Leonard Guga është këngëtar i njohur nga qyteti i Shkodrës. Ai ka dhënë kontributin e tij për shumë vite si mësues i lëndës së edukimit muzikor në zonat përreth Shkodrës dhe vazhdon të jetë pjesë aktive e jetës artistike të qytetit dhe më gjerë, duke qënë pjesë e grupit të këngëtarëve të estradës profesioniste të teatrit "Migjeni", pjesë e grupit të këngëtarëve popullorë të qendrës kulturore "Pjetër Gaci", që përfaqësojnë Shkodrën në të gjitha festivalet kombëtare e ndërkombëtare si dhe pjesë e këngëtarëve të Orkestrës Frymore të Bandës së qytetit si solist.
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për jetën e tij artistike, pjesëmarrjen në festivalet e ndryshme të këngës popullore si dhe projektet në vazhdim.
CMG: Si lindi pasioni për muzikën dhe këngën e mirëfilltë popullore?
Leonard Guga: Unë që në moshë të vogël jam zbuluar si një djalë me talent. Mësuesi im i parë i muzikës ka qenë Robert Prendushi, i cili më zbuloi dhe i tha babait tim që atëherë, që djali ka talent. Në klasën e parë fitova konkursin për piano në liceun artistik. Kështu fillova klasën e parë në shkollën e muzikës, por kam qenë një fëmijë shumë i lëvizshëm dhe mësuesi i pianos e kishte shumë problem orën e mësimit me mua. Babait i thonin se isha jashtëzakonisht i talentuar, por shumë i lëvizshëm. Babai u bë nervoz dhe më hoqi nga shkolla e muzikës, duke më dërguar në një shkollë tjetër. Unë atje vazhdova deri në klasën e pestë dhe shkova përsëri në liceun artistik për fizarmonikë. Atje nuk ndenja shumë dhe u ktheva sërisht tek shkolla ku isha dhe në vitin e parë konkurova përsëri në lice, por në degën e kantos. Aty më zbuluan si një tenor i dytë, bariton i parë dhe vazhdova mësimet e kantos.
Mirëpo tek ne djemtë ishte periudha e ndërrimit të zërit, nga zë fëminor bëhet zë burrëror, dhe unë kalova në një instrument tjetër kitarë, që e kisha mësuar që në klasë të pestë tek vëllai i Prenkë Jakovës, i ndjeri Çesk Jakova. Kisha dëshirë të diplomohesha në lice artistik me një instrument meqë nuk mund të këndoja më për periudhën e ndërrimit të zërit. Pastaj kam vazhduar që në vitin e tretë kur u zhvillua një konkurs në korin e katedrales së Shkodrës për elemente të rinj korista, me drejtues kompozitorin Gjon Shllaku dhe më vonë e mori drejtimin e korit mjeshtri Zef Çoba. Ai na solli disa artistë të mëdhenj, ku mund të përmend një eksperiencë me të madhin Luk Kaça i cili më mësoi teknikën vokale gjatë interpretimit në kor, por dhe në pjesët solistike. Aty unë mora një eksperiencë të mirë sepse muzika korale është jashtëzakonisht e bukur dhe kisha fatin që të jem me bërthamën e shtëpisë së kulturës të qytetit të Shkodrës.
Pastaj aty më panë si një talent dhe kalova në shtëpinë e kulturës, që sot quhet qendra kulturore “Pjetër Gaci” dhe në institucionin më të madh, Teatrin Migjeni ku punoj aktualisht.
CMG: Kur ka qenë dalja juaj e parë në skenë me këngën popullore qytetare shkodrane ?
Leonard Guga: Në skenë ka qenë rreth vitit 1998 në disa evente që janë organizuar, por zyrtarisht unë kam marrë pjesë në festivalet tipologjike folklorike kombëtare, duke përfshirë dhe Festivalin e famshëm Folklorik të Gjirokastrës. Në vitin 2006 jam cilësuar si një solist i këngës së mirëfilltë popullore qytetare.
CMG: Keni marrë pjesë në aktivitetet e këngës popullore qytetare shkodrane dhe si jeni ndjerë?
Leonard Guga: Në çdo lloj aktiviteti që ka organizuar qendra kulturore “Pjetër Gaci”, bashkia ose në rang kombëtar dhe ndërkombëtar, jam përfaqësuar me dinjitet dhe kam qenë pjesë kryesore e grupit artistik.
CMG: Ju shquheni për ruajtjen me fanatizëm të muzikës popullore shkodrane, duke e interpretuar ashtu siç duhet. Kush ka ndikuar në formimin tuaj artistik?
