiohet si lëndë me zgjedhje në FGJH, Fakultetin e Ekonomisë, Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe së shpejti do të përfshihet edhe në kurrikulat e fakulteteve të tjera të Universitetit të Tiranës. Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit funksionon prej vitesh Katedra e Gjuhës Shqipe. Drejtuesja e kësaj katedre, gjatë periudhës janar-korrik 2015, zhvilloi kërkimin e saj shkencor pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë së UT. Në nivel ndëruniversitar janë nënshkruar në 2015 marrëveshjet e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Financës dhe Ekonomisë së Tianjin-it me Universitetin e Tiranës, Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Universitetin e Sporteve të Tiranës, të cilat synojnë shkëmbimin e ndërsjellë të stafit akademik dhe studentëve, forcimin dhe zgjerimin e kontakteve mes këtyre universiteteve.
Lidhur me vizitat dhe takimet reciproke të nivelit të lartë: Në datat 6-12 shkurt 2015, një delegacion nga Universiteti i Financës dhe Ekonomisë së Tianjin-it bëri një vizitë në Shqipëri. Delegacioni kryesohej nga Kryetarja e Këshillit të Universitetit. Në përbërje të delegacionit ishte edhe skuadra e basketbollit për femra e universitetit. MAS organizoi e koordinoi takime të delegacionit kinez me përfaqësues të UT-së, të UBT-së dhe të Universitetit të Sporteve të Tiranës (UST), si dhe organizoi ndeshje basketbolli ndërmjet skuadrës së TUFE-s dhe skuadrës së UST-së dhe Klubit Sportiv Studenti. Në kuadër të organizimit të veprimtarive të përbashkëta ndërmjet Institutit Konfuci me Universitetin e Tiranës, në datat 4-12 Janar 2016 një delegacion nga Shqipëria i përbërë nga rektorë të universiteteve shqiptare dhe sekretari i përgjithshëm i MASR vizitoi Kinën. Në kuadër të kësaj vizite u shkëmbyen përvojat në fushën e arsimit të lartë dhe të mësimdhënies së gjuhës kineze. Në datat 19 – 27 mars 2017, një delegacion shqiptar me përfaqësues të arsimit, zhvilluan një vizitë studimore në Republikën Popullore të Kinës për shkëmbim të përvojave. Delegacioni shqiptar zhvilloi disa takime të rëndësishme në institucionet e arsimit parauniversitar, atij të lartë, si dhe me institucione të qeverisjes qendrore, konkretisht në Ministrinë e Arsimit të Republikës Popullore të Kinës, por edhe në zyrat qendrore të Institutit Konfuci në Pekin. Gjithashtu me ftesë të Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, në datat 25-31 mars 2018, një delegacion i nivelit të lartë arsimor nga Tirana, Vlora dhe Durrësi në Kinë. Qëllimi i kësaj vizite ishte për të krijuar mundësi bashkëpunimi midis këtyre institucioneve dhe institucioneve arsimore në Kinë, duke shtuar kështu bashkëpunimet e reja dypalëshe.
Radio Ejani: Deri tani, keni vizituar Ministrinë e Arsimit të Kinës, Selinë e Institutit Konfuci dhe Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit (BFSU).Cili është qëllimi i vizitës së suaj në Kinë dhe çfarë përshtypjesh keni nga kjo vizitë? Dhe në çfarë drejtimi do të zhvillohet bashkëpunimi dypalësh në të ardhmen?
Z.Shtino:Vizitën e parë e kemi berë në BFSU dhe më pas kemi vizituar Ministrinë e Arsimit, Komitetin e Bursave Arsimore, Qendrën e Institutit Konfucit dhe Universitetin e Tianjinit. Në BFSU jemi njohur me laboratorët e rinj multimedialë dhe interaktiv në përdorim për mësimin e gjuhëve të huaja, me bibliotekën e Universitetit dhe me programin e gjuhës shqipe e studentët. Jam impresionuar me nivelin e përgatitjes së tyre dhe përkushtimin e stafit akademik në përcjelljen e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Shumë prej këtyre docentëve kishin kryer të paktën një cikël të studimit në Shqipëri ose Kosovë dhe vinin shpesh atje. Po ashtu edhe studentët janë pjesë e programeve të shkëmbimeve ndërmjet universiteteve tona dhe atij të BFSU-së. Niveli i shkëmbimeve të studentëve dhe docentëve është në rritje falë bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet dy botëve tona akademike.
