Rrock-polifoni, një projekt nga Grupi Jericho
Intervistë me solistin e grupit Petrit Çarkaxhiu
Petrit Çarkaxhiu është solisti dhe kitaristi i grupit të njohur Jericho, i cili u formua në maj të vitit 1997 në Prishtinë. Ky grup njihet për muzikën dhe tekstet mjaft të veçanta, por dhe djem tejet të talentuar profesionistë. Grupi Jericho ka një kombinim mjaft interesant midis muzikës rrok, alternative, elektronike, muzikës tradicionale shqiptare, por e veçanta e tyre është se përveç instrumenteve standarde të rrokut, përdorin dhe instrumenta të cilat bëjnë pjesë në muzikën tradicionale shqiptare, siç është tupani, kavalli, zurna, balladani ose bendiri etj. Tekstet e këngëve në përgjithësi janë të shkruara në dialektin gegë dhe pothuajse të gjitha, trajtojnë tema sociale.
Petrit Çakraxhiu në intervistë për CMG
Jericho ka realizuar koncerte live në Shqipëri, Kosovë, Angli, Kolumbi, Slloveni, Francë, Belgjikë, Zvicër etj. Pas këngëve në dialektin gegë shumë shpejt ata do të sjellin për publikun disa projekte muzikore edhe në dialektin toskë, duke u frymëzuar nga polifonia e jugut. Përpos grupit djemtë artistë, performojnë edhe në mënyrë individuale në evente të ndryshme, por sa herë që kanë frymëzim dhe projekte të reja bëhen bashkë. Petrit Çarkaxhiu ka sjellë edhe disa materiale muzikore si solist në këngët; “Vajza e tokave të diellit”, “Drenushë e trembur”, “Natë e gatë” etj, kjo e fundit vjen edhe si një dedikim për mikun, anëtarin e grupit bass kitaristin e ndjerë, Suad Jamini. Për radio Ejani Petriti tregon jetën e tij mes një trekëndëshi, muzikë, arkitekturë, radio, mesazhet që përcjellin këngët e tij, si edhe projektet e bukura në vazhdim…
CMG: Një vit më parë ti erdhe si solist me mjaft këngë dhe videoklipe si; "Vajza e tokave të diellit", "Drenushë e trembur" etj. Janë këngë ku tekstet mbartin mesazhe të vështira për t’i kuptuar me dëgjimin e parë. Çfarë ke dashur të përcillje me këto këngë?
Petrit Çakraxhiu: Më tepër se qëllimi për të sjellë ndonjë mesazh do thoja ishte qëllimi të përcillja një emocion të caktuar. Këtë bisedë kisha edhe disa ditë më parë me një shoqen time e cila më pyeti për mesazhin e këngës, "Vajza e tokave të diellit". Në fillim nuk ka pasur një mesazh të caktuar, por vetëm një emocion që e kam ndjerë në momentin kur është shkruar teksti, kur është kompozuar kënga dhe kjo është një nga këngët e mia të preferuara.
CMG: A e ka një ngjarje të vërtetë?
Petrit Çarkaxhiu: Patjetër që ka një ngjarje të vërtetë prej nga vjen frymëzimi, por ndikon dhe ajo çfarë lexon apo çfarë muzike dëgjon, çfarë vendesh shëtit, me çfarë filozofie preokupohesh. Këto pesë vitet e fundit unë kam jetuar në Stamboll dhe shfrytëzova rastin të vizitoja disa vende më të largëta, ato të quhen Azia minore, vendet shumë afër Lindjes së Mesme, brezi kufitar i Turqisë, vende të cilat nuk ishin tipike për një vend si Turqia, pasi ishte një kulturë komplet tjetër, tërësisht orientale, me shumë përmbajtje shpirtërore.
Në të njëjtën kohë literaturat që po lexoja, ndoshta dhe poezitë e mistikëve të njohur të botës arabe, kryesisht të Lindjes së Mesme ishin këto që ndikuan. Përshembull një paralele me Mexhnunin dhe Lejlanë të cilët janë dashuruar shumë dhe ky është versioni oriental, i Romeos dhe Xhuljetës. Në këtë frymë janë sjellë edhe këngët e reja të cilat janë punuar, madje kam përdorur instrumente të cilat nuk përdoren më në muzikën tonë, në folklorin shqiptar si, balladani apo bendiri. Për këtë kam ftuar edhe disa instrumentistë ndërkombëtarë, njëri prej të cilëve është nga Azerbajxhani, tjetri nga Turqia, pianisti nga Parisi, pra ishte një miks multikulturor i sjellë në një këngë.
