Në një kapitull të librit të tij "Përshkrime gjeografike" me titull "Ceremonitë kineze", murgu francez Jean-Baptiste du Halde përshkruan disa produkte ushqimore kineze, duke përfshirë edhe atë që ndoshta ishte salcë soje, duke thënë se kinezët kishin disa lloje barishtesh, si dhe bishtajore, nga fara e të cilave bënin një vaj që përdorej shumë nëpër salca. Ai pastaj vëren: "Kuzhinierët francezë, të cilët e kanë përsosur çdo gjë që ka të bëjë me qiellzën, do të befasoheshin aq shumë po të mësonin se kinezët mund t'ua kalonin shumë në këtë drejtim të punës së tyre, dhe për një kosto shumë më të lirë. Do të ishte e vështirë që t'i bindje të besonin se, me asgjë tjetër, përveçse me bishtajat që rriten në vendin e tyre, veçanërisht ato të provincës së Shandong-ut, dhe me oriz e misër, mund të përgatisin një numër shumë të madh gjellësh mjaft të ndryshme nga njëra-tjetra, si nga pamja, ashtu edhe nga shija."
Du Halde pastaj përshkruan disa ushqime të veçanta kineze, si foletë e zogjve. Sipas tij, foletë gjendeshin në shkëmbinjtë e bregdetit dhe bëheshin nga një zog që i ngjante dallëndyshes, ndoshta duke përdorur peshq të vegjël që këta zogj kapnin në det. Zogjtë prodhonin një lëng të trashë me sqepat e tyre për të bërë foletë, por ata gjithashtu ishin parë të përdornin shkumën e detit si njëfarë çimentoje për të lidhur pjesët e folesë së bashku.
Du Halde vë në dukje po ashtu se, megjithëse kinezët përgjithësisht jetonin duke ngrënë oriz, ata gjithashtu përdornin edhe misrin, me të cilën bënin bukë të vogla për më pak se pesëmbëdhjetë minuta duke përdorur “bain-marie”. Këta kuleçë të zier me avull siç quhen tani, ishin shumë të butë, kështu që Du Halde thotë se "europianët i pjekin ato pak në zjarr, dhe ato janë shumë të lehta dhe të shijshme". Sa për pijet alkoolike, vera e orizit nga Shaoxing-u, sipas Du Halde-s, ishte e pëlqyer, pasi ajo vlerësohej si më e shëndetshme. Ai përmend edhe një lloj pijeje alkoolike që thuhej se "nxirrej nga mishi i deles" dhe që pihej kryesisht prej mançurëve. Ajo të binte shpejt në kokë, vëren murgu francez. Një tjetër lloj i jashtëzakonshëm vere, sipsas tij, e kishte prejardhjen nga provinca Shaanxi. Ajo ishte e njohur si "vera e qingjave" (gaoyangjiu) dhe ishte shumë e fortë e mbahej si një pije e shijshme.
Du Halde parafrazon më pas citimin nga Joachim Bouvet të një banketi të shtruar nga guvernatori i përgjithshëm i Guangdong-ut dhe Guangxi-së para nisjes së Bouvet-it për në Europë. Të ftuarit ishin të ulur në tryeza katrore, me mbulesa atllasi ngjyrëvjollcë ku ishin të qëndisur dragonj të artë. Në një tjetër tryezë, ishin vendosur "piramida mishi, frutash etj." Çdo piramidë ishte gjysmë metri e lartë dhe e zbukuruar me piktura dhe lule. Në tryezat e tjera kishte enë erëmuese, një dërrasë me disa rreshta poezie të shkruara në të dhe pjata të vogla porcelani plot me barishte, bishtaja dhe turshi për të hapur oreksin.
Para çdo pjate që sillej në tryezë të pranishmit ftoheshin të pinin gota të vogla vere, dhe për çdo gjellë që vendosej në tryezë organizatorët e ceremonisë i ftonin ta merrnin ushqimin me shkopinj dhe ta shijonin. Pjata kryesore ishte "raguja, mish i grirë ose i zier (me lloje të ndryshme barishtesh ose bishtajash), dhe shërbehej me supë, në enë porcelani të hollë, pothuajse po aq të thella sa të gjera". Kishte 20 gjellë të tilla, dhe pas çdo katër prej tyre, shërbehej një lloj i veçantë supe, e shoqëruar edhe nga "një pjatë byreçkash", dhe banketi mbyllej me një filxhan çaji.
