Arben Duro (Foto personale )
Artisti Arben Duro e ka nisur muzikën që në moshë të re, si një pasion i madh, por që do e shoqëronte përgjatë gjithë jetës. Ishin vitet ’80 koha kur edhe ai vetë u bind vërtetë se kishte një talent të veçantë në këndim, pas konstatimit të disa miqve të tij muzikantë. Ambjenti ku ai bashkë me shoqërinë këndonte, ishte te kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, të cilat dita-ditës filluan të mbusheshin me spektatorë të rastësishëm, duke u bërë më pas ndjekësit apo fansat e rregullt të tyre. Këta djem të talentuar edhe pse nuk ishin marrë me aktivitete artistike, nuk u mungonte dëshira për të kënduar, si dhe për krijuar këngë të reja, duke zgjeruar në këtë mënyrë repertorin muzikor në këto “koncerte” të improvizuara.
Edhe pse në vitet ’90 Arben Duro u largua nga Shqipëria, ai ka qenë prezent herë pas herë, me ndonjë koncert recital, më pas me studion diskografike “Shqipja 2000”, duke sjellë për publikun albumet më të mirë të momentit, krijimit e ambjentit ku interpretonin live artistët më në zë “Tre Muskëtjerët”, si dhe hapjen e agjensisë për marrjen e licencës për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Gjithçka rreth muzikës, por rrallë paraqitej në skena. Në vitin 2019 ai solli për publikun një koncert recital te Amfiteatri i Liqenit Artificial, të cilin e moderoi vetë duke rrëfyer historinë e këngëve të liqenit. Për CMG ai na ka rrëfyer kujtime, të cilat i tregon me nostalgji të madhe, por edhe projektet e reja muzikore që ai do të sjellë së shpejti për publikun.
Artisti Arben Duro ne interviste per CMG
CMG: Përshëndetje Arben! Mirë se erdhe në programin "Muzika shqip"!
Arben Duro: Përshëndetje dhe faleminderit për ftesën! Është kënaqësi që të rikthej në kujtesë gjithë historikun tim muzikor, të kujtoj shoqërinë time, atëherë kur këndonim plot pasion, pa e ditur se çfarë do ndodhte me këngën tonë. Kënga lindi përmes dashurive që kishim ne si të rinj, dikush bënte një poezi, dikush tjetër bënte melodi dhe të gjithë si shoqëri bashkëpunonim me njëri- tjetrin e realizonim këngë të reja. Këto këngë që ne bëmë në vitet '80 filluan të pëlqeheshin nga të rinjtë e asaj kohe. Ne kishim dëshirë t’i këndonim këto këngë dhe ambjenti ku mund i këndonim, ishin kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës.
CMG: Si lindi komunikimi me njëri-tjetrin apo publikun që ju ndiqte, pasi atëherë nuk kishte rrjete sociale si sot?
Arben Duro: Është një histori e gjatë, por do mundohem ta përmbledh. Nëpërmjet historisë time, do tregoj edhe si krijoheshin lidhjet tona. Ne nuk njiheshim, por jetonim në lagje të ndryshme të Tiranës. Si fillim unë mblidhesha me shoqërinë time në ambjente festash dhe këndonim. Një herë një miku im, i cili e kishte shtëpinë pranë Liceut Artistik të Tiranës, më tha se kishte ditëlindjen dhe kishte dëshirë të mblidheshim si shoqëri. Unë pranova të shkoja sepse kisha shumë dëshirë dhe kisha një ndjesi që duhet ta shpalosja talentin tim. Personi që i binte kitarës ishte në atë kohë, që sot është miku im Fatosi dhe unë nuk e harroj atë natë kur ai mori kitarën dhe unë fillova të këndoja disa nga këngët e mia. Pasi mbarova Tosi më thotë: "Ben, unë nuk kam dëgjuar zë më të mirë se ty dhe mënyra se si ti interpreton". Aty kuptova që nuk gaboja në ndjesitë e mia.
