Denis Bizhga është kitaristi i njohur, i cili me talentin e tij ndër vite ka arritur që të jetë edhe pedagog pranë “Univeristetit Europian të Tiranës”. Dijen e mbledhur ndër vite nga studimet e tij, sot e tejçon tek brezat e rinj.

Ai është organzitor i shumë eventeve kulturore në vend, një ndër to edhe “Festivali i Kitarës”, i cili vjen tashmë në edicionin e gjashtë për të gjithë artdashësit. Denis Bizhga, si drejtor artistik i këtij eventi ndan detaje për Grupin Mediatik të Kinës (CMG).

Festivali i Kitares 2022 (Burimi instagram)

Festivali i Kitares 2022 (Burimi instagram)


CMG : Festivali i Kitarës, cilat kanë qënë risitë e këtij viti?

Denis Bizhga: Festivali ka shkuar shumë bukur. Jemi në edicionin e gjashtë. E nisëm vetëm me tre koncerte, ndërsa sot që flasim janë shtatë. Të bësh shtatë koncerte me artistë të nivelit botëror nuk është e lehtë, sepse kërkon impenjim shumë të madh. Mundohem gjithmonë që artistët, të cilët vijnë për herë të parë në Shqipëri, t’i mirëprës. Një festival është një institucion, sepse ndikon edhe në rritjen e turizmit vendas. Ne menduam që këtë edicion të gjashtë ta zhvillojmë edhe në qytete të tjera për të përhapur kulturën “Kitaristike”.

CMG: Si e shohin artistët e huaj Shqipërinë?

Denis Bizhga: Në momentin e parë ata janë skeptikë për vendin ku do vijnë. Tirana iu duket një vend i vogël, por kur përballen me një bulevard kaq të bukur sa ai i “Dëshmorëve të Kombit”, kur shohin kulinarinë, njohin popullin shqiptar, ata shkojnë në vendin e tyre me impresione të mira. Më vjen mirë që ky festival është pikëtakim jo vetëm për instrumentin e kitarës, por ka marrë edhe përmasa turistike.

CMG: Me cilat performanca startoi ky festival dhe si vijoi?

Denis Bizhga: Në 4 qershor startoi edicioni i VI-të i Festivalit te Kitarës. Ishte kitaristi i famshëm, Antonio Molfetta, i cili hapi festivalin me koncertin e tij solistik, që vinte në kuadër dhe të Javës së Kulturës Italiane. Festivali vazhdoi në 9 qershor me kitaristin dhe profesorin nga Austria, Gabriel Guillen Navarro. Ai është Profesor në “Joseph Haydn Konservatorium” në Eisenstadt dhe “Richard Wagner Konservatorium” në Vienë, Austri.

Një koncert fantastic, i cili u realizua në bashkepunim me Ambasadën e Austrisë në Shqipëri. Më 15 qershor u zhvillua koncerti solistik i virtuozit italian, Nino D’Amico. Koncerti u mbajt në sallën “Ramiz Kovaçi” në qytetin e Krujës. Mikpritja krutane la mbresa te artisti i ri italian, i cili mbeti i mahnitur nga kultura dhe historia e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu.

Festivali i Kitares 2022 (Burimi instagram)

Festivali i Kitares 2022 (Burimi instagram)

Më 18 qershor performoi në Tiranë legjenda e kitarës elektrike të Ballkanit, Vlatko Stefanovski. Nje artist shumëdimensional, i cili rrënjët e muzikës së tij i ka në tabanin kulturor të muzikës ballkanike. Vlatko luajti në trio në sallën e koncerteve “Tonin Harapi”. Një bashkëpunim i suksesshëm me Qendrën Kulturore të Maqedonisë së Veriut.

Festivali vazhdoi me kitaristen franceze, Ingrid Riollot. Ajo është një nga emrat më të rendësishem të kitares klasike në Evropë dhe gjithashtu presidente e Shoqatës së Kitaristëve Klasikë të Francës. Festivali i Kitarës u mbyll më 24 qershor me kitaristin spanjoll, Paco Seco. Si një promovim i kulturës spanjolle në Tiranë, Paco luajti në Javën Ndërkombëtare të Spanjës në Shqipëri.