Në bibliotekën e BFSU-së u njohëm me strukturën e saj dhe fondin e librave në shqip. U njohëm me iniciativën e BFSU-së për ta rritur këtë fond, ndërkohë që u angazhova që nëpërmjet Ministrit të Diasporës të mund të kontribuuojmë për rritjen e numrit të ketij fondi me botimet më të mira të Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Në BFSU u takuam me rektorin dhe drejtuesit e zyrës së bashkëpunimit ndërkombetar. Në këtë takim u diskutua mbi rritjen e shkëmbimeve të studentëve dhe docentëve dhe rritjen e asistencës së BFSU me pedagogë të rinj për mësimin e gjuhës kineze në UT pasi numri i studentëve të regjistruar ne kurset e gjuhës kineze është rritur shumë, përtej parashikimeve të mëparëshme. Përgjigjia ishte pozitive dhe në konfirmim të pritshmërive. Në këtë takim u kërkua nga anëtarët e delegacionit që bashkëpunimi i BFSU-së të shtrihej përtej atij me UT-në edhe me universitete te tjera publike dhe jo publike dhe u mor anagazhimi nga të gjitha palët që të punohet në këtë drejtim me hapa të shpejtë dhe kontakte te vazhdueshme.
Në takimin me homologun, zv. ministrin e Arsimit z. Tian Xuejun dhe funksionarët e tjerë të lartë të Ministrisë së Arsimit, u diskutua mbi nxitjen e nënshkrimit të Marrëveshjes së përbashkët për njohjen e diplomave ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë, e cila ndodhet në fazen e saj finale. Partneri kinez ka shprehur interes për të lidhur një marrëveshje për njohjen e diplomave universitare me Shqipërinë dhe ka propozuar një kornizë/marrëveshje kuadër, për të cilin pala shqiptare ka rënë parimisht dakord. Në vijim të propozimit të palës kineze, kemi bërë plotësimin e projekt-marrëveshjes dhe ia kemi përcjellë Ministrisë së Punëve të jashtme dhe ambasadës së Kinës në Shqipëri.
U diskutua po ashtu për rritjen e shkëmbimit të numrit të studentëve dhe docentëve ndërmjet dy vendeve, krijimin e programeve të përbashkëta të studimit në çdo cikël dhe në veçanti në ciklin e tretë me PhD. U vendos të promovohet bashkëpunimi ndërmjet universiteteve tona si në nivelet didaktike, ashtu edhe ato kërkimore shkencore, duke favorizuar krijimin e konsorciumeve ndëruniversitarë. Sa më sipër, gëzojnë vëmendje të veçantë të qeverive të dy vendeve tona dhe janë sot potencialisht më të realizueshme falë kornizës së bashkëpunimit të platformës "17 1" dhe nismës "Një brez, nje rrugë".
Një hapeëirë tjetër e rëndësishme e bashkëpunimit parashikohet të jetë edhe ajo në fushën e kërkimit shkencor dhe trasferimit të teknologjisë.
Në Komitetin e Bursave Arsimore(CSC), u diskutua mbi skadencën dhe rinovimin e marrëveshjes dypalëshe për financimin e bursave për studentët në vendet përkatëse. Parashtrova nevojën e menjëhershme për palën shqiptare të parashikimit të detyrimit të kthimit në vend për studentët bursistë që përfitojnë nga kjo marrëveshje. Përfaqësuesit e CSC prezantuan modelet që ndjekin ata për administrimin e këtij detyrimi dhe eksperiencën kineze në këtë fushë, duke u dakordësuar në parim mbi këtë pikë. U diskutua po ashtu mbi mundësinë e rritjes së numrit të studentëve bursistë në marrëveshjen e re: kjo pikë do të jetë objekt i diskutimeve të mëtejshme për shkak të nevojës së analizës financiare që duhet ta shoqërojë.
Në Qendren e Institutit Konfuci u pritëm nga zv. presidenti dhe u diskutua përgjithësisht mbi mardhënien me UT-në dhe përvojën e krijuar ndër vite, por edhe për nevojën e rritjes së numrit të pedagogëve kinezë në Tiranë për shkak të rritjes së numrit të studentëve shqiptarë. U diskutua mbi mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit të Institutit Konfuci me universitetet e tjera publike dhe jopublike në Shqipëri.
Në Universitetin e Tianjin-it u pritëm nga zv.presidenti dhe stafi drejtues i zyrës së mardhënieve ndërkombëtare. U diskutua për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja me universitete te tjera shqiptare publike dhe jopublike si dhe për rritjen e shkëmbimeve ndërmejt tyre në nivel studentësh dhe docentësh. Programet e përbashketa të studimit në të treja ciklet në nivel "Joint Degree dhe Double Degree".
Radio Ejani: Vitet e fundit, Instituti "Konfuci" në Tiranë ka tërhequr shumë shqiptarë, sidomos të rinj, për të mësuar gjuhën kineze dhe më shumë të rinj shqiptarë po shkojnë në Kinë për të studiuar. Ç'mendoni për këtë pasion të rinisë shqiptare për të njohur Kinën dhe studiuar gjuhën kineze?