Më pas shkova ushtar dhe bëra shokë të rinj, njëri prej tyre i binte kitarës, kështu shoqëria ime u bë më e fortë. Edhe ai më tha: "Ben, zëri yt po më habit!". Ndërsa personi i tretë që më ka dëgjuar duke kënduar është përsëri një personazh i njohur. Një ditë gjatë ushtrisë unë isha sëmurë dhe ai ishte sëmurë dhe vendosëm që të shkonim bashkë pranë një tuneli aty afër që të këndonim. Ai ishte këngëtar i këngës popullore tek Artistike Migjeni. Ai këndoi i pari dhe i thashë se më pëlqeu si këndonte, më pas fillova të këndoja unë. Tuneli ka një akustikë shumë të mirë dhe kur këndoja e dëgjoja mirë dhe veten time. Kur mbarova këngën, ai mbeti i habitur nga zëri im, dhe më pyeti: " Ben, po ti qënke fantastik! Unë para teje jam zero, por a ke kënduar ndonjëherë në ndonjë aktivitet muzikor ?” Unë i thashë që nuk kisha marrë pjesë në asnjë aktivitet, këndoja thjesht për pasion. Ai person që ma tha këtë quhet Refik Halili, aktualisht President i Klubit Tirana. Kështu miqtë filluan të mblidhnin këngë të ndryshme dhe të mi jepnin, duke më shtuar repertorin muzikor. Dalja ime e parë në hapësirë ishte festa e Pezës, në shtator të vitit 1980. Aty u bë “nami” sepse kishte plot spektatorë që më ndoqën.
Arben Duro (Foto personale)
CMG: Ishte koncert i programuar apo i improvizuar?
Arben Duro: Ishte gjithçka e improvizuar. Filluam të këndonim që në autobuz, të gjithë sa ishin aty u mblodhën rreth nesh. Kur kemi zbritur në Pezë, jemi ulur tek Rrapi. Si fillim u mblodhën 100 persona, më pas të gjithë personat që kishin shkuar për të festuar, u mblodhën rreth nesh. Kur mbaruam na pyetën se ku mund t'ju dëgjojmë dhe një shoku im tha:"Tek liqeni është vendi ku do mblidhemi". Atë ditë ishte e djelë, dhe të nesërmen ishte dita kur fillova të këndoja tek Liqeni. Aty nuk e harroj sepse kishin ardhur të më dëgjonim mua, rreth 500 vetë, (shumë të rinj që kishin lënë orën e mësimit.
CMG: Besoj se emocionet kanë mbetur të njëjta si në atë kohë dhe në ditët e sotme. Ti vetëm 2 vite më parë solle një koncert recital te Amfiteatri i Liqenit Artificial. Si lindi ideja për të realizuar këtë koncert pas kaq shumë vitesh?
Arben Duro: Unë e kam pasur në mendimet e mia, por ma përforcoi dëshirën që unë kisha, një miku im, i cili më sugjeroi që ta realizoja koncertin te Liqeni Artificial. Atë vit ishte Drejtor i Amfiteatrit Arjan Sukniqi dhe pasi fola me të vendosëm për datën e koncertit më 31 Maj. Gjatë kësaj periudhe unë punova me djem të rinj instrumentistë.
CMG: Sa ka qenë repertori i këngëve në atë koncert dhe çfarë mbresash të la?
Arben Duro: Bashkë me grupin vendosëm që koncerti të zgjaste rreth 1.45 min- 2 orë, ku duhet të bënim rreth 13 këngë, plus tregimi i historisë time muzikore.
Arben Duro (Foto personale)
CMG: E veçanta e këtij koncerti është se, ti e ke moderuar vetë duke treguar historikun e këngëve me detaje. Kishe të shkruar një skenar apo ishte gjithçka improvizim i momentin çka përcolle nga historia jote?
