Fatbardh Karaj (Facebook)
Këngëtari i njohur nga qyteti i Krujës Fatbardh Karaj e ka nisur karrierën e tij muzikore që në moshë të vogël. Ai ka mbaruar studimet në Akademinë e Arteve në degën e kantos dhe prej disa vitesh punon në Teatrin e Operas dhe Baletit si dhe shpeshherë angazhohet me aktivitetet e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në një intervistë për CMG, ai tregon rrugëtimin e tij në fushën e muzikës si dhe projektet artistike që pret t’i realizojë së shpejti.
CMG: Kur keni nisur të merreni me muzikë?
Fatbardh Karaj: Unë kam nisur të këndoj që në klasën e tretë në fillore në qytetin e Krujës, pastaj në vitin 1998 shkova në festivalin e këngës për fëmijë në Shkodër ku arrita deri në natën finale, kënga u pëlqye dhe sot e kujtoj me mall. Pastaj konkurova në Liceun Artistik në Tiranë ku mbarova studimet për kanto dhe më pas nisa studimet në Akademinë e Arteve për kanto si tenor. Aktualisht jam në Teatrin e Operas i emëruar në korin e operas si tenor dhe njëkohësisht aktivizohem në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore ku marr pjesë në aktivitete të ndryshme.
CMG: Pra ju keni gjithë jetën që merreni me muzikë ku dhe vazhdoni të jeni një profesionist në këtë fushë.
Fatbardh Karaj: Ka rezultuar kështu sepse unë kam investuar shumë për këtë gjë. Që fëmijë kjo ka qenë dëshira dhe ëndrra e jetës sime, por ndoshta do të punojmë dhe pak më shumë për të arritur akoma më lart.
Fatbardh Karaj gjate nje aktiviteti artistik (Facebook)
CMG: Ju përfaqësoni një qytet me tradita si Kruja, por këndoni këngë popullore nga të gjitha trevat. Kur keni nisur të këndoni këngën e mirëfilltë popullore?
Fatbardh Karaj: Fillimet e para në muzikën popullore kanë qenë që në shkollën 8 vjeçare. Kur unë isha në klasën e tretë, organizohej një aktivitet artistik për festën e 28 nëntorit dhe mësuesja e muzikës Rabije Dedja të cilën dua ta falenderoj, më dalloi mes nxënësve dhe më ftoi duke më thënë se do të këndoja një këngë për festën e 28 nëntorit. Ishte vërtetë një emocion i madh dhe shkova tek qendra kulturore. Atje më pritën dhe dola për të kënduar dhe mbaj mend si tani që ka qenë kënga “Fjalët e qiririt”. Që në atë kohë nisi karriera me aktivitete që organizoheshin aty herë pas here.
CMG: Keni vite që punoni në Teatrin e Operas si dhe angazhoheni edhe në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Çdo të thotë për ju si artist të punoni në një institucion të tillë prestigjoz?
Fatbardh Karaj: Normalisht është përgjegjësi, mund, por dhe kënaqësi e madhe. Pra është e gjitha ajo se çfarë kemi dashur, investuar dhe punuar deri sot që jam aty.
CMG: Ju jeni angazhuar edhe me muzikën live në gëzime familjare. Çfarë repertori keni në këto evente?
Fatbardh Karaj: Në repertorin tim janë të përfshira të gjitha trevat shqiptare nga pak, duke filluar që nga këngët e shekullit që njihen tani, serenatat korçare si dhe këngët popullore të të gjitha trevave. Jo se bëhen të gjitha, dhe këtë dua ta theksoj, por mundohem që këngët t’i transmetoj ëmbël dhe pa e bezdisur dëgjuesin tim.
Fatbardh Karaj gjate nje koncerti (Facebook)
CMG: Si keni mundur ta ruani të pastër në interpretim këngën popullore në këtë treg muzikor të vëshirë?
Fatbardh Karaj: Unë nuk kam dashur dhe nuk jam dakort kurrë që ta transformoj muzikën. Kënga popullore është ashtu siç e ka bërë populli ose këngëtarët që ne jemi rritur, duke i dëgjuar. Unë nuk kam dashur kurrë që një këngë të këndur nga një këngëtar i mirëfilltë popullor ta marr dhe ta transformoj. Ky ka qenë synimi im që atë që dua ta bëj siç duhet ose mos ta bëj fare.
CMG: Periudha e pandemisë mbylli shumë gjëra dhe eventet artistike kanë qenë të reduktuara. Sa e keni ndjerë ju si artist këtë periudhë të vëshirë të pandemisë?
Fatbardh Karaj: Si gjithë globi edhe për mua ishte e vështirë me thënë të drejtën dhe dukej sikur gjithçka do mbyllej aty, por jo, unë kam studiuar dhe kam mësuar materiale të reja muzikore. Më e rëndësishme është se unë kam një vajzë të vogël, dhe ajo ka qenë pika që kam kaluar gjithë periudhën e pandemisë dhe nuk e kam ndjerë si shumë persona të tjerë. Jam përkushtuar më shumë vajzës dhe e kam shijuar.
