Ka mbushur 89 vjeç. Dikur, një nga aktoret më të bukura, të talentuara dhe të guximshme të teatrit dhe kinemasë. Sot një nga aktoret më brilante, të respektuara, një biografi për t’u rrëfyer, një triumf i skenës dhe ekranit, një ikonë e patjetërsueshme. Dikur një fytyrë e skalitur me një mjeshtëri të përsosur. Sot brazdat e rrudhave ia tregojnë moshën, por njëkohësisht ia shtojnë hijeshinë, me të gjithë ëmbëlsinë dhe dashurinë e një zemre që ka ditur të jetë aktore, grua dhe nënë, jo vetëm në shtëpinë e saj. Me rolet që ka interpretuar në vite, ajo ka arritur të hyjë në çdo shtëpi, duke u bërë nëna, motra, apo femra që secili do të dëshironte ta kishte në familjen e tij.
Tinka Kurti sot - Foto nga Facebook nga Valbona Zaja Bedica
Tinka Kurti ka lindur për t’u bërë aktore. Në kohën kur pak guxonte të endërronte aktrimin, Tinka u bë e tillë. Jeta e saj është shumë domethënëse dhe e bukur për t’u treguar.
Tinka Kurti lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë në një familje artdashëse. Nëna e saj ishte një nga aktoret kryesore të Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Kjo ishte padyshim shtysa e parë për t’u bërë aktore sapo të rritej. Familja e saj shpërngulet, kur ishte pesë vjeç, drejt qytetit të Shkodrës.
Tinka Kurti u ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 14 vjeç. Për disa vite u aktivizua në teatrin amator në Shkodër.
Tinka Kurti ne filmin e pare shqiptar Tana - foto Klan Kosova.tv
Në vitin 1947 niset në Tiranë për të studiuar në Politeknikumin e Tiranës. Rastësisht, siç do të shprehej ajo vetë vite më vonë, do të kalonte në degën e Dramës në Liceun Artistik, por përjashtohet nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle. Megjithatë, kjo gjë nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe. Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste, në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”.
Interpreton mbi 120 role dhe bëhet primadona e Teatrit Migjeni. Në këtë teatër ajo kujton se gjeti një terren frymëzues dhe mbështetës.
Tinka Kurti ne hollin e Teatrit Migjeni - foto Syri.net
Gjatë kësaj kohe, Tinka Kurti merr mjaft ftesa për të interpretuar edhe në kinema. Një yll kishte lindur. Tinka, interpreton në mbi 35 role në kinema dhe do të mbahet mend në rolin e protagonistes, në filmin e parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana”, në vitin 1958.
Ky film shënon edhe puthjen e parë në kinemanë shqiptare, ndonëse kjo pjesë është censuruar dhe është mbajtur e fshehtë si fakt. Sipas porosisë së regjisorit, ajo nuk ngurroi aspak që nën pemë t’i jepte puthjen skenike, parterit në film, aktorit të madh Naim Frashëri.
Kjo ishtë puthja e parë në historinë e filmit shqiptar. Në rrëfimet mbi jetën e saj, kur kujton këtë fakt, aktorja thotë se ndihet mirë. Ishte koha kur mentaliteti pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse ishte shumë e re, pasioni e bëri aktoren të interpretojë edhe skena të tilla që tashmë janë të zakonshme. Ky fakt në kohën e sotme mund të duket i parëndësishëm, por në të vërtetë flet shumë për profesionalizmin dhe maturinë e aktores së re, e cila e konsideronte profesionin e shenjtë dhe si profesioniste ajo e konceptonte suksesin të lidhur fort me kërkesat e regjisorit. Ajo punonte fort për të realizuar punën që i jepej.
Tinka Kurti ne fillimet e karrieres se saj - Foto nga Facebook Valbona Zaja Berdica
Me aftësinë e lindur por edhe punën e palodhur Tinka Kurti ka ndërtuar rreth 300 role në teatër dhe në kinema. Me role karakteri ajo spikati jo vetëm për dramën që këto role mbartën, por dhe me mënyrën e interpretimit.
Tinka Kurti, kjo zonjë sharmante dhe e hijshme, zëëmbël dhe rrezatuese, e thjeshtë dhe plot ëndje gjallëruese, përmes mishërimit të nënës shejtneshë dhe gruas forcë përtëritëse të jetës, ka ditur dhe ka mundur të sjellë përmes artit skenik dhe të përkorës, më shumë se aktoren, shembullin ideal të gruas. Rolet, karakteret, tipet dhe profilet që ndërtoi ajo mjeshtërisht në skenë, e kanë ngulitur thellë në memorin e gjeneratave Tinkën, si një aktore e admiruar, si një personazh i spikatur në skenën e madhe të artit.
E avantazhuar nga profili skenik, nga një timbër që ka forcë të depërtojë dhe nga një hijeshi dhe prezencë skenike të rrallë, interpretimet e saj, përherë janë përcjellë me adhurim. Në të gjithë galerinë krijuese, Tinka Kurti është ajo, dhe vetëm ajo. Nuk imitoi askënd, askush nuk mundi ta mbërrinte atë. Si në rolin e Tanës, Pashakos te “Yjet e netëve të gjata”, nënës së Halit Beratit te “Gjeneral Gramafoni”, doktoreshë Keti, te filmi “Unë e dua Erën”, Dila te “Besa e Kuqe”, Nëna tek “Çifti i lumtur”, Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele të kuqe”, Gjyshja tek “Zemra e nënës”,etj., ajo krijon karakteristikat dalluese të personazheve që aktores i rrinë aq mirë, sa janë bërë pjesë e identitetit të aktores.
Tinka-Kurti ne filmin Cifti i lumtur - foto Infokult. al
Ajo mishëron në rol, ose rolit i jep nga vetja atë forcë interpretative, atë shpirt përjetues, atë ndjenjë të personazhit që buron nga njerëzorja, nga aftësia për ta trajtuar me mish e me shpirt atë që udhëprin pasion tek ajo. Rolet e arrira i sigurojnë çmime të ndryshme, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe ato të teatrit, të cilat kulmojnë me çmimet e karrierës në të dyja fushat. Kurti u nderua me titullin “Artiste e Merituar” që në vitin 1961.
Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.
Dy kinema, një në Tiranë dhe një në Durrës mbajnë emrin e saj.
Tinka Kurti - Foto top_channel.tv
Pavarësisht moshës, aktorja është shumë aktive dhe e ndejshme ndaj teatrit dhe kinemasë. Ajo vazhdon të pranojë role që i përshtaten moshës dhe mundësive të saj fizike pasi e ka të qartë se nuk mund të jetojë pa aktrimin. Një nga shprehjet e saj është:
“Nuk e kam frikë plakjen e as vdekjen, por kam frikë nga plakja e trurit dhe, në qoftë se ky moment vjen në jetën time, mendoj se do të isha dy herë e vdekur. Për këtë arsye dua të vazhdoj të punoj.”
Me rastin e ditëlindjes, ne i urojmë shëndet dhe ditë të bardha!
Neritana Kraja