Arben Duro: Këto këngë janë kënduar para katër dekadave dhe unë doja t’i sillija si copëza nga historia, duke përmenduar emrat e djemve që ishin bashkëudhëtarët e këngës me mua, por edhe kompozitorë të disa këngëve. Çdo person që e ndoqi koncertin, kur unë tregoja historinë, e ndjente veten aktor në historikun e këngës. Sigurisht që pata emocione shumë të veçanta. Koncertet e mia janë të rralla, por ai koncert ishte i bazuar tek unë, me këngët e mia. Sapo fillova këngën e parë e ndjeva se po përshkoja emocione tek publiku edhe ashtu shkoi deri në minutën e fundit.
CMG: Përgjatë këtyre 3 dekave ke jetuar midis Vjenës dhe Tiranës, por ke qenë përherë në kontakt me muzikën. Përse nuk ke qenë prezent në publik për të pasqyruar talentin e mbartur prej vitesh?
Arben Duro: Në vitin 1991 unë pata disa lëvizje nga Shqipëria dhe në vitin 1995-1996 pata një takim rastësor me Aleksandër Gjokën, Elton Dedën, Alban Karabashin tek studio "Jazz", ndër të parat në Tiranë. Shkojmë aty ku ata do regjistronin. U ulëm te dera e studios dhe më pas unë me Biken filluam duke kënduar ato këngët tona. E ndërsa ne këndonim u mblodhën gjithë ata studentë që ishin në mësim dhe aty u bë një mini koncert. Aty lindi ideja e koncertit të parë që u mbajt në Teatrin e Operas dhe Baletit. Ka pasur të ftuar shumë artistë të rinj si, Ledina Çelo, Rozana Radi, Mimoza Selimi. Ai koncert nuk pati ndonjë cilësi të madhe, por pati jehonë dhe shkoi shumë bukur. Aty mori pjesë edhe një mik i imi, Abaz Zusi. Pas koncertit u prodhua kaseta e parë me këngët e liqenit, të cilat u përhapën brenda dhe jashtë vendit. Pastaj menduam për një koncert të dytë se u bë shumë jehonë me të parin në vitin 1998. Më pas ne realizuam koncertin e dytë në Pallatin e Kongreseve, i cili pati edhe më shumë sukses, si dhe u shtypën CD dhe kaseta. Për të realizuar këtë koncert më ndihmoi shoku im i vjetër, biznesmeni Tan Mene, i cili ka qenë bashkëudhëtar i këngës time, shok dhe mik i vjetër.
Pas shumë viteve mungëse erdhi koncerti im i tretë i cili u realizua më 31 maj të vitit 2019. Për t'ju rikthyer pyetjes, duke qenë se kisha marrëdhënie të mirë me studion "Jazz" mendova që të hap një shtëpi diskografike. Të gjitha albumet që kishte realizuar studio "Jazz" përgjatë viteve, t’i mblidhja dhe t’i shumëfishoja për t’i publikuar në treg, kështu që hapa shtëpinë diskografike "Shqipja 2000" në vitin 2000. Pata sukses në menaxhimin e albumeve, pasi për atë kohë, kisha më të mirët.
Arben Duro (Foto personale)
CMG: Të kujtohen cilat albume kanë patur më shumë sukses?
Arben Duro: Të gjitha më kujtohen. Aty kanë qenë dy albumet me këngët e liqenit, albumi i Aleksandër Gjokës, Aurela Gaçe aty ka bërë rikthimin e saj me albumet që i publikova në Shqipëri, Irma Libohova, Eranda Libohova, Ardian Trebicka aty ka publikuar albumin "Tango",etj . Gjithashtu kishim dhe albume të muzikës popullore, por edhe artistë shqiptarë nga Maqedonia ku ndër të tjerë bashkëpunova me artistin, Agron Berisha. Nuk kam patur shumë, por kisha më cilësorët dhe "Shqipja 2000" u bë shumë e njohur.
CMG: Gjithashtu krijove edhe një ambjet ku mblidheshin artdashësit e muzikës rrok.
