Këngëtarja e njohur e Tropojës Vitore Matoshi shënon me qindra këngë në repertorin e saj, interpretime të cilat edhe pas shumë vitesh, ngrenë peshë shpirtin e artdashësve të muzikës së pastër popullore, ashtu siç këndohej dikur në festa e gëzime. Por Vitorja është edhe një arsimtare dinjitoze, që me mbështetjen e familjes, arrin të bëjë bashkë pasionin për këngën dhe dijen. Në një intervistë për CMG ajo tregon për karrierën e saj muzikore, punë si mësuese si dhe aktivitetet artistike në diasporë.
CMG: Znj.Matoshi përshëndetje dhe kënaqësi që jeni e ftuar në emisionin Bio Folk.
Vitore Matoshi: Faleminderit për ftesën. Është edhe kënaqësia ime që jam e pranishme në Bio Folk dhe të shpalos folkun shqiptar të veriut, krijimtarinë dhe debutimin në skena të ndryshme.
CMG: Ju jeni nga të rrallat artiste, që e keni ruajtur me fanatizëm muzikën tradicionale të veriut, duke e interpretuar këngën pastër dhe të padeformuar.
Vitore Matoshi: Në fakt është e vërtetë që kur kam qenë fëmijë dhe dola për herë të parë në skenë, kënga e parë që kam kënduar ka qenë folk dhe këtë ma ka ushqyer mësuesja ime Fatime Sokoli. Ajo ka qenë mësuesja ime e muzikës, e cila më shtyu drejt folkut dhe si duket aty e gjeta veten, dhe nuk kam tentuar asnjëherë të devijoj. Gjithmonë kam qëndruar në folk, ndonjëherë popullore e përpunuar, por më shumë folk.
CMG: Keni një karrierë tashmë të gjatë artistike me muzikën folklorike shqiptare, ku keni realizuar dhe shumë duete. Ndjeheni e plotësuar artistikisht?
Vitore Matoshi: Njeriu gjithmonë kërkon nga vetja normalisht. Mund të them e plotësuar, por jo 100 për qind sepse njeriu gjithmonë kërkon më shumë. Përsa i përket dueteve si dhe këngëve solistike, kam arritur goxha mirë, por prapë duhet akoma më tepër sepse njeriu deri në fund të karrierës kërkon më shumë nga vetja.
CMG: Keni udhëtuar në shumë vende të botës me këngën tuaj. Cilat kanë qenë aktivitetet tuaja të fundit në diasporë?
Vitore Matoshi: Aktivitetet muzikore më të fundit kanë qenë të këtij viti, dhe për festat e fundvitit unë bëra një turne në SHBA, New York më shumë dhe aty me të thënë të drejtën ishte goxha mirë, shpalosëm folkun dhe muzikën popullore. Bashatdhetarët na pritën me të vërtetë shumë mirë. Pavarësisht se shumë këngëtarë kanë udhëtuar drejt Amerikës, unë aty gjeta vendin që më takon.
CMG: Në turnetë në diasporë ka më shumë atmosferë ndaj këngës popullore?
Vitore Matoshi: Sigurisht që po, sepse bashkëatdhetarët janë të përmallur për atdheun, i merr malli për muzikën e hershme dhe aktuale, por ata pëlqejnë muzikën që është ruajtur shumë e pastër, e pacënuar dhe pahuazuar.
CMG: Në shumicën e videoklipeve jeni e veshur me kostumin tradicional popullor. E përdorni kostumin popullor edhe gjatë koncerteve?
Vitore Matoshi: Pothuajse shumicën e rasteve unë vishem me kostumin popullor tradicional të veriut, ndonjëherë me kostumin e Kosovës, kostumin e Tropojës dhe Pukës, të këtyre trevave dhe e shoh që e vesh kaq mirë muzikën folklorike sa njëra pa tjetrën nuk mund të bëjnë. Unë mendoj se kënga është e cunguar nëse del me një fustan dhe të këndosh një muzikë folk me çifteli.
CMG: Ju personalisht e keni mëuar çiftelinë?
Vitore Matoshi: Mund të them që kam mësuar gjëra minimale dhe jo shumë, por di t’i bie çiftelisë sepse këtë ma mësoi mësuesja ime Fatime Sokoli. Ajo herën e parë që më takoi më tha që çiftelia është shoqja jote dhe këtë mos e ndaj nga vetja.
CMG: Si një këngëtare me shumë eksperiencë, cili është mendimi juaj për brezin e ri të këngëtarëve popullorë?
Vitore Matoshi: Në fakt unë po flas si mësuese tani dhe përpiqem që brezit të ri t’ja ushqej në qelizë muzikën folklorike dhe popullore, që të mos humbasë asnjëherë muzika folk, por të ruhet e pastër dhe e pacënuar nga asgjë, sidomos nga orienti sepse shikoj një tendencë.
CMG: Ju jeni dhe një mësuese karrierë prej shumë vitesh. E dashuroni këtë profesion dhe si janë marrëdhëniet tuaja me kolegët dhe nxënësit?
