Në fund të viteve ’50 të shekullit të kaluar, Duan Xianzhi, një vajzë e kombësisë mongole të Kinës, dilte fshehtas nga shtëpia çdo mëngjes duke bërë 7 kilometra në rrugët plot baltë të fshatit për të shkuar në shkollë. Nëna dhe gjyshja e saj nuk dëshironin që ajo të shkonte në shkollë, meqenëse në atë kohë vajzat duhej të qëndronin brenda për të bërë punë shtëpie ose të punonin tokën. Por ajo këmbënguli me besimin që arsimi mund t'u japë femrave më shumë mundësi në jetë.
Pas 50 vitesh, ajo udhëtoi nëpër Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme për të mësuar përse përqindja e kancerit të qafës së mitrës ishte aq e lartë, me gjithë masat e parandalimit dhe kontrollit të kësaj sëmundjeje nga shteti. Ajo filloi një program të zbulimit dhe trajtimit të kancerit të qafës së mitrës në vitin 2005 kur drejtonte Departamentin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Spitalin Popullor të Mongolisë së Brendshme. Ndër 400 gratë dhe vajzat që ajo ekzaminoi atë vit, zbuloi 4 me kancer dhe 28 me plagë parakanceroze. Këto shifra ishin shqetësuese.
Programi i saj i ofrimit të shërbimit të ekzaminimit falas të kancerit të qafës së mitrës për gratë e moshës 35-64 vjeçe u zgjerua në Jungar në qytetin Ordos të Mongolisë së Brendshme në 2011. Më pas, ajo zbuloi se rastet e kancerit të qafës së mitrës ishin dy herë më të larta se niveli mesatar kombëtar, dhe përqindja e vdekshmërisë ishte jashtëzakonisht e lartë, meqenëse shumica e grave nuk ishin ekzaminuar kurrë derisa kanceri arrinte në shkallën e fundit.
Ka shumë faktorë për këtë gjendje: varfëria, nivelet e ulëta të alfabetizmit, një mjedis i ashpër fizik dhe mungesa e gjinekologëve me përvojë. "Familjet në pllajë përballojnë mungesën serioze të ujit, prandaj gratë nuk mund të lahen shpesh. Përveç kësaj, statusi relativisht i ulët shoqëror-ekonomik i bën ato të ngurrojnë të flasin në mënyrë të hapur për dhimbjen e tyre," tregon Duan.
Ne u takuam me gjinekologen veterane 69-vjeçare për herë të parë në korrik në zyrën e saj modeste dhe të rregullt në Spitalin Tongren të Pekinit, një spital publik prestigjioz i ngritur në kryeqytetin e Kinës në vitin 1886. Kur ne arritëm, ajo sapo kishte përfunduar pesë operacione, por nuk shfaqte asnjë shenjë lodhjeje. Ajo ecte lehtë e fliste shpejt, dhe dukej më e re se mosha e saj.
"Kur isha e vogël, dëgjoja shpesh fqinjat e moshuara të pëshpëritnin se dikush kishte gjakrrjedhje pas menopauzës. Dhe gratë vdisnin prej saj," kujtoi ajo. Duan Xianzhi mësoi se ishte fjala për kancerin e qafës së mitrës që shkaktohet prej infektimit nga papilomavirusi njerëzor (HPV), vetëm kur u bë studente mjekësie pas shumë vjetësh. Ajo zbuloi po ashtu se shumica e femrave në Mongolinë e Brendshme i toleronin problemet e qafës së mitrës, meqenëse sëmundjet gjinekologjike shpesh mendoheshin që lidheshin me shthurjen ose aktivitete të tjera që stigmatizoheshin.
Turpi i lidhur me sëmundjen i parandalonte ato të vizitoheshin. Duan shkoi derë me derë, për t'u sugjeruar grave që të testoheshin. "Varfëria është një gjë, ndjenja e trupit dhe e frikës nga mungesa e informacionit është një gjë tjetër," thekson ajo.
