Tre anëtarë të një familje, kanë shoqëruar jetën artistike të tre brezave. Ato janë pjesëtarët e familjes Çako, të cilët kanë dhënë kontribute me vlerë në artin dhe kulturën shqiptare. Le t’i kujtojmë dhe nderojmë për kontributin e tyre me gjithë mirënjohjen tonë, në rubrikën 3 në 1.
Gaqo Cako - foto alpenews.com
Gaqo Çako
Çako lindi në vitin 1935 në Korçë, ku kaloi fëmijërinë e hershme. Familja e tij më pas u shpërngul në Kuçovë dhe përfundimisht u regjistrua në Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë. Gjatë viteve 1957-1961 ai studio në Konservatorin e Mosks. Në vitin 1961, pasi u kthye në Shqipëri, filloi të punojë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku do të bëhej tenori kryesor për tre dekadat që pasuan. Ai gjithashtu, në vitet 1960 ndoqi një specializim në Accademinë Kombëtare Santa Cecilia, në Romë, Itali. Në karrierën e tij, ai interpretoi rolet kryesore në opera si te “Norma” e Bellinit, “La traviata” dhe “Rigoletto” të Verdit, “La bohème” të Puccinit, etj. U shfaq në opera të kompozitorëve shqiptarë, si te “Mrika” e Prenkë Jakovës, “Lulja e kujtimit” të Kristo Konës, “Pranvera”e Tish Daijsë, “Skënderbeu”nga Prenkë Jakova, etj.
Gaqo Cako gjate viteve te fundit - foto lapsi.al
Gaqo Cako ne rol - foto facebook Teatri i Operas dhe Baletit
Zëri i tij është kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohej e shfaqej, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh. Përfshirja e tij në të gjitha llojet e muzikës vokale ka pasur si qëllim të vetëm t’i kënaqë dëgjuesit me pjesët që ai këndon. Edhe pse vlerën më të madhe ai e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të Radios. Ai u bë i njohur me 28 pjesëmarrje në Festivalin e Këngës ku më e njohura është “Gjethen e dafinës e këputi”. Është fituesi i çmime të para në edicionet e viteve 1967, 1970 dhe 1978.
Luiza dhe gaqo me nipin e tyre te madh Anthony - foto konica.al
Luiza Çako
Me talentin e një artisteje dhe bukurinë e një modeleje, Luiza Papa, ishte ndër ato femra që binte në sy në Tiranën e viteve ’60. Ajo shquhej për veshje të veçanta elegante, për stilin e saj modern dhe për topuzin e famshëm që gjithnjë e ka pasur të veçantë dhe i jepte hir mbretëreshe. Aq i veçantë do të ishte stili i saj në veshje, sa femrat e Tiranës e kopjonin dhe në rrobaqepësitë e kryeqytetit të gjitha gratë kërkonin një fustan si të Luiza Papës. Të gjithë ata që në Tiranën e asaj kohe ndiqnin ngjarjet e mëdha artistike të kohës do të mbajnë mend veshjen e Luiza Papës në skenë. Por ajo ishte përveçse e bukur dhe me sqimë, edhe një soprano e talentuar. Janë njohur me Gaqon që në lice, kur shkolloheshin aty të dy. Gaqo dallohej që në lice për talentin e tij dhe të gjithë e admironin.
Luiza Papa me Xhoni Athanas dhe Ibrahim Tukiqi - foto facebook Teatri i Operas dhe Baletit
Fillimisht kishin një miqësi të pastër e të sinqertë. Dashuria mes tyre lindi kur të dy shkuan në Rusi për studime. Me kalimin e kohës ato gjenin gjithnjë gjëra të përbashkëta dhe shpejt arritën në idenë se ishin të prerë për njëri-tjetrin. Sapo u kthyen nga Rusia u martuan. Ishte viti 1963. Filluan punë në Teatrin e Operas dhe atje bënë një karrierë të lavdërueshme. Gjiithashtu Luiza, tanimë me mbiemrin Çako, u angazhua edhe në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, ku ka kënduar këngë nga treva të ndryshme të Shqipërisë, në turne, brenda dhe jashtë vendit. Ka interpretuar në opera duke realizuar 20 role, duke filluar që nga “Lola”, “Nina”, “Don Paskuale”, “Karnavalet e Korçës”, “Rigoleto” etj.