Vitore Matoshi: Faktikisht e dua shumë këtë profesion, ndaj unë bëra kaq vite që ushtroj profesionin e mësueses. Më nxënësit e mi kam marrëdhënie të shkëlqyera, përpiqem t’i shtyj drejt artit dhe të zbuloj elemente të reja. Po kështu edhe me kolegët ku çdo mbrëmje që bëhet në shkollë, unë mund të këndoj për ta live në sensin shoqëror, por ndonjëherë dhe e organizuar me kolektiva arsimtarësh.
CMG: Ju Vitore këndoni gjitmonë live. A mendon se duhet rikthyer të kënduarit live nga të gjithë artistët për çdo lloj eventi?
Vitore Matoshi: Unë vetë nuk e kam provuar asnjëherë të këndoj playback sepse më duket sikur më kanë këputur krahët ose fytin, më duket shumë fallco. Të kënduarit live sado që nuk je në formë ndonjëherë, por live është me e mira dhe këtë do të kërkoja nga të gjithë.
CMG: Jeni gjithmonë në skenë e kuruar me lukun tuaj ku transmetoni paqe, qetësi dhe buzëqeshje. Edhe në jetë jeni e tillë?
Vitore Matoshi: Nuk e di, por ndoshta është dhuratë nga natyra, por buzëqeshja dhe ëmbësia nuk më kanë munguar kurrë edhe në marrëdhënie me familjen, me shoqet, me kolegët, me nxënësit reflektoj mirësi. Ndoshta kjo është dhuratë nga natyra, e paimponuar nga unë.
CMG: Sa e vështirë ka qenë për ju si një familjare për udhëtimet me koncerte dhe për të menaxhuar të gjitha këto angazhime?
Vitore Matoshi: Ka qenë e vëshitë sepse të jesh një grua familjare, të rrisësh fëmijë, të kesh familje mbi supe sigurisht që është sakrificë. Ka pasur raste që fëmijët e mi të rrinë me bashkëshortin ose me prindërit, por është sakrificë. Unë ja kam dalë sepse kam mbajtur profesionin e mësueses, kam mbajtur këngën, familjen dhe ndjehem shumë e realizuar në këtë gjë.
CMG: Mbështetjen e familjes e keni pasur gjithmonë në rrugëtimin tuaj artistik?
Vitore Matoshi: Patjetër, dhe për këtë dua ta falenderoj publikisht bashkëshortin, i cili është krahu im i fortë që më ka mbajtur mua, familjen dhe më ka mbështetur pafundësisht.
CMG: Në arkivin tuaj muzikor keni disa këngë të bukura, por unë do të veçoja këngën “1000 vjet valle Tropoje”, e cila është pëlqyer shumë. Si ka qenë reagimi i publikut kur keni publikuar këto këngë?
Vitore Matoshi: Unë shoh që publiku i do këngët e mia. Kënga “1000 vjet valle Tropoje” ka qenë një spunto kur një mëngjes më erdhi në mendje ky titull të cilin e shkruajta në një copë letër dhe pastaj vazhdova të punoja me këtë tekst. Kur e mbarova tekstin, në bashkëpunim me poetin Gjovalin Dushaj e arritëm ta përfundojmë si këngë dhe shoh që pëlqehet akoma sot pas 13 vitesh. Mund të cilësoj edhe këngën “Xinxilushja”, e cila është shkruar nga unë në vitin 2000 në qytetin e Strugës dhe kjo këngë mbeti hit i hiteve, e shkruar me tekst dhe muzikë nga unë dhe të gjithë e këndojnë. Kështu që krenohem me krijimtarinë dhe performancën time gjatë këtyre viteve karrierë.
CMG: Përveç këngës dhe mësimdhënies, keni ndonjë pasion tjetër?
Vitore Matoshi: Pasion i imi ndoshta i pashpalosur ka qenë piktura, të cilën e kam dashur që e vogël dhe ndoshta mbeti e parealizuar sepse nuk mbahen shumë kunguj nën sqetull thotë populli. Mund të them edhe për interpretimin në skenë të ndonjë komedie apo teatri do të ishte mirë, por nuk jam futur aty sepse e shoh që nuk arrij dot t’i mbaj të gjitha.
CMG: Cilat janë planet tuaja artistike në të ardhmen?
Vitore Matoshi: Së shpejti do të kem bashkëpunime artistike me këngëtarë të njohur, por që nuk dua të dal në emra të përveçëm. Unë jam duke punuar dhe do të realizoj një duet me vëllain tim Dionis Delia, i cili ndodhet në Amerikë. Unë kam pasur shumë bashkëpunime me vëllain dhe nuk e kemi ndarë rrugën asnjëherë qëkur kemi qenë fëmijë ku njëri ishte 10 vjeç dhe tjetri 12, nuk i kemi ndarë asnjëherë bashkëpunimet bashkë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për adhuruesit tuaj dhe dëgjuesit e Radio Ejani.
Vitore Matoshi: Në radhë të parë ju përshëndes juve që më bëtë pjesë të emisionit në Radio Ejani. Përshëndes të gjithë ata njerëz që dëgjojnë muzikën time, përshëndes brezin e ri dhe i ftoj që ta ruajnë muzikën popullore të pastër si ujë kristali, sepse muzika shqiptare është e veçantë, mos e përzieni me ngjyra të tjera se del pa kuptim.
Intervistoi: Gazmend Agaj