Hersi Matmuja -Gjatë videoklipit -Kënga e Çobanit (Foto nga Instagram)

Hersi Matmuja -Gjatë videoklipit -Kënga e Çobanit (Foto nga Instagram)

Këngëtarja Hersi Matmuja e ka nisur muzikën që në moshën 8 vjeçare në vendlindjen e saj në Kukës, për të vazhduar Liceun Artistik “Jordan Misja” për Kanto dhe studimet e larta në Konservatorin “Santa Cecilia” në Romë. Pas fitores në Festivalin e 52-të të këngës në RTSH, ajo përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion me këngën “Zemërimi i një nate”. Pas asaj nate, jeta e saj mori tjetër drejtim. Hersi ka eksperimentuar në disa zhanre si, pop, tradicionale, jazz, bluz, opera, musical, kontemporane,etj dhe vazhdimisht është në kërkim dhe hulumtim rreth muzikës botërore.

Hersi ka qenë pjesë e Festivalit të Filmit të Venecias, në teatrot e mbarë Italisë, Francës, Kroacisë, Hungarisë, Kanadasë, Austrisë, Gjermanisë etj, si dhe ka dhënë mësim në Korenë e Veriut. Ajo ka realizuar në Itali një album që mban titullin “Ninull”. Viti 2022 për Hersin nisi sërish me një koncert të rëndësishëm në “Teatro Comunale Citta di Vicenza”, ku u prezantua me projektin e saj “Hana Official”. Këtë vit Hersi dhe bashkëshorti i saj, artisti italian Jacopo Conoci presin të vijë në jetë vajza e tyre, Hana.



Hersi Matmuja pas fitores së çmimit të parë në Fest e 52

Hersi Matmuja pas fitores së çmimit të parë në Fest e 52

CMG: Gëzuar Vitin e Ri Hersi! Më vjen mirë që po e nis programin “Muzika shqip” me ty!

Hersi Matmuja: Gëzuar të gjithëve vitin e ri 2022!


CMG: Si ishte për ty festa e ndërrimit të viteve?

Hersi Matmuja: Për mua festat janë një moment për t’u bashkuar me të afërmit e të dashurit e zemrës. Një vit më parë i kam pasur të afërmit larg e shiheshim vetëm nëpërmjet videove, ndërsa këtë vit pata mundësinë të kisha dy motrat e mia në shtëpi. Së bashku realizuam ato ritet e festave që bënim që nga fëmijëria, të cilat janë kujtimet më të bukura të jetës sime. Këto janë për mua festat, një mënyrë për të qëndruar sa më pranë njerëzve të dashur.

CMG: Çfarë kërkon që të sjellë viti 2022 për ty?

Hersi Matmuja: Nga viti 2022 kërkoj që të gjithë të afërmit e mi të kenë shëndet dhe të qëndrojmë afër njëri- tjetrit, të dalim sa më shpejt nga situata e pandemisë, që e ka prekur sidomos sektorin tonë. Këto kohë unë nuk kam bërë as pesë përqind të koncerteve që bëja më parë. Këtë vit uroj një jetë më të mirë për të gjithë!

CMG: Si nisi për ty viti 2022 nga ana artistike?

Hersi Matmuja: Janari nuk kishte si të fillonte më bukur se sa me një koncert. Më datë 5 janar isha e ftuar në një koncert në “Teatro Comunale Citta di Vicenza” ku interpretova projektin tim "Hana official" ku interpretum me Daf dhe kolegia ime italiane interpretoi në instrumentin, archlute (arçiliut) instrument i vitit 1500 i stilit barok. Bashkë merremi me kërkimin, studimin e muzikës tradicionale nëpër botë, kryesisht muzikës sefardite, që është muzika e hebrenjve të Spanjës, por dhe muzikës sonë shqiptare. Programi i datës 5 Janar ishte performanca e këtyre këngëve sefardite, por dhe një kënge lumjane. Edhe pse në këto momente koncertet nuk janë të shumtë, ne vazhdojmë të kultivojmë artin tonë.


Ilaria Fantin & Hersi Matmuja (Foto nga instagram)

Ilaria Fantin & Hersi Matmuja (Foto nga instagram)

CMG: Si e përcolle ti këtë jubile të 60-të këngës në Rtsh ?

Hersi Matmuja: Festivali i këngës është një nga festat e muzikës shqiptare dhe shumë i dashur për mua. Jam rritur në atë skenë dhe e ndjek me shumë dashuri. Këtë vit kishte shumë prurje të mira dhe më pëlqeu shumë, sidomos nata me këngëtarët “Big” të cilët i kanë dhënë shumë artit dhe muzikës shqiptare. Kënga fituese, pavarësisht rezervave që mund të kem për formën, zhanri më pëlqen shumë dhe Ronela është mjaft e fortë në skenë. I uroj suksese dhe daltë sa më mirë në “Eurovizion 2022” në Torino.

