Nga bashkimi e pastaj ndarja në rrugën ideologjike, deri në procesin e bashkëpunimit konkret me barazi e leverdi të ndërsjellë, përgjatë 70 vjetëve marrëdhëniet midis Kinës e Shqipërisë kanë pasur kohë me diell e shi, por ato janë përtëritur e kanë fituar gjallëri në epokën e re. Marrëdhëniet me Shqipërinë kanë zënë një vend të veçantë në historinë diplomatike të Kinës së Re.  

Më 21 nëntor të vitit 1949, Kina e Re, që sapo ishte themeluar, mori një notë të dërguar nga qeveria shqiptare, ku sugjerohej vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve. Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë Reiz Malile, që në atë kohë ishte sekretari i parë i legatës shqiptare në Moskë, ishte dorëzuesi i kësaj note nga pala shqiptare për palën kineze. Ai ka shkruar në librin e tij mbi situatën e atëkohshme:

"Themelimi i Republikës Popullore të Kinës tërhoqi vëmendjen e të gjitha vendeve të botës, veçanërisht të misioneve diplomatike në Moskë. Të gjithë mendonin se kjo ishte një gjë e jashtëzakonshme. Kur u shpall krijimi i qeverisë së re të Kinës, u udhëzova nga qeveria jonë t'u dorëzoja përfaqësuesve kinezë notën ku propozonim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve."

Pas dy ditëve, më 23 nëntor, Pekini u përgjigj se e mirëpriste "krijimin e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës Popullore të Shqipërisë". Kështu, Kina dhe Shqipëria vendosën zyrtarisht marrëdhënie diplomatike. Shqipëria u bë një nga vendet e para që pati marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës.

Pas përgatitjeve aktive e serioze, në vitin 1954 të dy vendet ndërtuan ambasadat e tyre përkatëse dhe dërguan ambasadorë te njëri-tjetri. Shqipëria dërgoi zyrtarin në nivel zv.ministri Nesti Nase si ambasador të saj në Kinë, ndërsa nga pala kineze, kryeministri Çu En Lai ngarkoi drejtorin e Drejtorisë së Bashkimit Sovjetik dhe të Europës Lindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme Xu Yixin si ambasador të Kinës në Shqipëri.  

Me themelimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve, të dyja palët filluan gradualisht të zhvillonin shkëmbimet e bashkëpunimin në fushat ekonomike, kulturore, arsimore etj., duke arritur një numër rezultatesh. Në periudhën midis mesit e fundit të viteve '50 të shekullit të kaluar, me shtimin e shovinizmit nga ana e Bashkimit Sovjetik në Organizatën e Traktatit të Varshavës, ndodhi një situatë e re, dhe Kina dhe Shqipëria u afruan me njëra-tjetën, në bazën e kundërshtimit të përbashkët të hegjemonisë dhe politikës së më të fortit. Në mbledhjen e Bukureshtit në vitin 1960, delegacionet e dy partive komuniste, të Kinës dhe të Bashkimit Sovjetik, kishin divergjenca të ashpra dhe kontradiktat mes të dy vendeve u shfaqën hapur. Në atë kohë, Shqipëria shprehu përkrahjen e saj për Kinën. Më pas, në shumë mbledhje të lëvizjes komuniste ndërkombëtare, Shqipëria përsëri qëndroi në krah të Kinës. Me acarimin e kontradiktave, Bashkimi Sovjetik ndaloi përkatësisht projektet e ndihmës për Kinën e Shqipërinë përkatësisht në vitet 1960 dhe 1961, gjë që shkaktoi ngrohjen e shpejtë të marrëdhënieve midis Kinës e Shqipërisë. Duke folur mbi këtë periudhë historike, ambasadori i 10-të i Kinës në Shqipëri Fan Chengzuo tha:

"Viti 1960 është një vit i jashtëzakonshëm. Marrëdhëniet kino-shqiptare në fusha të ndryshme u forcuan shumë. Nëse duhet të rishikojmë historinë e marrëdhënieve të veçanta midis Kinës e Shqipërisë, duhet të fillojmë nga viti 1960."