Leonard Guga: Ashtu më kanë vlerësuar mjeshtrat. Ndoshta ka ndikuar dhe ambienti familjar nga vij, një familje e vjetër qytetare. por dhe e folura e gjuhës së vjetër gegnishte, që e flasin vetëm katolikët dhe qytetarë të Shkodrës, që është ruajtur më tepër. Mendoj se ka ndikuar gjithashtu edhe formimi intelektual i prindërve të mi dhe xhaxhallarëve sepse kemi qenë një shtëpi dhe një familje intelektualësh e formuar. Pra, të gjitha këto janë elementë të lidhura për të bërë këtë që unë jam sot.
CMG: Shkodra ka nxjerrë artistë të mëdhenj si dhe shquhet për tradita në kulturë, muzikë, art e gjithçka, ku nga muzika popullore janë ikonat e këngës shkodrane si Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Luçije Miloti, etj. Ju personalisht keni pasur njohje apo bashkëpunime me këto kolosë të këngës shkodrane?
Leonard Guga: Pak më parë e përmenda që unë kisha një eksperiencë me të madhin Luk Kaça, që ishte një privilegj për mua të merrja disa mësime prej tij. Kur fillova interpretimin e këngës popullore, i papërsëritshmi Bik Ndoja më dëgjoi në çdo aktivitet dhe i tha profesorit Zef Çoba dhe shkrimtarit të ndjerë Fadil Kraja, që unë e këndoj tamam këngën popullore. Unë isha duke interpretuar te ahengu shkodran dhe u emocionova jashtëzakonisht. Profesor Biku erdhi më takoi dhe më bëri komplimentin, që për mua ato komplimente ishin më të mëdhaja sesa komplimetat e tjerë, sepse ky është interpreti i saktë dhe kur ta bën vlerësimin një interpretues si Bik Ndoja, ky është një vlerësim i mirë.
CMG: Ju merrni pjesë në aktivitete të ndryshme artistike në qytetin e Shkodrës ku këndoni dhe live. Flasim për pjesëmarrjet tuaja në mbrëmjet atistike në Shkodër?
Leonard Guga: Unë marr pjesë në mbrëmjet artistike që organizohen në ambientet private, jam gjithashtu pjesë e mbrëmjeve muzikore live, ku interpretoj live në një restorant në pedonale. Gjithashtu shkoj në Velipojë ku kam dhënë një kontribut për gati 11 vjet e gjysëm si mësues i edukimit muzikor dhe atje në disa lokale këndoj live. Atje më presin mirë, shkodranët, turistët e huaj, por më tepër ata nga Kosova dhe e shoh që e pëlqejnë repertorin që unë bëj.
CMG: Keni realizuar duete me këngëtarë të tjerë nga Shkodra? Si jeni ndjerë në bashkëpunimet me këto artistë?
Leonard Guga: Unë kam pasur fatin që të interpretoj në duete, qoftë me orkestër të madhe sinfonike apo dhe me një orkestër të vogël, me emrat e spikatur të interpretimit qytetar. Mund të përmend këtu sopranon e mrekullueshme Enriketa Kuqani, një model i interpretimit. Gjithashtu kam bashkëpunuar me mjeshtren e madhe Mukades Çanga në aktivitete të ndryshme, me Leonora Luca, Klodiana Ibrahimi, Myfarete Lazen dhe shumë të tjerë, të cilët nuk po më kujtohen sepse aktivitetet janë të larmishme dhe të ndryshme nëpër Shqipëri dhe Europë. Dua të përmend se kur isha në kor kam interpretuar me dy pedagoget e mia në Beograd, profesoreshat e kantos Rita Dervishi Ranko dhe Mimoza Rakaj Rama. Me të gjithë këto artistë kam pasur eksperienca të mira.
CMG: Përveç këngëve qytetare shkodrane, keni provuar të interpretoni edhe këngë të trevave të tjera të vendit?
Leonard Guga: Unë si këngëtar me një formim të përgjithshëm interpretativ muzikor-vokal i këndoj të gjitha gjinitë muzikore, interpretoj në karakter dhe kështu ma kanë bërë evidentimin mjeshtrat sepse mua nuk më lejohet me thënë gjë për vete. Unë interpretoj këngë të Shqipërisë së mesme, të jugut, Kosovës që i kam qejf fort, që publiku i pëlqen shumë.
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike së afërmi?
Leonard Guga: Unë punoj në Teatrin Migjeni dhe ky teatër bashkë me qendrën kulturore “Pjetër Gaci” kanë aktivitete të ndryshme ku unë angazhohem. Por e shoh që kur është një këngë që përshtatet edhe me karakterin e aktivitetit, dhe që ma merr mendja që e bëj, e marr përsipër. Aktivitetet artistike do të fillojnë në shtator, ndërsa në tetor kemi “Ahengun shkodran” ku unë do të marr pjesë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe adhuruesit tuaj.
Leonard Guga: Në radhë të parë ju uroj jetë e shëndet dhe ditë të mira në vazhdim
Intervistoi: Gazmend Agaj