Myrteza Dimni është një djalë i ri nga qyteti i Kavajës, i cili që në fëmijëri ka pasur pasion vallen popullore dhe kërcimin modern. Ai ka marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, duke performuar në skena të ndryshme vallen tradicionale shqiptare. Së fundi ai ka hapur dhe një shtëpi arti në Kavajë ku ju mëson fëmijëve vallen popullore dhe kërcimin modern. Para pak kohësh Myrtezai realizoi koncertin e tij recital koreografik në këtë qytet. Në një intervistë për CMG ai tregon për rrugëtimin artistik si dhe realizmin e këtij aktiviteti.
CMG: Prej disa vitesh ju merreni me vallen dhe baletin modern. Kur ka nisur pasioni për vallen?
Myrteza Dimni: Pasioni për vallen ka lindur që në vegjëli, madje prindërit thonë që kur isha i vogël sapo dëgjoja muzikën popullore filloja të ngrija duart lart dhe përpiqesha të kërceja. Në familja gjyshja ka qenë ajo që e donte dhe e kërcente shumë mi
Femijet gjate nje kercimi modern ne skene (Foto personale)
rë vallen popullore dhe në njëfarë mënyre ishte këmbëngulja e saj që unë të merresha me vallen. Kur isha 10 vjeç ajo më regjistroi në kursin e valles pranë qendrës kulturore të fëmijëve dhe nga lëvizja në lëvizje, ajo që dje ishte për mua një lojë ose një argëtim, sot është kthyer në një forcë suksesi.
CMG: Përveç valles popullore ju tashmë po ushtroni dhe kërcimin modern?
Myrteza Dimni: Kërcimin modern e kam mësuar duke parë video dhe duke studiuar, në mënyrë autodidakte. Normalisht nuk mund t’i ndaj dot të dyja, por kërcimin modern e kam mësuar më shumë që të sillja për qytetin e Kavajës një frymë të re, sepse ishte hera e parë që në Kavajë ky lloj zhanri u mësohet nxënësve.
Femijet me kostume popullore duke kercyer ne skene (Foto personale)
CMG: Flasim për aktivitetin tuaj të fundit në lidhje me kërcimin. Keni realizuar në qytetin e Kavajës koncertin tuaj koreografik. Si lindi ideja e këtij recitali?
Myrteza Dimni: Që nga viti që lamë pas, pra më 3 nëntor të vitit 2021 unë drejtoj një shtëpi arti të cilën e kam quajtur Vmd Kavajë. Në këtë shtëpi arti kryesisht japim kurse të kërcimit modern, popullor si dhe bazat e baletit klasik, dhe që në ditët e para unë zbulova shumë talente të rinj, të cilët e donin me të vërtetë kërcimin. Kështu më lindi ideja që pse mos t’i reklamoj këto fëmijë në skenë, si për kënaqësinë e prindërve të tyre ashtu dhe për publikun kavajas.
Myrteza Dimni (Facebook)
Kavaja e do të bukurën, artin dhe kështu më lindi ideja e një recital koreografik. E bukura e këtij recitali ishte sepse ishin të ndërthurura kërcime të ndryshme plot dinamizëm dhe ngjyra, dhe kisha bindjen se do dilte diçka shumë e këndshme për publikun dhe që do të mbesnin të kënaqur. Faktikisht kështu ndodhi, spektatorët e pritën mjaft mirë dhe vura re që salla ishte plot, duartrokitjet ishin të shumta dhe kështu që ja arritëm qëllimit. Këtë gjë e shihja dhe nga shkëlqimi i syve të prindërve teksa shikonin fëmijët e tyre që kërcenin aq bukur kërcimet që kishin mësuar në studion tonë. Më vjen mirë që ky recital u prit goxha mirë nga publiku.
CMG: Në këtë recital koreografik kishit përfshirë kërcimin popullor dhe atë modern?
Myrteza Dimni gjate shfaqjes (Foto personale)
Myrteza Dimni: Recitali ishte një gërshetim, ku kishte kërcimin popullor tradicional, kërcimin modern dhe balet. Pra ky program kishte disiplina të ndryshme kërcimi, por baza ishte danci.
CMG: Cilat janë moshat që vijnë në shtëpinë tuaj të artit për të mësuar vallen popullore dhe baletin?
Myrteza Dimni: Fëmijët janë të moshave të ndryshme, madje njëra nga vajzat është në moshë fare të vogël, vetëm 3 vjeçe dhe të tjerët janë deri në moshën 14-15 vjeç. Kryesisht janë të moshave 10 vjeç, mesatarisht që është dhe mosha më e mirë për të filluar kërcimin, por vijnë mosha të ndryshme dhe interesi është i madh nga të gjitha grupmoshat. Më vjen mirë që kanë shumë interes për këtë fushë.
