Kur themi “Ninullë” mendja na shkon te foshnjat, që i zë gjumi në melodinë e qetë dhe të bukur të këngëve, që nëna u thur, si një himn dashurie, që do ta shoqërojë gjithë jetën. Është e pamundur të kujtosh ninullat, por ato janë pjesë e jetës së gjithkujt. Në kohën moderne, ninulla nuk është prekur, por si gjini, ka mbetur e papërpunuar, aq sa pothuajse të gjithë e lidhin me djepin. Ninullat po ringjallen falë pasionit për to të kantautores Ertila Koka.
Ertila është diplomuar për kanto në Akademinë e Arteve në Tiranë, por prej vitesh ka interpretuar live të gjitha zhanret muzikore, kryesisht në koncertet për publikun shqiptar në vende të ndryshme të botës. Ndonëse në pandemi Ertila ka punuar shumë për të krijuar një lloj tjetër kënge, të dashur dhe të paharruar për të gjithë. Bëhet fjalë për ninullat, që tashmë mund të quhen “Ninullat e Ertilës”, sepse është e vetmja kantautore që i ka sjellë ato në tregun muzikor shqiptar.
CMG: Karriera juaj muzikore ka shumë stacione. Falë formimit muzikor për kanto ju keni interpretuar me sukses të gjitha zhanret muzikore, muzikë klasike, e lehtë, popullore. A është muzika një trashëgimi familjare te Ertila?
Ertila Koka: Në fakt janë genet nga babi, por dhe nga mami sepse të dy kanë kënduar. Babi ka studjuar për fizarmonikë dhe kitarë dhe ka qenë ai shtysa më e madhe që unë të studjoja kanto. Realisht nuk e doja shumë kanton, por pëlqeja muzikën e lehtë, por pastaj u bënë dy dashuri të pandashme për mua, në kohën e studimeve dhe më tutje.
CMG: Jeni një këngëtare që ka studjuar për kanto, ka kënduar pjesë operistike, por ka sjellë me sukses dhe këngë si “Tumankuqe”, një nga arritjet më të mëdha tuajat në muzikën popullore. Në muzikën e lehtë keni marrë pjesë në festival prestigjoze në Shqipëri.. E reja në repertorin e Ertilës, një risi në tregun muzikor shqiptar janë Ninullat. Si lindi kjo ide dhe si është pritur ky album?
Ertila Koka: Ky album është pritur jashtë mase mirë dhe kam shpëtuar shumë nëna të reja, të cilat më bekojnë dhe më falenderojnë. Ka lindur si ide në momentin që lindi mbesa ime, të cilës i këndoja ninulla të ndryshme që unë i dija. Pata bërë dhe një ninullë për mbesën time, që është në Youtube dhe mendova pse të mos e realizoj si këngë dhe ta hedh në Youtube. Pastaj duke parë që këngët për fëmijët në Youtube nuk ishin realizuar ashtu siç duhet, vendosa që të investoj në këtë zhanër, duke lënë një trashëgimi kulturore për brezin e ri dhe besoj se do të kujtohem për këtë.
Ninullat e para u pritën shumë mirë. Bëra ninullën e Bramsit, ninullën “Qengji i vogël”, si dhe ninullën që ia kushtova mbesës sime. Duke parë që u pritën mirë dhe janë rreth 720 mijë klikime në Youtube, një arritje kjo, vendosa të krijoj dhe tre të tjera.
CMG: Në këtë kohë pandemie artistët kanë patur vështirësi, por për ty kjo periudhë ka qenë frytdhënëse.
Ertila Koka: Ka qenë një vit frymëzues, por dhe i vështirë pasi koncertet u anuluan për gati 18 muaj. Për mua që jetoj në Itali ka qenë një periudhë shumë e vështirë, por kam patur frymëzim për të punuar këngë të reja të muzikës pop, por dhe të ninullave. Tre ninullat e fundit që kam publikuar në janar u pritën shumë mire dhe dy prej tyre janë kompozuar prej meje.
CMG: Po perfeksionohesh në këtë zhanër!
Ertila Koka: Po. I kam kompozuar për dy ditë këto ninulla dhe njera prej tyre lindi kur qëndroja në kopësht dhe dëgjoja muzikë të Moxartit. Ishte një pjesë që më frymëzoi dhe kompozova këtë ninullë. Të nesërmen përsëri u frymëzova duke dëgjuar muzikë dhe kompozova ninullën e dytë, e titulluar “Fli”. Frymëzimi më erdhi nga një vokalicë dhe kur po shkruja tekstin më erdhi në gegërisht. Madje dhe montazhi tregon një nënë mirditore, sepse dhe unë vetë jam nga Mirdita.
CMG: Ninullat nga treva të ndryshme shqiptare janë një frymëzim për krijimtarinë tënde?
Ertila Koka: Ninulla “Fli” është në gegërisht dhe vargjet janë:
“Fli ti bir i nanës,
fli e andrro ,
hana na ndriçon”
Në montazhin e realizuar për këtë ninullë shfaqet një nënë mirditore pranë zjarrit, duke përkundur fëmijën në djep dhe mendoj se do të mbetet në folklorin shqiptar. Profesori im Pëllumb Vorpsi, kur e ka dëgjuar ninullën në Akademinë e Arteve, më ka kërkuar që ta transkriptoj dhe në partitura, në mënyrë që të këndohet nga kori i vajzave të Akademisë. Kjo është një arritje për mua sepse jam në fillimet e mia si kantautore në këtë zhanër dhe jam e lumtur për këtë gjë.
CMG: Jeni një këngëtare që shpesh ngjit skena me publik shqiptar në vende të ndryshme të botës. Tashmë që ka një lehtësim të masava anticovid në Europë, si janë planet tuaja për koncerte?
Ertila Koka: Këtë javë stacioni i radhës është Londra, ku do të performoj, por dhe në Itali, që shpresoj të kemi sa më shumë koncerte. Ka qenë e hidhur për ne artistët që ajo që ne duam më shumë, muzika, është ndalur për rreth dy vite. Gjithësesi koncertet vazhduan që nga nëntori dhe ka patur duartrokitje nga publiku, madje dhe pse në pandemi nuk ndaloja dot as përqafimet e tyre. Kjo është një gjë shumë e bukur! Dëshiroj të falenderoj bashkëpunëtorët e mi Ermal Pepa, që ka punuar në piano dhe orkestrim të ninullave, Bani Rushiti për masterizimin, Vilian Koçi për montazhin dhe Orjado Sinanaj për animacionet.I falenderoj pa fund, se pa punën e tyre nuk do të ishin as ninullat.