Mimoza Bekteshi ka qenë soliste e valles në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore dhe koreografe e njohur, e cila prej vitesh punon me fëmijët. Guximi, talenti dhe puna, janë tre komponentët që e kanë bërë të jetë në skenë edhe pas katër dekadash. Prej vitesh, karriera e saj artistike është ndërprerë, por puna e saj me talentet e vegjël të skenës, kanë rrëmbyer vlerësimet maksimale. Çmimet dhe vlerësimet që ka marrë ndër vite në skena të ndryshme evropiane, janë një domethënie tepër bindëse për sukseset e kësaj artisteje. Vitet e koreografes Mimoza Bekteshi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, janë triumfi i karrierës artistike, duke mos lënë pas edhe punën me talentet e reja. Në një intervistë për CMG, ajo tregon për fillimet e saj si balerinë, lidhjen e veçantë me dy ikonat e skenës Panajot Kanaçin dhe Agron Aliajn, kalimin nga një balerinë në një valltare të Ansamblit, si dhe punën e madhe për ngritjen e shkollës “Centro Danza Mimoza” në Itali dhe Shqipëri.
CMG: Karriera juaj artistike tashmë ka kaluar mbi katër dekada. Si i kjutoni fillimet tuaja si balerinë dhe valltare e valles popullore?
Mimoza Bekteshi: Është një koinçidencë e bukur sepse unë fillova në fillim me vallen, kanë qenë pallatet e pionerit të organizuar me koreografë dhe pedagogë shumë të mirë si Abedin Duli, që kanë nxjerrë mjaft artistë. Ky ka qenë ndoshta hapi i parë ku vazhdova me gjithë kolegët e mi në baletin klasik dhe që është një bazë shumë e mirë për çdo balerin, që zhvillon të gjitha zhanret e baletit, si popullore, klasike, konteporane dhe moderne.
Kemi qenë një brez me shumë fat që kemi punuar me artistë të mëdhenj, njerëz që na dhanë mjaft edukim të bukur artisik, pasionin, elegancën, kulturën në skenë, pra gjërat më të bukura që ekzistojnë për një artist.
CMG: E kishit të vështirë kalimin nga një balerinë klasike në soliste të Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore?
Mimoza Bekteshi: Nuk e kisha të vështirë sepse ne kemi studiuar me pedagogët Agron Aliaj dhe Pëllumb Agalliu të baletit klasik, por kemi studiuar edhe vallet popullore po me artistët e mëdhenj si Gëzim Kaceli, i cili ka qenë një koreograf që kishte studiuar në Balshoi. Pra nuk është se ka vështirësi, por vetëm duhet të kesh dashuri për baletitn në çfarëdolloj zhanri.
CMG: Keni pasur ndonjë person që ju ka përkrahur më shumë në fushën e baletit dhe valles?
Mimoza Bekteshi: Unë kam pasur mbështetje nga Agron Aliaj por dhe Pëllumb Agalliu më shumë, që insistonte që të hyja në baletin klasik, dhe aty kam qenë me Ilir Kernin, Albana Sulejmanin, Lulëzim Bakallin dhe kemi punuar jashtë mase në këtë zhanër. Dëshira ime për vallen popullore më lindi në momentin kur në opera shikoj Lili Cingun. Kështu që mua më lindi një ide se pse të mos futesha në ansambël ku pëveç daljes jashtë shtetit që ishte një kënaqësi shumë e madhe dhe një ëndërr e bukur e çdo artisti në atë kohë, por figura që ishte shumë e bukur e këtyre artistave të ansamblit shtetëror.
CMG: Ju me ansamblin keni qenë edhe në shumë koncerte jashtë vendit ku shpesh jeni cilësuar si valltare që keni përcjellë vlerat kombëtare në çdo vend ku keni shkuar. Si jeni ndjerë përpara publikut të huaj?
