Miola Sitaj ka një repertor të pasur si aktore në filma dhe teatër. Ajo ka luajtur dhe në disa filma shqiptarë dhe të huaj, por teatri mbetet dashuria e saj e madhe. Miola prej vitesh është pjesë e trupës teatrore “Bylis” të Fierit. Para pak ditësh është vënë në skenë monodrama “Infermiere Eva” e shkruar nga Valentina Dafa, me interpretimin e aktores Miola Sitaj dhe regji nga Klajdi Marku. Aktorja Sitaj është e njohur me aktivitetin e saj në skenën teatrore, dhe këtë herë ajo prezantohet para publikut me një vepër shqiptare, që përcjell jo pak mesazhe për shoqërinë. Në një intervistë për CMG ajo flet për monodramën, rrugëtimin e saj kinematografik dhe teatror në vite si dhe projektet në vazhdim.
CMG: Miola para pak ditësh në Teatrin Bylis të Fierit është vënë në skenë monodrama “Infermiere Eva”. Flasim për këtë shfaqje
Miola Sitaj: Monodrama “Infermiere Eva lindi në atë kafen miqësore të pasdites të regjisorit dhe autores së pjesës, që është dhe mikesha ime dhe e Klajdit. Më pëlqente gjithë kohën kur më thoshte Vali që kishte dëshirë të shkruante një monodramë për mua. Kishim shfletuar disa monodrama dhe në fakt unë po kërkoja një monodramë për vete, ngaqë unë kam 20 vjet në teatër dhe mendoja se kisha atë pjekurinë artistike për t’u marrë më në fund me gjininë më të veshtirë për një aktor. Kështu lindi monodrama dhe kemi bërë një punë kolosale unë, Klajdi dhe autorja. Duhet thënë që autorja e monodramës Valentina Dafa e kishte për herë të parë. Ajo është poete e njohur dhe ka një poezi brilante, por në këtë gjini ishte lëvrimi i parë i saj.
CMG: Në qendër të kësaj monodrame ishte femra dhe roli i saj në shoqëri?
Miola Sitaj: Në qendër të monodramës është femra, por aty preken shumë linja, preket emigrimi i infermierëve, mohimi i profesionit dhe jetës. Infermiere Eva është një pasqyrë publike që zbërthen të pashkruarat mentale të shoqërisë shqiptare. Me arsyetimin e shpërthimit të botës shpirtërore të personazhit Eva, ajo është një karakter fisnik, i përmbajtur dhe i ngurtësuar për një kohë të gjatë nga mohimi i jetës sociale që i është bërë nga i shoqi, mohimi i profesionit sepse ajo jetoi gjatë në emigrim. Vjen kështu reflektimi në momentet e humbjes së parakohshme të bashkëshortit në emigrim nga Covid, kohë në të cilën ka humbur edhe familjarët e saj në atdhe. Kështu zhvillohet kjo dramë psiko-sociale tek Eva për të sensibilizuar shoqërinë, për të ndikuar sadopak në barazinë gjinore dhe në përkujdesje të shëndetit.
CMG: Si e priti publiku në sallë këtë shfaqje?
Miola Sitaj: Nuk e ke idenë sa mesazhe kam marrë! Të nesërmen më ndalonin në rrugë duke më thënë se mirë gratë i kuptuam ne sepse e kanë zakon femrat që qajnë, por çfarë na ke bërë ne burrave që qamë. Ndiheshin keq meshkujt ngaqë kishin shpërthyer në lot në praninë e femrave në sallë. Në fakt më vjen mirë që fillon ky publik dhe reflekton se ku është shoqëria, ku është kjo fëmër, kjo nënë e tyre, kjo motër dhe bashkëshorte. Ne kemi prekur profesionin e infermierit, por të gjitha profesionet në Shqipëri janë të vështira. Femra është e martirizuar sepse duhet të jetë në shtëpi, në punë dhe shoqëri.
CMG: Kjo shfaqje ishte vetëm një natë për publikun apo do të shfaqet dhe netë të tjera?
Miola Sitaj: Shfaqja është dhënë vetëm një natë, sepse unë u nisa për në festivalin ndërkombëtar Albamono në Korçë, ku me “Infermiere Eva” ne përfaqësuam Shqipërinë, sepse aty morën disa trupa nga vende të ndryshme. Morën pjesë trupat e Italisë, Ukrainës, Holandës dhe shumë shtete të tjera. Monodrama jonë ishte pjesë e konkurimit në këtë festival ndërkombëtar.
CMG: Monodrama është nga gjinitë më të vështira, por ju keni luajtur në kinema dhe teatër. Ku e ndjeni veten më mire ?
Miola Sitaj: Unë kam luajtuar në disa filma, por me thënë të drejtën janë dy gjëra krejt të ndryshme, pra janë dy dashuri ndryshe. Unë e dua teatrin dhe filmin, por mendoj se filmi është i ftohtë. Filmi të jep mundësi lançimi më tepër sesa teatri, sepse publiku i teatrit nuk është i njëjtë me atë të filmit. Emocioni që ndjen në teatër dhe përjetimi që marr nga frymëmarrja e drejtpërdrejtë e spektatorit, unë e ndjej atë kur merr frymë dhe nuk do ta ndërroja me asgjë në botë.