CMG: Keni pasur ndonjë aktivitet muzikor gjatë kësaj periudhe të pandemisë?
Fatbardh Karaj: Kam bërë disa aktivitete, normalisht te muzika live nuk kam pasur përveç disa gjërave në studio ku dhe aty me masa mbrojtëse. Një nga aktivitetet ka qenë dhe Festivali i Këngës Tipologjike, që u zhvillua në qytetin e Elbasanit ku unë përfaqësoja qytetin e Krujës së bashku me grupin e Krujës dhe bashkë me një kolegen time bëmë disa materiale në këtë festival.
Fatbardh Karaj me kolege te Ansamblit te Kegeve dhe Valleve Popullore (Facebook)
CMG: Përmban repertori juaj popullor edhe këngët e bukura krutane?
Fatbardh Karaj: Është e vërtetë që i këndoj sepse unë jam rritur atje dhe aty kam marrë dhe bazat, dhe në çdo moment këngët krutane më shoqëronin. Te qendra kulturore e fëmijëve ishte dhe grupi i pleqve të Krujës si dhe orkestra që bënin prova, dhe unë jam rritur me ato këngë. Normalisht që kur jam në ndonjë event muzikor dhe shoh edhe ambientin apo publikun aty, i bëj këngët krutane duke i interpretuar ashtu siç janë këngët krutane. Padyshim që këngët krutane janë këngë të bukura dhe me shumë vlera.
CMG: Grupi i pleqve të Krujës është nga më të njohurit për publikun e gjere me këngët e tyre tradicionale, por a ka të tjerë artistë si ju Kruja që të transmetojnë këngën popullore brez pas brezi?
Fatbardh Karaj: Është e vërtetë që më të njohur dhe ikona të këngës krutane janë pleqtë e Krujës, por Kruja ka nxjerrë edhe shumë talente të tjera, ku pas brezit tim janë dhe disa këngëtarë të tjerë, të cilët janë munduar ta ruajnë traditën e muzikës popullore.
Fatbardh Karaj me kostim popullor (Facebook)
CMG: Flasim për aktivitetet muzikore që ju keni pasur jashtë vendit tonë. Ku keni marrë pjesë dhe si jeni pritur në këto aktivitete?
Fatbardh Karaj: Sinqerisht kudo që kam qenë duke filluar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Paris jam pritur shumë mirë. Ndërsa në Bullgari unë jam vlerësuar si zëri më i mirë i një festivali ku isha përfaqësues i Krujës. Herën e parë dhe të dytë kam qenë me Ansamblin Shqiponja sepse aktivizohesha dikur dhe gjithçka ka qenë ndryshe. Vokali dhe mënyra e interpretimit nuk diskutohet, por edhe kostumet popullore dhe çdo detaj të këngës ato i shohin me imtësi, një gjë që këtu është zbehur pak dhe duket sikur këto vitet e fundit po rikthehet, por që jashtë është komplet gjë tjetër.
CMG: E vishni shpesh në evente artistike kostumin tradicional të Krujës?
Fatbardh Karaj: Absolutisht po. Ai është një aksesor i rëndësishëm dhe unë e vesh me shumë kënaqësi.
CMG: Kujt ia dedikoni suksesin tuaj?
Fatbardh Karaj: Normalisht janë dy prindërit e mi, por më shumë mamaja ime. Ato kanë qenë shtysa dhe mbështetja ime kryesore në rrugën e muzikës dhe unë dua që t’i falenderoj shumë.
Fatbardh Karaj me familjen e tij (Facebook)
CMG: Do kishit dëshirë që dhe vajza juaj të ndiqte rrugën e artit?
Fatbardh Karaj: Unë nuk kam ndonjë dëshirë të madhe që ta fus vajzën në fushën time, por e shikoj që asaj i pëlqen edhe pse është vetëm tre vjeçe. Unë e kam marrë nëpër aktivitete dhe mbrëmjet e mia shpeshherë dhe e shoh që ka shumë dëshirë dhe ka vesh muzikor. Besoj se do e zgjedhë vetë rrugën e saj sepse është akoma shumë shpejt.
CMG: Keni ndonjë projekt artistik së afërmi?
Fatbardh Karaj: Për momentin jam duke punuar në studio dhe kam dëshirë që shumë shpejt të nxjerr dy material, të cilat janë muzikë popullore të mirëfillta. Njëra nga këngët është shkodrane, por për momentin nuk do e them titullin dhe shpresoj se do të dalë diçka e bukur, duke mos lëvizur nga ato që unë kam bërë deri tani.
CMG: Së fundi një përshëndetje për adhuruesit tuaj dhe dëgjuesit e Radio Ejani.
Fatbardh Karaj: Unë i falenderoj të gjithë për mbështetjen dhe ju uroj shëndet dhe gjithë të mirat kudo që ndodheni.
Intervistoi: Gazmend Agaj