Hava Bekteshi do të mbahet mend si artistja e parë shqiptare që ka interpretuar, por njëkohësisht e ka bërë pjesë të Orkestrës së Elbphilharmonisë së Hamburgut, instrumentin shqiptar me dy tela, çiftelinë. Tingujt e këngës së bukur shqipe “Tingëllon teli i çiftelisë“ u interpretuan me aq shumë dashuri dhe profesionalizëm për herë të parë në një koncert madhështor në Gjermani, duke i mahnitur të gjithë me tingujt e saj. Projektet muzikore kanë qenë të shumta si në Gjermani, por edhe në shumë vende të tjera si Itali, Zvicër,Turqi, etj.
Ëndrra e Havasë ishte të kryente një fakultet dhe studioi në Fakultetin Ekonomik, profesion të cilin e ushtroi deri në vitin 2016, por që nga ai moment e deri më sot ajo punon si mësuese e licensuar e gjuhës gjermane. Njëkohësisht Havaja angazhohet çdo ditë në Orkestrën e Elbfilarmonisë së Hamburgut. Të dyja profesionet i do shumë, por mësimdhënia e përmbush, ndërsa dashuria për muzikën i dhuron energji pozitive për të ecur përpara. Për CMG ajo rrëfen rrugën e saj dhe punën e palodhur disavjeçare për të arritur në filarmoninë e Gjermanisë, interpretimin e saj me çifteli në kolonën zanore të serialit të njohur turk “Çukur”, koncertetet dhe sukseset nëpër Europë, etj.
CMG: Përshëndetje Hava! Kënaqësi që je me në në programin "Muzika shqip"!
Hava Bekteshi: Kënaqësia është edhe e imja, faleminderit shumë për ftesën!
CMG: Na trego pak për veten, vendin e lindjes dhe lidhjet që ke aty?
Hava Bekteshi: Unë jam me prejardhje nga një fshat i Gostivarit dhe quhet fshati Gorit, i cili njihet për trashëgimi dhe ruajtjen e traditave ilire, duke u bazuar edhe tek veshjet kombëtare, që ruhen ende nga vendasit. Është një veshje shumë e veçantë dhe e bukur. Dua të theksoj se në këtë fshat flitet gjuha shqipe shumë pastër e nuk përdoret dialekti. E gjithë familja ime jeton në mërgim dhe fatkeqësisht e vizitoj shpesh këtë vend. Kam 30 vite që jetoj në Gjermani dhe kur isha e vogël, shkonim me prindërit dhe e vizitonim dy herë në vit atë vend. Tani që jetojnë të gjithë familjarët jashtë, jeta është bërë më dinamike, ka më pak kohë dhe vizitat janë më të rralla. Ky vend tani është zbrazur shumë, kanë ngelur vetëm pak shtëpi, janë pak njerëz dhe më vjen shumë keq për këtë.
CMG: Ti sot u bëre shumë e njohur për publikun shqiptar për interpretimin tënd me çifteli në orkestrën e Gjermanisë. Sa punë u desh për të arritur deri këtu?
Hava Bekteshi: Puna ka qenë graduale dhe më është dashur shumë angazhim e përkushtim.
CMG: Ishte ky synimi yt që në fillim?
Hava Bekteshi: Fillimisht çiftelia për mua ka qenë pasion dhe e kam ushtruar si hobi. Dikur e pata si synim, duke parë se çfarë jehone dhe rëndësie ju dha instrumentit të çiftelisë dhe projekt pas projekti unë fillova ta prezantoja atë në sallën e madhe të Elbfilharmonisë e Hamburgut.
CMG: Si e kanë pritur gjermanët këtë gjë dhe si kanë qenë komentet e tyre?
