Viti që lamë pas ishte një vit tepër i vështirë ku përballja me virusin ishte një sfidë me vete që e përballuam me sukses dhe dalëngadalë iu rikthyem normalitetit. Situata epidemiologjike aktualisht është e stabilizuar, ku rastet e shtrimeve në spital nuk janë më të shifrave të larta, dhe numri i vdekjeve ka rënë, madje prej disa ditësh nuk janë raportuar viktime.
Mirëpo ka disa kohë që qarkullon lajmi për një variant tjetër të Covid-19, atë të variantit Delta dhe po ngatërrohet me gripin e verës ku simptomat janë pothuajse të njëjta. Për të folur më gjatë rreth këtij varianti dhe shenjat klinike që shfaq tek të prekurit, i ftuar në një emision televiziv mjeku infeksionist Gent Stroni tregoi simptomat që mund të sinjalizojnë se jemi të infektuar nga varianti Delta.
Infeksionisti Gent Stroni
“Kur është folur për Alfën dhe Betën ne e nisnim me humbje shije, nuhatje e me radhë. Aktualisht ne nuk i kemi këto tek Delta, por ne kemi një dhimbje koke, kemi raninozë ose hundë pra rrufë. Kemi dhimbje fyti dhe më mbrapa mbivendoset dhe kolla. Këto në fakt janë shenja që janë pothuajse në të gjitha virozat, qofshin këto edhe virozat e stinës, megjithatë këtu duhet bërë dhe diferencimi.
Ministrja Manastirliu duke folur për variantin Delta (Vizion Plus)
Lidhur me qarkullimin e variantit Delta të koronavirusit në Shqipëri kreu i shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në një prononcim për mediet para disa ditësh nuk e përjashtoi këtë.
“Sa i përket qarkullimit të varianteve, ashtu sikurse është varianti Delta, I cili po qarkullon tashmë në më shumë se 100 vende të botës, në ISHP janë duke u bërë analizat dhe është vlerësuar që një sërë mostrash që janë vlerësuar si sinjale të pazakonta të çohen në laboratorin e references në Gjermani për të bërë vlerësimet e nevojshme dhe për të bërë sekuencimin genomik që të vlerësojmë nëse ka një qarkullim të mundshëm të variantit Delta në Shqipëri. Do të thotë që ne duhet të jemi të fokusuar në vaksinim sepse është e vetmja armë që ndalon përhapjen e virusit dhe të varianteve të reja. Të mbrojmë shëndetin e qytetarëve nëpërmjet vaksinimit, por edhe duke mos neglizhuar asnjë masë të thjeshtë, duke shmangur grumbullimet e mëdha, si dhe duke vijuar zbatimin e masave të distancimit, në ambjentet e brendshme dhe të gjitha masat e tjera jetëshpëtuese që i kemi vërtetuar gjatë gjithë periudhës së gjatë të kësaj pandemie”, u shpreh ministrja e shëndetësisë.
Vera nuk do te jetë dhe aq e qetë sa e kishim menduar. Brenda muajit gusht e gjithë Europa do të dominohet nga varianti “Delta” i koronavirusit. Përjashtim nuk bën as Shqipëria. Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht prania e mutacionit indian, por sipas ekspertëve jemi të rrezikuar në çdo moment, madje virusi mund të jetë mes nesh. Për këtë ka folur dhe epidemiologu Ilir Alimehmeti.
“ECDC përllogarit që 70% e rasteve më 1 gusht do të jenë variant Delta dhe në fund të gushtit 90% e rasteve do të jenë variant “Delta” në Europë. Edhe në Shqipëri do të hyjë, në mos ka hyrë, sepse ne nuk bëjmë sekuencim gjenetik, por aktualisht rastet janë ende të pakta”, thotë për A2 epidemiologu, Ilir Alimehmeti.
Epidemiologu Ilir Alimehmeti (Dosja al)
Alimehmeti thekson se rreziku i ri infektimeve është njësoj si nga variantet e tjera të koronavirusit. Por vaksinimi mundëson uljen e formave të rënda, shtrimeve në spital dhe humbjeve të jetës.
“Risku i riinfektimit është njësoj si gjithë variantet e tjera. Imunizimi nga vaksinat, Pfizer, Astra Zeneca, Moderna janë testuar dhe kanë treguar se efektiviteti është pak më i ulët tek infektimi, por mbrojtja nga shtrimi në spital është shumë i lartë dhe shkon nga 92-96 për qind”, theksoi ai.
Qarkullimi i varianteve të reja të koronavirusit ka rikthyer alarmin në Europë, por edhe në vendet përtej kontinentit. Por epidemiologu Alimehmeti është optimist dhe thotë se vala e vjeshtës nuk do të jetë më e ashpër se ato që kaluam.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht, Shqipëria është e paprekur nga varianti indian. Ndërkohë, rritja e infektimeve ditët e fundit po shihet me shqetësim nga specialistët edhe pse sipas tyre vijojmë të jemi në pozitivitet shumë të ulët nga COVID-19. Ndërkohë, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes dhe respektim të masave anti-covid. Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria Buzëqesh” janë kryer 1 005 663 vaksinime antikovid në vend. 1,120,070 vaksina antikovid kanë mbërritur deri tani në Shqipëri. Procesi i vaksinimit masiv po vijon në të gjithë vendin me kalendar të kombinuar, për qytetarët +50 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Vaksinimi po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.
Eda Merepeza