Duan dhe grupi i saj kanë ekzaminuar 120 000 gratë këto vite, dhe sipas të dhënave të gjetura prej tyre, Ordos kishte përqindjen më të lartë të kancerit të qafës së mitrës, 9.87%. "Kjo simbolizon se 1 ndër 10 gra që dolën pozitive për testin e HPV në Ordos mund që të kalonin në kancer të qafës së mitrës, " shprehet Duan Xianzhi.
Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i katërt më i zakonshëm te gratë në mbarë botën. Prej tij vdesin mbi 300 000 femra në vit.
Ai është quajtur si ""vrasësi i heshtur" meqenëse zakonisht nuk paraqet simptoma në fazat e hershme dhe zhvillohet shumë ngadalë. Pa kontroll të rregullt dhe trajtim në kohë, në shumicën e rasteve ai s'mund të identifikohet deri para se të jetë tepër vonë.
Kjo sëmundje është edhe më vdekjeprurëse për gratë në botën në zhvillim. Afro 80-90 për qind e atyre që vdesin nga kanceri i qafës së mitrës janë nga vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Megjithatë, kërcënimi ndaj jetës së femrave është i parandalueshëm dhe madje i shërueshëm nëse zbulohet herët.
Ndër të gjitha kanceret e njerëzve, kanceri i qafës së mitrës është i vetmi me shkak të njohur: infektimi me disa lloje të HPV me rrezik të lartë. Ai është kanceri i vetëm i shërueshëm në historinë njerëzore. Ekzaminimi dhe diagnostikimi i hershëm janë thelbësore për parandalimin e infeksioneve dhe parakancerogjenëve.
“Gratë nuk duhet të vdesin nga kanceri i qafës së mitrës”, thotë Duan. "Sidomos tani kemi vaksina, përveç ekzaminimit."
Vaksinimi ndaj HPV është parandalimi kryesor i infeksionit. Vaksina e parë e HPV u bë e disponueshme në vitin 2006 dhe pas një dekade, ajo erdhi në Kinë. Në fund të vitit 2019, vaksina e parë vendase për HPV u prodhua me sukses pas shqyrtimit rigoroz për 18 vjet.
Në vitet ’90 të shekullit të kaluar, Qiao hoqi dorë nga një post si kërkues shkencor në Universitetin “John Hopkins” dhe u kthye në Pekin për të filluar nga baza punën e parandalimit dhe kontrollit të kancerit të qafës së mitrës në Kinë. Pas nisjes së ekzaminimit në një fshat të varfër në provincën veriore Shanxi, ai shkoi në rajonet e tjera për të vazhduar punën, e cila ishte e vështirë, meqenëse ai kishte pak lidhje me spitalet lokale.
Pasi dëgjoi se Qiao kishte një metodë testimi më të saktë dhe me kosto efektive, Duan nxitoi ta takonte. Këta dy mjekë, dy punëtorë të dhembshur, nisën bashkëpunimin. Ata nisën ekzaminimet masive me metodën e re në Jungar. Teksa gatë bënin më shumë ekzaminime të qafës së mitrës, ishte e lehtë të kryhej vaksinimi falas për HPV. "Muajin e parë, shkalla e vaksinimit arriti 84.5 për qind," thotë Qiao me gëzim.
Në moshën 65 vjeç, ai ende po drejton grupin për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës në shumë qytete kineze.
Në të kaluarën, ai ankohej se Kina është e vonuar në vaksinimin e HPV, por tani ai është i lumtur kur sheh përparimin. "Ne po i kapim shpejt të tjerët." Pushteti vendor i Jungarit e mbështeti shumë këtë përpjekje kur qytetet e tjera në Kinë nuk e kishin provuar.
Në shtatorin e vitit 2021, Jungar ofroi vaksinat e para të HPV për 85 % të vajzave në moshat 13-18 vjeçe. (Xu Guang)