Nis nesër sezoni i ri artistik për Teatrin Kombëtar. Pas një ndërprerje të festave të fundvitit, nis jeta teatrore në kryeqytet. Janë dy shfaqje të cilat ndezin prozhektorët e skenave, të dy prej sallave më të rëndësishme teatrore të kryeqytetit për momentin, në Art Turbina dhe në Teatrin Eksperimental.
Sezoni në Art Turbina nis me shfaqjen “Coriolanus”, që në të vërtetë ishte shfaqur premirë që në fund të dhjetorit. Ndërkohë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të shfaqet pjesa “Unë Mefisto”.
Të dy pjesët e përzgjedhura i përkasin fondit të artë të dramaturgjisë klasike botërore dhe vijnë në lojën e aktorëve shqiptarë dhe dy regjisorëve të njohur. “Coriolanus” me regji nga Altin Basha është një produksion madhështor me 80 aktorë dhe do të shfaqet në ArTurbina në 13, 14, 15 dhe 16 janar. Në rolet e veprës janë Gazmend Gjoka, Helidon Fino, Luiza Xhuvani, Viktor Zhusti, Elia Zaharia, Genci Fuga, Hervin Çuli, Dritan Boriçi, Florian Agalliu, Arben Derhemi, Besmir Bitraku, Myzafer Zilfa, Genti Deçka, Erjona Kakeli, etj. E prezantuar dhe reklamur tashmë për publikun, pjesa e shkruar nga Shekspiri “Coriolanus” është bazuar mbi një histori të vërtetë, e cila gjendet në shkrimet e Plutarkut (“Jetë paralele”). Ndërkohë shfaqja tjetër “Unë Mefisto”, bazuar dhe inspiruar nga Goethe & Klaus Manndo ka nisur që me 7 janar të shfaqet në në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Një bashkëpunim ndërballkanik me artistë nga Shqipëria, Kosova, Bosnja, Serbia, kjo shfaqje vjen në drejtimin e regjisorit Dino Mustafic, drejtor i teatrit Kombëtar të Sarajevës. Shfaqja ka koreografinë e Gjergj Prevazit, ndërkohë në këtë shfaqje interpretojnë aktorët: Ilire Vinca, Ema Andrea, Ermir Jonka, Rafael Hoxhaj, Matia Llupa, Krist Lleshi, Linda Jarani, Ilia Kaçi, Florist Bajgora dhe Enisa Hysa. Në qendër të shfaqjes “Une, Mefisto” janë dilemat dhe mëkatet e shpirtit njerëzorë përlyer nga kompromisi social- politik.
Është një shfaqje provokative, e veçantë, e thellë, me mjete shprehëse. Është një teatër total, shumë ekspresiv që të bën të mendosh. Në këtë shfaqje, ke çfarë shikon madje ke dhe çfarë të mësosh. Kjo atmosferë dhe ky mesazh i pjesës e ka bërë shfaqjen ndër më të dashurat për sezonin e ri të janarit.
E njëjta atmosferë pune përjetohet edhe në Teatrin “Andon Z. Çajupi”, i cili gjithashtu hapi sezonin e ri artistik 2022 me shfaqjen “Tregtari i Venedikut”, një nga kryeveprat e William Shakespeare. Interpretimi i mrekullueshëm i trupës së aktorëve nën regjinë e Qendrim Rianit e solli këtë shfaqje botërore në skenën e teatrit me shumë mjeshtëri.
Ajo çfarë e bën të veçantë kastin e aktorëve të kësaj shfaqjeje është pjesëmarrja nga të gjitha trevat shqipfolëse, si nga Maqedonia e Veriut por edhe nga Kosova bashkë me të rinjtë korçarë.
Bashkia Korçë publikoi foto nga kjo shfaqje që mblodhi të në Teatrin e Korçës, qytetarë dhe artdashës të shumtë, të cilët e mirëpritën dhe e ndoqën me shumë interes dhe duartrokitje interpretimin e aktorëve.
Edhe Teatri i Kukullave në Tiranë ka shpalosur programin e tij për sezonin e ri. Shfaqjet për të vegjëlit kanë filluar, pavarësisht vëmendjes dhe kujdesit të shtuar ndaj pandemisë. Në Teatrin e Kukullave janë afishuar një varg titujsh, që pritet të rishfaqen çdo fundjavë për fëmijët. Që nga “Peshku i artë” deri tek “Tre derrkucët”, “Maçoku me çizme”, “E bukura dhe bisha”, etj. Bëhet fjalë për shfaqje që edhe pse jo premierë, kanë sukses sa herë që shfaqen, prandaj janë programuar sërish në kalendarin e kukullave.
Ndërkohë që artistët e teatrit përpiqen të mbajnë të gjallë atmosferën e shfaqjeve, një varg rregullash të reja jane venë në dispozicion të sigurisë si masa paralajmëruese ndaj pandemisë që ende vazhdon, pothuajse në të gjithë teatrot në vend. Konkretisht, paralajmërimet për një valë të re të shpërthimit të virusit, drejtuesit e Teatrit Kombëtar, e kanë përkthyer në masa të reja shtrënguese.
Në njoftimin e bërë në fillim të këtij sezoni, Teatri Kombëtar ka njoftuar se pajisja dhe mbajtja e maskave është e detyrueshme për të gjithë spektatorët që dëshirojnë të ndjekin shfaqjet, ndërkohë që Teatri Kombëtar do të mundësojë distancimin social, duke bërë të mundur që salla e madhe me 400 persona, pranë ArTurbina për të gjithë spektatorët që dëshirojnë të ndjekin shfaqjet, të redutohet në nje kapacitet prej 30 % .
Nga ana tjetër, teatri ka dhënë edhe njoftimin sipas të cilit, pavarësisht zbatimit të masave parandaluese për përhapjen e infeksionit, nuk ka siguri absolute për zhvillimin normal të aktivitetit të tij artistik, pasi, siç mund të dëshmohet nga rastet në mbarë botën, edhe evenimente të rëndësishme kulturore, artistike dhe sportive po shtyhen/anulohen për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve. Për këtë arsye, Teatri Kombëtar kërkon mirëkuptimin e publikut në çdo rast!
Kështu, mes nevojës për t’u shprehur me art, etjes së publikut për shfaqje dhe ëndërrave ambicioze të aktorëve dhe regjisorëve të skenave tona, ka nisur sezoni artistik në Tiranë dhe jo vetëm. Një publik i lodhur dhe i mërzitur nga situata, por edhe krijues që nuk dëshirojnë kurrsesi t’ia heqin publikut kënaqësinë që ka nevojë të marrë përmes artit.
Neritana Kraja