Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve popullore shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut është themeluar në vitin 2018 si institucion kombëtar i kulturës shqiptare. Fillimet e para të konsolidimit të tij nisën me shpalljen e audicionit për pranimin e stafit artistik në maj të vitit 2019. Në këtë audicion, përzgjedhja e artistëve u bë nga emra kompetentë të muzikës shqiptare nga të gjitha trevat dhe në bazë të vlerësimeve të tyre u përzgjodhën artistët që përbëjnë: grupin e valles prej 20 vallëtarëve, formacionin orkestral prej 9 instrumentistëve dhe grupin vokal prej 8 solistëve. Artisti i mirënjohur Shkodran Tolaj drejtor i këtij ansambli në një intervistë ekskluzive për CMG na tregon për aktivitetet e ansamblit si dhe projektet në vazhdim.
Shkodran Tolaj (Facebook)
CMG: Z.Tolaj, ju jeni artist i njohur dhe Drejtor i përgjithshëm i Ansamblit shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Si ndjeheni në një pozicion të tillë të rëndësishëm?
Shkodran Tolaj: Detyra të tilla të japin përgjegjësi tjetër dhe pozita e drejtuesit nuk është e lehtë, por nëse ajo bëhet me përkushtim dhe një mision të caktuar, sigurisht është udhëtim i bukur. Nëse si artist mendon për paraqitjen tënde individuale, si drejtues të bie përgjegjësia e paraqitjes së 50 artistëve dhe imazhit të një institucioni, që për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ka rëndësi të jashtëzakonshme.
Valletaret e ansamblit gjate nje performance (facebook)
CMG: Sa i kënaqur jeni ju me trupën e Ansamblit?
Shkodran Tolaj: Si në çdo institucion të ri ku gjithçka nis nga fillimi që nga rregullorja e brendshme e deri te aktet më të ndërlikuara që duhen për funksionim. Si shqiptarë kemi patur mungesë institucionesh dhe nuk kemi ndonjë kulturë të respektimit hierarkik, por drejtuesi është për të hapur shtigje dhe për të gjetur zgjidhje në vështirësi. Natyrisht që me insistimin tim dhe mbështetje të Bordit drejtues kemi arritur që të jemi i pari institucion me platformë të punës online në kohën e pandemisë, nuk kemi pushuar asnjë ditë të vetme. Kemi realizuar programin artistik në vitin 2020 në 100 për qind të tij, duke respektuar të gjitha masat dhe protokollet e Institutit të Shëndetësisë dhe komisionit për sëmundje ngjitëse dhe falë një pune kolosale, sidomos në sektorin e valleve ku është punuar teknika e kërcimit shqiptar të Sadik Batkut, ne arritëm të marrim çmim të parë në Bullgari para disa muajsh, të paraqitemi me sukses në Emiratet Arabe dhe Spanjë. E tërë kjo është tregues se puna ka ecur dhe unë jam i kënaqur.
CMG: Si keni arritur të menaxhoni kohën për karrierën tuaj artistike dhe institucionit që ju drejtoni?
Shkodran Tolaj: Jo e lehtë, por domosdoshmërisht projektet tek unë vijnë natyrshëm dhe i kërkon koha. Tani kam përfunduar një projekt të ri që së shpejti do të dalë, jam paraqitur në “Këngë moj” në Tiranë në natën dibrane dhe epike me këngë mjaft të spikatura. Domosdoshmërisht duhet të bëhet balancim i menaxhimit të institucionit dhe karrierës individuale.
Formacioni orkestral i ansamblit te kengeve dhe valleve shqiptare ne Maqedonine e Veriut (Facebook)
CMG: Ansambli ka pak kohë që është krijuar, por gjatë kësaj periudhe keni pasur shfaqje të njëpasnjëshme dhe të suksesshme. Si keni arritur të vini kaq shumë shfaqje në këtë periudhë të vështirë pandemie?
