Prej më shumë se një dekade, qyteti antik i Durrësit është mikëpritës i edicioneve të përvitëshme të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, “Chamber Fest”. Pjesë e këtij aktiviteti është edhe studentja e Muzikologjisë, Anisa Jaupaj, e cila na tregon për këtë veprimtari për Grupin Mediatik të Kinës (CMG)
Foto personale
CMG: Si lindi ideja e krijimit të festivalit të muzikës së dhomës, si ka evoluar gjithë këto vite ky festival,veprat që preferohen të luhen në të, a janë të përfshira veprat shqiptare?
Anisa Jaupaj: Pikënisja kryesore për lindjen e bashkëpunimeve dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet artistëve shqiptarë dhe atyre të huaj i ka fillimet në vitin 2004, me krijimin e shoqatës "Arti dhe kultura Italo-Shqiptare”. E iniciuar nga artistë durrsakë, të cilët studionin dhe punonin në Itali. E themeluar gjithashtu e drejtuar nga Nevila dhe Saimir Kalaja, shoqata që prej asaj kohe ka organizuar një numër koncertesh jo vetëm në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës, por edhe jashtë vendit, në Itali duke përcjellë në publik një nivel të lartë të interpretimit artistik.
Për të ruajtur vazhdimësinë dhe për t'i dhënë një diapazon më të gjërë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave me kulturave muzikore të vendeve të tjera si Austria, Franca, Greqia, Zvicra, Kosova etj, në vitin 2006 u krijua Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës, i njohur si “Chamber Fest”. Synim tjetër i rëndësishëm i këtij aktiviteti ishte edhe pjesëmarrja e sa më shumë artistëve shqiptarë, që jetonin e punonin në Perëndim.
Anisa Jaupaj (studente per muzikologji)
Edicioni i parë i këtij festivali u mbajt në gusht të vitit 2006 pranë Galerisë “Jozef”, me mbështetjen e Ambasadës Austriake, gjithashtu edhe një ndër mbështetëset kryesore ndër vite. Në edicionet në vijim, selia e festivalit kaloi pranë Pallatit të Kulturës, Muzeut Arkeologjik e Amfiteatrit të Durrësit, me pjesëmarrjen e një numri artistësh të njohur në skena botërore dhe fitues të shumë çmimeve ndërkombëtare, si: U. Clerici (çelist), VV/ David (violinist), A. Flammer (violinist), K. Gjezi (violinist), J. Kadesha (violinist), L. Magariello (çelist), VV. Panhofer (çelist), A. Pfleger (violinist), K. Ribarski e M. Ribarski (trombist e pianiste), G. VVallisch (pianist), M. Leka (soprano), E. Narbone (dirigjent), A. Morava (soprano), E. Abeshi (violinist), L. Condina (flautist) etj. Në edicione të ndryshme, pjesë e “Chamber Fest” kanë qenë edhe formacione të tilla si: Vienna Mozart Trio, Trio “Durrësi”, Kuarteti italian i klarinetave, Trio Dyrrhachium, Ansambli "Season", MDI Ensemble, Il Cenacolo Della Chimera, “Climax” quintet, Quartet “Bridge”, Minguet Quartet, Kuarteti i Universitetit të Arteve, Kuarteti i Saksofonëve, Kuinteti i frymës Durrës, Albanian Brass Ensemble etj, gjithashtu në edicionin XI edhe orkestra e harqeve. Ansamblet e ndryshme të muzikës së dhomës i kanë dhënë një frymëmarrje të gjerë artistike Festivalit, duke e pasuruar repertorin me vepra të epokave e stileve të ndryshme si dhe duke e zgjeruar sferën e bashkëpunimit midis muzikantëve shqiptarë dhe të huaj. Nuk kanë munguar gjithashtu edhe rastet kur në skenën muzikore të qytetit të Durrësit të jenë luajtur edhe vepra premierë të shkruara ekskluzivisht për këtë festival. Eshtë për të theksuar gjithashtu se në tre vitet e fundit, Festivalit i janë bashkuar edhe studentët e Universitetit të Arteve. Të gjitha këto, po ashtu si edhe interpretimi i niveleve të larta artistike apo loja me instrumente të tillë si Stradivari etj, e kanë shndërruar Chamber Fest-in në një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës së dhomës në vend, që gëzon mbështetjen e institucioneve të rëndësishme si Bashkia Durrës, Ministria Kulturës, Instituti Gëte, Instituto di Cultura Italiana si dhe Ambasada Austriake etj.