Hava Bekteshi: Duke parë kontributet e përkushtimit tim disa vjeçar, kjo tregon vetvetiu se sa është e mirëpritur. Ka qenë një rast shumë i bukur në vitin 2019 kur dirigjenti i një koncerti të madh, dëgjoi për herë të parë tingullin e çiftelisë, menjëherë reagoi. Ktheu kokën nga unë dhe i çuditur më pyeti se si quhet ky instrument, duke e cituar me fjalët: "Wow, What a beautiful sound” (Sa tingull i bukur!). Ka pasur dhe shumë komente të tjera, por kjo më ka lënë përshtypje. Dua të them se ky instrument u ka lënë të gjithëve shumë përshtypje dhe nuk u besohet që ka vetëm dy tela dhe befason gjithmonë pozitivisht.
CMG: Je vlerësuar si artistët gjermanë, apo ke ndjerë racizëm si e huaj aty?
Hava Bekteshi: Apsolutisht jo! Nuk kam ndjerë në asnjë moment shenja racizmi, por fatkeqësisht unë e shoh edhe mes shqiptarëve që ka komplekse që e konsiderojnë çiftelinë si jashtë mode, apo të prapambetur. Ky fakt më bën të ndjehem keq sepse me punën time shumë vjeçare në mërgim e kam treguar se kjo nuk është e vërtetë dhe ky instrument është më shumë se sa mendojmë ne.
CMG: Sa këngë shqiptare ke interpretuar me këtë orkestër dhe në sa qytete?
Hava Bekteshi: Me këtë orkestër me Filarmoninë e Hamburgut kam prezantuar deri tani dy këngë. E para ishte më 25 maj të vitit 2019 në një koncert madhështor, ku për herë të parë prezantova çiftelinë në sallën e madhe të Elbfilharmonisë me një këngë shqipe të quajtur "Tingëllon teli i çiftelisë". Mori shumë vëmendje performanca ime aty si nga stafi, por dhe nga media gjermane, ku u përzgjodha si protagoniste kryesore dhe realizuan edhe një portret në televizionet gjermane. Aty u tregua e gjithë puna ime kryesisht me çifteli dhe këngët shqipe. Gjithashtu më 30 Tetor të vitit 2021 u pranua kënga shqipe "Moj e bukura more" ku u interpretua dhe u këndua bashkë me korin e Elbfilharmonisë. Ndërsa me projekte të tjera kam qenë jo vetëm me korin e kësaj filarmonie, por edhe me projekte të tjera edhe jashtë gjermanisë, si Zvicër, Turqi, Itali etj.
CMG: Hava, ti ke qenë talent që e vogël, por nuk zgjodhe të vazhdoje muzikën si profesion, përse?
Hava Bekteshi: Sepse unë jam rritur në Gjermani në një familje shumë atdhetare, nuk e kam menduar se çiftelia bashkë me këngën shqipe do të vlerësoheshin në aspektin ndërkombëtar. Synimi im gjithmonë ka qenë që të studioja në Hamburg, pra e kam pasur ëndërr që të kryeja një fakultet dhe ja arrita qëllimit ku kam kryer Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Hamburgut.
CMG: Si është t’i mbash paralel disa profesione?
Hava Bekteshi: Pas mbarimit të Fakultetit Ekonomik, këtë profesion e kam ushtruar deri në vitin 2016. Nga ky moment e deri tani punoj si mësuese e licensuar e gjuhës gjermane. Të dyja profesionet i dua shumë, por mësimdhënia duket sikur më përmbush më tepër.
Koha është shumë e vlefshme, por mendoj se me një menaxhim të mirë, të duhur dhe të dish t’i përcaktosh prioritetet. Në fund mund të arrish gjithçka kur arrin të bësh një menaxhin të bukur të kohës. Absolutisht që koha është shumë e limituar dhe çdo ditë jo vetëm brënda javës, por edhe në fundjavë më dalin angazhime të ndryshme, ku përpiqem të angazhohem, t’ja arrij qëllimit. Më pëlqen shumë angazhimi dhe kur punoj, ndjehem njeri i lumtur. Është shumë interesante se kur ke shumë angazhime, si puna që e bëj çdo ditë, muzika, dalin disa projekte të bukura, dhe mendoj ndonjëherë kur nuk më del koha, “sikur ta ndaja veten në disa pjesë, e t’i bëja paralelisht disa profesione” (qesh). Gjithsesi deri tani nuk kam pasur probleme dhe ja kam dalë deri në fund shumë mirë. Nëse ka vullnet, dëshirë dhe njeriu ndjen kënaqësi në atë që bën, gjithmonë ja del mbanë.