Shkodran Tolaj: Puna, përkushtimi i kanë sjellë dhe rezultatet. Nuk ka qenë e lehtë dhe ishte një sfidë globale, por mendoj se vetëm puna na ka mbajtur mendërisht të shëndetshëm për të tejkaluar një situatë e cila ishte labirinth në vehte dhe nuk dinim se ku na shpie. Ne kemi bërë dhjetra mesazhe senzibilizuese gjatë pandemisë me moton “Qëndroni në shtëpi” pastaj solidarizim me viktimat nga Covid 19 në botë, që u është dërguar ambasadave të ndryshme. Puna që kemi bërë online na shërbeu shumë që me kthimin në normalitet të mund të shfaqim në gusht 2020 koncertin televiziv premierë, që u mbajt pa publik.
CMG: Cilat kanë qenë sukseset më të mëdha të asnsamblit gjatë këtij viti?
Shkodran Tolaj: Konsideroj suksese të gjitha realizimet dhe arkivimet që kemi arritur të bëjmë. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar 4 koncerte për personalitete dhe është arkivuar krijimtaria e kompozitorit shkupjan Lorenc Antoni, krijimtaria e kompozitorit dibran Musa Piperku, krijimtaria e kompozitorit gostivaras Enver Stafaj, muzika dhe këngët e grupit legjendar Trio Zajazi. Gjithë kjo punë tani po inçizohet në studio dhe do të realizohet në CD, që do mbetet arkivë e pasur për gjeneratat e ardhshme. Koncerti i 20 vjetorit të marrëveshjes së Ohrit paraqet një gur të fuqishëm në suksesin e ansamblit, posaçërisht realizimi i valles premierë, Vallja e paqes. Koncerti i 60 vjetorit të Ilir Shaqirit që u mbajt në shkurt të këtij viti përbën një sukses tjetër dhe eveniment të papërsëritshëm.
Ansambli i kengeve dhe valleve shqiptare ne Maqedonine e Veriut gjate nje shfaqje (Facebook)
CMG: Keni pasur edhe bashkëpunime me Ansamblin shtetëror të Shqipërisë?
Shkodran Tolaj: Jemi vazhdimisht në kontakt, të ftuar në evenimente dhe festivale të përbashkëta dhe në biseda që në të ardhmen mendoj të realizojmë diçka të përbashkët!
CMG: Çfarë po pëegatisni për festat e nëntorit?
Shkodran Tolaj: Që nga viti i parë, 2019 kur jam vendosur drejtor, festat e nëntorit kanë kaluar në evenimente të rëndësishme të repertorit të ansamblit. Kështu çdo vit përveç evenimentit qëndror në Shkup, ne realizojmë dhe koncerte në qytete. Jam në hartim e sipër të programit të 28 nëntorit dhe besoj se do të jetë një spektakël i veçantë, siç janë mësuar të na shohin spektatorët edhe viteve të kaluara.
CMG: Cila ka qenë shfaqja e fundit e ansamblit dhe si është pritur nga publiku i gjerë?
Shkodran Tolaj: Koncerti i fundit iu dedikua Enver dhe Shaban Stafajt nga Gostivari, personalitete që lanë gjurmë në kulturën tonë. Për fatin e mirë një pjesë e madhe e partiturave që nuk janë të inçizuara ishin të ruajtura në shtëpinë e Enver Stafajt dhe orkestrimi i tyre, risjellja në skenë ishte emocion i veçantë si për mua ashtu dhe për familjarët dhe artdashësit.
Shkodran Tolaj ne interviste per CMG
CMG: Çfarë projektesh të tjera keni në karrierën tuaj personale dhe projekte të Ansamblit?
Shkodran Tolaj: Tani po merremi me vallet e reja që janë në repertor per sivjet dhe ato do të shfaqen premierë në koncertet e nëntorit. Aktualisht po punojnë koreografët Genci Kastrati dhe Dilaver Kryeziu ndërkaq në planin individual do të publikoj këngën e famshme dhe shumë të vjetër, e cila është ribërë në version pop- rok, kënga e Keq Hysenit.
Intervistoi: Gazmend Agaj