Luiza-Cako-Papa - foto Konica.al
Me Gaqon ishin një çift i përsosur. Një familje artistësh që gjithë jetën kanë bërë bujë me karrierën e tyre dhe kanë lënë një shije pozitive tek të gjithë me gjithçka që arritën në jetë. Një grua shëmbullore dhe një nënë e mrekullueshme për birin e tyre tw vetwm, Pirro.
Pirro Cako - foto anabel.al
Pirro Çako
Pirro Çako lindi në Tiranë në një familje artistësh ku merr edhe impaktin e parë për këngët dhe pianon. Vazhdon studimet në Liceun aArtistik "Jordan Misja" në Tiranë, në degën e kantos, pasi prindërit aspironin që të bëhej një pasardhës i tyre në këtë fushë. Këtu njihet edhe me ish bashkëshorten e tij, Inva Mula, me të cilën përjeton vitet më të mira të rinisë. Ndjek Akademinë e Arteve në degën e dirigjimit. Me mbarimin e studimeve të larta emërohet në Radio Tirana, ku për 5 vjet me rradhë punon si redaktor muzike në Programin e Dytë. Por ëndrra e tij ishte të shkruante muzikë, prandaj, duke përfituar edhe nga pozicioni i favorshëm ku punonte, fillon të shkruajë këngët e para në anketat muzikore të festivaleve për pionierë. Puna e tij krijuese jep frytet e saj hap pas hapi derisa në vitin ’88 Pirro Çako merr pjesë për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH dhe është fitues me këngën "E duam lumturinë". Do të pasojnë pjesmarrjet në festival me këngën "Jemi zemrat e çdo moshe", "Veç një herë jetojmë", "Horoskop ’92", të gjtha fituese të çmimeve të rëndësishme. Karriera e tij premtuese ndërpritet nga erërat e forta të tranzicionit dhe ai, si mijëra bashkatdhetarë, largohet nga Shqipëria drejt perëndimit, për një jetë aq të ëndërruar dhe të panjohur, për t’u vendosur në Paris.
Për disa kohë në Paris, qëndron larg jetës artistike, por kjo periudhë i shërben që të njihet më mirë me muzikën variete franceze dhe e finalizon atë me marrjen e diplomës në "École Normale de Musique de Paris / Alfred Cortot" në degën e kompozicionit për muzikë filmi.
Vendimi për t’u kthyer në Tiranë, ndikon edhe fatin e martesës së dy artistëve të rinj. Pirro kthehet i vetëm, kësaj rradhe si kantautor. Ëndrra u bë realitet në vitin 2000, kur Pirro Çako bashkë me Rovena Dilon fitojnë çmimin e parë në Festivalin e Kënges Magjike në interpretimin e këngës "Për një çast më ndali zemra". Kjo i dha besimin në vetvete dhe hapi portat për të vazhduar karrierën si kantautor. Po atë vit ai fiton çmimin e tretë në Festivalin e 40 në RTSH me këngën "Antinostradamus", por kësaj rradhe vetëm si kompozitor.
Pirro Cako - foto Balkanweb.com
Një vit më vonë së bashku me Redon Makashin është fitues i çmimit të tretë me këngën "Falja njërit dashurinë" në Festivalin e Këngës Magjike, ndërsa në vitin 2003 kënga "Unë, ai, ti, ajo" fiton çmimin e kantautorit më të mirw, po në këtë festival. Po në atë festival kënga "Kuturù" e kënduar nga Aleksandër Gjoka fiton çmimin e dytë. Nis një periudhë mjaft prodhimtare e Pirro Çakos, albumet ndjekin njëri-tjetrin, këngët e tij vlerësohen nëpër konkurrime, shumë këngëtarë dhe miq i kërkojnë që të shkruajë për ta. Dhe këtu nis një epokë e artë për Pirro Çakon, i cili shndërrohet në kantautorin më të dashur për publikun shqiptar. Fjalë të ndjera, melodi të bukura, interpretim skenik, lirizëm i thellë, janë gjërat që i kishin munguar muzikës së lehtë shqiptare dhe ato i solli mes nesh Pirro Çako. Ai ka nisur edhe një jetë të re, një martesë e dytë dhe një fëmijë i dytë i ardhur nga kjo matesë e kanë bërë përfundimisht Pirron të kompletuar dhe të lumtur. Vazhdon të krijojë me sukses dhe të jetë prezent në tregun muzikor shqiptar.
Neritana Kraja