Bashkëbiseduam dhe me organizatoren e “Chamber Fest” njëkohësisht dhe violiniste, Nevila Kalaja, rreth kësaj veprimtarie.
Nevila Kalaja Herczegh -violiniste- pedagoge (Foto personale)
CMG: Kur do të zhvillohet edicioni i sivjetshëm dhe sa netë do të përfshijë?
Nevila Kalaja: Edicioni i këtij viti do të zhvillohet nga 28 qershori deri në 23 korrik dhe do të përfshijë 9 mbrëmje koncertore me instrumentistë të adhur nga Gjermania, Austria, Greqia, Slloveni dhe Shqipëria.
CMG: Cilat grupe do jenë pjesëmarrëse?
Nevila Kalaja: Ashtu si herët e tjera programet e të gjjtha grupeve pjesëmarrëse janë përzgjedhur me mjaft kujdes nga ne si organizatorë. Dhe natyrisht që emrat e kompozitorëve të njohur botëror janë zgjedhur për këtë aktivitet nga Mozart, Bethoven, Shubert, gjithashtu edhe autorë konterporanë, por dhe vepra shqiptarë nga Çesk Zadea dhe Isak Shehu.
CMG: Mund te na citoni disa prej veprave të kompozitorëve, që do të interpretohen në këtë edicion? Dhe a do të ketë vepra premirë?
Nevila Kalaja: Padyshim si çdo edicion do të ketë vepër premierë e kompozuar enkas për këtë festival, vepra që do të ekzekutohen nga një piano trio me instrumentistë që vijnë nga Greqia e quajtur Galan Trio, e cila përmban kompozime të autorëve të ndryshëm nëpër botë por që vepra i ka bashkuar në thelbin dhe tematikën e saj.
Foto personale
CMG: Cili mendoni se ka qenë çelësi i suksesit për jetëgjatësinë e këtij festivali të muzikës së dhomës?
Nevila Kalaja: Në themel të gjithçkaje të bukur qëndron një punë serioze, tepër këmbëngulëse për të mos u ndalur asnjëherë përpara vështirësive, por do vazhdohet gjithmonë përpara. Dhe kur organizohen aktivitete të bukura, njerëzit presin për çdo vit, diçka që ti argëtojë mbrëmjeve gjatë pushimeve të verës. Dhe kështu ne marrim shtysë nga gjithë kjo mirësi, që të sjellim këto koncerte të festivalit tonë.
CMG: Duke qenë se ju jeni organizatorja e “Chamber Fest”, por jo vetëm, jeni edhe nje prej instrumentisteve të këtij festivali dhe petagoge në UART. Çfarë mesazhi keni për të gjithë instrumentistët e rinj dhe për artdashësit e muzikës?
Foto personale
Nevila Kalaja: Një gjë shumë e rëndësishme që ndodh në festivalin tonë është angazhimi i të rinjve e cilësuar dhe e vlerësuar nga ne si një gjë shumë e rëndësishme për vazhdueshmërinë e këtij zhanri të veçantë të muzikës klasike. Dhe studentët jo vetëm që marrin pjesë në Mastër klasë por edhe interpretojnë në ansamble të ndryshme të muzikës së dhomës, së bashku me instrumentistët e huaj. Përveç lojës me kualitet që do i kërkohet studentëve me instrumentistët e huaj, do jetë dhe eksperienca që do të marrin në lojë pra në ansambël për tu bashkuar me këta të rinj, një bashkëpunim mjaft i mirëpritur ky edhe për ta. Këto koncerte të “Chamber Fest” unë i pres jo vetëm si organizatore, por jam edhe vetë e përfshirë në lojën me miqtë e mi , ku prej kohësh jemi të organizuar me grupe të ndryshme të muzikës së dhomës. Pjesëmarrja ime këtë rradhë do jetë nëpërmjet një trioje, me të cilët kemi krijuar një tur koncertesh edhe në itali. Me kënaqësi po pres që të interpretoj me miqtë e mi aty.
Shpresoj që ashtu si edhe në vitet e mëparshme, publiku i cili do të marrë pjesë në mbremjet koncertore të festivalit tonë, të ndahet me mbresat më të mira.
Sava Lena