Z.Shtino: Instituti i Konfucit në Shqipëri u inaugurua më 18 nëntor 2013 pranë Universitetit të Tiranës(UT) dhe promovon jo vetëm gjuhën dhe kulturën kineze, por edhe në organizimin e aktiviteteve të ndryshme. Bazuar në marrëveshjen pesëvjeçare midis Selisë së Institutit të Konfucit, Universiti i Gjuhëve të Huaja të Pekinit dhe Univesitetit të Tiranës, nënshkruar më 22 Maj 2013, ky institut ofron mësimdhënie, specializime në gjuhën kineze, shkëmbime universitare dhe studime akademike të përbashkëta, si dhe aktivitete të tjera që mbulojnë kulturën, historinë, filozofinë, politikën, artin si dhe tema të ngjashme të interesit. Aktualisht numri i të rregjistruarve për këtë vit ka arritur në 250 duke rritur nevojën për mësues të rinj të gjuhës kinezë. Ky interes i shtuar i dedikohet përthellimit dhe rigjallërimit të marrëdhënieve nderqeveritare dhe atyre ndërakademike, por mbi të gjitha edhe rolit të shtuar që Kina po merr gjithnjë e më shumë në hapësirën globale. Prej vitit 2013 të themelimit të Institutit të Konfucit roli dhe pesha e tij në nivel kurse gjuhësh, workshop, programesh shkëmbimi dhe bursash studimi është rritur në progresion gjeometrik. Rrezultatet janë impresionuese. Të njohurit e disa gjuhëve sot përbën padyshim një avantazh. Ato shërbëjnë për të hapur shumë dyer për të rinjtë dhe për t'ju mundësuar atyre oportunitete më të mira edukimi dhe punësimi. Shumëgjuhësia është një fenomen social i cili promovohet nga nevojat e globalizimit dhe të hapjes kulturore. Gjuhët bashkojnë popujt. Ato janë instrumentet e përcjellies së dijes dhe kulturave, duke i berë ato të aksesueshme për të gjithë. Mësimi i gjuhëve të huaja ndihmon në vlerësimin e potencialeve të diversitetit dhe mpreh aftesitë kominikuese dhe analizuese.
Radio Ejani: Mekanizmi i "Bashkëpunimit 17 1" ka nisur prej 7 vjetësh. Në kuadër të këtij mekanizmi shumëpalësh, cilat janë pikat e bashkëpunimit që pritet të zhvillohen mes vendeve përkatëse në fushën e arsimit e të rinisë?
Z.Shtino: Pritshmëritë shkojnë në drejtimin e rritjes së përkrahjes për zhvillimin e shkëmbimeve akademike mes institucioneve kërkimore dhe studiuesve, shkëmbimin e eksperiencës dhe identifikimin e mundësive të bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë dhe parauniversitar.
Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara për 2018-n, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor e Inovacionit (AKKSHI) sugjeroi gjithashtu që në deklaratën e Novi Sadit të përfshihet një pikë e veçantë lidhur me forcimin e kapaciteteve të shkollave të larta e universiteteve me qëllim krijimin e partneriteteve për projekte të përbashkëta kërkimore dhe fuqizimin e mekanizmave financiare kombëtare e rajonale. Këto mekanizma do të nxisin e mbështesin mobilitetin akademik ndërmjet pedagogëve e studentëve të universiteteve të këtyre vendeve.
Për takimin e 7-të Kinë-EQL për politikat e arsimit në 2019-n, dhe referuar sugjerimeve konkrete për sa më sipër, sugjerojmë gjithashtu: Nxitjen e bashkëpunimit në fushat e IT, bio-teknologjisë, shkencave teknike dhe natyrore. Rritjen e numrit të bursave të studimit afatgjatë dhe afatshkurtër për studentët shqiptarë në fushën e teknologjisë së lartë dhe teknologjive të informacionit dhe të komunikimit, si organizimin e aktiviteteve të përbashkëta sportive në kuadër të një programi binjakëzimi mes Bashkive të Pekinit dhe të Tiranës, ngritjen e një qendre të përbashkët rinore Shqipëri-Kinë për intensifikimin në nivel më të lartë të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Po në kuadër të "17 1", pritet të vendoset shkëmbimi i studentëve për studime dhe specializime në fushën e turizmit dhe gjuhëve të huaja. Në kuadrin e zhvillimeve të bashkëpunimit në fushën e rinisë, parashikohet të hapet Zyra e Rinisë që do të drejtohet nga zv-ministrja e arsimit dhe që synon krijimin e rrjetit rinor të EQL dhe Kinës, synon përfshirjen e rinisë në aktivitet të përbashkëta dhe punësimin, fuqizimin e Institutit Konfuci për identifikimin e studentëve që duan të studiojnë në Kinë në nivel studimesh universitare dhe pasuniversitare.