Petrit Çakraxhiu - Jericho në një koncert në Belgjikë (Foto nga Instagrami)
CMG: Miti i dashurisë mes Lejlës dhe Mexhnunit ka qenë frymëzues për shumë kryevepra të mëvonshme të letërsisë dhe muzikës, nga Shekspiri, Viktor Hygo dhe deri te versioni i Erik Clapton-it me këngën“Lejla”. Më vjen mirë që tani e shohim këtë frymëzim dhe në një artist shqiptar si Petrit Çarkaxhiu, ku përherë vjen me tema të veçanta në pasqyrimin e këngëve të tua.
Petrit Çarkaxhiu: Po, e vërtetë.
CMG: Por ky frymëzim tek ty erdhi gjatë kohës së studimeve në Turqi?
Petrit Çarkaxhiu: Patjetër që po. Gjatë pesë viteve që nuk po krijoja isha në fazën e përthithjes së kulturës, literatures, e cila ja vlejti dhe aty lindi dëshira për të finalizuar atë përvojë me një produkt artistik, që rezultoi me 10 deri në 12 këngë afërsisht, nga të cilat vetëm katër prej tyre janë publikuar një vit më parë dhe pas muajit janar të vitit të ardhshëm do vijoj të publikoj këngët e tjera.
CMG: Gjithashtu një vit më parë ti solle këngën "Natë e gatë", çfarë të sjell ndërmend kjo këngë?
Petrit Çarkaxhiu: Kënga “Natë e gatë” më sjell shumë gjëra ndërmend. E para është nata kur e kam kompozuar këngën dhe kur unë dhe miku im Faredin Shehu, i cili është dhe autor i tekstit, kemi qenë tek një shok i joni. Unë kisha pranë kitarën dhe ai kishte një letër dhe penën në dorë, dhe të dy po mendonim se çfarë do të krijonim atë natë. I tregoj ndjesinë që doja ta përshkruaja në një tekst të këngës, ndjesinë e një personi që është i zhgënjyer prej veprimeve të tij dhe kërkon ndihmë ose mbështetje prej një force më të madhe, prandaj në tekst thuhet: “Zoti jem ku ke mbet, a nuk ma hek kët ziklet” dhe këto i ka përshkruar autori i tekstit Faredini.
CMG: Është gjithçka thjesht imagjinatë?
Petrit Çarkaxhiu: Është imagjinata e autorit, por kjo ishte dhe ajo çfarë unë po mendoja në ato momente dhe doja ta artikuloja. Është një këngë e cila përfundoi e gjitha brenda një nate si teksti, muzika dhe orkestrimi. Ishte një natë e gjatë. Pastaj kjo është një këngë që na shoqëronte gjithmonë kur mblidheshim me shoqërinë, sidomos me mikun tim të ndjerë ish basistin e grupi Jericho, Suad Jamini, i cili sa herë që takoheshim së bashku, në fund të natës kërkonte që të luanim atë këngë, pasi e kishte shumë perzemër. Kjo ishte dhe arsyeja pse e publikova tani këtë këngë, cila erdhi dhe si një dedikim kushtuar Sukit, ashtu siç ne e kemi thirrur të gjithë. Ajo çfarë më sjell tjetër ndërmend kjo këngë është periudha kur ishim në karantinë një vit më parë dhe ndodhesha në Stamboll.
Ishte periudha që nuk mund të dilnim për disa ditë prej banesës, në atë kohë u munduam që të realizonim videoklipin dhe ishin plane shumë të bukura të cilat i xhiruam në Stambollin e boshatisur, gjë që nuk kishte ndodhur ndonjëherë mesa di unë, në atë qytet me afro 20 milionë banorë, të mos kishte asnjë njeri në rrugë. Në këto momente u munduam që t’i xhironim këto plane me kamera, kjo është e gjitha çfarë më sjell ndërmend kjo këngë. Duke qenë se me Grupin Jericho jam bazuar në folklorin Shqiptar, në këto këngë solo kam sjellë diçka ndryshe, kam ardhur me elemente orientale, por sidoqoftë mbetet kënga më e dashur e Suadit.
CMG: Ti ke sjellë shumë materiale muzikore si solist, por si do jetë ecuria e grupit Jericho në vazhdim?