CMG: A të del koha t’u kushtosh kohë cilësore të dyja profesioneve ,por dhe familjes?
Hava Bekteshi: Natyrisht që koha është limituar, por ne i vendosim vetes prioritet dhe me një menaxhim të mirë të kohës arrihet gjithçka. Natyrisht që muzika është gjithçka, është ushqimi që më përmbush me pozitivitet. Është interesante se unë gjatë javës kam pasur prova në filarmoni dhe kur shkoj e lodhur pas punës dhe provat zgjasin 4 orë, është muzika ajo që më përmbush me energji pozitive, më jep një adrenalinë të lartë. Kur shkoj në shtëpi nuk e ndjej lodhjen dhe ndjehem kaq e lumtur dhe mendoj se ja vlen e gjithë lodhja, sakrifica që bëj. Aty jam në kontakt të vazhdueshëm me njerëz fantastikë, profesionistë dhe mendoj se ja vlen çdo sakrificë.
Sa i përket familjes, ne jemi një familje e madhe shqiptarësh. Babai im ka emigruar në Gjermani kur ka qenë një djalë i ri që në vitin 1967, me synimin për të ndërtuar një jetë të re. Sigurisht që këtu ka realizuar ëndrrat e veta dhe ka punuar deri sa ka dalë në pension. Bashkimi familjar është bërë në fillim të viteve ’90 dhe prej asaj kohe ne jetojmë të gjithë në Hamburg. Kam dy vëllezër e tre motra, së bashku jemi 6 fëmijë. Mendoj se prindërit luajnë një rol shumë të madh, sa i takon edukimit të fëmijëve. I jam falenderuese prindërve të mi, të cilët janë lodhur që të na edukojnë në një formë sa më të duhur e sa më shembullore që të bëhemi të pavarur, duke ruajtur traditat shqiptare, gjithashtu që t’ja dimë rëndësinë jetës, në mënyrë që të bëhej gjithsecili i pavarur.
CMG: Cilat janë planet e tua artistike në të ardhmen?
Hava Bekteshi: Natyrisht projektet do vazhdojnë dhe instrumenti ynë autokton çiftelia të marë edhe më shumë vëmendje se tani. Qëllimi im ka qenë dhe është që ky instrument të njihet dhe zyrtarizohet si instrument shqiptar. Dhe shpresoj që t'ja arrij këtij qëllimi edhe më shumë.
CMG: A e ke menduar ta sjellësh me ndonjë projekt këtë orkestër në vendin tënd të lindjes, apo në Shqipëri?
Hava Bekteshi: Padyshim që dëshira ime si artiste ekziston dhe ka shumë interesim për bashkëpunëtorët e mi, por sa i përket organizimeve të kësaj natyre nevojitet dhe mbështetja institucionale sa i përket vendit tonë të prejardhjes. Këtë e shoh si një mangësi dhe në shumë raste e nënvlerësojnë kontributin e artistëve që veprojnë jashtë vendit. Do dëshiroja që institucionet tona, ambasadat të bëjnë punën e tyre ashtu si duhet.
CMG: Të falenderoj për këtë intervistë dhe të uroj suksese në vazhdim!
Hava Bekteshi: Ju falenderoj dhe ju që më bëtë pjesë të programit tuaj, duke e vlerësuar jashtëzakonisht punën time. I përshëndes të gjithë dëgjuesit dhe lexuesit dhe ju përshëndes përzemërsisht nga Hamburgu.
Intervistoi: Sava Lena