Ndodhesha një ditë në Korçë, pikërisht në qytetin e serenatave. Ishte e dielë dhe përpara se të shkoja për të fjetur, pyeta miqtë e mi se ku mund të dëgjoja muzikë live. Miqtë më thanë se opsioni i vetëm ishte “ një bar ku interpretojnë live disa të rinj. Shkova menjëherë dhe qetësinë e asaj dite të dielë e përmbushi performanca e disa të rinjve, të cilët interpretonin live, duke transmetuar tek publiku një ernergji shumë pozitive.

Saimir Poda (Foto nga facebook)

Saimir Poda (Foto nga facebook)

Banda muzikore drejtohej nga Saimir Poda, i cili kishte krijuar një raport shumë të ngrohtë me publikun e tij si në mënyrën e përzgjedhjes muzikore, koordinimin me instrumentistët, por dhe dialogun me publikun që i ndiqte çdo fundjavë. Në repertorin muzikor nuk mungonin serenatat korçare, por dhe këngët e njohura italiane, apo ato ndërkombëtare.

Pasi më la shumë mbresa, i takova artistët menjëherë pas performancës së asaj mbrëmjeje dhe aty mësova se të gjithë të rinjtë, që nga bateristi, violinistja, këngëtarja kishin profesione të tjera në jetë, por muzika ishte pasioni i tyre më i madh, pasion i cili i mblidhte mbrëmjeve për të interpretuar së bashku. Mësova se grupi drejtohej nga Saimir Poda, ish pjesëtar i grupit “Domino Band”, por që tashmë ai prej vitesh interpreton live me grupin e tij muzikor, në një ambjent të ngrohtë, pranë Pazarit të Korçës. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, ai na rrëfeu për fillimet e tij në muzikë, eksperiencën me bandën muzikore, “Domino Band”, pjesëmarrjet e tij në Top-Fest si dhe vazhdimësia e muzikës, e cila tashmë për të nuk është vetëm pasion, por edhe profesion.

Saimir Poda me banden muzikore ne interviste per CMG

Saimir Poda me banden muzikore ne interviste per CMG

CMG: Ti ke tre dekada që jeton me muzikën, si fillim një pasion, por prej disa vitesh e ushtron edhe si profesion. Na trego si lindi dëshira për muzikë tek ty?

Saimir Poda: Dëshira për muzikën jo vetëm për mua, por tek çdo qënie humane vjen natyrshëm që në momentin kur ne dëgjojmë rrahjet e zemrës në barkun e nënës. Ndërsa pjesa e dhuntisë për të predikuar muzikën, tek unë ka nisur në momentin kur kam kuptuar që unë kam këtë lloj dhuntie. Kjo ka ndodhur në vitin 2002 kur së bashku me dy shokët e mi krijuam koncertin e pare, që u shfaq për tre netë rradhazi tek teatri i qytetit të Korçës.

Saimir Poda me grupin DOMINO (Foto nga facebook )

Saimir Poda me grupin DOMINO (Foto nga facebook )

CMG: Si fillim ishte dëshira për të interpretuar në instrumentin e kitarës dhe më pas erdhi kënga, apo erdhën të dyja paralelisht?

Saimir Poda: Që në vogëli babai im e kishte dëshirë të madhe kur më dëgjonte teksa këndonim të dy këngë të krahinës me dy vokale. Në atë kohë unë nuk kuptoja se çfarë ishte zëri i parë apo zëri i dytë. Këto ndjesi i kam marrë si leksione nga babai im dhe flas për një kohë kur unë kam qenë 7 vjeç. Më pas jam selektuar nga ansambli kulturor i valleve për të qenë protagonist tek “Miss Europa” në vitin 1995 në Tiranë, ku luaja vallen Devolliçe, së bashku me djemtë e ansamblit. Me ansamblin kam qenë pjesëtar në vitet ‘93-‘96. Atje dashur pa dashur mendoj që pjesa e ritmit dhe veshi i muzikës tek unë arriti një farë pjekurie dhe rregullsie.

Në moshën e adoleshencës kur hyra në shkollën e mesme të përgjithshme, gjeta shpirtin e lirë tek piktura dhe poezia. Kur kam qenë në vitin e dytë të gjimnazit, motra ime e madhe më bleu një kitare akustike. Dhe që ateherë unë njoha dashurinë me telat dhe tingujt e kitarës. Kitarën e kam mësuar duke studiuar vetë, në mënyrë autodidakte, në dhomën time, nëpërmjet video- kasetave që ishin në atë kohë nga koncertet e grupeve “Metallica”, “Nirvana” etj. Dhe nuk mund të them dot që ka ardhur më parë dëshira për të luajtur kitarë apo për të kënduar, sepse une i kam lidhur keto dy dhunti me njëra- tjetrën. Ndërkohë që studioja këngët e “Nirvanës”, njëkohësisht sillja dhe stilin tim në coverat e tyre. Besoj se kanë ardhur të dyja paralelisht.

Saimir Poda me grupin DOMINO (Foto nga facebook)

Saimir Poda me grupin DOMINO (Foto nga facebook)

CMG: Ku e sheh veten më të arrirë artistikisht, në këngë apo në kitarë?

Saimir Poda: Mendoj se këtë gjë duhet ta verë dikush tjetër sepse unë nuk mund të bej dot dallimin tek vetja ime. Unë nuk e shoh veten si artist, por tek muzika gjej shpirtin tim.