Arben Duro: Është e vërtetë. Me Aleksandër Gjokën jemi miq e kolegë të vjetër, bashkëudhëtarë të muzikës për 42 vjet dhe ideja e krijimit të një ambjenti për të kënduar live lindi nga unë, të cilën ja propozova Sandrit dhe djemve të tjerë dhe në vitin 2002 u hap lokali "3 Muskëtjerët". E mbaj mend atë ditë kur ishim ulur të tre në tavolinë dhe u thashë që në disa dalje televizive e koncerte ju djema ju thërrasin "3 Muskëtjerët", atëherë le të marrë dhe lokali këtë emër. Kështu Aleksandër Gjoka, Elton Deda dhe Redon Makashit u thashë të merrnin drejtimin e këtij ambjenti “live”, si dhe të ftonin këngëtarë të tjerë të talentuar, pasi unë më shumë jetoja jashtë vendit. Në atë lokal kam kënduar me shumë artistë të rinj që sot janë të njohur . Aty filloi të këndonte ku edhe u bë e njohur Juliana Pasha, Eneda Tarifa, si dhe nipi i Aleksandër Gjokës, Renisi, i cili kur erdhi me grupin e tij të gjimnazit, i thashë Sandrit, që dhe nipi ka zë shumë të mirë, është talent. Dhe sa i përket ambjenteve të muzikës live, por dhe të muzikës së mirë e cilësore, "Tre Muskëtjeret" mbahet si ambjenti live më i miri i asaj kohe.
CMG: Ke patur gjithë mundësinë dhe duket se ke dashur vetë që të rrije në hije, e jo të ishe në qëndër të vëmendjes, përse?
Arben Duro: Shumë njerëz ma thonë këtë, "Ke patur kaq shumë mundësira dhe ke punuar më shumë për të tjerët se për vete". E mendoja që do të kthehesha një ditë, por thjesht nuk kishte ardhur momenti. Dua të përmend edhe një tjetër nismë që mora në lidhje me artin gjithmonë, duke parë padrejtësitë që bëheshin me muzikën. Kështu që u bëra iniciator dhe jam themelues i Agjensisë për të drejtat e autorëve interpretues dhe ekzekutues. AGDIE është një agjensi e krijuar me emrin tim, që ka qenë licensa e parë për të drejtën e autorit interpret në Shqipëri.
Arben Duro ( Foto personale)
CMG: Kam dëgjuar se këtë vit do realizosh një koncert tjetër recital, si do të jetë ai?
Arben Duro: Po, është e vërtetë. Që kur u riktheva në vitin 2019 erdha me idenë që mos e ndërprisja rikthim tim, por nga pandemia nuk arrita të vazhdoja. Dhe kështu vendosa që në fund të këtij viti të sjell një tjetër koncert, por këtë herë në një version "elektro akustik" ashtu si i këndonim ne në ato vite, të cilat më pas do të mbeten origjinale dhe me një cilësi më të mirë.
CMG: Pas këtij koncerti do qëndrosh në Shqipëri apo në Austri?
Arben Duro: Deri në muajin dhjetor do jem në lëvizje, por pas koncertit mendoj se do vendosem përfundimisht në Shqipëri. Sigurisht që do e vizitoj edhe Austrinë sepse kam njerëzit e mi aty, por përqëndrimi do jetë Tirana, si dhe rikthimi i gjithë projekteve të mia që kanë të bëjnë me këngën dhe historikun e këngës.
CMG: Të falenderoj për këtë bisedë dhe të uroj suksese në koncertin recital, deri atëherë ndoshta realizojmë një tjetër intervistë pse jo edhe me video.
Arben Duro: Të falenderoj edhe unë sepse nëpërmjet kësaj interviste bëra një përmbledhje të historikut tim personal, si edhe të këngëve të liqenit. Sigurisht që ka edhe shumë për të thënë sepse historia e këngëve të liqenit, është histori dekadash, por është e vërtetë që me rikthimin tim , do doja që media juaj të jetë prezent në rikthimin tim dhe koncertet e mia. Ishte kënaqësi që më dhe mundësinë që të tregoja më të veçantat e jetës dhe muzikës time.
Intervistoi: Sava Lena