Mimoza Bekteshi: Kemi pasur fatin në atë kohë që kemi shëtitur botën me punën e madhe të artistit gjigant Panajot Kanaçi, që ka qenë një fat jashtëzakonisht i madh, përveç nivelit artistik të lartë dhe aftësisë së tij, ai kishte edhe një kulturë të madhe të cilën e transmetoi edhe te ne artistët. Kështu që kur debutonim nëpër skenat e mëdha të botës, publiku i huaj ngelej i mahnitur dhe kur mbaronim koncertin vinin na takonin dhe na thonin se përveç se jeni shumë të mirë, jeni dhe shumë të bukura. Kënaqësia ime më e madhe është se unë tani shëtis me nxënësit e mi, vazhdojmë me folklorin, klasiken dhe modernen ku kemi pasur shumë sukses. Një çudi e madhe është kur ngrihet salla në këmbë me vallen popullore dhe kjo gjithmonë më bën të falenderoj pedagogët e mi që më dhanë një pasuri shumë të madhe.
CMG: Pas viteve 90-të, në kulmin e karrierës suaj ju zhvendoseni në Kalabri ku ngritët dhe shkollën e baletit dhe të valles. Çfarë kujtoni nga vitet ku ju dhatë kontribut të mësimit të valles shqiptare te arbëreshët?
Mimoza Bekteshi: Që në fillim kur shkuam, rastësisht takuam një studiues të folklorit, të cilin e kemi pasur dhe në Institutin e Folklorit ku koreografi Panajot Kanaçi na çonte vazhdimisht për të parë tabanin e valleve tradicionale. Ai ishte një arbëresh, një studiues dhe me një pasion jashtëzakonisht të madh. Ngaqë vinte shpeshherë në Teatrin e Operas njihet me mua dhe bashkëshortin tim Andrea dhe kur na pa tha se është fat që na kanë ardhur dy artista të mëdhenj. Atje gjetëm dhe profesorin Gëzim Kaceli dhe për atë ishte kënaqësi që i kishin ardhur dy nxënësit. Kështu që ne bëmë një grup të madh së bashku, në fillim ishte profesori Gëzim Kaceli, pastaj e vazhduam unë me Andrean dhe u bë një grup jashtëzakonisht i bukur. Kemi shkuar dhe në emisionin “Una mattina” të televizionit shtetëror Italian Raiuno, dhe me kalimin e viteve hapëm një shkollë dhe ishim të ftuar dhe në “Canale 5”. Pra u bëmë shumë të rëndësishëm me vallen popullore sepse ne kemi një folklor shumë të veçantë, një trajtim të valles që ka bërë profesor Panajoti ku dhe ne ecëm në hapat e profesorit tonë, kështu që vazhdonte suksesi.
CMG: Familja juaj ishte ndërtuar në baza artistike, pasi dhe bashkëshorti juaj Andrea Kokeri ishte një valltar i skenës.
Mimoza Bekteshi: Është gjë e bukur kur në familje janë dy artista sepse është bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. Në sajë të trajtimit si koreograf është gjë pozitive, por më e bukura dhe më pozitivja ishte se profesor Panajoti mua më shihte mbase dhe si pedagoge sepse të gjithë brezat që vinin, më vendoste mua që të mësoja këto nxënës dhe mbase ai e zbuloi këtë lloj aftësie që kisha. Krahas kësaj mori dhe Andrea Kokerin që është koreograf sot pranë Akademisë ndërkombëtare që ne kemi, dhe e mbante afër duke i dhënë spunto derisa arriti të bënte dhe koncerte recitale me shumë sukses.
CMG: Znj.Bekteshi keni gati 16 vite që jeni zhvendosur në Tiranë. Ishte e vështirë për ju kthimi nga Italia në Shqipëri dhe për të vijuar aktivitetin tuaj artistik këtu?
Mimoza Bekteshi: Ishte pak e vështirë sepse ne periudhën më të bukur të jetës e kaluam atje, por me fat sepse na rrethonin njerëz shumë të dashur. Arbëreshët janë njerëz me zemër të madhe dhe të thjeshtë si ne. Kanë dashuri dhe respekt. Ne kishim mallin për njerëzit tanë sepse ishim larg, por atje kishim një dashuri dhe një lidhje shumë të madhe, kishim nxënësit që më adhuronin dhe që ju vinte shumë keq që ne do të largoheshim. Ne kemi nostalgji dhe me bashkëshortin ikim atje në verë sepse kemi një pjesë të jetës të bukur. Të vështirë e kishim vetëm se lamë ata njerëz që na dhanë shumë dashuri, shumë përkrahje dhe respekt.
