Lirim Hoxha është këngëtar i njohur i muzikës popullore dhe kryesisht të trevës së veriut. Gjatë karrierës së tij artistike ai ka publikuar shumë këngë popullore si dhe ka marrë pjesë në mjaft evente artistike brenda dhe jashtë vendit. Qysh në fillimet e karrierës ai ka njphur vetëm suksese dhe është pritur me duartrokitje. Lirim Hoxha, këngëtari dibran është i tillë sepse di të çmojë vlerat kombëtare, të cilat i promovon në paraqitjet e tij skenike. Në një intervistë për CMG ai na tregon për karrierën e tij muzikore dhe projektet.
CMG: Ju keni vite që interpretoni këngën popullore burimore shqiptare, duke e ruajtur me fanatizëm folkun shqiptar.
Lirim Hoxha: Faleminderit për vlerësimin. Përpiqem që të jem sadopak fanatik i ruajtjes së vlerave të interpretimit të muzikës popullore. Unë jam në skenë prej 30 vitesh, duke kënduar këngën popullore dhe më konsiderojnë te brezi i mesëm i këngëtarëve.
CMG: Keni nisur të këndoni më përpara se të fillonit studimet në Akademinë e Arteve?
Lirim Hoxha: Fillimet e mia kanë qenë kryesisht si autodidakt, pra jo një profesionist i muzikës, por dalëngadalë ëndrra ime në sirtar për t’u shkolluar për kanto u realizua. Ndoshta pak vonë, por tani ndjehem krenar që kam marrë një rrugë profesionale të të kënduarit, e cila më ka vlejtur, sepse nga mënyra e të kënduarit kam fituar shumë profesionalisht.
CMG: Si nisi pasioni juaj për këngën popullore dhe a keni pasur ndonjë në familje që këndonte?
Lirim Hoxha: Nga prindërit e mi dhe të afërmit kam dëgjuar që të parët tanë kanë pasur kënduar këngë me dy zëra, këngë tipike të zonave tona edhe besoj se aty do jetë geni i të kënduarit. Pastaj që kur kam qenë i vogël unë kam kënduar. Në fakt unë nuk e mbaj mend, por më kanë thënë prindërit dhe të afërmit e mi që këndoja. Kështu që mendoj se ka qenë edhe pasioni që i vogël për këngën.
CMG: Përfaqësoni në mënyrë dinjitoze trevën e Dibrës, duke interpretuar shumë këngë të bukura dibrane. Ndjeheni krenar për zonën tuaj?
Lirim Hoxha: Patjetër që po, sepse Dibra është një krahinë shumë e rëndësishme kulturore, duke nxjerrë shumë personalitete të fushës së muzikës dhe është një zonë me traditë dhe kulturë. Të këndosh për Dibrën është përveçse një kënaqësi dhe një përgjegjësi e madhe. Them se deri diku mund ta kem arritur dhe ndoshta do të bëjmë edhe më shumë sa të kemi jetën.
CMG: Cilën nga këngët dibrane që ju keni interpretuar e keni më për zemër dhe që e këndoni më shpesh nëpër evente?
Lirim Hoxha: Faktikisht është një këngë që nuk është e imja, por është këngë tipike dibrane që e ka pas kënduar i ndjeri Aziz Ndreu, emblema e këngës dibrane. Kënga titullohet “Vijnë pamporat” dhe është një këngë shumë e bukur, që ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Kjo këngë pëlqehet dhe këndohet kudo ku ka shqiptarë dhe që për mua është kënga më e dashur.
CMG: Keni ndonjë idhull të këngës popullore dibrane?
Lirim Hoxha: Idhulli im është Aziz Ndreu, më tipiku i këngës dibrane, të paktën nga meshkujt dhe besoj që është një shkollë për të gjithë këngëtarët dibranë, edhe për mua padyshim. Unë dhe të gjithë këngëtarët e tjerë dibranë mundohemi të ecim në rrugën që shtroi i madhi Aziz Ndreu.
CMG: Studimet që keni kryer në Akademinë e Arteve mendoni se ju kanë formuar më shumë profesionalisht si muzikant?
Lirim Hoxha: Për mua ka qenë një hap i rëndësishëm, kur e shoh dhe tani që kanë kaluar pak kohë. Unë e fillova shkollën vonë faktikisht në moshën 39 vjeçare sepse shkollimi im ka qenë tjetër drejtim. Besoj që atë talent, dhunti natyrale jam munduar që ta fus në disa shina profesionale, duke fituar disa aspekte të të kënduarit profesional që kanë të bëjnë me frymëmarrjen, frazimin si dhe ngjyrat në muzikë.
CMG: Gjithashtu ju luani në instrument, por edhe kompozoni vetë. Është më e lehtë për ju kur i realizoni vetë gjithë komponentët e këngës?