Petrit Çarkaxhiu: Me grupin Jericho pas një mungese u aktivizuam gjatë verës me disa koncerte, gjë e cila na kishte munguar shumë. Koncertin e fundit e kemi pasur në muajin shkurt të vitit 2020 ku mbajtëm rreth 10 koncerte. Gjithashtu kemi materiale të reja për të realizuar në studio, pasi na ka mbetur një projekt i papërfunduar, është fjala për kompilacionin i cili titullohet “Geg-rrok”, këngë të cilat na kanë përcjellë gjatë këtyre 10- 15 viteve. Që kur kemi filluar si grup muzikor, stili jonë pak a shumë ka ndryshuar, janë disa këngë të cilat janë rrok-alternativ i pastër, pa elemente folklorike shqiptare dhe disa të tjera të cilat kanë elemente të folklorit tonë. Të gjitha ato këngë të cilat kanë melosin në muzikë, do të dalin si një pjesë e kompilacionit dhe ato janë këngët e njohura si; “Tomplin e nanës”, “Kur do t’pushoj kjo këngë”, “Kanga jonë”, “Shkaba”, ''Albanian Rhapsody”, “Zgjohu” etj, të gjitha këto janë pjesë e një projekti të caktuar. Gjithashtu është edhe një tjetër këngë e cila ka mbetur pa u regjistruar, bëhet fjalë për këngën “Gegë e toskë” e cila u prezantua në Festivalin “Top –Fest”, por si regjistrim nuk ka përfunduar, më pas do bëhet një rimasterizim i këngëve sepse teknologjia ka ecur shumë përpara dhe nuk është kualtieti që duam ne, më pas do vijnë në një cilësi më të mirë për publikun.
Do riregjistrohen vetëm në versionin audio, ndërsa videot e tyre do vazhdojnë të qëndrojnë në youtube pa ndryshime.
CMG: Çfarë do na tregosh më tepër sa i përket materialeve të reja?
Petrit Çarkaxhiu: Sa i përket materialeve të reja, i kam dy projekte muzikore. Po e them vetëm programin tuaj, deri tani kemi atë që është “Geg –Rrok” ndërsa në vazhdim kemi menduar që këngët t’ja kushtojmë totalisht toskërisë dhe i kemi gati 4-5 kompozime.
CMG: Nëse do këndoni në dialektin toskë, a do jetë e thjeshtë apo e vështirë për ju?
Petrit Çarkaxhiu: Me mundësitë tona, ne duam t’i japim hakun edhe toskërisë se është shumë e bukur, por është e vështirë për t’u futur në rrok sepse është më lirike se folklori gegë, i cili ka këngë kreshnike dhe janë më lehta për t’u përpunuar në muzikën rrok, pasi është pak më e egër, pak më malësore, ndërsa te toskërishtja përdoret më tepër klarineta si në këngën; “Koka në Stamboll e trupi në Janinë”, dhe puna është më e vështirë deri tek mbërritja në formulën e duhur. Tani që e kemi gjetur formulën, mendojmë se edhe polifonia mund të dalë shumë bukur në rrok, si dhe në muzikën elektronike. Polifonia e jugut është jashtëzakonisht një material i bukur për t’u përpunuar në një muzikë kontemporane.
CMG: Është një ide shumë e bukur, por kur do të jetë gati për publikun?
Petrit Çarkaxhiu: Kjo me polifoni është ende në fazën e eksperimentimit, me sens është shumë karakteristike mund të them në nivel ndërkombëtar, pasi dihet që polifonia është e mbrojtur si trashëgimi jo materiale nga UNESKO, dhe ne po mundohemi që ta sjellim në formën më të paprekur, më të pranueshme, në kualitetin më të bukur. Momentalisht jemi në dilemë, të publikojmë më parë tre materialet e reja pa elemente folku brënda, apo të sjellim këto këngë me elemente toskë.
CMG: Unë do të sugjeroja këtë të fundit!
Petrit Çarkaxhiu: Më së pari edhe unë jam shumë entuziast për këtë gjë madje i kemi bërë disa prova me djemtë e grupit dhe është shumë intriguese sa mezi po pres që ta përfundojmë. Një gjë që mund ta ndaj me ju është se, janë dy këngë njëra prej të cilave është e bazuar në ngjarjen e Osman Takës, vallja e njohur çame, e cila futet si sekuencë një minutëshe, dhe tjetra një version i ri i sjellë me rrok i këngës “Janinës ç’i panë sytë”. Këto janë të rejat që po ndodhin me grupin Jericho, por me shumë mundësi do jenë gati për publikim vitin e ardhshëm.
CMG: Petrit, ti u shpërngule prej disa vitesh në Stamboll ku po kryen studimet për arkitekturë. Momentalisht i je rikthyer dashurisë së radios. Në këtë trekëndësh, muzikë, arkitekturë, radio ti ku ndjehesh më mirë?
Petrit Çarkaxhiu: Ky është një trekëndësh që mua më përmbush, por dhe motivon njëra- tjetrën. Nuk e shoh veten që mund të fokusohem në një vend të vetëm, ndoshta dikush mund të mendoj se kam muzikën më përzemër, por muzika të detyron që të ngarkohesh emocionalisht meqënëse është një proces jo rutinor ,siç mund të jetë kur ulesh të punosh detajet teknike të një projekti që ka lidhje me ndërtimin. Ajo pjesë kreative ndonjëherë të lodh, ndërsa arkitektura edhe pse e ka anën kreative të vetën e ka një orar, një rutinë, një proces i cili ma balancon jetën në përgjithësi, ndërsa radio për mua është qershia mbi tortë.
