Paro Ziflaj është këngëtare e njohur e polifonisë dhe muzikës popullore me zë të magjishëm. Paro në skenë mbetet me përmasat e viganit dhe jeta e saj është një këngë, e cila nuk shteron po rritet bashkë me skenën. Në skenat, ku ajo ka shkelur kushdo është befasuar, ka ndalur dhe ka menduar se mos vallë bashkë me ‘të është një shoqëri dhe ndonjë orkestër speciale, se ashtu është zëri i saj si bashkim melodish”. Ajo ka marrë pjesë në çdo aktivitet muzikor si brenda dhe jashtë vendit ,duke u pritur mjaft mirë nga publiku. Në një intervistë ekskluzive për CMG, Paro tregon për pasionin e saj për polifoninë si dhe aktivitetet ku ajo ka marrë pjesë gjatë karrierës artistike.
Paro Ziflaj (Foto personale)
CMG: Flasim pak për fillimet tuaja në këngën polifonike që e keni lëvruar për gati 50 vjet. Keni pasur dikë në familjen tuaj që këndonte polifoninë?
Paro Ziflaj: Në fillimet e mia që kur kam qenë e vogël në klasë të dytë, mbaj mend që nëna më merrte gjithmonë me vete, sepse ajo ishte këngëtare soliste dhe valltare dhe bashkë me shoqet e saj më merrte në provat ku ata këndonin e kërcenin në fshatin Lekdush. Mua më pëlqente kur i shikoja dhe ndoshta që aty e mora atë shkëndijën e parë për këngën. Pastaj që në shkollën fillore dhe më vonë në 8 vjeçare bënim konkurimet me klasat e Progonatit, Kurveleshit, Nivicës dhe disa fshatrave të tjerë. Më vonë pastaj erdhi viti 1968 që u rrita dhe shkuam në festivalin e parë të Gjirokastrës me të rejat e Lekdushit ku konkuronin të gjitha grupet e rrethit të Tepelenës dhe ne konkuruam dhe morëm çmim si fshat.
Paro Ziflaj duke interpretuar (Foto personale)
CMG: Kjo ishte hera e parë që ju u ngjitët në skenën e festivalit të Gjirokastrës?
Paro Ziflaj: Po, ky ishte festivali i parë që ne u paraqitëm dhe mbas atij festivali e deri sot unë nuk kam ndalur së kënduari. Kam qenë në të gjitha festivalet e Gjirokastrës që nga festivali i parë në vitin 1968 dhe në vazhdim sa festivale janë bërë.
CMG: Më vonë ju u bashkuat me grupin polifonik të Bënçës, ku keni interpretuar në festivalin folklorik të Gjirokastrës.
Paro Ziflaj: Nga viti 1968 deri në vitin 1973 unë jam paraqitur me grupin e të rejave të Lekdushit dhe në vitin 1973 po në festivalin e Gjirokastrës jemi paraqitur me një këngë që përfaqësonim fshatin Zhapokikë të Tepelenës. Pastaj pas vitit 1973 fillova me grupin e Bënçës ku kënduam “Bijë çobanësh neve jemi” që u prezantua dhe Bënça me mua dhe u bëmë të pandashëm dhe shumë të dashur për publikun.
Paro Ziflaj me kengetaren Irini Qirjako (Foto personale)
CMG: Ju bashkë me grupin e Bënçës keni marrë pjesë dhe në shumë aktivitete jashtë vendit. Si e kanë pritur të huajt polifoninë dhe grupin tuaj?
Paro Ziflaj: Polifonia gjithmonë pritet mirë sepse për të huajt është një gjë e jashtëzakonshme. Të këndosh pa dirigjent, pa vegla muzikore, vetëm me fyt dhe ata na shikonin se çfarë kishim vendosur në gojë, a kishim ndonjë gjë të veçantë apo ndonjë instrument. Të gjithë njerëzit habiteshin dhe na prisnin shumë bukur sepse me të vërtetë polifonia është shumë e bukur për ata që e ndjejnë dhe e duan.
CMG: Mendon se brezi i ri e do këngën polifonike sot, apo ka një zbehje te ky brez për ta kultivuar dhe interpretuar polifoninë?
Paro Ziflaj: Të them të vërtetën kam hasur shumë të rinj që i kam parë në kanalin YouTube që mundohen t’i këndojnë dhe janë zëra shumë të bukur. Mirëpo kur bashkohen zërat, marrësi, kthyesi, hedhësi dhe isoja, aty shkëlqen kënga. Ka dhe nga ata të tjerë që imitojnë të tjerët dhe nuk e kanë gjetur vetveten. Janë të rinj dhe nuk kanë faj sepse tani nuk ka organizime. Dikur ne na organizonin, ne kishim dhe një regjisor te shtëpia e kulturës. Me të vërtetë talenti është i lindur dhe është dhunti, por kur dhe tjetri të mëson dhe të ndihmon edhe me tekstet, por dhe me mënyrën sesi hyn dhe të del në skenë grupi polifonik. Sot të gjithë janë bërë profesionistë dhe mund të hyjnë dhe të dalin në skenë sipas qejfit ose rregullave që kërkohen, ndërsa atëhere ne dilnim sipas dëshirës tonë sepse dhe ajo ka një rregull hyrja dhe dalja në skenë.
Paro Ziflaj me kengetaren Merushe Xhihani (Foto personale)
CMG: Për gjithë kontributin tuaj 50 vjeçar në polifoninë dhe muzikën popullore keni marrë disa vlerësime ku së fundi jeni vlerësuar me titullin “Mjeshtër i madh”. Si jeni ndjerë me gjithë vlerësimet e marra gjatë karrierës suaj artistike?