CMG: Pra ka dy anë të ndryshme, ku filmi ka një publik të gjerë por ti nuk e takon atë, ndërkohë që në teatër ti e takon publikun.
Miola Sitaj: Kamera është e ftohtë, ndërsa në sallë unë e ndjej në qelizë publikun, e ndjej në frymëmarrje, dhe është një dashuri që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër.
CMG: Ju keni mbi dy dekada në fushën e aktrimit, por dhe keni sakrifikuar shumë për këtë profesion që e doni kaq shumë.
Miola Sitaj: Nuk mund të bëhej ndryshe, kjo është dashuri më e fortë. Unë shkova në Amerikë dhe atje kam luajtur dhe teatër. Por kur më thanë që duhet të rrija gjashtë vjet me një shfaqje premierë sepse bëhej turne i thashë regjisorit se unë nuk mundem sepse jam mësuar që bëj gati gjashtë figura brenda një viti, dhe nuk mund të rri për gjashtë vite me një figurë. Kështu që e lashë Amerikën dhe u riktheva sërish në Teatrin e Fierit. Unë kam bërë bashkëpunime të ndryshme sepse kam luajtur në Itali, Poloni dhe disa shtete të tjera.
CMG: Si kanë qenë këto eksperienca të reja për ju në vende të ndryshme dhe me artistë të huaj?
Miola Sitaj: Eksperiencat nuk ngjajnë me njëra- tjetrën, por janë botë të ndryshme, përvoja të ndryshme, janë mësime dhe kultura që unë i marr brenda vetes dhe i akumuloj. Pra mësoj shumë dhe më kanë ngritur shumë në punën time.
CMG: Teatri “Bylis” i Fierit është nga teatrot që ka vënë më shumë shfaqje në skenë brenda vitit, krahasur me teatrot e rretheve të tjera. Mendon se kjo ka sjellë dhe një jetë artistike më aktive në qytetin tuaj?
Miola Sitaj: Teatri i Fierit që nga krijimi i tij dhe deri tani është mbajtur pas Teatrit Kombëtar të Tiranës edhe në konkurime e çmime. Mos të harrojmë se ka pasur kolosë të teatrit shqiptar, emra nga më të njohurit që nga Fatos Sela, por krijimin e teatrit e nisi Leka Bungo, emra si Pëllumb Kulla që e çoi në majë teatrin e Fierit. Ka pasur aktorë shumë të njohur dhe regjisorë nga më të mirët shqiptarë, ku ka punuar Serafin Fangu, Leka Bungo, Ilir Bezhani e shumë të tjerë, që nuk po i përmend dot të gjithë. Gjithashtu ka pasur një aktore të shkëlqyer, të madhen Hajrie Rondo, Xhuljeta Kullën, Natasha Selën, emra pafund dhe xhevahirët e aktorëve shqiptarë, pra këtu kanë luajtur më të mirët.
CMG: Do ta ndërroje teatrin e Fierit për të ardhur në Teatrin Kombëtar në Tiranë?
Miola Sitaj: Mua më është ofruar një gjë e tillë dhe nuk e kam pranuar. Unë mbaj mend që kur kam qenë 5 vjeç ngrihesha rreth orës 5 të mëngjesit për të zënë radhën për të marrë biletat që të arrija të shikoja shfaqjen në darkë. Unë nuk mund ta lija këtë dashuri sepse janë disa përjetime emocionale që nga fëmijëria ime. Unë e kisha ëndërr qëkur isha fëmijë të luaja në atë skenë, e arrita dhe tani nuk e quaj punë këtë. Nëse unë shkoj në mëngjes në teatër, nuk them që shkoj në punë por them që vazhdoj dashurinë time.
Ne jemi gati gjithë ditën në teatër dhe falë dhe mbështetjes së kryetarëve të bashkisë, Teatri i Fierit ka punuar gjithë kohën, ka pasur rreth gjashtë premiera të cilat nuk i ka pasur as teatri kombëtar në vit. Ka bërë bashkëpunime pafund me italianë, grekë dhe rumunë. Mos të harrojmë se këtu u çel dhe festivali internacional i teatrit, një festival që për një javë rresht këtu shikoje artistët më me emër të huaj dhe të vendit.
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike në vazhdim?
Miola Sitaj: Unë kam ngritur një komedi me tre vajza të tjera, që janë e reja dhe e bukura. Risia e kësaj komedie është tre aktore amatore, tre femra në profesione të ndryshme dhe thjesht pasioni për teatrin na bashkoi dhe bëmë një punë të pavarur dhe me dëshirë. Unë e kam mbaruar së vizatuari në skenë dhe më mbetet vetëm ndriçimi dhe muzika që shfaqja të dali shumë shpejt. Kam katër projekte njëri pas tjetrit dhe më duhet të filloj nga mesi i korrikut e në vazhdim.
CMG: Unë ju falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj suksese.
Miola Sitaj: Faleminderit ju dhe dëgjuesëve. Gjithë të mirat!
Intervistoi: Gazmend Agaj