CMG: Sa e vështirë është për të qëndruar në tregun muzikor?
Petrit Çarkaxhiu: Nëse do më duhej të jetoja prej muzikës, atëherë duhej të bëja kompromise për stilin muzikor për të parë se çfarë po konsumohet më tepër në treg, gjë për të cilën kam treguar mjaft kujdes të mos e bëj asnjëherë. Kështu që për ne ka qenë një lloj sfide të cilës mendoj se ja kemi dalë. Ndoshta është pasioni jonë i madh për të sjellë gjëra të bukura, ose ne pretendojmë se janë të tilla (qesh).
CMG: Projektet e tua muzikore si solist vijnë në versionin akustik, ndryshe nga sa jemi mësuar me grupin Jericho, por ku fle më shumë shija jote muzikore?
Petrit Çarkaxhiu: Unë e ndjej veten mirë edhe me Jerichon edhe me solo projektin tim akustik. E gjithë kjo ndodh te muzikantët kudo nëpër botë, sidomos ata që janë këngëtar në grupe të ndryshme, është një pjesë e kreativitetit, të cilën nuk mund ta shprehësh nëpërmjet grupit pasi grupi krijon një stil të vetin të cilën duhet ta ndjekësh dhe më pas krijimet e tjera mbeten si projekte dytësore apo të treta. Madje mund t’ju them se do të ketë edhe një projekt të tretë, i cili nuk është as Jericho, as projekt solo, por diçka tjetër tejet i veçantë.
CMG: Do jesh pjesë edhe e ndonjë grupi tjetër, apo e kuptova unë gabim?
Petrit Çarkaxhiu: Nuk e ke kuptuar gabim, është idea e formimit edhe të një grupi tjetër paralelisht në zhanrin rrok, por që dallon prej Jericho.
CMG: A ka hatërmbetje mes grupit nëse formoni grupe paralele?
Petrit Çarkaxhiu: Jo. Ne që në fillim i kemi diskutuar këto gjëra. Jericho është si një lloj kompanie ku anëtarët e grupit janë aksionerët, dhe çdo pjesëtar sjell kontributin e tij, punën e vet për këngët e reja, por nga ana tjetër jemi të lirë për të punuar me projekte të ndryshme. Bateristi i grupit është i përfshirë edhe në një grup tjetër, kitaristi Leonard Canhasi është muzikant profesionist, i cili jeton vetëm prej muzikës dhe ai gjithashtu është pjesë e shumë projekteve të tjera muzikore, basisti i grupit, Edi është pjesë e projekteve të ndryshme muzikore, kështu që të gjithë ne jemi shumë komod dhe nuk kemi problem me njëri-tjetrin.
CMG: Sa i përket projektit me një tjetër grup, është grup i ri apo i njohur?
Petrit Çarkaxhiu: Është një grup që nuk ekziston ende, do jetë gjithçka prej fillimi. Do jenë këngë të reja, njerëz të pa njohur në band, shkurt e shqip. Do vij edhe me një eksperiment tjetër, ndoshta vitin tjetër, por puna e artistit varet nga mënyra se si zgjohet, një ditë zgjohet me një ide të re dhe mund të realizoj diçka pas një ditë, apo një jave (qesh).
CMG: E rëndësishme është që artistët të kenë frymëzim për të sjellë gjëra të bukura
Petrit Çarkaxhiu: Gjatë këtyre viteve kam mbledhur aq shumë materiale muzikore saqë nëse e filloj që tani punën për të inçizuar, kam materiale për të publikuar nga një këngë për çdo muaj për pesë vite me radhë .
CMG: Ai folder i kompjuterit tënd, duket se e ka koston më të shtrenjtë se ari.
Petrit Çarkaxhiu: (Qesh) Nuk do thoja ashtu, por është një pasion i imi i mbledhur në një folder, por që është i shumëllojshëm.
CMG: Janë të gjitha këto materiale që i ke shkruar ti muzikën dhe tekstin?
Petrit Çarkaxhiu: Përveç këngës “Natë e gatë”, të cilën e ka shkruar Faredini, të gjithë të tjerat i kam shkruar vetë.
CMG: Mezi po pres të dëgjoj këngët tuaja më të reja. Shumë faleminderit për intervistën dhe suksese!
Petrit Çarkaxhiu: Doja të shtoja dhe diçka, shpresoj që njerëzit kur të shohin në kanalin tim në youtube të mos ndjehen në konfuzion kur të shohin këngët me grupin Jericho, këngët e mia solo, apo edhe të ndonjë projekti të tretë. Nëse do kenë mundësi publiku le të komentojnë në këtë intervistë se dua të di mendimin e tyre, nëse duan të dëgjojnë nga Jericho më parë këngët toske apo këngë të rrokut alternative të pastër. Faleminderit!
Intervistoi: Sava Lena