Vepra "Përshkrime gjeografike" e Jean-Baptiste du Halde ishte një burim i rëndësishëm për të marrë informacion lidhur me Kinën, duke përfshirë këtu edhe veprën më të famshme të Iluminizmit dhe të filozofëve francezë, "Enciklopedinë", e botuar në periudhën e viteve 1751 - 1765 dhe që u shpërnda në bibliotekat në të gjithë Europën. "Enciklopedia" pretendonte të siguronte një informacion të saktë dhe më të fundit lidhur me një shumëllojshmëri temash. Ajo përmbante disa zëra nga Chevalier de Jaucourt për sa u përket bimëve kineze që mendohej se kishin vlera shëruese. Kështu, për të hartur zërin "ginseng" në këtë enciklopedi, Chevalier de Jaucourt përdori një letër të shkruar nga atë Jartoux. Jaucourt po ashtu konsultoi edhe një artikull nga dr. Jacques Vandermonde, i cili kishte përkthyer një burim kinez që fliste për efikasitetin e rrënjëve të ginsengut si mjekim për një gamë të gjerë çrregullimesh. De Jartoux kishte pohuar se ginsengu e kishte ringjallur atë pas një udhëtim nëpër Tartari, por Jaucourt, duke u mbështetur në mendimin e mjekëve si Hermann Boerhaave, ishte më dyshues për vlerat e saj, duke e krahasuar efektet e saj me ato të angjelikës. Në zërin "ravenë" të "Enciklopedisë" Jaucourt përshkruan ravenën kineze, rrënjën e së cilës u eksportuan në Europë të thara dhe është bërë në pilula. Sipas Chevalier de Jaucourt-it kjo bimë kishte dy përdorime, si pastrues dhe për të lehtësuar dhimbjet e stomakut. Jaucourt gjithashtu shkroi zërin "Rrënja kineze", e cila mendohej se shëronte përdhesin, sëmundjet veneriane dhe shumë sëmundje të tjera.
Në kapitullin "Orizi", Jaucourt theksoi se kultivimi i orizit në Kinë pasqyronte vendosmërinë e admirueshme të kinezëve për të përdorur çdo centimetër katror të tokës për të prodhuar ushqim në vend që ta shpërdoronin atë për të bërë kopshte me lule. Po ashtu ai lavdëron mjeshtërinë e kinezëve në kthimin e shpateve të maleve në tarraca dhe aftësinë e tyre për të ndërtuar sisteme ujitjeje. Më tej ajo që synonte të shprehte autori dilte qartë: kultivimi i orizit mund të garantonte punë dhe ushqim për një numër shumë të madh njerëzish në Francë. Për të treguar këtë Jaucourt shkroi dy "receta". Së pari, merren rreth pesë kg oriz the zihen për tre orë në 30 litra ujë, dhe pastaj shtohen 5 kg bukë dhe pesë litra qumësht, e ndoshta edhe një duzinë gjethesh dafine për t'i dhënë ushqimit një erë dhe shije të këndshme. Sipas tij, kjo do të siguronte ushqim të plotë për 60 veta për 24 orë. Sipas recetës tjetër, merren 3 kg oriz dhe çerek kile gjalpë për të bërë supë për 50 veta, gjysmë litri për një të rritur dhe një çerek litri për një fëmijë.
Së fundi, duhet përmendur edhe zëri "Çaji" i "Enciklopedisë" franceze. Edhe ky u shkrua nga Chevalier de Jaucourt. Pjesa më e madhe e tij përmbledh informacionin lidhur me karakteristikat e bimës së çajit dhe se si kultivohet kjo bimë në Kinë dhe Japoni. Dy paragrafët e fundit flasin lidhur me çështjen se si duhet pirë çaji dhe për efektet e tij për shëndetin. Jaucourt-i vëren se në Francë çaji përgatitej në të njëjtën mënyrë si në Kinë, që do të thotë se uji i valuar hidhej mbi gjethet e çajit që vendoseshin në një enë të veçantë. Më pas shtohej ujë i ftohtë për të pakësuar hidhësirën, dhe pastaj çaji pihej i nxehtë. Zakonisht kinezët mbanin një copë sheqeri në gojë teksa pinin çaj, gjë që nuk ishte zakon i japonezëve. Më pas shtohej përsëri ujë, që e bënte çajin më të butë, dhe pastaj gjethet hiqeshin. Sa për të mirat që kishte pirja e çajit, Jaucourt shprehej se, si kinezët, ashtu edhe japonezët, mendonin se çaji kishte cilësi të mrekullueshme dhe ishte një mënyrë e këndshme për lehtësimin e të gjitha formave të vuajtjes.
Sipas tij, në qoftë se pirja e çajit kishte të mira, kjo vinte kryesisht për shkak të ujit të nxehtë. Përbërësit që gjenden në çaj, shkruan Chevalier de Jaucourt-i, mund të shërbejnë për të holluar limfën, në qoftë se ajo është tepër e trashë, dhe të ndihmojnë djersitjen. Por nga ana tjetër, ai vëren se përdorimi i tepruar i çajit mund të sulmojë sistemin nervor dhe të shkaktojë të dridhura. Jaucourt këshillon se ishte do të më mirë që çaji të përdorej si ilaç më shumë sesa si një pije e këndshme. Për më tepër, vinte në dukje ai, çaji krijon me siguri varësi, siç e dëshmonte konsumi i tepruar i pesë milionëve kilogrami çaj në vit në Europë.
Gazmend Agaj