Filarmonia e Tiranës, e konceptuar nga Bashkia e Tiranës si një mundësi e angazhimit të artistëve të rinj të fushës së interpretimit muzikor në jetën kulturore të kryeqytetit, ka rifilluar aktivitetin artistik në muajin shkurt të këtij viti. Filarmonia e Tiranës në koncertin e saj të parë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, solli një program të pasur muzikor për publikun e kryeqytetit, i cili përfshinte vepra nga Franc Schubert, Antonio Vivaldi, Johannes Brahms, Fritz Kreisler, Pugani-Kreisler dhe Gabriel Faure. Ndërsa kemi një elitë të Operas dhe Baletit, Filarmonia e Tiranës do t’i përkasë të rinjve të kryeqyetit, duke përgatitur një gjeneratë tjetër, që performon dhe i drejton projektorët nga talenti i tyre, duke ecur përpara me meritë. Është bërë një punë e madhe deri në finalizimin e këtij projekti artistik. Janë realizuar shumë audicione, për t’u përzgjedhur të rinjtë, që do të interpretojnë aty.

Mbi veprimtarinë e kësaj Filarmonie ka folur për mediat drejtori i saj, Arben Skënderi.

Arben Skenderit -Drejtori i Filarmonise se Tiranes (Foto nga Facebook)

Arben Skenderit -Drejtori i Filarmonise se Tiranes (Foto nga Facebook)

Arben Skënderi: “Kemi qindra artistë të rinj që diplomohen në Akademinë e Arteve çdo vit dhe kjo do jetë një alternativë për të pasur mundësi kthimin e gjithë investimit të tyre. Të bëhesh artist nuk mjafton thjesht një shkollë e lartë 4 vjeçare, artistët e nisin muzikën që në moshë të hershme. Është një rrugëtim shumë i gjatë dhe nëse në fund të këtij rrugëtimi nuk ka asnjë alternativë, e gjithë puna mund të konsiderohet, dështim. Nevoja ka qenë shumëplanëshe, pra janë të shumtë të rinj që diplomohen, por mundësitë për t’u angazhuar, punësuar apo integruar në institucionet kulturore në vend janë të pakta. Tirana dikur ka pasur 6 orkestra, 5 shkolla muzike, për 3 herë më pak banorë sa ka sot dhe nevoja për të rritur gamën e këtyre shërbimeve kulturore është shumë e madhe. Nëse e shohim në një tjetër aspekt, Tirana ishte i vetmi vend në Ballkan që nuk kishte një strukturë të kësaj natyre. Mund të kenë orkestra simfonike, mund të kënë filarmoni, por qytetet e mëdha dhe kryeqytetet kanë teatrot e tyre që varen nga Bashkia. Ndryshimi i kësaj është për institucionet kombëtare shtetërore,që janë institucione që bëjnë politikën e madhe kulturore të kombit, ndërsa bashkitë kanë një tjetër fizionomi, e cila ka hapësirën, nevojën dhe detyrimin të bëjë art kualitativ, por jemi në pikat social-kulturor ku prekin komunitetin, që është në shërbim të tij dhe ndikon drejtëpërdrejtë te edukimi i brezit të ri”.

Më tej drejtori i Filarmonisë shpjegon pjesmarrjen e të rinjve artiste në të.

Filarmonia e Tiranes (Foto BAshkia e Tiranes)

Filarmonia e Tiranes (Foto BAshkia e Tiranes)

Arben Skënderi: Kjo fillon nga shkolla, aktivitete për ta, fillon nga qasja në aktivitete të ndryshme të artit dhe gjithçka shkon zinxhir. Tirana kishte një mangësi, por Bashkia tashmë është angazhuar publikisht dhe shpirtërisht për ta çuar më tej këtë nismë. Është zgjedhur jo rastësisht ky vit, pasi Tirana është kryeqyteti i rinisë dhe duke qenë se dhe filarmonia që ne sapo kemi krijuar është e bazuar te këta të rinj, kjo shpjegon faktin që kemi vënë një lloj kufizimi moshe në qasjen e parë të muzikantëve që bëhen pjesë e saj, të cilët janë nga mosha 18-35 vjeç. Në këtë mënyrë i japim një mesazh të qartë edhe të rinjve në këtë profesion, por edhe për ata të rinj profesionistë që tashmë e kanë një lloj eksperience dhe nuk janë të angazhuar në orkestra të ngjashme. Qëllimi nuk është të krijojmë dublime, por të krijojmë vende të reja pune. Me gjithë standartet e mundshme, siç janë edhe orkestrat nëpër botë”, shprehet muzikanti Arben Skënderi.

Filarmonia e Tiranës do të sjellë për publikun një koncert në muaj, pjesë e të cilit do të jetë dhe një vepër shqiptare. Por sa të rinj kanë konkuruar për në Filamoninë e Tiranës?

Filarmonia e Tiranes (Foto nga Bashkia

Filarmonia e Tiranes (Foto nga Bashkia

Arben Skënderi shprehet për mediat: “U realizuan audicione të mirëfillta ku çdo i ri ka të drejtën të konkurojë. Në audicionin e parë konkuruan 100 të rinj, nga të cilët u pranuan rreth 48 artistë të rinj, me të cilët u organizua dhe koncerti i parë. Patjetër që do të ketë edhe audicione të tjera në vazhdim, ku disa nga këta të rinj nuk do të konfirmohen dhe do të vijnë të tjerë, pra do të jetë një hapësirë, për të mos lënë asnjë talent të paidentifikuar. Drejtori artistik i filarmonisë, i cili do punojë me të rinjtë është dirigjenti francez, Jean Michel Ferran, i cili ka eksperiencën dhe përvojën, që i duhet çdo lloj institucioni kulturor, siç i ka e gjithë bota, shkëmbimet kulturore. Filarmonia e Berlinit drejtorin artistik e ka italian, Opera e Parisit korean, pra është bukur kur shkëmbehen kulturat midis vendeve të ndryshme. Për një periudhë dy vjeçare pranë Filarmonisë së Tiranës është drejtor artistik dirigjenti francez, Jean Michel Ferran, pas tij do vijë një tjetër artist i huaj, e kështu me rradhë. Madje edhe në audicione, kryetar komisioni ishte vetë dirigjenti francez, i cili përkoi shumë mirë me mendimet e jurisë, gjë e cila e rrit nivelin e besueshmërisë tek të rinjtë”, përfundon muzikanti Arben Skënderi, drejtori i Filarmonisë së Tiranës.

Filarmonia e Tiranes gjate koncertit (Foto nga Tirana.al )

Filarmonia e Tiranes gjate koncertit (Foto nga Tirana.al )

Filarmonia e të rinjve të Tiranës do përgatisë një tjetër gjeneratë, artistësh, duke i dhënë mundësi çdo talenti të ri që performon të përfaqësojë përpara publikut talentin e tij. Në koncertin e parë të Filarmonisë kishte të rinj shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të zi dhe kjo filarmoni do të verë në pah talentitn e të rinjve për të ecur përpara në karrierën e tyre artistike.

Sava Lena