Festivali i Kitares 2022 (Burimi instagram)

Festivali i Kitares 2022 (Burimi instagram)

CMG : Si mendoni që do të jetë edicioni i shtatë?

Denis Bizhga: Festivali i Kitarës nuk është një festival që është për mua, por i një komuniteti i cili ka interes. Ndaj patjetër që do të vijë pikërisht për këta të fundit.

CMG : Kur ka qenë pikënisja, takimi i parë me kitarën për ju?

Denis Bizhga : E vërteta është që atë moment e kujtoj me nostalgji, sepse e kam filluar në moshë të hershme që t’i bije kitarës. Normalisht për një fëmijë të vogël të atyre viteve ka qenë një ëndërr shumë e madhe dhe të prekësh kitarën, emocion me vete.

Për shumë kohë kitara ka qenë një instrument i ndaluar. Unë përvojën time të parë në kitarë e kam pasur shumë të mirë dhe kjo bëri që të nisja një rrugëtim të mbarë me kitarën klasike.

Denis Bizhga (Burimi instagram)

Denis Bizhga (Burimi instagram)

CMG : Cili ka qenë personazhi që ju ka shtyrë të ndiqni këtë rrugë artistike?

Denis Bizhga : Gjithnjë në këto raste mbështetje shumë e madhe mbetet familja. Ajo ishte dakord që unë të hidhja vështrimin drejt kitarës si një zgjedhje e duhur.

Si traditë ne kemi patur ndikime të tjera, por marrja me art gjithmonë të jep një këndvështrim tjetër për të pare realitetin.

CMG : Ju sot e shihni veten të reflektuar në një pasqyrë e cila ju tregon edhe sfidat tuaja më të mëdha të cilat ju rritën…

Denis Bizhga : Sfidat më të mëdha do t’i quaja ato në aspektin pedagogjik. Një mësues i mirë gjithnjë mëson dhe mendoj që studimet e fundit që kam përfunduar, në doktoraturë, më kanë forcuar shumë si nga ana artistike por dhe akadamike. Gjej rastin të falenderoj edhe Prof. Vasil Tolen, sepse ka qënë një mentor i shkëlyqer gjatë asaj periudhe.

Denis Bizhga (Burimi instagram)

Denis Bizhga (Burimi instagram)

CMG : Ju si pedagog i muzikës, a evidentoni shpesh talente të reja?

Denis Bizhga: Mendoj që kemi një brez shumë të talentuar. Pavarësisht faktit që Shqipëria është vend i vogël, e kemi trashëgimi artin dhe kulturën.

Kitarën e studiojnë shumë fëmijë nga veriu, sepse vijnë nga një eksperiencë siç është luajtja në lahutë apo çifteli dhe për këtë më bëhet shumë qejfi. Në të njëjten mënyrë edhe jugu ka ruajtur të njëjtën gjë, sepse këndon isopolifoninë e saj të veçantë gjë që edhe kjo është ruajtur nga njëri brez tek tjetri.

Kemi flautin që zë një vend shumë të rëndësishëm në kulturën tonë dhe mendoj që jemi një vend me prurje shumë të mira artistike.

CMG : Ka qytete në Shqipëri që evidentohen me kitarën, siç është Korça dhe Shkodra? A mbrohen siç duhen traditat atje?

Denis Bizhga: Mbrohen në rreshta librash pafund, më vjen një thënie e kompozitorit dhe dirigjentit të orkestrës “Vatër”, Prof. Thoma Nasi, që thotë “Arrita në përfundimin që qëllimi i jetës sime të jetë të punoj për të dalë në taban”, pra ai është përpjekur që të mbrojë muzikën tradicionale dhe ta kultivojë për brezat e rinj.

Intervistoi Megi Latifi