Regjizori Aqif Ademi gjatë karrierës së tij ka realizuar mbi 30 dokumetarë si dhe ka botuar edhe 6 libra me tematikë historike për trevën e Dibrës. Një një intervistë për Radio Ejani ai flet për krijimtarinë e tij letrare dhe artistike si dhe projektet.
CMG: Gjatë karrierës suaj keni lëvruar fusha të artit si regjisor, skenarist dhe autor i disa dokumentarëve. Keni pasur vështirësi në realizimin e objektivave tuaja ?
Aqif Ademi: Në Shqipëri duhet të jesh shumë i zoti dhe të zotërosh të gjitha llojet e arteve, që të mbijetosh. Megjithatë unë kam gjetur disa mënyra dhe rrugë ku njeriu që ka pasion, dëshirë por ka dhe talent në fusha të ndryshme, di sesi t’i menaxhojë këto fusha si në anën skenareske, regjizoriale apo dhe poetike dhe historike. Në të gjithë veprat e krijimtarisë sime duhet të jesh triumfues që të krijosh këtë galeri të madhe të dokumetarëve apo librave artistike.
CMG: Gjatë këtyre viteve ju keni realizuar disa dokumentarë që janë transmetuar dhe në ekranin e televizoneve shqiptare. Cilin nga këto dokumentarë do të veçoje si më të suksesshmin?
Aqif Ademi: Unë kam realizuar shumë dokumentarë televiziv që janë shfaqur në shumë televizione në Shqipëri, por edhe në Maqedoninë e Veriut në gjuhën shqipe. Në arkivin e Televizionit Shqiptar kam mbi 30 dokumentarë televizivë, por dokumentari i cili ka bërë shumë jehonë dhe që ka mbetur në mendjen e shikuesëve është “Dibra dhe Skënderbeu”. Unë jam dibran dhe e njoh mirë atë trevë të paeksploruar, ku shumë vite e kam eksploruar nëpërmjet anëve të mia artistike. Ky dokumentar ka pasur shumë sukses dhe është një himn i Dibrës, ku pasqyrohet e gjithë historia e Dibrës në komentet dhe interpretimet e mia edhe si folës. Unë jam autori i të gjitha zhanreve artistike në këtë dokumentar.
Regjisori është shkalla më e lartë e kulturës dhe kjo nuk më ka munguar sepse kam botur 6 libra dhe shumë skenare. Fjalën artistike e njoh shumë mirë dhe unë i marr përsipër të gjithë komponentët të realizimt të një dokumentari dhe prandaj pata shumë sukses në shfaqjen e këtij dokumentari në Televizionit Shqiptar.
CMG: Ju e përmendët që i realizoni vetë të gjithë komponentët e një dokumetari. Nuk keni dashur të bashkëpunoni me kolegë të tjerë?
Aqif Ademi: Nuk mund t’ja besosh veprën tënde dikujt që nuk e shikon ashtu si e vështron ti idenë e një përpunimi artistik, qoftë dokumentar apo libër. Mëgjithatë unë mbuloj trojet shqiptare dhe kam eksploruar shumë dhe kam shumë përvojë. Pra duhet një gërshetim i përvojës me shkollimin që ke dhe komunikim me njerëz selective, sepse ndryshe arti po e le një ditë të le një muaj dhe po e le një muaj të le një vit.
CMG: Përfundimi i studimeve në Akademinë e Arteve në degën e regjisë mendoj se ka qenë një gjë shumë e mirë për të pasur këto rezultate që ju keni sot?
Aqif Ademi: Talenti është pak, puna është shumë. Në Akademinë e Arteve pak studentë shkojnë sepse është talenti dhe aftësia, por njeriu që ka pasion, dëshirë dhe talent ecën përpara. Për momentin mund të pengohesh, por do të përpiqesh sërish dhe nëse ke një qëllim dhe guxim mund të ecësh përpara, duke treguar veten dhe në veprat artistike të realizuara. Janë veprat ato që tregojnë sesa vlerë ka një regjisor, një skenarist apo një shkrimtar.
