Olen Cezari gjate nje koncerti (Facebook)
Violinisti i mirënjohur shqiptar me famë botërore Olen Çesari, performoi për dy netë rresht në një koncert të veçantë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku spektatori kishte mundësinë të shijonte performancat e veçanta të violinistit virtuoz dhe të ftuarve të tij.
Ai ka interpretuar në tempujt më të mëdhenj të muzikës botërore, nga Teatri i Lashtë i Taorminës, në Wiener Konzerthouse të Vjenës, nga Carnegie Hall i New-York-ut, në Auditorium Parco della Musica në Romë, nga Théâtre Le Palace në Paris, në Teatro monumental RTVE të Madridit, si dhe ka performuar në Murin e Madh Kinez.
Në një intervistë ekskluzive për CMG, ai tregon për fëmijërinë, rrugëtimin e tij të jetës dhe atë të karrierës profesionale, njëkohësisht edhe mbi projektet e tij të ardhshme.
CMG: Çfarë kujtoni nga fëmijëria në qytetin tuaj të lindjes, Durrësin?
Olen Çesari: Kam kujtime shumë të bukura dhe kujtoj se pranë shëtëpisë sime ka qenë një anije e mbytur dhe gjithë ne fëmijët e asaj kohe vinim dhe loznim me topa deti. Praktikisht këtë intervistë po e bëjmë fiks ku ka qenë fëmijëria ime.
Olen Cezari gjate koncertit (Facebook)
CMG: Durrësi ka qenë më i bukur në kohën e fëmijërisë suaj apo tani, që ju riktheheni në vendlindjen tuaj?
Olen Çesari: Durrësi ka pasur totalisht tjetër ngjyrë dhe tjetër formë. Durrësi atëhere ishte më i vogël sesa tani, ndërkohë që tani Durrësi është me përmasa gjigante, është bërë qytet kozmopolitan, ku po vijnë grupet më të mëdha botërore që po investojnë në Durrës. Pra Durrësi ka marrë një ekspansion gjigant dhe po bëhet kozmopolitan, jo vetëm se është qytet i bukur apo i lashtë, por ka portin dhe ka lidhje me Mesdheun.
CMG: Qëllimi i vizitës suaj këtë herë në Shqipëri është koncerti i radhës në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Kë kishit të ftuar në këtë koncert?
Olen Çesari: Po patjetër. Çdo koncert është ndryshe nga koncertet e tjera dhe ka të ftuar të tjerë dhe repertor tjetër. Ky ishte një investim gjigant që ne tentuam ta bëjmë në Shqipëri dhe pastaj ta eksportojmë në gjithë botën. Unë kam pasur fatin të performoja në çdo kontinent, dhe sidomos në Kinë kam kuptuar shumë gjëra. Mënyra sesi kinezët organizojnë repartet e dritave dhe teknologjisë të ndërthurura me video, dhe kjo e gjitha e ndërthurur me muzikën. Siç e bëjnë ata nuk e bën askush në botë. Unë ja vodha me pak stil idenë dhe kësaj radhe këtu në Tiranë, mbështetur dhe nga shumë partnerë, ia dola që të realizoj një gjë gjigante. Erdhën nga Italia një ekip që merren me lazera ku kishim drita dhe video pafund. Pra ky koncert kishte një skenografi të paparë më parë.
Olen Cezari me sopranon Inva Mula (Facebook)
CMG: Në koncertin tuaj kishit të ftuar dhe Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore si dhe shumë të ftuar të huaj.
Olen Çesari: Në këtë koncert kishim shumë të ftuar të huaj dhe nga shumë kontinente si Italia dhe Peruja. Një nga të ftuarit ishte dhe Ansambli Kombëtar, ku unë pata fatin të oganizoja një koncert në New York ku ishin ata dhe u mahnitën. Unë ju tashë se nëse do të kemi mundësi dhe do ia dalim të organizonim këtë gjë, do isha shumë i lumtur. Falenderoj drejtorinë e Teatrit e Operas dhe Baletit për këtë mbështetje që na dhanë.
Olen Cezari ne Murin e Madh Kinez (Facebook)
CMG: Pak më përpara thatë se keni qenë në Kinë. Sa herë keni shkuar atje dhe si jeni pritur nga publiku kinez?