Që prej atij viti, Kina dhe Shqipëria u afruan më tej dhe u bënë vende me një miqësi të ngushtë. Kryetari Mao Ce Dun i përshkroi marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve me vargjet e një poeti të dinastisë Tang të Kinës: "Kemi miq në këtë botë, me ta jemi të lidhur fort. Sado larg që jemi, si fqinj të mirë i kemi". Kina dhe Shqipëria e ndihmuan në mënyrë të ndërsjellë njëra-tjetrën dhe u zhvilluan së bashku. Kina filloi ndihmën në përmasa të mëdha në fusha të ndryshme për Shqipërinë. Ndërsa Shqipëria besonte se Kina, si një vend në zhvillim me një e katërtën e popullsisë së botës, duhej të hynte në OKB për të folur në emër të vendeve në zhvillim e për të shprehur zërin e tyre në arenën ndërkombëtare. Prandaj Shqipëria, si një vend iniciator, propozoi për shumë vite me radhë rikthimin e Kinës në OKB. Nëpërmjet përpjekjeve të shumanshme, më 25 tetor të vitit 1971, sesioni i 26-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së miratoi rezolutën nr. 2758, duke rikthyer vendin e ligjshëm të Republikës Popullore të Kinës në OKB.

Në vitet '60 deri në mesin e viteve '70 të shekullit të kaluar, Kina dhe Shqipëria u zhvilluan së bashku. Kina e ndihmoi Shqipërinë të ngrinte nivelin e zhvillimit në fushat industriale, bujqësore, ushtarake etj. Nga ana e Shqipërisë, teknika e mbjelljes së pemës së ullirit shkoi në Kinë. Nën drejtimin dhe me përgatitjen nga specialistët shqiptarë, pemët e ullirit mesdhetar u mbollën në provincën Yunnan të Kinës dhe u zhvillua përpunimi i thellë. Në këtë periudhë, edhe shkëmbimet kulturore ndërmjet të dy vendeve ishin të larmishme. Filmat shqiptarë pasuruan jetën kulturore të kinezëve. Artistët shqiptarë morën pjesë në shfaqjen e baletit "Detashmenti i kuq i grave" të krijuar nga artistët kinezë, çka nxiti shkëmbimet artistike ndërmjet të dy vendeve. Ndërsa dërgimi i ndërsjellë i studentëve forcoi shkëmbimet arsimore, e më gjerë, ato ndërmjet popujve të të dy vendeve.

Në vitet '50 - '70 të shekullit të kaluar, ndonëse zhvillimi i marrëdhënieve kino-shqiptare u bë mbi baza ideologjike e të situatës ndërkombëtare, bashkëpunimi i sinqertë ndërmjet të dy qeverive dhe shkëmbimet miqësore ndërmjet të dy popujve ishin reale e konkrete dhe miqësia u rrënjos thellë në zemrat e popujve të të dy vendeve.

Në mesin dhe fundin e viteve '70, mjedisi ndërkombëtar ndryshoi pa u ndier. Kina e atëkohëshme dëshironte të çlironte e të zhvillonte forcat prodhuese, për të ngritur nivelin e jetesës së popullit kinez dhe për të realizuar modernizimin e vendit. Prandaj në vitin 1978 Kina filloi Reformën e Hapjen. Por në atë kohë, udhëheqja e Shqipërisë ende ndiqte ideologjinë e majtë ekstreme dhe mbylljen e vendit. Për arsye që ndodheshin në faza të ndryshme, të dyja vendet zgjodhën rrugë të ndryshme zhvillimi. Kjo divergjencë themelore shkaktoi hyrjen e marrëdhënieve kino-shqiptare në periudhën e ftohjes.

Por, edhe përgjatë shumë viteve që Kina e Shqipëria kishin vetëm "marrëdhënie diplomatike formale", miqësia e popujve të të dy vendeve nuk u ndal. Qytetarët shqiptarë përshëndetën spontanisht kolonën e makinave të specialistëve kinezë që po largoheshin nga Shqipëria dhe studentët shqiptarë i shkruan letra ambasadës së Kinës në Tiranë për të shprehur urime për rezultatet e arritura prej Kinës në rrugën e saj të zhvillimit. Zjarri i miqësisë në zemrat e popujve nuk u shua.

