Dule Malindi është këngëtar i njohur i muzikës popullore të trevës së jugut të Shqipërisë. Fillesat si këngëtar përkojnë tek Shtëpia e Pionierit Skrapar, kur ishte rreth 12-13 vjeç dhe këngët e para ishin ato patriotike, polifonike. Ndërsa fillimi i këngës solo përkon me vitin 2002, ndërsa albumin e parë ai e ka bërë me 10 këngë të vjetra të Skraparit në vitin 2003. Dule Malindi është vlerësuar me disa tituj për kontributin e tij në muzikën popullore, ku para dy vitesh ka marrë dhe titullin “Mjeshtër i Madh”. Në një intervistë për CMG ai flet për fillimet e karrierës së tij muzikore si dhe projektet që pret t’i realizojë në vazhdim.
Dule Malindi
CMG: Z.Malindi faleminderit për pjesëmarrjen në emisionin Bio Folk.
Dule Malindi: Faleminderit juve që më ftuat në këtë emision kaq të bukur.
CMG: Ju keni një karrierë të gjatë në lëvrimin e muzikës popullore. Si e keni nisur këtë rrugëtim muzikor?
Dule Malindi: Unë kam të paktën 45 vjet karrierë muzikore, që kam dalë në skenë sepse të këndoj kam filluar në moshë të vogël. Ruaj atë ndjesi kur këndoja këngët polifonike toske me grupet polifonike të shkollave, pastaj duke vazhduar, duke u aktivizuar gjithmonë me folkun, sepse Skrapari ka pasur vetëm folk. Në moshën 17 vjeçare jam ingranuar dhe me muzikën, ku bëra dhe një kurs për klarinetë në vitin 1984 në Tiranë. Më vonë fillova të këndoja dhe këngët e muzikuara të Skraparit, dhe mund të them se jam nga të parët që kam bërë ndryshimin e polifonisë, duke e ndërthurur me muzikën popullore, që këto këngë të kërcehen edhe në aktivitete e gëzime familjare.
CMG: Polifoninë ju e keni kultivuar në moshë fare të vogël dhe pastaj keni vijuar me këngët me muzikë. Nga ndryshon polifonia e Skraparit nga ajo e zonave të tjera të jugut?
Dule Malindi me këngëtarët Irini Qitjako dhe Kozma Dushi
Dule Malindi duke interpretuar me këngëtaren Paro
Dule Malindi: Polifonia toske mund të them që bazën e ka në Skrapar, ose polifonia toske mirëfillte është e Skraparit, duke kujtuar të madhin Demir Zyko. Ne mundohemi ta imitojmë atë sepse ai ishte ikona e muzikës polifonike toske dhe ne me këtë jemi rritur në kohën tonë.
CMG: Një karrierë e nisur para viteve 90-të dhe vijoni të jeni i suksesshëm. Si ka ardhur në rritje kjo karrierë?
Dule Malindi: Mbas vitit 1990 karriera është rritur sepse edhe kërkesat janë rritur, por dhe puna jonë është rritur. Unë kam marrë pjesë dhe në dy Festivalet e Gjirokastrës, duke interpretuar këngën popullore ose polifonike toske bashkë me kolegë të tjerë si Nesim Meno, Xheladin Cerri, ku kam performuar me të dy këto artistë në Gjirokastër. Më vonë unë emigrova në Stamboll gati 12 vjet dhe atje kam performuar live këngë me iso, por gjithashtu edhe me muzikë, sepse unë i bie dhe klarinetës.
Në vitin 2002 jam kthyer në Tiranë, dhe atëhere filluan dhe albumet muzikore të cilat dilnin në treg për publikun, por dhe për të ardhurat që ne krijonim. Më vonë filluan dhe aktivitetet jashtë vendit, ku kam qenë në shumë vende të botës. Ndjesi të veçantë kam ndjerë në Australi dhe për gati një muaj atje kam performuar edhe me muzikë, por publiku atje donte më shumë këngën tradicionale polifonike. Në një koncert të madh në Australi ku ishin rreth 1000 veta, kur kam kënduar këngën e Demir Zykos “Mbeç more shokë mbeç” ishte vërtetë një ndjesi e veçantë për mua dhe për publikun. Gjithashtu kam qenë në koncerte në Amerikë, Angli, Greqi, Itali, por dhe në vendet fqinje. Kam marrë pjesë nëpër festivale, qoftë këto folklorike apo për publikun që jeton në këto vende.
CMG: Jeni nga këngëtarët që keni publikuar vazhdimisht materiale të reja muzikore. Çfarë këngësh keni realizuar kohët e fundit?