Lirim Hoxha: Unë kam pasur fatin që në fillimet e mia të luaja në instrumentin e kitarës, me ato vështirësistë e kohës por që gradualisht fitova një lloj përvoje të mirë të shoqërimit dhe harmonizimit. Unë them me bindje që njohja e një instrumenti muzikor është një avantazh shumë i madh për këngëtarin, sepse edhe një material të ri kur e studion, kur e njeh një instrument shikon dhe shtrirjen vokale, por dhe shumë aspekte të këngës. Unë e kam parë si avantazh të madh njohjen e kitarës. Kjo më ka ndihmuar më vonë dhe në aspektin e të kompozuarit, i cili ka ardhur natyrshëm me përvojë pune. Kur kthen kokën pas dhe ke 30 vite punë duke u rrahur me shumë rryma muzikore, arrihet natyrshëm një lloj pjekurie artistike. Unë kam realizuar disa kompozime të miat.
CMG: Së fundi ju keni publikuar këngën tuaj të re, të cilën ia keni kushtuar djalit tuaj. Mund të na tregoni pak për këtë krijim të ri?
Lirim Hoxha: Kënga ime më e fundit është një baladë që ia kam kushtuar djalit tim Amar, i cili ka mbushur 9 vjeç tani. Dua të ndaj me ju që djali na ka ardhur pas 12 viteve martesë dhe ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm. Ky ka qenë një moment i magjishëm, i cili nuk përshkruhet me fjalë. Kur ndodhi bllokimi për shkak të pandemisë në vitin 2020, atë ditë kur djali kishte ditëlindjen, pata një lloj ndjesie shumë të veçantë, duke kujtuar momentin e lindjes së djalit dhe gjithë magjinë që e mbështillte këtë moment. Në ato momente më erdhi një lloj frymëzimi për të bërë tekstin dhe muzikën, duke arritur të realizoja këtë baladë që titullohet “Më e shtrenjta pasuri”, që i dedikohet djalit tim.
CMG: Çfarë ndjesie përjetoi Amar kur e dëgjoi këngën dedikuar atij?
Lirim Hoxha: Djali u kënaq shumë dhe e klikon shumë shpesh në kanalin YouTube, duke e dëgjuar dhe kënaqet goxha dhe thotë se është kënga ime. Por dhe ne si prindër kemi një lloj gëzimi të jashtëzakonshëm, sepse është një lloj dedikimi që i bëhet fëmisë, që është diçka e shtrenjtë për çdo prind.
CMG: Ju keni qenë shpeshherë i angazhuar edhe me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore në disa evente speciale. Si ka qenë për ju kjo përvojë?
Lirim Hoxha: Unë që kur isha student për kanto u afrova te AKVP duke u angazhuar si i jashtëm dhe kam marrë pjesë në shumë aktivitete brenda dhe jashtë vendit, sidomos në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Kjo ka qenë një përvojë shumë e mire, duke përfituar nga ky institucion që është unik në Shqipëri. Kam përfituar nga përvoja e tyre dhe duke qenë dhe pjesë e korit të burrave për mua ka qenë një përvojë goxha e mirë dhe e vlefshme.
CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët më të ngushtë në realizmin e këngëve tuaja?
Lirim Hoxha: Bashkëpunëtori i parë i imi në rrugëtimin tim artistik ka qenë i ndjeri Përparim Tomçini, i cili ka qenë një kompozitor i madh dhe që i ka dhënë shumë muzikës dibrane dhe shqiptare. Me Përparim Tomçinin kam realizuar një album me 10 këngë dibrane, krijimtari të re dhe përpunime dhe një nga këngët e albumit e kam kënduar në festivalin e këngës popullore në RTSH në vitin 2002. Pastaj ka vijuar bashkëpunimi me emra shumë të njohur si Edmond Zhulali, Ilir Balla, Alban Furtunën, Vani Rushiti e shumë të tjerë.
CMG: Keni ndonjë projekt muzikor të ri për të realizuar së shpejti?
Lirikm Hoxha: Në fakt kam shumë krijime që janë të hapura dhe janë duke u punuar në studio, por nuk mund të them diçka konkrete për momentin. Unë do kisha dëshirë të realizoja ndonjë duet me ndonjë këngëtare.
CMG: Së fundi një mesazh urimi për dëgjuesit dhe adhuruesit tuaj.
Lirim Hoxha: Unë i përshëndes të gjithë simpatizantët e këngës time, të gjithë ata që më ndjekin edhe në rrjetet sociale dhe që më komentojnë me fjalë aq të bukura, duke ju uruar një vit të mbarë. Dua të jap edhe një këshillë miqësore për kolegët këngëtarë. Unë fillimisht këshilloj veten time por dhe të tjerët, që të mundohemi të jemi sa më fanatikë në ruajtjen e vlerave interpretative të këngës shqip.
Intervistoi: Gazmend Agaj