CMG: Për të realizuar një koncert recital duhet dhe përkrahje. Kush ju ka mbështetur në këtë iniciativë tuajën?
Myrteza Dimni: Siç dihet çdo aktivitet kërkon mbështetje nga drejtime të ndryshme. Unë në njëfarë mënyre hallkat i kisha në dorë, vetëm që doja t’i lidhja ato dhe të formohej zinxhiri i koncertit. Në radhë të parë unë mora leje në bashki që më vendosën në dispozicion pallatin e kulturës. Më pas gjeta disa sponsor ku gjej rastin t’i falenderoj, si kompleksi Kalaja që mbuloi pjesën e skenografisë, kompania elektrike që u mor me ndriçimin e skenës, dhe një dashamirës i qytetit, Z. Idriz Mustafaj që më ndihmoi te pjesa financiare.
Në fakt më vjen mirë sepse ky recital bashkoi të gjithë artistët e rinj kavajas që sot nuk ndodhen në Kavajë por janë në Tiranë. Ishin skenaristi Mario Merhori, moderatorja Desara Halilaj, një djalë që më përgatiti libretin koreografik Mirgen Kotoni. Kështu që të gjithë këta u shprehën të gatshëm sapo ju prezantova projektin që kisha për këtë recital, duke sjellë për publikun këtë aktivitet.
CMG: Sa e keni pasur mbështetjen e familjes tuaj jo vetëm për këtë koncert, por në gjithë rrugëtimin tuaj artistik?
Myrteza Dimni me skenaristin dhe moderatoren e recitalit (Foto personale)
Myrteza Dimni: Mbështetja e familjes time, mamit, babit dhe bashkëshortes time ka qenë gjithmonë e madhe, dhe në ato momente kur nuk isha shumë i sigurtë në hapat e para, kanë qenë iniciatorët që më shtynin për kërcimin dhe pse hapa modest në artin e bukur të kërcimit. Gjithmonë familjen e kam pasur krahun tim të djathtë.
CMG: Për momentin ju i keni të dyja zhanret e kërcimit si atë popullor tradicional ashtu dhe kërcimin modern. Ku do kishe dëshirë të investoje më shumë në të ardhmen?
Myrteza Dimni: Ne si komb jemi me fat sepse kemi një pasuri të paçmuar përsa i përket valles shqiptare. Ne sa herë shkojmë jashtë shtetit, duke përfaqësuar shtetin shqiptar, sallat ngrihen në këmbë dhe jemi me shumë fat për këtë. Unë e dua jashtë mase vallen popullore, pothuajse të të gjitha trevave shqiptare, por nuk mund të le pas dhe modernen. Nuk mund të jap një përgjigje se kë do të mbaja sepse për mua janë shumë të rëndësishme ngaqë kam punuar shumë për të dyja.
CMG: Në aktivitete të ndryshme këtu në Shqipëri, por dhe jashtë vendit e vishni kostumin popullor tradicional të zonës suaj?
Myrteza Dimni: Unë mendoj se kostumi popullor është gjysma e performancës përsa i përket valles, ngaqë kostumet janë plot ngjyra dhe detaje dhe kanë një rol shumë të rëndësishëm në skenë. Për momentin ngaqë unë nuk kam një garderobë timen, për këtë më ndihmon ansambli Arian Plaku në Durrës, të cilit i jam shumë mirënjohës sepse ka qenë një shtysë e madhe për hapjen e studios së kërcimit dhe më ka ndihmuar gjithmonë.
Te gjitha femijet bashke ne skene pas perfundimit te koncertit (oto personale)
CMG: Sa e vështirë është që në ditët e sotme të bësh art në një qytet të vogël, por me tradita si Kavaja?
Myrteza Dimni: Kavaja është një qytet që e do artin dhe kulturën dhe unë kam një komunitet prindërish që janë shumë të gatshëm për çdo lloj aktiviteti dhe gjej rastin ti falenderoj përzemërsisht sepse ata janë shtylla kryesore e gjithë këtij rrugëtimi që sapo kam nisur në mësimin e fëmijëve. Kjo është pjesa e lehtë, ndërsa pjesa e vështirë është që pjesëmarrja e vajzave është e lartë, përsa i përket djemve le për të dëshiruar sepse nuk ka shumë pjesëmarrje për arsye se janë paksa të ndrojtur, mendojnë se do të gjykohen nga shoqëria. Unë gjej rastin t’i bëj një thirrje të gjithë djemve që ta duan artin dhe kërcimin sepse është identiteti ynë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për miqtë dhe bashkëpunëtorët tuaj.
Myrteza Dimni: Unë në radhë të parë ju falenderoj për ftesën në emision. Falenderoj të gjithë ata që na dëgjuan, dhe ju them që ta duan artin.
Intervistoi: Gazmend Agaj