Ilir Sufali është këngëtar i njohur i muzikës popullore tradicionale nga qyteti i vogël por me tradita i Peqinit. Ai e ka ruajtur të pastër në interpretim këngën popullore, duke përfaqësuar më së miri vlerat e folkut si dhe të trevës së tij. Ka realizuar disa materiale muzikore si dhe dy videoklipe të këngëve me studion Retno duke promovuar traditën e qytetit të tij. Në një intervistë për CMG ai tregon për karrierën artistike si dhe projektet muzikore në vazhdim.
CMG: Z. Sufali përshëndetje dhe faleminderit për pjesëmarrjen në Bio Folk.
Ilir Sufali: Faleminderit për ftesën dhe është kënaqësi që marr pjesë në këtë emision, aq më tepër dhe titulli i emisionit është Bio Folk. Unë jam munduar që këngët e mia të tregojnë ato vlera, atë trashëgimi që përfaqëson qyteti i Peqinit, siç janë mikpritja, bujaria, dashuria, por edhe vlera të tjera që i ka trashëguar ndër vite. Mos të harrojmë që është një qytet në zemër të Shqipërisë së mesme, i kufizuar me Tiranën, Elbasanin që janë djepet e muzikës popullore tradicionale. Kjo është një kënaqësi për qytetin tim që i kam përcjellë këto këngë sepse ne sot idendifikohemi me disa simbole të qytetit, siç janë sahati, kalaja, rruga Egnatia me urën, dhe unë jam munduar që pikërisht këto vlera dhe këto simbole historike të Peqinit t’i përcjell nëpërmjet videoklipit tim.
CMG: Ju keni sjellë për publikun krijimtari të re popullore, por keni qëndruar në tabanin e folkut. Si keni mundur t’i ruani këto vlera të këngës popullore?
Ilir Sufali: Kjo është mëse e vërtetë. Unë kam dashur që gjithmonë të jem në taban të qytetit, në folkun që përfaqëson ai qytet, sepse më ka dhënë edhe mundësi që të dal dhe në gëzimet familjare, në festa, dasma, organizime që janë bërë në qytet apo dhe në familje, që unë të evidentoj pikërisht këtë dëshirë që kanë qytetarët, këtë dëshirë që ka qyteti. Unë jam munduar që krijimtarinë time popullore ta bazoj në këto vlera, të qëndroj në tabanin e qyteti, siç janë këngët e vjetra popullore të bazuara dhe në valle. Sigurisht mund të them që te këto këngë që kam publikuar, kam dashur të nxjerr në pah pikërisht vlerat që mbart qyteti i Peqinit.
CMG: Njëra nga këngët tuaja titullohet “Këngë e qejf bëhet në Peqin”, por çfarë ka të veçantë ky qytet?
Ilir Sufali: Peqini edhe pse nuk është dëgjuar shumë, është një qytet me shumë bujari, me njerëz shumë mikpritës. Peqinasit nuk të lenë pa ta bërë qejfin ashtu siç i themi ne, pa kënduar nëpër tavolina dhe pikërisht janë këto vlera që unë jam munduar t’i përcjell dhe në këngë. Edhe vajzat e Peqinit nuk e kanë thënë kot dhe në tekst, “çunat gocat janë flori, janë ashik dhe janë për shtëpi”. Pra djemtë që janë ashik, që dalin, njohin shoqërinë, miqësinë dhe bujarinë, ndërsa vjazat janë ato që mbajnë sot familjen.
CMG: Ju i shkruani vetë tekstet e këngëve tuaja si dhe vijën melodike, por kush janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve?
Ilir Sufali: Unë jam kantautor, duke marrë pjesë në gëzimet familjare dhe duke e njohur mirë traditën e qytetit, kam dashur që të jem po në këto vlera dhe traditë. Prandaj unë jam munduar të bëj vetë tekstet dhe muzikën, dhe dëshiroj të përmend këtu kolegun tim në studio Edmond Rrapi, dy instrumentistët virtuozë, të madhin Sopot Serica dhe klarinetistin Arben Topalli, që kanë luajtur shumë denjësisht në krijimet e mia artistike dhe unë i falenderoj shumë.
CMG: Ju keni realizuar dhe një këngë kushtuar ekipit të Shkumbinit. Si lindi ideja e kësaj kënge për ekipin tuaj?
Ilir Sufali: Kur flasim për Shkumbinin, ne e kemi si Zot këtë ekip dhe na bën shumë krenarë edhe pse këto vitet e fundit nuk jemi në pozita të mira, por unë jam munduar që ta bëj dhe këtë këngë e cila na përfaqëson dhe unë e kam kënduar me shumë dashuri bashkë me kolegun tim Adriatik Lluca. Kjo këngë është bërë simbol i qytetit, në çdo stadium apo dhe në ambiente fetive ajo vazhdon të këndohet, dhe unë ndjehem kërenar për këtë që përfaqësoj ekipin e Shkumbinit në nivelin artistik me këngë.
CMG: Në përgjithësi ka pak këngëtarë të trevës së Shqipërisë së mesme, aq më tepër që në Peqin ju jeni i vetmi që e përfaqësoni këtë qytet në këngë. Pse kjo zbehje në prurje me këngëtarë të rinj?
