I ftuar në studio epidemiologu Ilir Alimehmeti
Pavarësisht bashkëjetesës prej afro dy vjetësh me epideminë e koronavirusit, pyetjet rreth tij, apo vaksinimit që na “çliron” prej tij, janë të shumta. Edhe qytetarët shqiptarë ashtu si ata në vende të ndryshme të botës gjatë kësaj periudhe të betejës me virusin vdekjeprurës janë përballur me shqetësime të shumta rreth trajtimit të tij, vaksinimit e deri te mbijetesa ndaj tij. Bumi i informacioneve në mediet shqiptare apo të huaja, rrjetet e shumta sociale me lajmet e tyre herë të vërteta e shkencore e herë të pavërteta e konspirative i kanë prekur njerëzit, duke i bërë të paqartë ndaj situatës pandemike dhe madje duke tentuar të krijojnë të vërteta individuale.
Me mikrofonin tonë mblodhëm disa shqetësime të qytarëve në kryeqytet, të cilave u jep përgjigje doktori i shkencave, epidemiologu i njohur Ilir Alimehmeti.
Qytetari: Përshëndetje doktor! Unë kam kryer dozën e parë të vaksinës Pfizer dhe jam në pritje të dozës së dytë pas 21 ditëve. Doza e parë më shkoi mirë me shumë pak efekte anësore të lehta si dhimbje koke dhe pak mpirje krahu. Por do të doja të dija nëse unë infektohem me Covid në pritje të dozës së dytë të vaksinës, a duhet ta bëj dozën e dytë, apo duhet të shtyhet afati i përcaktuar? Ju faleminderit!
Dr.shk Ilir Alimehmeti: Jo! Nëse vërtetohet infektimi gjatë kësaj periudhe, atëhere jo. Do të presë fillimisht të zgjidhet historia e sëmundjes dhe më pas ai do të funksionojë si një person, i cili tashmë e ka kaluar virusin. Pra duhet të shtyjë afatin, nëse i nevojitet vaksinimi për më pas. Po ju kujtoj një nga rregullat e Italisë, që thotë se nëse e ke kaluar virusin, brenda 12 muajsh një dozë e vetme vaksine mjafton. Në këtë rast kemi një person që ka marrë një dozë vaksine dhe është infektuar, pra duhet shtyrë minimalisht shumë.
CMG: Në mënyrë figurative mund të themi se ai është “i bombarduar” me antitrupa.
Qytetari: E kam bërë vaksinën para një jave dhe çdo gjë ka shkuar shumë mirë. Do e pyesja doktorin për analizën e antitrupave. A duhet bërë para se të bëj dozën e dytë?
CMG:Si të gjithë ne dhe qytetari është i interesuar për antitrupat. Jemi bërë “fansa” të antitrupave dhe njerëzit kohë pa kohë pyesin njeri-tjetrin sa antitrupa kanë. A duhet analiza e antitrupave pas dozës së parë të vaksinës?
Dr.shk Ilir Alimehmeti:Jo. Në mënyrë absolute antitrupat nuk hyjnë në punë për asgjë, me përjashtim të situatave kur ne kemi dyshim nëse e ka kaluar ose jo personi sëmundjen dhe e përdorim këtë si vërtetim për ndjekjen e strategjisë. Antitrupat kanë natyrën e vet që hipin dhe zbresin, sipas ritmit të ryre, por vaksina nuk funksionon vetëm te antitrupat. Antitrupat Igg që shohim janë vetëm një pjesë e puzzle-t. Asnjë shtet nuk e ka në protokoll se duhet të analizosh antitrupat pasi bën vaksinën. Përgjigja varet nga personi. Sa më i shëndetshëm, i ri dhe pa sëmundje të jetë personi, aq më shumë përgjigje imunitare do të ketë.
Qytetarja: Përshëndetje! Jam nëna e një djali 12 vjeç. Së fundmi kam dëgjuar se ka nisur dhe vaksinimi i fëmijëve në këtë moshë në disa vende. Do të doja të dija opinionin e doktorit. Faleminderit!
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti: Evidencat nuk flasin në këtë drejtim. Le të shohim si arrihet në këtë konceptim. Së pari, fëmijët e vuajnë më lehtë sëmundjen. Mbijetueshmëria natyrore është 99.995 për qind, pra pothuajse e plotë. Shifrat janë krejtësisht të vogla. Elementi i dytë është që transmetueshmëria, pra a mund t’ja ngjisi tjetrit fëmija dhe për këtë po diskutohet këto kohë. Transmetueshmëria e fëmijës ka qenë gjithmonë më e ulët e këtij virusi se sa e adultit. Përgjithësisht është i rrituri që ia ngjit virusin fëmijës dhe nuk është fëmija që ia ngjit të rriturve. Kudo është parë mjaft qartë që mbi tre të katërtat e rasteve fëmijët janë infektuar nga të rriturit dhe jo nga fëmijët e tjerë. Por çfarë ndodh në 2021? Ndërmjet këtij fëmije eventual dhe gjyshit që ka në shtëpi, apo mësueses në shkollë kemi vendosur vaksinat. Pothuajse të gjithë mësuesit janë vaksinuar, po ashtu moshat nga 18 vjeç e sipër u është ofruar vaksina. Pra këtu kemi një barrierë për të kapërcyer. Fëmija është më pak transmetues që në origjinë dhe tani ka dhe barrierën e vaksinës. Prandaj duhet të vaksinohen të rriturit dhe të mos përdoren fëmijët si antiplumbi, për të mbrojtur veten tonë, por përkundrazi duhet e kundërta. Fëmijët t’i lemë të qetë.
Qytetarja: Do të doja të dija nëse vaksinimi ndikon në fertilitetin qoftë të femrave apo të meshkujve.
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti: Së pari nuk e dimë nga doli kjo teori, sepse në vaksinat e tjera nuk ka ndodhur kjo. Megjithatë lidhur me parametrat e fertilitetit femëror apo mashkullor nuk është parë ndonjë problematikë. Duket se edhe nënat shtatzënë që janë vaksinuar nuk kanë patur ndonjë problematikë të shtuar, në krahasim me çfarë pritet nga gjendja ku ndodhen. Por nga ana tjetër duhet thënë se ne me vaksinat kemi 8 muaj. Ato kanë filluar në janar dhe jemi në fund të gushtit dhe shtatëzania do 9 muaj të përfundojë, pra akoma nuk kemi bebet e para të lindura me vaksinë të kryer para fekondimit. Ndaj duhet të presim dhe disa muaj të tjerë.
CMG: Ju falenderoj për opinionet që dhatë doktor për qytetarët e rastësishëm që përzgjodhëm për pyetje ndaj jush lidhur me pandeminë dhe vaksinimin. A do të kishit ndonjë mesazh për dëgjuesit tanë?
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti: Këshilla është vetëm një: nuk e ke kaluar virusin, nuk je vaksinuar, vaksinohu!
Intervistoi Eda Merepeza