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë Besnik Mustafaj mendon se pikërisht kjo miqësi e të dy popujve ofroi një bazë të fortë për normalizimin e marrëdhënieve të dy vendeve:

"Unë do të thoja se në atë periudhë, pra në vitet '60 e derisa Kina, në fillim të viteve '70, u pranua në OKB, Shqipëria realisht e ka luajtur rolin që i takonte si mike e Kinës. Kjo gjë do të mbetet në historinë e marrëdhënieve tona, por do të mbetet dhe në historinë e Kinës, në mënyrë të posaçme. Dhe kjo ishte e mjaftueshme që të hidheshin bazat e një miqësie të gjatë dhe të qëndrueshme, pavarësisht ulje-ngritjeve që ka prodhuar politika."

Në vitin 1986, kur Fan Chengzuo, si ambasadori i 10-të i Kinës në Shqipëri, paraqiti letrat kredenciale, liderët e Shqipërisë shprehën dëshirën për të zhvilluar marrëdhënie diplomatike normale me Kinën. Marrëdhëniet e dy vendeve hodhën një hap të rëndësishëm drejt normalizimit. Në vitin 1988, ministrat e jashtëm të Kinës e të Shqipërisë u takuan në selinë e OKB-së e të dyja palët u shprehën se dallimet ideologjike s'mund të pengonin përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në vitin 1989, Shqipëria dërgoi një delegacion të drejtuar nga zv.ministri i Jashtëm për të vizituar Kinën, që ishte delegacioni i parë politik i dërguar nga qeveria shqiptare në Kinë. Në atë kohë, marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve nisën të dilnin nga periudha e ftohjes. Pastaj shkëmbimet ekonomike e kulturore u shtuan gradualisht.

Në vitin 1996, marrëdhëniet kino-shqiptare hynë në një periudhë të rëndësishme. Me ftesën e kryetarit të atëhershëm kinez të shtetit Jiang Zemin, presidenti i atëhershëm i Shqipërisë Sali Berisha bëri një vizitë zyrtare në Kinë. Gjatë vizitës, të dyja palët nënshkruan komunikatën e përbashkët midis Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Shqipërisë. Të dy udhëheqësit shprehën mendimin se zhvillimi afatgjatë e i qëndrueshëm i marrëdhënieve të bashkëpunimit miqësor ndërmjet Kinës e Shqipërisë është dëshira e të dy popujve dhe përputhet me interesat e të dy vendeve. Kjo komunikatë e përbashkët krijoi bazën e zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve në periudhën e re.

Në shekullin e ri, zhvillimi i marrëdhënieve kino-shqiptare është konkretizuar më tej. Në vitin 2012, u krijua mekanizmi i "Bashkëpunimit Kinë- Europë Qendrore e Lindore" dhe Shqipëria ka marrë pjesë aktivisht në të. Në vitin 2013 u propozua zyrtarisht nisma "Një brez, një rrugë", dhe më pas Shqipëria e Kina nënshkruan dokumente bashkëpunimi në kuadër të kësaj nisme. Me nxitjen e këtij mekanizmi dhe të kësaj nisme, liderët kryesorë të Kinës dhe të Shqipërisë kanë realizuar shumë herë takime dypalëshe, duke nxitur bashkëpunimin konkret në fusha të ndryshme mes të dy vendeve. Ekonomisti i njohur shqiptar Petraq Milo mendon se Shqipëria përfiton nga zhvillimi i mëtejshëm i mekanizmit të "Bashkëpunimit Kinë- Europë Qendrore e Lindore" dhe nismës "Një brez, një rrugë".

"Specialistët e huaj e kanë vënë në dukje se politika e Kinës është bashkëpunimi ekonomik. Investimet e drejtpërdrejta kineze në vendet e nismës 'Një brez, një rrugë' e nxjerrin Kinën në tregun global dhe ky është një objektiv i saj. Vetë nisma kineze 'Një brez, një rrugë' është pjesë e globalizimit. Në tërësinë e kësaj nisme Shqipëria ka përfituar nga futja e kompanive kineze në tregun e saj."