CMG: Ti ke qenë fituese në Festivalin 52-të të këngës në Radio Televizionin Shqiptar dhe përfaqësove Shqipërinë në Eurovizion 2014. Tashmë me një karrierë të konsoliduar, deri ku janë synimet e tua për të arritur?

Hersi Matmuja: Kam shkelur në shumë skena, por ajo e Festivalit të Radio Televizionit Shqiptar është më speciale dhe më mungon shumë. Pas festivalit shkova në Eurovizion dhe pas Eurovizionit ndryshova komplet drejtim. Kam studiuar muzikë klasike, tani jam në një kapitull të ri të jetës time, kjo është e bukura e jetës. Unë jam vazhdimisht në evolucion dhe kam nevojë gjithmonë për stimuj. Nuk bëj pjesë tek ata artistë që ecin vetëm në një linjë gjatë gjithë jetës, unë jam gjithmonë kurioze të këndoj muzikë të ndryshme, më pëlqen të hulumtoj,të eksperimentoj dhe për mua kjo është jeta. Janë këto ekuilibra të rinj që gjithmonë krijohen, dhe më pëlqen t’a vendos veten në sfidë. Mendoj se kjo gjë më bën mire dhe më mban të freskët.


ILLYRIA TRIO (Foto nga Instagram)

ILLYRIA TRIO (Foto nga Instagram)

CMG: Ti je një artiste që ke shkëlqyer edhe përtej kufijve, por vitin që lamë pas ti u riktheve për të mos harruar rrënjët e vendlindjes. Si e përkufizon ti emocionin në një skenë të huaj, por dhe atë emocionin lumjan?

Hersi Matmuja: Kam shkelur në shumë skena të huaja dhe ndryshimi me skenën shqiptare apo atë të vendlindjes është se, kur këndoj jashtë Shqipërisë, jam e shkëputur emocionalisht, paçka se mundohem të jap zemrën në skenë kudo ku ndodhem. Por afër rrënjëve emocionet ndjehen kudo qoftë, duke parë malet e Gjallicës apo lumin e Drinit, emocionohem nga çdo gjë që më rrethon, nga gjuha, nga dialekti. Vitin e kaluar në muajin gusht organizova "Gjallica International Festival" bashkë me dy miq shumë të mirë Elias Mazloum dhe Armida Alikaj. Festivali u zhvillua në tre netë në bashkëpunim me Bashkinë e Kukësit. Në natën e parë ishte koncerti që bëra me “ILLYRIA TRIO”, me bashkëshortin tim në violinçel Jacopo Conoci, si dhe në fizarmonikë Andi Zeka. Programi solli të gjithë këngët më të bukura lumjane të luajtura në instrumenta pak të përdorur në zonën e Kukësit sepse nuk kishte çifteli, nuk kishte lodra, por erdhën të përpunuara me violinçel dhe fizarmonikë. Nata e dytë ishte një homazh për talentet e Kukësit dhe mblodha gjithë atë rini të bukur, që studion me zysh Ajshe Ademin në Qendrën Kulturore të Kukësit, të cilën gjej rastin ta falenderoj, gjithashtu dhe Drejtoreshën e Qëndrës Kulturore Melita Omuri. Ndërsa nata e tretë ishte një homazh dhe dëshmi mbi poetin kuksian Agim Spahiu, ku kishte poezi, muzikë, momente shumë emocionuse me bashkëbisedim me shkrimtarin Petrit Palushi.


Jacopo Conoci & Hersi Matmuja (Foto Instagrami)

Jacopo Conoci & Hersi Matmuja (Foto Instagrami)

CMG: Çfarë risie kishte ai festival? A do ketë vazhdimësi ky projekt?

Hersi Matmuja: Ishte një festival si shumë të tjerë nga ana e organizimit, por mendoj se deri në atë moment në gusht të vitit 2021 nuk ishin bërë festivale të tilla, të cilat vunë në plan të parë kulturën. Do mundohemi që gjithmonë e më tepër të nxjerrim në pah të gjithë atë bukuri natyrore, kulturore, resurset humane, të cilat i japin jetës së përditshme të Kukësit shumë pasuri dhe mundohen që të mbajnë afër rininë, që të mos emigrojë, duke i ofruar të gjithë resurset që të mundëson territori, që sipas meje janë të larmishme dhe të shumta. Kjo është edhe një ndër arsyet përse morëm iniciativën për të organizuar “Gjallica International Festival”.