Dule Malindi gjatë një emisioni televiziv
Dule Malindi: Unë kohët e fundit jam munduar të kthehem në bazë dhe gjatë dy viteve të fundit mund të kem realizuar mbi 30 këngë polifonike të tabanit, duke zgjedhur këngët e vjetra popullore. Gjithashtu kam krijuar dhe një grup polifonik me trevën tonë të Skraparit, ku ato janë pritur shumë mirë. Unë dua që të le një trashëgimi sepse janë të rrallë ata të rinj që i interpretojnë këto lloj këngësh.
CMG: A keni përshirë interpretues të rinj në grupin tuaj polifonik?
Dule Malindi: Mundohemi që të marrim dhe t’i mësojmë të rinjtë, por është pak e vështirë sepse këngën polifonike e ka mbajtur fshati, tabani, por tani kanë ikur të gjithë njerëzit dhe rinia ka emigruar jashtë. Rrymat muzikore janë përzier pak dhe është e vështirë, por ka edhe talente të eja që të paktën kanë dëshirën, pavarësisht se sa e realizojnë tabanin.
CMG: Për kontributin tuaj 45 vjeçar në muzikën popullore jeni vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”. Çdo të thotë për ju ky vlerësim?
Dule Malindi: Unë para 12 vitesh kam marrë tituj të ndryshëm mirënjohje ,duke filluar nga “Qytetar Nderi’ i Skraparit, por para dy vitesh Presidenti më vlerësoi me titullin “Mjeshtër i Madh”, që për mua është vlerësimi më i madh dhe ndjesia më e veçantë që kam ndjerë kur mora këtë titull. Duke marrë këtë vlerësim obligimi im për të punuar është rritur, dhe po punoj shumë. Sot në kanalin YouTube janë rreth 150 materiale muzikore, këngë polifonike dhe të muzikuara që të le një trashëgimi nga të dyja anët.
CMG: Sipas jush publiku sot pëlqen më shumë këngët polifonike, apo ato të muzikuara?
Dule Malindi: Këngët e muzikuara i pëlqen një moshë më e re, ndërsa ata të moshës mbi 40 vjeç pëlqejnë shumë këtë tradicionalen, por më vjen mirë që edhe kur jemi në ndonjë koncert e filloj me këngën “Mbeç more shokë mbeç’, që është tradicionale dhe pastaj kthehem tek muzika. Më pëlqejnë që edhe të rinjtë dëgjojnë këngët tradicionale me vëmendje dhe kuptoj që edhe ata e pëlqejnë.
Dule Malindi me kostumin popullor të treves së Skraparit
Dule Malindi me Presidentin Ilir Meta
CMG: Kur këndoni e përdorni kostumin tradicional të trevës suaj?
Dule Malindi: Patjetër që e përdor dhe jo vetëm në këngët polifonike që e kam përdorur sepse aty je i detyruar ta përdorësh .Nuk mund të këndosh një këngë polifonike pa veshje popullore, nuk ka asnjë kuptim dhe nuk merr asnjë vlerë. Siç e thashë më lart, mbi 30-40 këngë polifonike që kam bërë patjetër që e kam veshur kostumin popullor, si dhe kam kontribuar edhe te shokët e tjerë të cilët nuk kanë pasur, unë ju kam gjetur ose dhe kam investuar duke i blerë veshjet popullore. Unë kur dal në skenë dhe vesh kostumin popullor ndjehem ndryshe dhe më shikojnë ndryshe.
CMG: Ndalemi te aktivitetet e fundit muzikore, nëse keni pasur dhe si ka qenë në raport me dy vitet e pandemisë?
Dule Malindi: Gjatë kohës së pandemisë ne na janë kthyer shumë koncerte, por tani janë hapur pak rrugët. Para pak kohësh isha në një gëzim familjar në Ersekë ku jam pritur shumë mirë dhe unë ndjeva sërish ngrohtësinë e publikut.
CMG: Cilat kanë qenë bashkëpunimet tuaja me artistë të tjerë të muzikës popullore?
Dule Malindi: Bashkëpunime në polifoni kam pasur sepse vetëm nuk realizohen. Ndërsa për këngët e muzikuara kam bërë të paktën pesë materiale me këngëtaren e madhe të labërisë Paro Ziflaj, ku njëra nga këngët titullohet “Labëri dhe toskëri” ku kemi ndërthurur melodinë dhe tekstin për t’i bashkuar labërinë dhe toskërinë. Kam bërë dhe bashkëpunime me këngëtaren Nertila Vreto, por më shumë me Paron kam bashkëpunuar dhe vazhdoj të bashkëpunoj me të.
Dule Malindi në intervistë për CMG
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe adhuruesit tuaj.
Dule Malindi: Publikun e falënderoj jashtë mase sepse me vlerësimin që na japin, ngrohtësinë dhe duartrokitjet do mundohemi t’jua shpërblejmë sa të kemi jetë, duke sjell për ata këngë të reja, por duke mos harruar këngët tradicionale polifonike.
Intervistoi: Gamzned Agaj