CMG: Vite më parë ti ke qenë pjesë e bandës muzikore “Domino”, ku ke marrë pjesë edhe në Top- Fest. Sa jetëgjatësi pati kjo bandë dhe përse u ndërpre ?

Saimir Poda: “Domino band” u krijua në vitin 2014 dhe ne qëndruam së bashku me djemtë për rreth 5 vite. Arsyeja e ndërprerjes ishte pamundësia në kohë për të kryer prova, sepse të gjithë kishin primare profesione të tjera. Megjithatë ne përsëri jemi miq shumë të mirë me njeri -tjetrin dhe bashkëpunojmë në projekte të ndryshme.

Saimir Poda me grupin DOMINO ne koncerte live (Foto nga facebook)

Saimir Poda me grupin DOMINO ne koncerte live (Foto nga facebook)

CMG: Ti prej vitesh këndon live në qytetin tënd të lindjes, në Korçë. Çfarë ke fituar ti në gjithë këto vite?

Saimir Poda: Gjatë gjithë viteve që unë performoj live jo vetëm në qytetin e Korçës por dhe në çdo vend tjetër, perveç të ardhurave ajo që unë kam fituar, është dashamirësia dhe energjia e ndërsjellë pozitive që përcjell tek njerzit.

Saimir Poda me vajzen e tij (Foto personale)

Saimir Poda me vajzen e tij (Foto personale)

CMG: Ndërsa prej dy vitesh ti këndon në ambjentin të cilin e ke krijuar vetë, që nga ideimi, banda muzikore, e cila të shoqëron live fundjavave, repertori muzikor, etj. Është kjo gjithçka që ke dëshiruar?

Saimir Poda: Prej 2 vitesh së bashku me shokun tim Aldon ne bashkangjitëm idetë për të krijuar një ambient ku njerëzit mund të vijnë e të shijojnë muzikën live çdo fundjavë, duke nisur që ditën e premte, të shtunë dhe të djelë dhe duke ia arritur qëllimit për të krijuar këtë ambjent. Në këtë mënyrë ne i vendosëm vetes një detyrë, të bindeshim që nuk janë të ardhurat ato që mund të vendosin jetën apo fatet tona, por është dëshira dhe vullneti që gjithësecili prej nesh ka për të shkuar diku. Dhe deri tani jemi shumë të kënaqur me aq pak sa kemi aritur. Planet tona nuk do të rreshtin asnjëherë kreativitetin.

Saimir Poda ne interpretimet live (Foto personale)

Saimir Poda ne interpretimet live (Foto personale)

CMG: Një tjetër e veçantë është dhe bashkëpunimi që ke me publikun, ku ai zgjedh këngën e preferuar në Instagramin e lokalit dhe ti e këndon direkt apo ditën tjetër. Ndihmon kjo për të pasuruar repertorin?

Saimir Poda: E padiskutuar, që kjo më pasuron repertorin e këngëve, por njëkohësisht njerëzit ndjehen më komodë dhe më familjarë në këtë mënyrë, sepse çdokujt që i plotësohen preferencat, ndjehet i vlerësuar. Kjo krijon dhe një lloj afrimiteti si me bandën ashtu dhe me biznesin.

CMG: A ka këngë të cilat nuk i këndoni sepse nuk iu përshtaten ?

Saimir Poda: Normale që ka dhe këngë që nuk kam mundësi për t’i luajtur sepse nuk mund të sjell dot çfarëdo lloj preference, por gjithsesi këtyre kërkesave unë përsëri i përshtatem, duke i bërë qejfin me këngë të tjera që mund të jenë të përshtatshme me karakterin tim.

CMG: Banda që interpreton momentalisht është stabël apo ndryshon?

Saimir Poda: Banda që luaj aktualisht është stabël. Por në pjesën e karakterit tim unë kam pretenduar që të jem gjithmonë me njerëz me të cilët krijoj një lloj kimie. Dhe nuk kam menduar në asnjë moment që banda që po performoj nuk është e përshtatshme apo nuk më plotëson dot performancën. Sepse për mua nuk ka rëndësi profesionalizmi, por shpirti dhe energjia që përcjellim me njeri- tjetrin.

CMG: Ti ke realizuar shumë këngë, por a ke menduar t’i sjellësh për ndonjë festival apo album muzikor?

Saimir Poda: Kam menduar që të jem pjesë e programeve televizive dhe kam qenë pjesëmarrës në dy puntata të Top Fest në atë kohë. Kompozimet e mia tashmë kam vendosur t’i regjistroj në studion që po krijoj vetë dhe preferoj që t’i publikoj në kanalin tim në Youtube. Në këtë mënyrë bëj marketing për veten time dhe vendos se çfarë është e mirë dhe çfarë jo për atë që unë gjykoj mbi muzikën që krijoj.

CMG: Cili është synimi yt për të arritur dhe planet për në vazhdim?

Saimir Poda: Planet e mia janë pak të çorientuara për momentin, sepse përveç muzikës kemi dhe peshën e biznesit, sepse janë të punësuar 13 persona që duhet t’i favorizojmë për të qenë sa më komod në ambientin e punës. Megjithatë në lidhje me muzikën planet e mia në të ardhmen perveç krijimtarisë, janë organizimi i koncerteve, ku të ardhurat që grumbullohen unë gjithmonë i kam depozituar për bamirësi tek familjet në nevojë dhe për femijët jetimë. Për momentin kjo është e vetmja gjë që unë kam si objektiv. Të ndaj me ata që kanë më shumë nevojë të ardhurat që unë i grumbulloj nga dhuntia që kam në muzikë.

Intervistoi: Sava Lena