Olen Çesari: Unë në Kinë kam shkuar 9 herë dhe kam pasur fatin të performoja në koncert për ambasadën ialiane. Ishte dhe hera e parë që shkova atje dhe pastaj ambasada italiane hapi një lojë që nuk mbaroi më. Është folur dhe për koncertin e Vitit të Ri në Kinë, ku shkova dhe bëra 5 takime dhe pastaj Presidenti kinez vendosi që atë vit nuk do të kishte të ftuar të huaj, kështu që ky projekt u shty për më vonë. Unë kam realizuar një video në Murin e Madh Kinez që është pjesë e projektit të shtatë mrekullive të botës që unë po bëj. Më është dashur 6 muaj që të organizonim dokumentat, letrat, lejen nga Bashkia e Pekinit, Ministria e Brendshme dhe ajo e Jashtme, pra na është dashur shumë punë, por që ambasada italiane ia doli dhe më në fund patëm këtë leje që të bënim këtë video. Ky videoclip duhet të paraqitej në koncertin e Vitit të Ri, por e kemi shtyrë prezantimin e këtij klipi në Kinë sepse erdhi dhe pandemia dhe gjërat u shtynë pak më shumë. Unë e dashuroj pafundësisht Kinën. Kina për mua është një nga vendet më të bukura dhe më të larmishme të botës. Unë jam nga ata që e adhuroj Kinën.
CMG: Ju keni dhënë koncerte në të gjitha kontinentet, por cili ka qenë publiku më emocionues për ju?
Olen Çesari: Eksperienca në Kinë ka qenë e çuditëshme, sidomos për raportin që kinezët kishin me performancën time. Ishte shunmë e çuditëshme sepse praktikisht ti i shikoje kur unë filloja të performoja dhe ata mbyllnin sytë, dhe pastaj kur mbaronte pjesa në fund fare ulërisnin dhe ngriheshin në këmbë si tifozllëk stadiumi. Gjatë performancës dukeshin sikur ishin në ëndrra dhe mendime dhe kjo ishte shunmë e çuditëshme. Mua nuk më kishte ndodhur ndonjëherë që të kisha përballë një publik që ëndërronte.
Olen Cezari duke performuar ne violine (facebook)
CMG: Olen, ju jeni i suksesshëm në çdo skaj të botës, por cili është sekreti i këtij suksesi që gjithmonë e keni publikun për vete në çdo koncert tuajin?
Olen Çesari: Nuk e kam idenë por besoj që është larmia e repertorit, fakti që nuk kemi një gjë stabël. Problemi ndodh edhe me këngëtarët, ku ka shumë këngëtarë të famshëm që kanë 3 ose 4 këngë të famshme dhe 20 të tjera që nuk i njeh njeri. Fakti që ne në repertorin tonë bëjmë të kundërtën, bëjmë që 80-90 për qind e repertorit janë pjesët më të famshme të botës dhe pastaj kam unë dy apo tre pjesë të miat që i fus në repertor. Nuk e kam idenë se kush është formula, por njerëzit e kuptojnë që një gjë që bëhet me mish, me shpirt dhe me zemër ata pastaj e ndjekin.
CMG: Dy vitet e pandemisë, sa kanë ndikuar në aktivitetet tuaja artisike?
Olen Çesari: Ka qenë e tmerrshme nga ky pikëshikim, por më në fund nga ana tjetër po ta rrotullosh shikon anën e mirë. Më në fund unë kisha kohë për albumin, dhe nuk isha më si top futbolli nëpër botë, por kisha kohë të merresha me një produksion dhe më në fund u ula dhe bëra albumin e ri që kisha 10 vjet që doja ta bëja dhe nuk po e realizoja dot.
CMG: Çfarë performuat me violin në koncertin tuaj në Tiranë?
Olen Çesari: Në koncert kisha pjesë nga më të larmishmet, një pjesë e kisha me nxenësit e Liceut Artistik të Tiranës, 20 nxënës të vegjël që performuan me mua. Unë bëra një masterklas në Tiranë, ku i spjegova fëmijëve kompozimin, improvizimin dhe i pashë me lot në sy ata fëmijë që kuptonin disa gjëra që muzika klasike akoma nuk arrinte tua spjegonte dot, dhe ju premtova që do t’i ftoja tek koncerti im. Gjithashtu me Salsano Rrapin kishim një skeç shumë të lezetshëm. Pra në koncert çdo numër ishte një gjë në vete, ku erdhën nga Italia dhe Argjentina dy më të famshmit e tangos në botë.
Olen Cezari ne interviste per CMG
CMG: Pas koncertit të Tiranës, cilat janë projektet tuaja artistike në vazhdim?
Olen Çesari: Pas koncertit te Tiranës do shkoj se kam diçka për të bërë në Stamboll, pastaj do shkoj në Tunizi dhe në Francë. Pastaj fillon vera dhe kur fillon vera është pa mbarim puna. Në verë kam dhe diçka në Shqipëri dhe është Festivali i Porto Palermos. Por këto janë projekte të tjera dhe do të flasim prapë.
CMG: Së fundi një mesazh urimi për dëgjuesit.
Olen Çesari: Uroj që me shëndet të jeni mirë dhe ta lemë mbrapa këtë pandemi.
Intervistoi: Gazmend Agaj