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka marrë pjesë në aktivitete në Kinë në vitet 2014 dhe 2015. Gjatë një prej këtyre vizitave në Kinë, në një intervistë të posaçme për Radion e Jashtme të Kinës, kreu i qeverisë shqiptare shprehu shpresën për forcimin e bashkëpunimin me Kinën. Në situatën e re, ai shfaqi dëshirën që më shumë kinezë të shtojnë njohuritë për Shqipërinë e tanishme:

"Sot jemi në një kapitull krejt tjetër të historisë së marrëdhënieve tona, në një kohë krejtësisht të re strategjish zhvillimi dhe qasjesh tërësisht të reja në raport me të ardhmen dhe me njëri-tjetrin. Dhe natyrshëm Shqipëria nuk është ajo që ishte dikur për Kinën, dhe pesha e Shqipërisë në raportet e Kinës me botën është shumë më relative, por nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë që ne të mos i bëjmë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të tërheqë vëmendjen e opinionit publik në Kinë dhe të tërheqë vëmendjen e njerëzve që, në radhë të parë, janë të dhënë pas udhëtimeve, destinacioneve të reja, për ta bërë Shqipërinë një destinacion të ri turistik edhe për kinezët."

Në epokën e re, shkëmbimet midis Kinës e Shqipërisë janë zhvilluar në fusha të ndryshme e në nivele të ndryshme, duke arritur rezultate të dukshme. Në kuadër të mekanizmit të "Bashkëpunimit Kinë - Europë Qendrore e Lindore", takimet dypalëshe të kryeministrave të të dy vendeve që zhvillohen çdo vit, japin drejtimin e qartë për zhvillimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve. Delegacioni shumëpartiak i Kuvendit të Shqipërisë dhe delegacioni i Partisë Komuniste të Kinës kanë realizuar vizita të ndërsjella. Investimet e përgjithshme kineze në Shqipëri kanë arritur në 800 milionë dollarë amerikanë dhe Kina është bërë vend kryesor i investimeve në Shqipëri. Bashkëpunimi turistik është bërë pika e re e shkëlqyer e bashkëpunimit konkret midis Kinës e Shqipërisë. Numri i turistëve kinezë në Shqipëri në vitin 2018 u rrit 60 % në krahasim me vitin 2017. Hapja e Institutit "Konfuci" në Tiranë ka nxitur njohjen e ndërsjellë mes të dy popujve. Edhe shkëmbimet ndërmjet pushteteve vendore të të dy vendeve kanë qenë të larmishme dhe shumë qytete e provinca të Kinës e Shqipërisë kanë krijuar marrëdhënie binjakëzimi. Këto kanë forcuar bazën për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Më 24 shtator në vitin 2019, ambasada e Kinës në Shqipëri organizoi pritjen zyrtare për të kremtuar 70-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës, ku presidenti i Shqipërisë Ilir Meta tha në fjalimin e tij se ai ka besim në të ardhmen e marrëdhënieve kino-shqiptare:

"Marrëdhëniet tona përsëri i janë rikthyer kësaj tradite mjaft pozitive të marrëdhënieve miqësore dhe mjaft të hapura e të dobishme për të dy vendet dhe popujt tanë. Jam i bindur se perspektiva e marrëdhënieve është në të gjitha fushat dhe jo vetëm në fushën e tregtisë, por dhe të investimeve në sektorë të ndryshëm."

Para 70 vjetëve, vendosja e marrëdhënieve diplomatike kino-shqiptare filloi nga bazat ideologjike, por në procesin e 70 vjetëve, këto marrëdhënie e kapërcyen ideologjinë. Pas erës e shiut mund të shikojmë se tashmë ka dalë ylberi. Sot, në bazën e barazisë, pragmatizmit e të respektit të ndërsjellë, diplomacitë e të dy vendeve kanë ndërtuar një platformë të gjerë dhe kanë forcuar themelet për zhvillimin në fusha të ndryshme e në nivele të ndryshme. Pala kineze dhe ajo shqiptare kanë besim të plotë se do të ndërtojnë së bashku një të ardhme më të bukur për të dy vendet dhe popujt. (Çang Çuo)