Përsa i përket kthimit në Shqipëri, normale që këtu është vendi jonë që nuk do të donim kurrë të largoheshim. Vajza ishte e para që na detyroi që të ktheheshim në Shqipëri, si dhe koleget e mia. Ne hapëm shkollën këtu nga fillimi dhe kemi pasur shumë sukses me mbështetjen e artistëve të mëdhenj Zhani Ciko, Ilir Kerni dhe tani në vazhdimësi me Zana Çelën. Pra kemi një përkrahje të bukur që artistët të dalin me dinjitet dhe pse të vegjël.
CMG: Kur keni qenë e vogël ju keni vizituar dhe Kinën. Çfarë kujtimesh ruani nga ky udhëtim?
Mimoza Bekteshi: Ai është udhëtimi më i bukur i jetës time dhe unë insistoj gjithmonë me prindërit e nxënësve për të bërë një udhëtim të tillë, sepse ne si akademi bëjmë shumë udhëtime nëpër botë. U them prindërve që t’ja sugjerojnë fëmijëve që të bëjmë këtë udhëtim sepse mbetët gjëja më e bukur në mendjen tënde kur je fëmijë. Për mua Kina ka qenë një perlë si udhëtim, kemi qëndruar tre muaj atje dhe unë kam qenë vetëm 12 vjeçe. Ka qenë një pritje madhështore,
Kina ishte shumë e bukur, njerëzit jashtëzakonisht të dashur dhe na mbanin afër sa mësuam dhe kinezçe brenda një kohe të shkurtër. Kina kishte një trupë baleti dhe një disiplinë që besoj se në botë nuk gjendet. Më kujtohet një balerinë kineze, e cila na rrinte afër sepse ne ishim të vogla. Ajo ishte soliste dhe unë nuk kisha parë një balerinë të tillë në skenë me shumë nivel. Ishte një trupë baleti e mahnitshme, plus që ishte dhe një organizim perfekt sepse ne kemi shëtitur të gjithë Kinën gjatë qëndrimit tonë tre muaj atje. Gjithashtu kemi bërë xhirime dhe në Radiotelevizion, por ishte vërtetë një pritje madhështore.
CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet tuaja artistike më të fundit këtu në Tiranë?
Mimoza Bekteshi: Për fat të mirë vazhdon miqësia midis artistëve. Me iniciativën e koreografit Arjan Sukniqi kemi bërë aktivitete te Amfiteatri i Tiranës dhe ishte shumë e bukur sepse i dha fëmijëve shumë jetë. Me hapjen e Teatrit të Operas dhe Baletit morëm pjesë në mbrëmjen gala me ftesë të drejtores Zana Çela dhe përkrahjen e Lili Cingut. Në këtë mbrëmje patëm fatin të dilnin me nxënësit tanë me një plofoni, pak konteporane dhe pak popullore, që e realizuam bashkë me bashkëshortin, ndërsa unë që kërceva çikën, i cili ishte momenti më i bukur. Ky ishte një emocion i paimagjinueshëm sepse u riktheva në skenë pas 30 viteve. Kjo ishte dhurata më e madhe për mua dhe e falenderoj shumë Zana Çelën.
CMG: Së fundi një përshëndetje dhe mesazh për brezin e ri.
Mimoza Bekteshi: Brezit të ri do i thoja që të punojnë me pasion dhe të shohin brezat e mëparshëm se si kanë punuar, ashtu si kemi parë dhe ne që kemi qenë me fat sepse kemi parë Besim Zekthin në skenë, Avni Mulën në opera, pra kemi qenë një brez që gjithmonë kemi parë. Unë i këshilloj dhe këto artista që të kenë pasion dhe koreografët të ruajnë folkun sepse kemi një folklor që nuk e ka bota. Këtë ne e kemi demonstruar në Austri ku kemi marrë çmimin e parë me vallen “Festë e madhe”. Kështu që ta ruajmë folklorin sepse është një pasuri e madhe e jona.
Intervistoi: Gazmend Agaj