Kompozitori Alban Hoxhaj e ka nisur karrierën muzikore që në moshë të vogël, duke pasur një mbështetje të madhe edhe nga familja e tij. Më pas, ai është formuar profesionalisht duke u diplomuar në Akademinë e Arteve në degën e kompozicionit. Pasioni i tij mbetet folku shqiptar ku kohët e fundit ka sjellë në tregun muzikor shqiptar shumë këngë popullore të jugut në bashkëpunim me këngëtarë të njohur të muzikës popullore. Në një intervistë për CMG ai na tregon për karrierën e tij muzikore si dhe projektet.
Alban Hoxhaj (Facebook)
CMG: Alban të përshëndes dhe faleminderit që pranove ftesën për në Bio Folk.
Alban Hoxhaj: Ju falenderoj për ftesën dhe ju përgëzoj për emisionin në promovimin e vlerave tona.
CMG: Ju keni disa vite që merreni me krijimtarinë e muzikës popullore dhe kryesisht asaj të jugut. Ka qenë muzika popullore një pasion i juaji?
Alban Hoxhaj: Unë kam mbaruar në Akademinë e arteve për kompozicion dhe nuk krijoj vetëm muzikë popullore, por muzikë nga të gjitha rrymat. Realiteti është se me muzikën popullore jemi rritur, na pëlqen dhe e njohim mire, sepse kjo është muzika jonë.
CMG: Keni studiuar për kompozicion, por a keni ndonjë gen nga familja juaj në lidhje me muzikën?
Alban Hoxhaj: Në lidhje me familjen dua të them se nuk është e thënë që të jenë të gjithë nga familja studiues të muzikës, sepse muzikant lind dhe nuk bëhesh, dhe më pas e kultivon nëpërmjet shkollimit. Unë vetë jam rritur në një familje, e cila e do këngën dhe muzikën, dhe në njëfarë mënyre kjo pjesa artistike nuk shprehet vetëm me muzikë, por shprehet edhe me rrethana të tjera si me pritjen dhe përcjelljen e miqve. Ne nuk na ka munguar kënga kurrë që nga gjyshi i cili i priste dhe i përcillte miqtë me këngë.
Gjithashtu babai im ka konkuruar për instrumentin e fizarmonikës rreth viteve 70-të, por nuk e vazhdoi, por ja që e vazhdova unë nga familja.
Alban Hoxhaj me kompozitorin Shpetim Saraci (Facebook)
CMG: Para disa vitesh ju keni krijuar një këngë e cila është bërë hit, e interpretuar nga Petrit Lulo dhe Farije Zogaj, pra një bashkim notash veri-jug. Si lindi ky krijim?
Alban Hoxhaj: Ajo është vërtetë një këngë madhështore dhe tani ka marrë dhe një vlerë të madhe përsa na përket ne që kemi qenë autorë të asaj këngë, sepse ka brenda dhe mallin për poetin tonë të dashur Arben Duka. Që një këngë të dalë bukur duhen tre elementë, kompozitori, poeti dhe këngëtari. Kjo këngë i ka këto elementë dhe përveç orkestracionit që unë u mundova, ndoshta ishte e shkruar që ajo këngë të dilte bukur dhe të pëlqehej. Kur e dëgjoj vetë atë këngë sot, nuk më besohet se e kam bërë unë.
CMG: Gjatë karrierës suaj keni bashkëpunuar me shumë këngëtarë të muzikës popullore. Cilët nga këngëtarët popullorë do të veçonit si bashkëpunëtorët tuaj më të afërt?
Alban Hoxhaj: Faktikisht janë bërë vite që unë merrem me këngën popullore shqiptare. Ngaqë kam shumë vite që merrem me muzikën popullore, nuk kam një apo dy këngëtarë që bashkëpunoj. Janë shumë këngëtarë që unë kam punuar dhe do të kërkoja ndjesë nëse do harroj ndonjë. Unë kam bashkëpunuar me Petrit Lulon, Majën, Mariola, Paro, Irma Libohovën, Irini Qirjakon e shumë të tjerë. Unë kam një marrëdhënie shpirtërore me të gjithë këngëtarët dhe realisht i dua edhe pa bashkëpunuar me ta.
CMG: Alban, ju keni udhëtuar jashtë vendit me shumë artistë deri në Australinë e largët. Si ka qenë pritja nga bashkatdhetarët tanë atje?
Alban Hoxhaj me kengetarin Petrit Lulo (Facebook)
Alban Hoxhaj: Është e vërtetë që unë kam udhëtuar shumë dhe arsyeja ka qenë pikërisht kënga popullore bio, e cila na ka bërë që të ndjehemi të vlerësuar edhe nëpër vendet e largëta. Unë kam qenë në koncerte në SHBA dhe disa qytete të Australisë dhe kemi organizuar disa koncerte bashkë me këngëtarët e muzikës popullore. Deri dje e donim dhe e dashuronim, por që tani jemi dhe borxhli sepse në sajë të asaj kënge kemi çuar një copë Shqipëri te shqiptarët që jetojnë prej vitesh në këto vende të largëta. Ka një gjë që këngën popullore kur e dëgjon këtu ndoshta nuk ka atë vëmendjen e duhur, por kur shkon atje larg në dhe të huaj, sjell me vete shumë kujtime. Na kanë pritur shumë mirë dhe dua të them se ka një emocion më ndryshe, sepse është publiku ai që të përcjell emocionin e vet dhe jemi magjepsur edhe me veten tone, por dhe me ata që na dëgjonin gjatë interpretimeve.
CMG: Kohët e fundit keni realizuar edhe një koncert me këngëtarë të ndryshëm popullorë në qytetin e Patosit. Na flisni pak rreth këtij eventi?
Alban Hoxhaj: Unë kam kohë që nuk po lëviz më jashtë, por nuk mund të rri duarkryq dhe këtu ku jam, pra do bëj diçka që do të vlerësohet. Sapo kam mbaruar një koncert me grupe nga të gjitha trevat e vendit. Këtë koncert e organizova në qytetin e Patosit. Unë mendoj se të organizosh një koncert nëpër qytete të vogla është aq sa madhështore, por dhe emocionuese sepse këtu në Tiranë ka më shumë aktivitete, por që në qytete të vogla ka një kuptim tjetër. Për të organizuar një koncert është e vështirë sepse çdo aktivitet ka përgjegjësitë e veta, por falë kolegëve muzikantë dhe falë këngëtarëve ne organizuam një aktivitet shumë të bukur, modest sepse e mira nuk ka fund, por e rëndësishme ishte që ishte bukur dhe më dha një emocion të madh. U mundova të bëj diçka ndryshe nga të tjerët dhe realizuam diçka shumë të bukur për publikun atje.
Alban Hoxhaj ne interviste per CMG
CMG: Keni në plan ndonjë projekt të ri artistic, apo këngë të re?
Alban Hoxhaj: Unë sapo kam mbaruar 16 kolazhe popullore që të paktën kishin nga 6-7 këngë dhe jam pak i lodhur. Do të doja që të bëja një pushim. Aktualisht kam katër këngë që po punoj në studio dhe duhet t’i mbaroj, janë dy këngëtarë jo të dëgjuar shumë si dhe dy grupe popullore, të Lunxhërisë që duhet ta mbaroj patjetër si dhe një grup të Vlorës. Janë këngëtarë me emër të polifonisë labe.
CMG: Faleminderit për këtë bisedë dhe suksese.
Alban Hoxhaj: Gjithashtu dhe unë ju uroj shumë suksese.
Alban Hoxhaj ne studion e tij muzikore (facebook)
Intervistoi: Gazmend Agaj