Paro Ziflaj: Me thënë të vërtetën është kënaqësi sepse në fund të fundit është një vlerësim për punën që kam bërë gjithë këto vite ku unë kam mbi 50 vjet në skenë. Kushdo që punon ka kënaqësi edhe të vlerësohet. Jam ndjerë shumë mirë për vlerësimin që më kanë bërë dhe shpresoj që dhe të gjithë kolegët e mi që nuk e kanë marrë këtë vlerësim dhe kanë shumë vite në skenë, uroj që sa më shpejt dhe ata të marrin titullin.
Paro Ziflaj me kostum popullor ( Foto personale)
CMG: Vitet e fundit ju kemi parë të këndoni dhe këngë të muzikuara, përveç atyre polifonike. Pse erdhët me një gjini tjetër muzikore?
Paro Ziflaj: Pas këngëve polifonike nuk e mendoja se do të këndoja këngë të muzikuara. Dikush më thoshte që të filloja të këndoja këngët popullore të muzikuara ose siç quhen ndryshe turbofolk, por që unë doja t’i qëndroja besnike polifonisë. Megjithatë një shtysë ma kanë dhënë grupi Djemtë e Vjosës, të cilët më kërkuan dhe kam bërë dy-tre kolazhe ku u pritën shumë mirë nga publiku. Që aty që mora këtë shtysën më pëlqeu dhe pse mos ta bëja dhe këtë kur më thanë që e bëj mirë. Ka dhe nga ata që më thonë se nuk më shkon kjo kënga, por më shkon polifonia.
CMG: Znj.Ziflaj ju jeni shumë e kërkuar nëpër koncerte dhe gëzime familjare. Ju kërkojnë të këndoni dhe këngë polifonike në këto evente?
Paro Ziflaj: Ka shumë që kërkojnë këngë polifonike nëpër evente dhe gëzime familjare. Mirëpo polifonia është pak e vështirë sepse po nuk u bënë komponentët bashkë, marrës, kthyes, hedhës dhe iso, duket si e thjeshtë por nuk është kaq e thjeshtë. Edhe unë para se të filloja këngën e muzikuar, mendoja se polifonia ishte më e thjeshta nga të gjitha, tani e kuptoj dhe ja njoh vlerat. Po nuk ishin njerëzit tamam për atë punë që duhej, nuk ecën mirë polifonia, kënga çirret, nuk mbahet isoja mirë, njëri hyn shpejt, tjetri del vonë dhe kështu me radhë. Ka dhe polifonia dirigjentin e vet.
Paro Ziflaj ne interviste per CMG
CMG: Gjatë gjithë karrierës suaj muzikore keni interpretuar live, por ka dhe këngëtarë që nuk këndojnë gjithmonë live. Mendoni se të kënduarit live i jep më shumë emocion këngëtarit dhe publikut?
Paro Ziflaj: Sot dhe ato që këndojnë playback duan që ta bëjnë këtë punë, por e bukura që të ngjall emocion është të kënduarit live kudo që të shkosh, po këndove live është më bukur. Ka dhe njerëz që thonë se nuk këndojmë gjithë natën nëpër dasma live. Unë e them me bindje se është mëse e vërtetë që këndojmë gjithë natën live, për kaq sa këndoj nuk ka ndodhur asnjëherë që të mos këndoj live.
CMG: Keni 20 vite që jeni larguar nga Tepelena, qyteti ku nisët rrugëtimin e këngës. Të mungon qyteti juaj i lindjes dhe a shkoni shpesh ta vizitoni?
Paro Ziflaj: Ndonjëherë kam pak nostalgji për të shkuar për vendin e punës, por Tepelena është afër tani dhe shkojmë edhe për raste, ose kur kalojmë në Gjirokastër, Sarandë apo Athinë, kthehem në Tepelenë dhe pi një kafe me kolegët dhe shokët aty. Kështu që jam e çmallur me Tepelenën.
CMG: Keni disa këngë në bashkëpunim me këngëtarë të tjerë. Cilat kanë qenë bashkëpunimet e fundit?
Paro Ziflaj: E vërteta është se mua më kërkojnë shumë këngëtarë, dhe mua më ka pas pëlqyer kur më kërkonin për të bërë duete, ngaqë unë këndoja gjithmonë me Golikun, dialogu është shumë i bukur sepse kur je vetëm nuk flet dot, as merr dhe as jep. Kam bërë shumë duete, dhe tani mendoj se jam mërzitur dhe ka ardhur koha që mos t’i bëj prapë ato. Bashkëpunimi i fundit ka qenë me një këngëtare të Skraparit, Dashurie Hysa, me Dule Malindin, me Alket Zajmin që po e vazhdoj bashkëpunimin. Kam bërë dhe një duet me bashkëqytetaren dhe shoqen time Merushe Xhihanin sepse kam qenë kolege prej 40 vjetësh në Tepelenë, një këngë të bukur për motrat, ngaqë unë nuk kam motër vetë dhe më pëlqeu teksti dhe e realizuam si këngë.
Paro Ziflaj me grupin polifonik te Bences
CMG: Keni ndonjë projekt artistik apo këngë të re për të realizuar së afërmi?
Paro Ziflaj: Në fakt dua të bëj diçka vetë sepse boll bëra duete, dua të kem disa gjëra të miat sepse pasioni nuk të le. Kur mbaron një projekt thua të bëj prapë edhe pse janë të lodhshme dhe të kushtueshme, por dua të bëj diçka që mos të më mbetet merak pse se bëra.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe adhuruesit tuaj.
Paro Ziflaj: Unë i përshëndes kudo që ndodhen shqiptarët, i uroj të jenë me shëndet dhe lumturi për të gjithë.
Intervistoi: Gazmend Agaj