CMG: Çfarë shije i la bashkëshortit italian, ky aktivitet në vendlindjen tënde?

Hersi Matmuja: Jacopo ishte i mrekulluar nga bukuritë e Kukësit. Ne kemi qenë bashkë në viin 2020 në një koncert tjetër, por nuk mund të shihnim shumë përveç qëndrës së Kuk[sit, Gjallicës që i kishim aty afër. Këtë vit patëm mundësi që të vizitonim rreth e përqark Kukësit, Grykën e Vanave, aty është vërtetë mrekulli dhe më vjen keq që nuk njihet shumë nga publiku. Duhet që ai vend të bëhet patjetër një pikë turistike që të vizitohet nga turistët sepse ofron shumë. Jacopos i bëri shumë përshtypje bukuria natyrore, por mbi të gjitha atij i bëri përshtypje mikëpritja, pasi njerëzit aty janë shumë “babaxhanë”, siç themi ne. Njerëzit kanë mbetur të habitur nga Jacopo, që një italian e luan kaq bukur muzikën tonë dhe e hulumton, ndonjëherë edhe më shumë se unë sepse bëhet kurioz për format, për akordet që mund të gjenden, apo për mënyrën si mund të risillen. Dhe për këtë jam shumë e lumtur që ai e jeton Shqipërinë me shumë dashuri dhe Kukësin njësoj si unë.

CMG: Çfarë do bëje ti për vendin e tij të lindjes?


Jacopo Conoci & Hersi Matmuja (Foto nga Instagrami)

Jacopo Conoci & Hersi Matmuja (Foto nga Instagrami)

Hersi Matmuja: Unë kam 13 vite që jetoj në Itali dhe kam bërë shumë për vendlindjen e Jacopo-s. Por mendoj se të njëjtën gjë, ashtu si sollëm festivalin në vendlindjen time, do mundohemi ta sjellim edhe në vendlindjen e Jacopo-s, e cila është një qytezë e vogël në provincën e Leçes dhe do mundohemi të sjellim pak muzikë klasike aty. Mbi të gjitha që në verë është muaji i muzikës tradicionale salentinase quhet “Nata e Tarantës” dhe ka një legjendë shumë të bukur…

CMG: Përveç karrierës dhe koncerteve, ky vit për ty ka të reja për familjen tënde…

Hersi Matmuja: Viti 2022 do jetë një ndër vitet më të rëndësishme të jetës sonë sepse do na shtohet një princeshë e vogël Hana, në familje dhe jemi shumë të lumtur për këtë. Përveç dëshirës për t’u bërë një artiste, ëndrra ime ishte të krijoja një familje, pasi unë jam rritur në një familje të madhe. Dhe familja është gjëja me qëndrueshme, është një qëndër që të ndihmon të jesh dikushi edhe në shoqëri. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme që pas karrierës, të krijoja një familje të konsoliduar dhe falë Zotit, kam gjetur një njeri që është vërtetë fat të kaloj kohë me të, është një person që e vlerësoj jashtë mase shumë, që e dashuroj, është një partner i vëtetë dhe jam shumë e lumtur për këtë. Mendoj se ky është suksesi më i madh që kam pasur në jetën time dhe fati më i madh.Shpresoj që Zoti të na japë shëndet!


Hersi Matmuja (Foto nga Instagrami)

Hersi Matmuja (Foto nga Instagrami)

CMG: Ti ke sjellë dhe një album me titullin “Ninull”, pjesë e projektit “Hana”. Çfarë lidhje ka projekti “Hana” me ermin që pret të marrë vajza juaj?

Hersi Matmuja: Kur jam takuar me kolegen, Ilaria Fantin ajo ishte në pritjen e ëmbël dhe në ato momente provash për koncerte, unë i propozova të bënim një ninull. Gjatë pandemisë menduam që të zbulonim ninulla të tjera nga e gjithë bota, kështu lindi albumi “Ninull”. Ndërsa sa i përket emrit, ai ka lindur para se të takoja Ilarian. Unë kisha shkruar një poezi me titull “Hana” dhe kur ajo e pa, më kërkoi që ta përdornim për emrin e “duos” sepse nuk kishin një emër për t’u prezantuar. U dakorduam që do përdornim këtë emër, por ndërkohë unë e kisha menduar që nëse do të kisha një vajzë doja ta quaja Hana. Kjo bisedë është bërë tre vite më parë dhe kjo është lidhja e projektit “Hana” dhe emrin që pret të marrë princesha ime kur të lindë.

CMG: Çfarë do shtoje së fundi për CMG?

Hersi Matmuja: Të gjithëve ju uroj një vit të begatë dhe të vijnë kohë më të mira për të gjithë ne. Një përqafim nga unë Hersi Matmuja.