CMG: Një fushë tjetër ku ju keni qenë i suksesshëm është dhe ajo e letrave, ku keni botuar disa vepra. Sa libra keni botuar dhe cila ka qenë tematika e tyre?
Aqif Ademi: Megjithëse unë mbuloj hapësirat e trojeve shqiptare të pa eksploruara siç janë Ohri, Struga dhe Dibra e Madhe edhe librat kanë të bëjnë shumë me historinë. Unë nuk jam historian, por duke bërë skenare historike dhe duke kërkuar për historinë më ka bërë që të jem dhe historian. Librat e mi janë të karakterit historik, si libri “Dibra e Madhe” i cili është pritur shumë mirë dhe ka pasur shumë reputacion. Meqenëse Dibra është një qendër e madhe kulturore, ekonomike dhe patriotike, shumë dibranë ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe unë bëra një gërshetim të tilllë në këtë libër.
Kam bërë dhe një libër për trevën e Maqellarës ku dhe aty ka shumë figura. Kam shkruar dhe një libër për fshatin 6 mijë vjeçar, që është dhe origjina ime, Allajbegija e Dibrës. Tani kam dhe një projekt tjetër letrar për shumë figura që kanë dhënë për Dibrën, qoftë ushtarakë, doktora apo arsimtarë. Mendoj të bëj një enciklopedi për këta intelektualë, që kanë kontribuar për komunitetin me rrezatim kombëtar.
CMG: Këto libra i keni promovuar edhe në Tiranë?
Aqif Ademi: Aktivitetet e mia kanë gjithmonë karakter shumë masiv, nga vetë njohjet e mia personale, familjare dhe shoqërore. Promovimet e librave janë bërë me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve. Me regjisurën time modeste në sallën e Muzeut Historik Kombëtar kam qenë i suksesshëm dhe kam pasur rezultate të mira në të gjitha promovimet. Është mirë të bëhen promovime të tilla, jo vetëm promovimet e mia, sepse një vepër e madhe po nuk u promovua ngelet në hapësirën e ngushtë personale dhe të errësirës tënde monotonike. Është më mirë të ketë reflektim masiv sepse në Tiranë ka shumë dibranë dhe është kënaqësi kur promovohesh dhe nderohesh në të tilla salla sin ë Muzeun Historik Kombëtar ku kam bërë edhe promovime të dokumentarëve të mi por dhe evente të tjera.
CMG: Në fillime tuaja keni punuar në Televizionin Shqiptar si regjisor dhe skenarist. Tani keni shumë vite që punoni në profesion të lirë. Të pëlqen liria?
Aqif Ademi: Liria është gjëja më e madhe që mund të ketë njeriu, pa diktate dhe impulse të të tjerëve. Liria në profesion më ka dhënë shumë mundësira ku kam pasur mbështetje nga të gjithë miqtë e mi në diasporë. Njeri nga këta është dhe këngëtari Haxhi Dauti, i cili ka qenë dhe mbështetës nga ana financiare në shumë vepra të mia. Unë e falendroj duke i shprehur mirënjohjen këtij artisti në Amerikë që po jep shembullin pozitiv për shqiptarët kudo që janë.
CMG: Edhe pse jetoni në Tiranë ju shkoni ta vizitoni shpesh vendlindjen tuaj.
Aqif Ademi: Njeriu sado që të arrijë përpara duhet të kthehet edhe mbrapa, të shkojë në origjinë, sepse origjina është respekti i të parëve dhe prindërve tuaj. Unë me modestinë time e kam mbajtur origjinën nga vij, nga Maqellara e Dibrës. Eshtë një fshat mijëravjeçar dhe unë nuk e ndjej veten asnjëherë të ikur nga ai vend. Tani edhe me Rrugën e Arbërit unë jam shumë prezent në ato troje. Pavarësisht monotonisë së jetës atje, unë bëj një gërshetim ndërmjet origjinës dhe metropolit shqiptar.
CMG: Unë ju falenderoj për këtë intervistë, duke ju uruar sukese në krijimtarinë tuaj.
Aqif Ademi: Faleminderit për ftesën dhe suksese dhe ju në emisionet tuaja.
Intervistoi: Gazmend Agaj