Ilir Sufali: Në fakt në përgjithësi është një mungesë e këngëtarëve në trevën e Shqipërisë së mesme. Kjo vjen se pak aktivitete organizohen që të dalin në pah këto zëra të rinj, që të përfaqësojnë këngën e vërtetë popullore tradicionale. Në Peqin ne kemi një grup burrash që përfaqësojnë këto këngë, i këndohet dashurisë, natyrës, luleve, trimërisë, dhe ky grup i burrave nuk them se nuk funksionon, por duhet më shumë jetë artistike që këta të dalin në pah dhe ne të kemi mundësi që ta trashëgojmë këtë vlerë dhe këto këngë të bukura tradicionale popullore. Kjo gjë është në tërësi, si në Elbasan, Tiranë që ne duhet t’i ruajmë me çdo kusht, sepse në fund fare këto janë idenditeti ynë i këngës popullore, ndryshe nga këngët komerciale. Mos të harrojmë që Peqini është një qytet shumë i vjetër, është qyteti i korifejve të muzikës, të të madhit Rifat Teqja dhe Ferdinand Deda, të cilët kanë kryesuar për shumë vite në orkestrën sinfonike.
CMG: Keni bashkëpunuar me artistë të tjerë të qarkut të Elbasanit?
Ilir Sufali: Unë kam shumë kolegë, miqtë e mi si Mustafa Mehja apo ikonat e muzikës popullore Mehdi dhe Demir Zena, që janë sot dy figurat kryesore që kanë përcjellë këngën popullore dhe kam marrë pjesë në veprimtaritë e tyre. Sigurisht që Elbasani pas Tiranës për mua mbetet qyteti që përfaqëson më së miri këngën tradicionale popullore nga dy kompozitorët e shquar Isuf Myzyri dhe Mustafa Budini, që kanë bërë krijime të pavdekshme ku dhe sot këndohen në dasma dhe çdo ambient.
CMG: Jemi në prag sezoni që organizohen dhe gëzimet familjare dhe ju besoj keni kalendarin tuaj të pjesëmarrjes në këto evente.
Ilir Sufali: Sezoni po afrohet dhe unë jam i pranishëm në shumë gëzime familjare jo vetëm të zonës sonë, por edhe në Elbasan, Kavajë, Durrës dhe Tiranë. Unë kam një grup shumë të mirë me këngëtarët Eglantina Toska, Enkel Kasemi, dhe kompozitori Edmond Rrapi, që përbëjnë një grup shumë të mirë, por me një stil të vërtetë. Këtë mund ta them me shumë krenari që ne përfaqësojmë pikërisht këto vlera tradite, ndryshe nga muzika komerciale që shumë grupe apo të rinj përfaqësojnë sot.
CMG: Keni në plan të realizoni ndonjë këngë të re popullore?
Ilir Sufali: Unë do ta vazhdoj krijimtarinë time dhe kam dy materiale muzikore që mendoj se do t’i bëj shumë shpejt edhe klipe që t’i nxjerr në treg. Sigurisht që janë materiale bio folk sepse unë dua gjëra të vjetra tradicionale dhe mendoj që vërtetë këto këngë mund të mbesin në tregun shqiptar. Kjo më bën që të ndjehem krenar ndryshe nga këngët komerciale.
CMG: Përveç këngëve të trevës së Shqipërisë së mesme keni interpretuar dhe këngë të trevave të tjera të vendit?
Ilir Sufali: Edhe ato janë këngë shumë të bukura dhe mund të them që jugu tani ka filluar të dalë në pah me shumë këngëtarë, që po domonojnë tregun, por sigurisht edhe veriu ka këngë shumë të bukura. Nuk ka dasëm apo gëzim familjar që mos të gërshetohen këngët e jugut me të veriut dhe kjo është gjë shumë e bukur që në një gëzim familjar të këndohen të gjitha trevat. Sigurisht që unë kam qejf dhe muzikën e lehtë dhe serenatat. Aktualisht punoj në disa resorte me këngëtaren Griselda Voglaj, e cila i këndon pothuajse të gjitha rrymat muzikore.
CMG: Një tjetër këngë e juaja e realizuar në videoklip i dedikohet shoqërisë, ku në klip sillni dhe gjelin e detit si traditë të qytetit të Peqinit.
Ilir Sufali: Qyteti i Peqinit ka shumë pasuri dhe një nga pasuritë është dhe kulinaria. Pra nëse vjen në Peqin hahet këndshëm dhe bio dhe në këngën ime thuhet se “shoqëria nuk ka të blerë” dhe përfaqësojmë pikërisht këtë grup shoqëror ku bëhen biseda, qahen hallet dhe zgjidhen gjithmonë në shoqëri dhe jo më kot e kam titulluar kështu këtë këngë. Këto biseda bëhen në tavolina shumë mikëpritëse, siç e kemi ne në Peqin, gjeli i detit apo dhe qumështuri që janë tradicionale, të këndshme dhe të ushqyeshme në Peqin.
CMG: Muzikën ju e keni trashëguar dhe te djali juaj, i cili vazhdon Universitetin e Arteve në Tiranë. Si ndjeheni për këtë?
Ilir Sufali: Djali im vazhdon Universitetin e Arteve dhe është në master. Unë do të dëshiroja që edhe ai të ndiqte rrugën time, pikërisht në këto vlera siç jemi sot, në vlerat tradicionale që përfaqëson ky qytet, por dhe kjo muzikë e Shqipërisë së mesme. Unë do të isha shumë i kënaqur nëse ai vërtetë do t’i realizonte këto.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.
Ilir Sufali: Dëshiroj t’i përshëndes përzemërsisht të gjithë dëgjuesit, duke ju thënë se muzika tradicionale bio folk do të jetë gjithmonë e pranishme në zemrat e tyre. Ju përshëndes me shumë kënaqesi. Faleminderit dhe ju për emisionin.
Intervistoi: Gazmend Agaj